More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNysret Krasniqi: Gjeneza - Mjalti e Pelini

    Nysret Krasniqi: Gjeneza – Mjalti e Pelini

    1. Pikëpyetja

    Kur njeriun e kap mërzitja dhe habia ekzistenciale domosdo do të meditojë për infinitin e universit, kaosin e kosmosin, sferat qiellore, diellin si burim drite, planetet, e sidomos Tokën tonë, dhe domosdo do t’i përthyejë mendimet në qenien e vet për jetën personale, pra kalimtare, si dhe raportin racional e mistik njëkohësisht me paanësinë e të Krijuarës dhe Krijuesit.

    Mendimet e tilla janë aq të vjetra, të themi primordiale, sa që shumë vonë i kap kujtesa e shkrimi njerëzor.

    Këto mendime sublimohen në sofinë se duhet të ketë pasur një Dashuri, ta quajmë madhështore, që nga ex-nihiloja të Krijohet Universumi, relacionet e magjishme të të cilit ende si kap racionalja. Si rrjedhojë, Njeriu në Tokë, si qenie me burimësi nga kjo Dashuri, mbetet gjithnjë në botën e misterit.

    Pikëpyetja themelore që bën Zejnullah Rrahmani, për mua, në prozën e tij, Deti i zi është pikërisht aporia se çfarë relacioni, ndikimi, presioni e pasioni krijon e ushtron Dashuria si Universalitet në Dashurinë njerëzore, personale, në këtë rast në raportin gjenerik mashkull-femër, e cila domosdo për mjeshtrin e vetmisë (autorin) përkthehet në dhembje si udhë jetësore e krijimtare.

    A është dashuria zanafilla e mirësisë dhe e ligësisë që në Krijim?

    A përcillet mjalti dhe pelini i Gjenezës në brezat e pafund të Adamit e Evës?

    Nëse miti biblik thotë se mollën e ndalueme e hëngri Eva, mos letërsia që e krijon Zejnullah Rrahmani e përmbys mitin e thotë se mollën e hëngri Adami, si rrjedhojë autori letrar, i cili vuan e shkruan për fajin e pafaj?

    A u krijua natyra, toka me të gjitha bukuritë e saj, Kopshti për ta hijeshuar jetën e brezave të Adamit e Evës apo Eva e Adami në mëkatin e tyre i japin kuptim ekzistencës së Kopshtit?

    2. Deti

    Dashuria si Universalitet që sublimohet në personazhet-simbole Ai dhe Ajo i japin kuptim Kopshtit, si simbol i të gjitha misterve të natyrës.

    Nëse mimetika tradicionale natyrën e shihte si shëmbëllim të Dashurisë së Krijuesit, proza simboliste e Zejnullah Rrahmanit dashurinë njerëzore, në gasin e helmin e saj, e sheh si kuptimësim të natyrës. Çfarë vlen natyra, krijimi i natyrës me dashurinë e Krijuesit pa dashurinë e brezave të Adamit, të cilët te kjo prozë e shohin konspirimin e krejt Universit në jetësimin e saj individual si relacion imanent ndërmjet Atij e Asaj! Dashuria në këtë rast është zemra njerëzore, e cila shihet si alter-ego e Kosmosit.

    Mirëpo, ku ka dashuri ka edhe dhembje dhe krejt kjo prozë luan me tone të shkëlqyeshme metonimike në dualitetin filozofik: natyrë-kulturë, shpirt-trup, dashuri-urrejtje, prani-mungesë, shkreptima lumturie e dominancë vuajtjeje, tashmë të sublimuara në simbolin e Detit të zi jetësor e jo në detin e kaltërt si metaforë tradicionale. Në këtë konceptualitet domosdo teksti do të ruajë shenja biblike e kuranike, dialogim platonian, pikëpyetje filozofike religjioze e mistike, kredhje ekzotike romantike e deri te shenjat e individualizuara letrare, të cilat prozën e shndërrojnë në një psalm, në kuptimin e poezisë e hymnizimit të Dashurisë. Dhe më interesantja të gjitha këto të dhëna me relativizëm, ngase autori Zejnullah Rrahmani sikur thotë se të gjitha i njoh, por feja ime është dashuria, si rrjedhojë letërsia, një ngjashmëri e transcendencave me poetin pers Xhelaledin Rumiu!

    3. Simbolikat komplementare

    Pylli i zi është figurimi i gjenezës, ku ndodh grishja, malli, tundimi e pësimi, i cili jepet në formë atemporale nëpër trajtat e objektivimit të natyrës sipas kosmosit të zemrës. Pra, krejt muzika e natyrës merr dritë e kuptim nga reflektimi që i jep dashuria. Një ode sa personale, po aq universale, gjithsesi me tingull specifik të zërit autorial. Mirëpo, simbolika e pyllit sado që lidhet në zinxhirët e bukurisë së natyrës, si intencë nuk ka semantikë të gjelbërimit, ngase pylli është i zi, (vaj e mërzi), pra analog me detin e zi, një parashenjë e përbashkimit të gëzimit me pësimin, me imanencën e Dashurisë. Lexuesi këtu vetëm sa thirret të bëhet dëshmitar e pjesëmarrës në bukurinë e dhembjes, e cila letërsinë e bën me shije, me aromë, me mister, por pa eidos, ngase format e racionalitetit janë pushtuar tërësisht nga misteri tejracional i erosit.

    Kroi i bardhë, gjithsesi duke përbashkuar toposin dhe simbolin, ku semantika e parë jep Prishtinën, ndërsa e dyta mitin religjioz si krua-rrjedhë të ekzistencës, figuron jetën, e cila diktohet nga trajtat e dashurisë. Kjo e fundit do të bëhet përcaktuese e çdo forme të ekzistencës, ngase shihet si bosht imagjinar rreth së cilës leviz e merr kuptim çdo gjë.[1] Kroi i bardhë do të poetizojë shfaqjet e mistershme, iracionale të mbretërisë së dashurisë tek individi, gjithnjë duke e shqiptuar intencën autoriale se bota njerëzore do të ishte jashtëzakonisht e varfër po të dominohej tërësisht nga racionaliteti dhe se helmi e gasi i dashurisë në iracionalitetin e vet e bën jetën mozaik ndjesimesh, të cilat e arsyetojnë jetën, pra ekzistencën.

    Iluminimi, si figurim i procesit të formimit shpirtëror e intelektual, jep indicie të tekstit letrar metonimik më të personalizuar. Personazhi-simbol nis e definohet, gjithsesi i mbuluar nga mbretëria e figurës, për të dhënë trajtat e raportit të ndërliqshëm me Dashurinë. Kjo e fundit, inicohet si mister, empiri, veprimtari, objektivim, raport human, impresion e pasion dashuror, ku personazhi-simbol, i cili afrohet me botën lirike të autorit shpeshherë duke qëndruar edhe si alter-ego e intencave të tij, nëpërmjet dhembjeve të ndryshme, e ushtron mjeshtrinë e dashurisë e të intelektit, për t’u veçuar, për t’u bërë zë, në jetë e në arte. Këtë singularitet e mbërrin vetëm nëpërmjet përsosjes së mjeshtërisë së dashurisë. Dashuria në këtë proces të pakthyeshëm mbulon sferat metafizike dhe fizike të personazhit-simbol, i cili të gjitha krizat shpirtërore i filtron me mirësinë e dashurisë, pra kjo e fundit e konceptuar si burimësi nga Krijuesi dhe e identifikueshme me Të. Personazhi-simbol duket se është lojtar, herë i vetëdijshëm e herë i pavetëdijshëm, në botën e misterin e dashurisë, ngase që më parë, ndoshta që në udhën metafizike të shpirtërave, e ka pranuar dominimin e saj.

    Tungjatjeta figurë për stinët e jetës, udhëtimin, ku dashuria bëhet shok i gëzimit dhe i idhnimit duke marrë tipare të ideo-identifikimit. Qoftë si kujtesë, qoftë si empiri apo si përbashkim i gëzimit me hidhërimin, koncepti i mbrujtjes me Dashuri formon e përvijon personalitetin njerëzor, në rastin konkret të personazhit-simbol, të udhëtarit në hapësirat e pamatshme të meditacionit të qenies, i cili duke qenë shpirt inteligjent (Platoni) gjithnjë jeton në pelinin e Detit të zi. Dashuria është e vërtetë, po aq sa vdekja, dhe domosdo habia për fuqinë e saj përngjasohet me habinë për misterin e vdekjes:     

    E kuptojmë që në dashuri jemi si zogu i detit: i lindur për të fluturuar në det. Deti i zi i saj është më i pafund se secili oqean dhe nëpër të janë të shpërndara kontinentet e panjohura: ëndërrimet, pasionet, kurthet, lumturia, magjia dhe vdekja.[2]

    Në fluturimin e përhershëm mbi apo në Oqeanin e saj, personazhi-simbol tashmë ka krijuar besimin personal në madhështinë e saj, besim i cili është përbrendësuar nëpërmjet dhembjeve, krizave, dromcave të lumturisë e vajit të shpirtit, dhembje që domosdo ka krijuar një simfoni shpirtërore, e cila pavarësisht vuajtjeve e ka ruajtur tingëllimen e saj duke u bërë Vepër singulare, e cila i shpërndan jehonat e saj në misteret e jetës si universalitet: Nëpërmjet paradoksit, Zejnullah Rrahmani i falet dashurisë, qoftë e cilësuar edhe si Det i zi, si forcë ndriçuese, divine, madje si udha e vetme e bisedimit e ngushëllimit me Zotin, i cili domosdo për mjeshtrin e vetmisë do të skalitet në vepër letrare:   

    Ti Dashuri më ndriçove rrugën. Në Dritën tënde kam krijuar, me kujdes filigrani, fjalët të cilat i kam lidhur në varg nëpër libra dhe tash, në fund, me guxim, mund të shikoj në sy secilin që lexon shqip dhe me bindje të them që e kam kënduar Këngën Time të dashurisë[3]

    Tungjatjeta, simbolika për Librin e jetës së Zejnullah Rrahmanit, pra për Librin e dashurisë së tij, një simbol për Shenjën e tij, qoftë si empiri, qoftë si thirrje për dialogim me të.

    Molla është figurim për fuqinë e dashurisë si pelin, e cila beftë të rikthen në rini! Ndoshta si validim i filozofemës njeriu vdes i ri, apo i rikuptimësimit të mitit të mollës të Evës. Krejt teksti metonimik i kësaj pjese narrative-lirike të librit të Zejnullah Rrahmanit ka për reflektim ringjalljen, e cila prapë ka për burimësi dashurinë që e mund mërzinë, qoftë edhe me praninë e saj të shkurtër. E poetizuar si forcë e dërguar, divine, me efekte të madhërishme për qenien, qoftë në rikthimin e gëzimit apo të hidhërimit, dashuria këtu lamentohet. Hapësira universale dhe mosha atemporale e dashurisë e shfaqur dhe ndjerë në trajtat e sublimuara të bukurisë së trupit dhe shpirtit – është intenca autoriale lamentuese e autorit. Elegji për dashurinë si testament, si rikthim, si kujtesë e si filozofemë e mollës-mëkatit biblik, si një mall i përhershëm i diktuar nga Qiellorja…

    A është mëkat ajo që zbret, si në ëndërr, nga forca hyjnore dhe shpirtin e përfshin në detin e zi të shpirtit? Mëkati i pamëkat apo faji i pafaj do të tregohen e përshkruhen me stil të hapur dhe emocional për të dëshmuar se edhe mëkati është njohje me Zotin!

    4. Rrethi

    Gjeneza, jeta, njohja e vetnjohja qoftë si universalitet, qoftë si sagë individuale e përbëjnë një rreth të pashpallur kompozicional të kësaj vepre të gjatë në prozë, kur pjesët apo kapitujt janë projektuar si rrathë planetesh, si figurim me tone të theksuara lirike, të cilët sillen në boshtin e menduar të Dashurisë. Kjo e fundit si shëmbëllim me Diellin; pse jo edhe me Krijuesin.

    Si rrjedhojë, leximi i veprës Deti i zi, në dukje pa tendencën e sforcimit të ideve, megjithatë ndërton një strukturë implicite, e cila si etikë të saj e figuron idenë e autorit për imanencën e dominancës së Dashurisë dhe të trajtave të saj në honet e Zemrës individuale, por edhe njerëzore në përgjithësi, si thirrje për më pak gjykim e më shumë dashuri. Asnjë njeri i lirë nuk e do robninë e shpirtit, si rrjedhojë kërkesa për lirinë shpirtërore, e sublimuar në fenomenin e Dashurisë, për sq sa është referenciale-autoriale, po aq është edhe universale. Këtu, tashmë dalim te aftësia dhe përgjegjësia e formës e pyesim: Në çfarë forme na e dha Zejnullah Rrahmani në prozën letrare Deti i zi konceptin dhe konceptimin e tij për Dashurinë? Duke e përimtuar në lexim këtë formë domosdo do të identifikohemi me të si dhe do të gjejmë shpërtimet tona shpirtërore, të cilat do të mbërrijnë deri në shkallë katharsisi. A nuk u tha që nga bota e vjetër aristoteliane se arti i mirë shtron pyetje e kulmon me katharsis? E burim i këtij katharsisi, për ne, është stili rrëfimtar, përplot lirizëm, që e ka kjo prozë, i cili të mahnit me intimitetin e përjetimit dhe habitjet imagjinative. Po stili është vetë Njeriu, Zejnullah Rrahmani, i cili na mëson të mos frikësohemi me e hangër mollën e dashunisë!  


    [1]  F. 96.

    [2]  F. 232.

    [3]  F. 277.

    NJË KOMENT

    1. Një mirënjohje për N. Krasniqin në vlerësimin e sakt të këtij libri- ,,ROMAN” shkrimtarit Z. RR. i cili qysh me romanin e parë, Z. e H. premtoj për një letërsi filozofike- ndryshe nga ajo që shkruhej, pra proza ,,Zenjane”me një avansim t’lartë prozaik ashtu siç diti autori.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË