More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArbër Ahmetaj: Epidemia e lirisë te Mehmet Kraja

    Arbër Ahmetaj: Epidemia e lirisë te Mehmet Kraja

    Mehmet Kraja, në këtë roman të fundit, fillimisht duket sikur po shkruan tregime. Të gjata, disa shumë të gjata.  Një qen i vogël në aeroport, i humbur, i pashpresë dhe një mori personazhesh, që qendër gravitacioni kanë aeroportin, si “no man’s land”, por që tërhiqen nga një fuqi tjetër e errët, po aq e enigmatike sa ajo e gravitacionit, pesha e kujtimeve, e së shkuarës së tyre. Aeroporti shërben si nyje apo si pikë nisjeje drejt së ardhmes, e cila aq pashpirtshëm i ngjan së shkuarës. Ikin deri në Irlandë, Gjermani, Zvicër, veç si te skena e fundit e pjesës së Becket, “Duke pritur Godonë”, ku personazhet duan të nisen, të ikin, ngrejnë një hap e ngrijnë, gozhdohen aty. Presin zotin. Po personazhet e këtij romani çfarë presin? Liria ka ardhur. E shkuara e tyre rikthehet jo veç në të tanishmen e tyre, por përbën edhe horizontin e së nesërmes. Jeta e Halil Demajt, Sabit Ymerit, Hysen Ramës, Nazlijes, Bujar Sylës, Muharrem Marmelushës, Selim Krasniqit, burrit të Sanijes, Afërditës së qenit dhe e vetë atij qenushi vjen në roman me një intensitet e ngjyra të forta, por duke qenë se jeta e tyre ka qenë krejtësisht e pavlefshme, lexuesit i duket herë-herë se jetë të tilla s’meritojnë jo të sillen në letërsi, por as të jetohen. Po, siç kuptohet gjatë leximit, ky është kurthi stilistik, kjo është mjeshtëria e autorit, pasi duke sjellë përbuzjen që ata kanë për jetët e tyre, na kujton se shpesh në jetë bëjmë edhe ne si ato personazhe: u dorëzohemi iluzioneve, ideologjive, ndjesive të trupit e kënaqjes së tyre të pafre. Nganjëherë hedhim në letër ato që jetojmë e na kap deliri se jemi autorë të ndonjëfarë dorëshkrimi me vlera të përbotshme e herë tjetër, ajo që na ndodh ta jetojmë, na duket aq e jashtëzakonshme sa mendojmë se të gjitha enciklopeditë e botuara të nesërmen do ta përmendin me domosdo emrin tonë. E nuk dorëzohemi asnjëherë në udhën e mrekullueshme të budallallëkut e të kotësisë. Ka personazhe që kanë bërë edhe vepra heroike, kanë marrë pjesë në ngjarje të mëdha, për të cilat as që i bie kujt ndërmend. Dëshpërimi i tyre na bën të qeshim, pasi autori s’ka dashur t’i mbështjellë me tragjizëm, madje e ka shmangur me shumë finesë gjykimin për ta. Janë personazhe me të cilët s’do të donim të identifikoheshim si lexues, por që, gjithsesi, na tërheqin e na mësojnë shumëçka nga palumturia e tyre (e jona).

    “Liria ime” nuk është roman i rrëfimit të një ngjarjeje që të mahnit, por i një stili që të përpin.
    Edhe pse diskrete, prania e autorit futet në rrëfim duke hutuar lexuesin, i cili, deri në ato çaste, mendonte se ka një narrator. Kjo bëhet aq e këndshme, sidomos kur në rrëfim vijnë emra konkretë figurash publike të botës shqiptare, të cilët, ashtu papritmas, përmbysin situatën e trishtë të personazheve e vezullojnë në një çast humori të këndshëm, pasi emri i përmendur, në shumicën e rasteve, as që ka lidhje me ato që rrëfehen. “…thuhej se udhëzimet për demonstratat e vitit 1981, organizatorët i kishin marrë nga një profesor i Tiranës, Androkli Kostallari… …por, nuk e kishte të qartë se çfarë lidhjeje kishte kjo me Aidën, që nuk kishte qenë e virgjër natën e parë të martesës”.

    Një personazh është i bindur që Zoti është fashist, ndërsa një tjetri i duket se jeta e tij kishte qenë e shkurtër dhe e komplikuar, si epitaf mbi varrin e një komunisti.
    Keqkuptimet e këtyre personazheve janë vërtet të trishta për ta, por lexuesit i mbeten në mend, pasi një lloj humori i lehtë, i paqëllimshëm, krijohet gati në çdo faqe. E kjo është një cilësi shumë e mirë e shkrimit të Mehmet Krajës. Gjithë ajo zymti s’do ishte përballuar dot pa këtë element elegant të shkrimit. Ekonomia e dritës, mungesa e ngjyrave, lëvizja e somnambulët e karaktereve, ritmi i brendshëm i shkrimit, fjalitë e gjata dhe thyerjet e befta e shndërrojnë këtë tekst në një skenar filmik të konceptuar për të shkaktuar drithërima. Kjo mjeshtri shkrimi s’vjen si habi, pasi Kraja ka shkruar katërmbëdhjetë romane, pesë libra me tregime e disa pjesë teatrore. Nganjëherë kam dëshirë ta reduktoj numrin e fjalëve për një libër, në një fjali të thjeshtë: Lexova një libër të bukur!

    “Liria ime” është roman që kënaq shijet estetike, që e bën mendjen të reflektojë e zemrën të ndjekë me drithërima rrëfimin: tri përmasa që bashkohen rrallë në tekstet e letërsisë shqipe.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË