More
    KreuOpinionMinella Aleksi: Bukuria ekziston në mëndjen e soditësit

    Minella Aleksi: Bukuria ekziston në mëndjen e soditësit

    Në çdo vend dhe në çdo brez njerëzor, ka gjithmonë art. Është e kuptueshme se arti si aktivitet njerëzor është shprehje e kreativitetit artistik që bëhet i dukshëm kur merr një formë. Prandaj i gjithë proçesi krijues është një përpjekje e mundishme imagjinative e artistit për të krijuar kuptim. Për të shprehur atë të paemëruarën dhe të panjohurën që artistit “mëndjen ia torturon”. Njeriu mund të vlerësojë, të gjykojë dhe adhuroj artin si produkt estetik njerëzor të vullnetshëm. Por e ka të pamundur të gjykoj “krijimtarinë estetike të Natyrës që zhvillohet jashtë vullnetit të tij. Natyrës nuk mund t’i sugjerojmë një temë kreativiteti, nuk i bëjmë dot kritikë, nuk i kërkojmë dot që të korigjoj diçka të pa arrirë estetikisht, madje as nuk mund t’i kërkojmë që të ketë një ‘sjellje të lavdërueshme” me ne njerzit, etj.. Në mënyrë absolute madhështia ose sublimja në natyrë siguron një shembull të pastër gjykimi estetik, sepse nuk ka asnjë artist të vet Natyrës që do të interpretonte fuqinë estetike ose vlerën e madhështisë të Artit natyror. Çdo lexues apo artdashës zgjedh të lexoj trillimet e një shkrimtari apo të shijoj bukurinë e një vepre arti që i duket interesante sipas kuptimit të vet mbi të bukurën në art. Ndërsa veprat e artit janë krijim i vetëdijshëm i artistit, gjykimi mbi të bukurën është subjektiv, ngaqë bukuria në gjëra ekziston si ndjesi në mendjen që i sodit ato. Mendoj se duhet theksuar fakti që bukuria nuk është siç supozohet zakonisht, një cilësi… por është një efekt i fortë emocional që njihet në ndjesi si një ngritje, si një çvendosje intensive dhe e pastër e shpirtit. As e intelektit dhe as e zemrës. Një vepër arti, veçanërisht e letërsisë, dhe një poezi në veçanti, i drejtohet një njeriu tetë-a-tetë, duke hyrë me të në marrëdhënie të drejtpërdrejta – pa asnjë ndërmjetës, duke qënë në gjëndje t’i përcjell emocionet lexuesit që është i përgatitur t’i marrë ato, ndikon fort në shpirtin, disponimin dhe mendimet e tij. Nëqoftëse ndjekim parimin që vepra e artit për të qënë kryevepër estetike duhet të jetë e vlerësueshme universalisht, atëhere duhet të pranojmë se është bukuria si ndjesi, si vërshim emocional ajo mrekulli që zotëron  fuqinë për të kënaqur universalisht. Dallimi themelor midis artit dhe bukurisë është se arti ka të bëjë me se kush e ka prodhuar atë, ndërsa bukuria varet nga kush po e shikon dhe po e shijon. Duhet të mbajmë mirë parasysh se përpara artit sipëror reagimi është krejt emocional, logjik është reagimi përpara autorit. Çdo vepër arti dëshmon bukurinë e llojit të vet që artisti e sheh dhe dëshiron që shikuesit ta perceptojnë. Në të shumtën e rasteve njerëzit janë të verbër ndaj kësaj bukurie dhe vetëm ata që kanë zhvilluar një ndjenjë të mirë vlerësimi mund ta përjetojnë dhe shohin artin në të njëjtën mënyrë si artisti. Prandaj, rafinimi i aftësisë së dikujt për të vlerësuar artin i lejon atij të kuptojë thellësisht qëllimin e një vepre arti dhe të njohë bukurinë që ajo zotëron.

    Mendoj se duhet të jemi të gatshëm të pranojmë se artistët nuk janë të lirë nga paragjykimet e kulturës së tyre, nga “”verbëria” ndaj paragjykimeve të saj apo nga të metat e tyre të karakterit. Duhet të mbajmë mirë parasysh se për fat të keq abuzimet nga njerëzit e fesë kanë ndodhur herë pas here në kishë dhe do vazhdojnë të ndodhin sepse kisha është një komunitet njerëzor. A nuk është komunitet njerëzor ai i artistëve, të cilët së pari janë njerëz e pastaj krijues të mrekullueshëm?. Komisioni i “Nobel” që jo rrallë është ironizuar se ka cënuar kredibilitetin apo “shenjtërinë” e tij gjykuese mbi veprat më të mira letrare, si komision i përbërë nga njerëz, nuk mundet të përdor ndonjë “vaksinë antisubjektivizëm” që t’a mbrojë nga “sëmundja e njëanshmërisë jashtëletrare”.

    Duke qënë krijuesit të tillë bëjmë pyetjen: a duhet të ndikojë biografia apo karakteri i një artisti, sjellja e mirë e autorit si faktor në gjykimin e veprave të tij? Si mund t’a pajtojmë kënaqësinë estetike të veprës me neverinë morale të autorit?  Pikëpamja se ne nuk duhet ta gjykojmë artin për shkak të sjelljes së artistit mbështetet nga idetë e zakonshme se si duhet ta vlerësojmë artin. Një vepër arti supozohet të ketë vlerë dhe kuptim më vete. Supozohet të gjykohet për atë që është dhe jo për lidhjen me faktorë të jashtëm. Vetë autorët më të njohur paralajmërojnë që veprat e tyre të mos merren si pasqyrim i asaj se kush janë. Mendoni pak për artistët për të cilët nuk dimë asgjë. Si silleshin këta njerëz kur shkonin në shtëpi, ose mes tyre me zakonet, veset dhe brutalitetin në shoqërinë e femrave gjatë dhe pas një dite të lodhëshme pune apo edhe kur përfundonin nëpër lokale nate në grup. Nuk besoj se do të ndiejmë nevojën që të rezervohemi të gjykojmë për veprat e artit, nisur nga arsyetimi që t’i kushtojmë së pari vëmendje përcaktimit të karakterit moral të çdo artisti, derisa të zbulojmë se sa të lavdërueshëm ose të përçmuar moralisht mund të kenë qenë këta artistë. Përndryshe duhet të duam që artistët tanë të jenë të virtytshëm, se duhet të presim moral dhe sjellje etike nga ata.

    Po sjell 2 shëmbuj modele që flasin sesa e shkëputur, tërësisht e pavarur në jetën e saj është vepra  e autorit nga biografia e tij.

    Kur lexon “Plaku dhe Deti” mbushesh me emocione të forta, të nxit të reflektosh thellë për kuptimin e jetës, të ndryshon vizionin mbi të aq sa ndjesia që të përshkon të bën të mendosh se teksti duhet të jetë shkruar nga njeriu më i mirë në të gjithë botën. Ndërsa e vërteta është e kundërta. Shkrimtari Ernest Hemingej, ikonë e letërsisë amerikane, Nobel në letërsi, plot aventura në shoqëri me femra, mizogjin, alkolist, i përfshirë në ngjarje plot rreziqe gjatë revolucionit kuban, deri në angazhimin si informator i agjensisë ruse të inteligjencë (KGB), ishte shumë larg të qënurit një autor “ i përsosur”. Për të mos thënë që ishte një grumbull vesesh, “monstër”  ku bashkëjetonin dy të kundërta,  biografia e njeriut me shumë dritë hije dhe krijimtaria artistike e adhuruar nga shumë breza lexuesish. Përvojat e shumta jetësore të autorit ose biografia e tij, kaq shumë e pasur me difekte, nuk është bërë pjesë e personazheve në roman, gjë që e ka lindur dhe e ka zhvilluar tregimin si një krijesë që ecën dhe bën jetën e vet, si tekst i kompletuar me të gjithë elementët që i japin vlerë universale, pavarësisht nga biografia dhe eksperiencat e autorit. Ja si shprehet Harold Bloom mbi romanin e parë të Heminguejt: “Megjithëse romani “Dhe dielli lind përsëri” ka një përmasë autobiografike të konsiderueshme, Hemingueji u përpoq shumë ta çlironte romanin e tij të parë nga ndikimi i përvojave të veta personale. Autori dhe gruaja e tij nuk duken në asnjë rrethanë në brendësi të faqeve të librit. Personazhet në roman bëjnë jetën e tyre në botën që autori i shpuri të jetojnë, shumë larg botës së tij të përditëshme”.

    Shëmbulli i dytë është “Don Kishoti “ i Servantesit.

    Shumë nga elementët dhe ndodhitë e shumta të Don Kishotit në roman janë nxjerrë nga jeta e Servantesit: prania e piratëve në bregdetin spanjoll, mërgimi i maurëve armiq, të burgosurit e frustruar, përpjekjet e dështuara të arratisjes së të cilëve u kushtuan atyre shtrenjtë, rrëfimet me detaje të betejave, janë as më shumë e as më pak eksperienca dhe përvoja të vet autorit nga jeta e tij. Udhëtimet e kalorsit endacak, shpëtimi i princeshave në ankth dhe betejat me magjistarët e këqinj, kalorësia në mbrojtje të grave të dobëta e fatkeqe përmbajnë histori melodramatike, janë tregime shumë të stilizuara të personazheve të cekët që luanin drama shekullore, ishin përjetime të vet Servantesit, të shkrimtari që jo vetëm e vlerësonte thellësisht teatrin, por edhe që shkruante për teatrin. Teatraliteti i personazheve të tij vitalizohet pikërisht sepse marrin disa nga karakteristikat strukturore të personazheve të teatrit, jo të autorit.

    Në moshë të re Servantes studioi arkitekturë, letërsi dhe art në Romë për disa kohë, dhe më pas iu bashkua marinës spanjolle. Ishte gjatë shërbimit në marinë që krahu i tij i majtë u plagos brutalisht dhe ai nuk mundi ta përdorte më pas. Ai e konsideroi atë si një simbol nderi teksa po luftonte për vendin e tij. Me jetën shumë të pasur me përvoja jetësore shkrimtari i vesh karakteret me këtë kod nderi që të portretizuar si të tillë hidhen në beteja ideale për rivendosjen e vlerave të humbura. Pavarësisht përvojave të autorit deri edhe atë të shkishërimit të Servantesit në 1587 (vetëidentifikimi i Sanços si një “i krishterë i vjetër”), personazhet jetojnë aventurat e tyre, bëjnë luftërat dhe heroizmat e tyre, janë personazhe të përgjegjshëm dhe të besueshëm që angazhohen me njëri-tjetrin në mënyra të sinqerta dhe kuptimplota. Biografia e Servantesit na tregon atë që ai bëri në jetë, ndërsa në veprën letrare personazhet i lëshoi dhe e përshkroi jetën e tyre duke na treguar se çfarë mendonin.

    “Padyshim veprat e gjenive arrijnë ta kapërcejnë kohën duke e reflektuar gjithsesi edhe epokën në të cilën janë krijuar, thotë Harold Bloom. Kështu që, nëse doni, mund të shikoni tek “Hamleti” një kuadër të Londrës së vitit 1601, por sigurisht që nuk keni aspak nevojë t’i drejtoheni Hamletit për të parë këtë kuadër, meqë keni plot alternativa të mundshme”.

    Mendoj se angazhimi në mënyrë kritike me një vepër arti është krejtësisht tjetër gjë nga miratimi i moralit të artistit.

    Ka njerëz që refuzojnë të shkojnë për të parë filma nga Roman Polanski por në 2002 Akademia  “Oscar” e vlerësoi  si regjizorin më të mirë për filmin “Pianisti”. Jam përpjekur t’a shikoj punën e tij përmes thjerrëzës së karakterit të tij prej “monstre”, por sa më shumë pëlqej filmat e tij aq më shumë i nënshtrohem një harrese të qëllimshme për autorin. Kur u pyet nëse filmat e tij e ndihmuan atë të përballonte dilemat e tij të jetës, Vvoody Allen mohoi çdo lidhje midis jetës së tij dhe veprave të tij. “Filmat janë trillime. Komplotet e filmave të mi nuk kanë asnjë lidhje me jetën time.

    Vepra e kompozitorit Richard Vvagner është luajtur në Israel paradoksalisht nën drejtimin e dirigjentit të njohur hebre Daniel Barenboim. Tregtari i Venecias i Shekspirit bën supozime antisemite për hebrenjtë por nuk është “ndotur” nga ky fakt. Për shkak të sëmundjes së tij, Vincent Van Gogh nuk u pranua kurrë nga shoqëria. Arti i tij është një krenari e fantazisë njerëzore. Kultura italiane e ndau veprën artistike të Luixhi Pirandelos nga sjellja entuziaste e tij fashiste dhe miqësia e ngushtë me Musolinin. Kemi rastin e shkrimtarit Philip Roth që fajësohet se në romanet e tij gjen jo rrallë çfaqje të mizogjinisë. Me këtë rast kemi mundësinë dhe të drejtën që të heqim një vijë të kuqe, të mbajmë një qëndrim. Çështja këtu nuk është vetëm nëse është ky shkrimtar mizogjin. Pyetja bëhet dhe dilema është: a po më kërkon kjo vepër arti mua si lexues të jem bashkëpunëtor në një botëkuptim me mizogjininë e artistit?. Dhe nëse lexuesi konkludon se po, atëhere askush nuk mund t’a pengoj që të vendos t’a kthej vëmendjen diku tjetër. Nëse veprat e artit i përkasin një sfere të ndarë nga jeta e artistit, ato nuk mund të ndoten nga gjërat e këqija që bëjnë artistët. Nëse një vepër arti poshtëron një grup ose nxit dhunë, atëherë ka arsye ligjore dhe morale për ndalimin ose censurimin e saj. Nëse shfaqja e punës së një artisti ndikon në komunitetin e tij dhe u shkakton shqetësime serioze viktimave të tij, atëherë këta njerëz duhet të thonë se çfarë duhet bërë me të. Pse them që nuk ka një përgjigje të vetme për të gjithë, por ka disa opsione të mira. Në fund të fundit, një vepër arti që ju flet është një vepër arti që u flet vetëm ndjenjave tuaja. Nuk duhet të harrojmë se nuk është një vendim racional ajo që ne duam, që adhurojmë, që e duam pafundësisht për ekstazën emocionale që na shkakton etj.. Ndjesia emocionale kur shikojmë, dëgjojmë dhe lexojmë një vepër të madhe arti është për çdo individ një hartë emocionesh dhe ndjenjash krejt e veçantë, po aq sa gjurmët e gishtit. Nuk është e mundur të kesh dashur një tekst dhe më pas për shkaqe jashtëletrare të mos e duash në retrospektivë. Sigurisht nëse artdashësi zbulon se një autor që e adhuron ka bërë diçka të pamoralshme apo jo etike, mendoj se padyshim është normale të ketë një reagim emocional. Nëse një vepër arti poshtëron një grup ose nxit dhunë, atëherë ka arsye ligjore dhe morale për ndalimin ose censurimin e saj. Nëse shfaqja e punës së një artisti ndikon në komunitetin e tij dhe u shkakton shqetësime serioze viktimave të tij, atëherë këta njerëz duhet të thonë se çfarë duhet bërë me të. Të mësosh të vlerësosh artin, pavarësisht se çfarë vokacioni apo profesioni ke, është një motorr që do të të shpjerë kulturalisht në një stad më të avancuar dhe më kuptimplotë në jetë. Natyrshëm vjen pyetja: Kur secili prej nesh shikon një vepër arti, e sheh me sytë e tij apo e sheh me sytë e një identiteti kolektiv? Nëse qëndrojmë përballë dhe na duket bosh apo e shëmtuar, a kemi të drejtë në shijen tonë apo jemi të kufizuar nga “verbëria” jonë, kështu që i drejtohemi një autoriteti që na drejton dhe na bën ta shohim atë si një vepër e madhe apo një risi mahnitëse? Pavarësisht nga shumësia e metodave kritike, (tradicionale, formaliste, kritika e re, postmoderniste, etj), që kultura perëndimore ka përjetuar mbetet dominuese në këto 100 vjetët e fundit zgjidhja e dhënë prej kulturës perëndimore mbi raportin art / artistnë favor të ndarjes së veprës nga autori. Si zakonisht të vonuar, kjo mos ndarje na bën të vazhdojmë që të debatojmë akoma nëse biografia e autorit duhet të jetë pjesë e vlerësimit të veprës artistike apo të jetë e ndarë prej saj? Për shkak të mendësisë së shoqërisë me mentalitet kolektivist, të grupit, quajeni po të doni lindore komuniste, mendoj se ne shqiptarët jemi shumë të prirur që t’i shohim veprat e artit me sytë e një identiteti kolektiv. Kjo mendësi anti individualitet artistik bëhet shkak pse disa kritikë e studjues në Shqipëri dhe në trevat shqiptare përreth saj çfaqen shumë refraktarë  për ndarjen e  biografisë së artistit nga vepëra e tij. Çfarë i shtyn? Cmira dhe xhelozia të cilën Shekspiri te “Otello” e kthen në një ide më vizuale, duke e quajtur atë një “përbindësh me sytë e gjelbër”. Dhe kishte kujdesin për t’a portretizuar xhelozinë si një akt kërcënues: “ Oh, kujdes nga xhelozia zoti im, është përbindëshi me sy të gjelbër që tallet me mishin me të cilin ushqehet”. Ne e pamë këtë përbindësh te Tolstoi kur e konsideroi Shekspirin mediokër, pamë Salierin si hije rrotull Moxartit. Pamë Arshi Pipën, studjuesin e kritikun mëndjehapur kur e konsideroi veprën e shkrimtarit Kadare si vepra artistike e një heretiku me  vlerë emancipuese për shoqërinë shqiptare. Kemi parë gjithashtu historianin e letërsisë Rexhep Qosja që nuk mund të ngrihet në lartësinë e kulturës perëndimore e të ndajë artin nga biografia e autorit, që e quajti letërsi provinciale e që nuk pati ndriçimin t’a kapte ose nuk deshi t’a artikulonte rolin emancipues të letërsisë së Kadaresë në shoqërinë shqiptare. Në atmosferën e suksesit të një artisti të madh pjesa më e vështirë është të përpiqesh të gjesh dikë që është i lumtur për artistin. Ne shohim shpesh njerëz të tillë rreth nesh që janë xhelozë për të tjerët, që pozitën e tyre në jetën publike e ndiejnë shumë më e ulët se personi mbi të cilin ai ose ajo ka drejtuar këto sy të gjelbër. Kohët e fundit dëgjojmë që përmendet dhe evidentohet më shumë vepra artistike e poetit F. Reshpja. Të lë përshtypjen se instiktivisht, krejt natyrshëm po dominon ndarja e veprës së poetit Reshpja nga biografia e autorit. Shkaku besoj të jetë fuqia e madhe artistike e poezisë së tij që vetvetishëm e shtyn në harresë biografinë e autorit. Lexojmë një vështrim kritikë të studjuesit e kritikut Matteo Mandala mbi “Kush e solli Doruntinën”që të jep ndjesinë e një shkolle model, sesi një kritikë letrare mund të jetë një krijim artistik më vete. Po aq i tillë mendoj se është  vështrimi kritik i Zija Çelës mbi romanin “Darka e gabuar”. Dikur në Shqipëri kritika letrare ishte profesion por jo art. Në ditët e sotme nuk është as profesion as art. Kritikët tanë rëndom i thonë çdo krijuesi se çdo gjë që krijoni është art i madh. Lexuesve dhe artashësve të kultivuar nuk u mbetet tjetër veç t’u thonë këtyre kritikëve që panegjirikët tuaj jashtëzakonisht të zakonshëm, janë thjesht mendimi juaj i spërkatur me helmin e konformizmit. Prandaj mendoj se kritika e artit ndër shqiptarët ka një histori të gjatë të ngrënies së vetvetes më shumë sesa të rritjes së besimit dhe respektit ndaj saj. Si artdashës unë besoj në qëllimet e artit për të më sfiduar, duke shtypur butonat e mi emocional, duke më detyruar të dyshoj, të artikuloj dialogun dhe besimet e mija të brendshme, duke më nxitur me vetëdije ose jo fillimisht, një ndjenjë të veçantisë  së individualitetit, të veçimit – duke më kthyer nga një kafshë shoqërore në një “unë” autonome të vetëdijshme për të parë me sytë e mëndjes të bukurën të ndarë nga biografia e autorit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË