More
    KreuMuzikëIna Kosturi: "Gishtat gabim", bota e violinës, nga programet tek interpretimi

    Ina Kosturi: “Gishtat gabim”, bota e violinës, nga programet tek interpretimi

    Personalitete të botës muzikore botërore, figura të shquara instrumentistësh janë bërë të njohur dhe kanë ndikuar në përparimin e violinës shqiptare. Edhe pse në një sistem të mbyllur, në kohë teknologjie të varfër, emri i Itzhak  Pelman -it u bë i dashur, e tingujt që vinin nga kasetat e dikurshme ndikuan në lojën e mjaft breza violinistësh . Mbetet dhe sot nëpërmjet videove e klikimeve, kësaj mundësie të sotme informimi, një ndër violinistët më të dashur . Bashkë me interpretimet violinisti i madh herë pas here tregon dhe histori të shkurtra nga bota muzikore, ngjarje të vogla pas koncerteve, me pak sarkazëm, humor, për një botë artistike që është e pakuptueshme për publikun e gjerë. Historitë e botës muzikore, ashtu si dhe fushave të tjera të artit kanë të veçantat, humorin … Kur mblidhen bashkë, muzikantë, instrumentistë, rrëfejnë midis tyre të tilla ndodhi, që i shijojnë e kuptojë plotësisht vetëm ata. Në frymën e rrëfimeve “alla Pelman”, e këndshme është dhe historia e prenotimit të hotelit në një rreth jashtë Tiranës … Ajo histori tregohet shpesh, e sipas rrëfimit, njoftimet në kohë të largëta bëheshin me telegram dhe kështu, në njërin prej tyre, dërguar në një rreth të Shqipërisë shkruhej ; “Po vimë me Halilin dhe Hajrien”. Ishte prenotimi i hotelit që bënte nëpërmjet telegramit Teatri i Operës e Baletit.  Kur shkoi trupa e baletit për shfaqje, hoteli kish prenotuar vetëm dy vende, një për Halilin dhe tjetrin për Hajrien !!!! Përtej ngjarjeve të së kaluarës, treguar sot me humor e rrëfimeve të Pelman -it të madh, hera herës gjendemi para fakteve e të vërtetave qesharake, të cilat i mbajmë fshehur e i tregojmë midis nesh, e ndoshta janë brenda botës profesionale apo përparimit në instrument, jo nga të gjithë i kuptueshëm.

     E tillë është dhe historia e vënies së gishtave” gabim” në veprat violinistike! Violina është një instrument i vështirë, për të cilin duhen 16 vite shkollim, që fillojmë në moshën 7 vjeçare e deri në diplomimin master. Edhe pas kësaj shkolle. vetëm një pjesë e të diplomuarve e ushtrojnë profesionin, e sidomos në skenë.  Ata janë fare pak, pasi gjithë kjo kërkon përkushtimin e një jete, kërkon studim në sensin pratik, studim të thelluar të repertorit muzikor, e sidomos sot, kur kufijtë midis shteteve në botën e artit nuk ekzistojnë më. Një pjesë e violinistëve  ose instrumentistëve të diplomuar i përkushtohen orkestrës, e atje janë pranë instrumentit, një pjesë pedagogjisë, sipas niveleve të mësimdhënies nga fëmijët e vegjël në gjithë ciklet shkollore e deri në institucionet e arsimit të lartë si pjesë e profesoratit. Lëndët principale në këto të fundit kërkojnë dhe stafe të certifikuara, të njohur për interpretimin dhe mësimdhënien, kritere që përcaktohen me ligje, në bazë konkurimi, plotësimi të kërkesave të caktuara sipas ligjeve e vendimeve.  Nëse fillimi i instrumentit kërkon përkujdesin maksimal të mësuesve, për ta bërë tërheqëse orën mësimore, e duke i bërë fëmijët e vegjël të përkushtohen ndaj instrumentit, profesorati në arsimin e lartë fokusohet tek larmia e repertorit, stilet muzikore dhe përgatitje të avancuar sinkron dhe me gjithë zhvillimin e instrumentit në shkollat e konkurset jashtë vendit .Proceset e akredititimit kërkojnë standarte të larta nga këto institucione universitare, që funksionojnë ngjashmërish në vendet e Bashkimit Europian dhe komunikojnë nëpërmjet programeve, projekteve të bashkëpunimit, të lëvizjes nga një institucion në tjetrin, në sfate profesorati dhe studentësh. Profesorati në këto institucione të ndara tashmë në nivelin Bachelor dhe Master është jo vetëm profesor i lëndës, po njëkohësish solist i skenës muzikore, personazh aktiv, i cili çdo fillim viti firmos një marrëveshje për aktivitetet koncertore që do të realizojë gjatë vitit akademik, për botime, aktivitete me studentët, duke sjellë risi dhe qenë i azhormuar me të rejat e instrumentit sot në nivele botërore.  Në mbarim të vitit akademik profesori dorëzon sërish materialet e realizuara, duke qënë koherent e synuar përfshirjen e një numri sa më të madh studentësh në skenë, në formacione të ndryshme e me repertor të spikatur. Edhe pse masivizimi i dikurshëm i violinës ka qënë i dukshëm, edhe pse themi se niveli nuk është ai i dikurshmi, kur koridoret e Liceut gumëzhinin nga tingujt e instrumentistëve studiozë, nga meloditë e koncerteve tejet të vështirë që interpretoheshin që në Lice, ndonëse me doza më të pakta, ndikuar dhe nga koha që jetojmë, studentë të shkëlqyer ka gjithmonë. Gjatë viteve shkolla e lartë përballet me studentë të përparuar, me talente e studentë normale, përparimi i të cilëve në diplomë është tejet i ndjeshëm. Me gjithë përparimin e dikurshëm të violinës, programet e diplomave Bachelor e Master janë shumë më të plota dhe mburrja e dikurshme për premierën e Koncertit Nr 2 të Prokofiev -it nuk ekziston më. Tok me dy koncertet e Prokofiev -it, bashkohen ato dy të Shostakovich, e mjaft vepra të tjera nga Sonata e Foure tek Respighi, nga The Red Violin Chaconne tek Paganiniana e Milstein, sonatat solo tw Ysaye, Reger e shumë e shumë vepra të tjera, si pjesë e repertorëve të studentëve më të mirë. Më parë se ato të bëhen pjesë e repertorit të diplomave, janë pjesë e punës, studimit të profesoratit të violinës. E njëjta gjë ndodh dhe me instrumentat e tjerë. Që këto vepra të interpretohen nga studentët, pa diskutim që duhet të njihen, studiohen. Çdo vit profesorët e instrumentit sipas  mundësive të studentit mundohen ta pasurojnë këtë repertor me vepra të reja premierë. Pra puna e profesoratit e tejkalon rutinën e programeve të njëjta, që gjithsesi dhe ato praktikohen në mënyra të ndryshme, sinkron, në përshtatje dhe me interpretimet në konkurset e sotme ndërkombëtare, ato më të njohurat që janë të publikuara live në kohë reale. Bota e violinës ka modën e saj të përparimit, nga programet tek interpretimi. Studentët e vitit të parë drejtohen në mënyrë të tillë që të munden të përballojnë programe të vështira e deri ato të nivelit Master,  kur gjithë repertori është tejet i ngarkuar . Është i vetmi fakultet ku ndihma e studentit në provime është tërësisht e pamundur. Veprat interpretohen përmendësh, salla është e hapur dhe vetëm studimi i vazhdueshëm kombinuar me punën e pedagogut i bën provimet e violinës ose instrumentit të suksesshëm. Jo të gjithë studentët janë të shkëlqyer, jo të gjithë vazhdojnë e diplomohen në programin Master. Me të njëjtin përkushtim punohet dhe me të tjerë studentë dhe kur niveli nuk është shumë i kënaqshëm. E që ky nivel kërkesash e repertori të realizohet, që bagazhi i njohurive të jetë i duhuri, profesoratit i duhet të vërë ca gishta” gabim “, të thyejë rehatinë fëmijërore në tastierën e zezë, me një teknikë më të vështirë e të sofistikuar të gishtave e harkatave.

     Për një publik më të gjerë, violina ka një tastierë të zezë në të cilën gishtat e dorës së majtë ngjiten e zbresin, sipas gishtave të shkruar mbi fletë, e gjithmonë mbetet vështirësia e kapjes së notave absolutisht pastër . Ashtu siç kuptohet stonimi i këngëtarit ashtu dhe instrumetisti nëpërmjet lëvizjes në tastierë synon pastërtinë absolute intonative, minimizimin e dëgjimit të kalimeve. Pozicionet e violinës vinë me rradhë nga i pari, i dyti,i treti, i katërti, i pesti…  Pozicioni i parë dhe i tretë janë më të thjeshtë dhe aty fëmijët violinistë mësohen më shpejt.  Shpesh duke dashur ti bëjnë sa më të thjeshta interpretimet e pjesëve për fëmijët e vegjël, mësuesit jua ndërrojnë pozicionet dhe manovrojnë për të luajtur në këto pozicione komode. Repertori i mëvonshëm i violinës, e sidomos studimi në shkollën e mesme e universitar kërkon njohjen e tastierës dhe pozicioneve pa dallime. Ndodh që e njëjta pjesë të luhet në moshë të vogël dhe shumë më vonë. Mënyra e interpretimit bën diferencën, siç bën diferencën dhe vendosja e gishtave në tastierë në funksion të pjesëve muzikore. Studentët universitarë nuk janë fëmijë violinistë. të cilëve u vjen mbarë pozicioni i parë dhe i tretë ! Veprat violinistike sonatat e Franck, Foure, Debussy, Stavinsky e shumë e shumë të tjera, Fugat e Bach-ut kërkojnë një kompleks trajtimi i cili jepet në shkollën e lartë . Duhet një kohë që studentët të ndërgjegjësohen për domosdoshmërinë e ndryshimit, nëse ky ndryshim nuk ka ndodhur në shkollën e mesme. Në Shqipërinë tonë, si historitë e Pelman -it të madh apo dy vendet e prenotuara për” Halilin dhe Hajrien”, ndodh të dëgjosh ankesën e vënies së  gishtave gabim !!! Një lloj hezitimi shikon disa herë dhe tek studentët që vinë nga rrethet dhe janë mësuar me një lojë komode, ku përgjithësisht mungon ose shmanget pozicioni i dytë në tastierë. Një nga etydet më të dëgjuara të kontrolleve teknike në shkollën e lartë është Capriccio nr 3 i Rode-s, aty ku dora nga nota e parë tek e fundit qëndron në pozicionin e dytë. Me kalimin e semestrave studentët që përparojnë bëhen të vetëdijshëm që kjo mënyrë e konceptimit apo njohjes së tastierës është e domosdoshme për repertorin e violinës apo gjysmë pozicioni, shpëtimtari që shmang kalimet në koncertin e Mendelssohn -it . Problemi mbetet aty ku e reja nuk ka mbërritur akoma, aty ku përveç bërjes mirë të punës së gjithsecilit e nivelit të përgatitjes,  kërkohet më shumë,  kërkohet të bëhet puna e tjetrit . E në Shqipëri konkurrenca është e fortë, e shprehja se të gjithë duan të jenë të parët e në konkurencë me ata që jetojnë në të njëjtin vend bëhet e fuqishme .  Historia e Halilit me Hajrien do më tepër kohë të merret vesh, derisa në projekte, aktivitete, takime të profesoratit  me shkollat artistike muzikore në Tiranë e rrethe të sqarohet dhe vënia e gishtave gabim !!! Ndryshmi i statusit të Liceut artistik, trajtimi si shkollë specifike artistike, apo punësimi më konkurs në shkollat e muzikës,  realizimi i projekteve e trajnimeve për mësuesit e shkollave të muzikës do ndikonin pozitivisht, e historia e gishtave gabim do merrte të njëjtat buzëqeshje jo vetëm nga stafi akademik, po dhe nga një numër më i gjerë muzikantësh.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË