More
    KreuIntervistaDorota Horodyska: Ndërmjet letërsive të gjuhëve të vogla, poezia shqiptare është e...

    Dorota Horodyska: Ndërmjet letërsive të gjuhëve të vogla, poezia shqiptare është e madhe!

    A. D.: Zonja Dorota, para pak muajsh, nën përkthimin tuaj, poetja shqiptare Luljeta Lleshanaku u vlerësua me një çmim shumë të rëndësishëm ndërkombëtar, atë të Poetit Evropian të Lirisë për vitin 2022, nga një juri, pjesë e së cilës ishte edhe nobelsitja Olga Tokarczuk. Ju si përkthyese e poezisë së saj „Ujë dhe karbon”, si e pritët këtë lajm?

    D. H.: Që nga koha kur Luljeta Lleshanakut iu dha ky Çmim i rëndësishëm kanë kaluar disa muaj dhe tashmë që emocionet janë fashitur mund të flas me qetësi për të. Flas në emrin tim, por teksa paraqiteshim për të marrë pjesë në edicionin e shtatë të këtij Konkursi, kemi qenë të një mendjeje me Luljetën.

    Po e them hapur: nuk e prisnim këtë Çmim!

    Së pari, ngaqë kemi pasur një përvojë të hidhur nga pjesëmarrja në finalen e edicionit të dytë të këtij Konkursi në vitin 2012, kur përmbledhja e saj me titull „Fëmijët e natyrës” nuk fitoi, pavarësisht se libri u la një mbresë të madhe anëtarëve të jurisë. Ndonëse e përgëzuan Luljetën pas kuintave, thanë që nuk ishte e mundur të bënin më tepër. Ishin të tjera arsye ato që vendosën për fitoren e poetit gjerman Durs Grünbein, një poet sidokudo i shkëlqyer.

    Prandaj, kur dhjetë vjet më pas, në edicionin e shtatë të Konkursit (2020-2022) i erdhi sërish radha gjuhës shqipe dhe pavarësisht se organizatorët na ftuan të merrnim pjesë, ne u menduam gjatë se çfarë vendimi do të merrnim. Aq fort na dhimbte shija e atij dështimi të fundit të çuditshëm, i cili ngjante si një fitore morale. Në fund, vendosëm se do ta provojmë edhe një herë, se nuk kishim asgjë për të humbur.

    Së dyti, nuk e prisnim fitoren edhe ngaqë kur libri ishte në fazën e redaktimit, më 24 shkurt të këtij viti shpërtheu lufta në Ukrainë e ndërmjet pesëshes finaliste ishin edhe dy poete ukrainase!, përveç poetes sllovene dhe poetit çek. Ne e menduam gjithçka të humbur, ngaqë pas shpërthimit të luftës të gjitha veprimet, si në Poloni, ashtu edhe gjetkë, përfshirë edhe sferën kulturore u përqendruan në ndihmesën që i duhej dhënë Ukrainës. Si shembull mund të na shërbejë edhe Festivali i Eurovizionit të këtij viti, ku fitoi grupi nga Ukraina. E kështu, sa për kuriozitet: cili vallë do ta fitojë Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2022? 

    Ne dyshuam edhe në kuptimin e vetë çmimit, po qe se ky do të shërbente si ndihmë humanitare, e jo si shenjë për të nderuar arritjet artistike. I bënim vetes pyetjen: Çfarë do të fitojë? Letërsia e madhe, apo sërish vlerat jashtë sferës së artit, në emër të korrektësisë politike?

    Për fatin e mirë të poezisë shqiptare në Poloni, qemë gabuar! Pesimizmi ynë u shndërrua në gëzim. Juria mori një vendim të matur prej Solomoni dhe akordoi dy çmime të njëvlershme: poetes ukrainase Marianna Kijanowska dhe Luljetës. Vendimi i jurisë shprehej se vëllimet e Kijanowskas dhe Luljetës përbënin dy arritje poetike të barasvlershme, njësoj mjeshtërore, që plotësonin njëra-tjetrën. Po shtoj vetëm se në historinë e Konkursit është hera e parë që akordohen dy çmime të barasvlershme. Kjo është një situatë e paprecedentë.

    Këtë vendim të pazakontë e mori një juri e përbërë nga tetë anëtarë me autoritet të padiskutuar. Ajo përbëhet nga ajka e kulturës polake: përkthyes, poetë, shkrimtarë, kritikë dhe përfaqësues të disiplinave të tjera të artit dhe shkencave humanistike, njerëz të hapur dhe të pavarur. Anëtare e Konkursit është edhe nobelistja Olga Tokarczuk, çka ia rrit edhe më shumë prestigjin këtij Çmimi.

    Për ta përmbledhur të gjithë historinë: edhe dështimi mund të jetë fillimi i rrugës drejt suksesit.

    A. D.: Si mendoni, për letërsinë e një gjuhe të vogël si ajo shqipe, çfarë do të thotë një vlerësim i tillë?

    D. H.: Qëllimi i Konkursit „Poeti Evropian i Lirisë” është ndërtimi i një vizioni të ri të bashkësisë evropiane, ku pikërisht letërsive të vogla u jepet shansi për shprehjen poetike. Në këndvështrimin gjuhësor ka demokraci të plotë: gjuhët e vogla krahas atyre të mëdha, poetët e njohur përbri atyre që debutojnë. Në përputhje me rregulloren e Konkursit, për secilin edicion të Çmimit zgjidhen të tjera gjuhë udhërrëfyese. Caktimi i gjuhëve udhërrëfyese u jep mundësinë edhe gjuhëve më të vogla, letërsia e të cilave rrallëherë ka ardhur e përkthyer në polonisht, që të spikasin dhe të ekzistojnë në kuadër të Çmimit (…).

    Një qëllim tjetër është të krijojë një bibliotekë bashkëkohore të poezisë evropiane, e cila të mund të përfaqësojë sa më mirë larmishmërinë gjuhësore të kontinentit tonë. Në harkun e dhjetë viteve, në cikle dyvjeçare, u jepet mundësia të marrin pjesë në eliminatore të gjitha gjuhëve evropiane. Deri më tani janë shpallur fituese letërsitë e mëposhtëme: viti 2010 (bjelloruse), 2012 (gjermane), 2014 (kroate), 2016 (rumune), 2018 (islandeze), 2020 (irlandoveriore), 2022 (ex aequo shqiptare dhe ukrainase) [1]

    Në edicionin e tetë (2022-2024) shansin e kanë gjuhët dhe dialektet: bullgarishtja; kroatishtja + dialektet kajkavski dhe çakavski; finlandishtja; frëngjishtja + gjuhët franko-provansale dhe provansale si dhe dialektet romane; letonishtja; flamandishtja dhe hollandishtja + gjuha frislane dhe afrikaanas; portugalishtja; gjuha rome (romani) + të gjitha dialektet e tij.

    Në Poloni, por mendoj që jo vetëm këtu, është tepër e vështirë të botohet një përmbledhje me poezi nga një gjuhë e vogël, bah, edhe nga një gjuhë e madhe, por falë Konkursit finalistët (që do të thotë, e shumta pesë poetë në secilin edicion) e kanë të garantuar botimin. Pra, edhe kur nuk fitojnë, do ta bashkëkrijojnë atë bibliotekë poetike dhe librat e tyre do të mbeten përgjithnjë atje. Sot, kjo bibliotekë numëron më shumë se 50 vepra, të cilat tashmë jetojnë në kulturën polake.  

    Luljeta është autorja e vetme që ka dy përmbledhje në këtë koleksion. Pra, mund të themi, se ndërmjet letërsive të gjuhëve të vogla, poezia shqiptare është e madhe! Është një zë që jehon fuqishëm në hapësirën e letërsisë polake, e më gjerë, në atë evropiane.

    A. D.: Në botën e sotme, komunikimi ndërmjet kulturave sa vjen e bëhet në të njëjtën kohë më i thjeshtë dhe më i pashmangshëm. Si e shihni komunikimin dhe ndërveprimin mes kulturës shqiptare dhe asaj polake?

    D. H.: Kultura po globalizohet me ritme të rrufeshme. Kjo ka anët e veta të mira, sepse na jepet mundësia të njihemi nga afër me larmishmërinë kulturore, sepse shtohet shkëmbimi kulturore dhe dijet tona. Por globalizimi mund të çojë edhe në homogjenizimin e kulturës, që do të thotë, në një gjendje të tillë, ku elementet e kulturës fillojnë të ngjajnë me njëri-tjetrin. Dhe drejtimin e njëtrajtshmërisë e vendosin kryesisht vendet më të mëdha e më të zhvilluara, që lidhet edhe me ekspansionin e tyre ekonomik, teknologjik dhe mediatik. E pra, sa vjen e rritet frika se kundrejt modeleve të diktuara nga jashtë, kulturat rajonale më të vogla, më të dobëta, do të humbasin identitetin e tyre. Sepse, që të ekzistojë dhe të qëndrojë në një botë globale, gjithherë më komerciale, kultura po përdor modele të përsëritura, apo kalimtare, për pasojë mund të bëhet e cekët, ose të tingëllojë false, madje të çojë deri në shtrembërimin e kulturës amtare përmes thjeshtëzimeve, skematizmave dhe klisheve. Atëherë, ajo që është lokale e humbet veçantinë dhe individualitetin e vet.

    Një dukuri e ngjashme vërehet edhe në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Gjithnjë e më shpesh i bëj pyetjen vetes, çfarë dhe si duhet të veproj unë si përkthyese, që letërsia shqipe të hedhë përfundimisht rrënjë në kulturën polake? Dëshira ime është të paraqes më të arrirën e letërsisë shqipe, një letërsi që nuk ka nevojë të pajtohet me një modë të çastit, për të ekzistuar në tregjet perëndimore. Dhe, për fat të keq, një dukuri të tillë e vërej në letërsinë bashkëkohore shqipe, por për këtë do të flas akoma më gjatë. Sot, sfida ime më e madhe është që të gjej në letërsinë shqipe autenticitetin, veçantinë dhe karakterin universal.

    A. D.:  Të bashkosh dy vende të së njëjtës anë të “perdes së hekurt” tani kur kjo perde i përket historisë… Dy vende të dala krejt ndryshe nga komunizmi dhe, në të njëjtën kohë, të përfshira krejt ndryshe nën komunizëm. Nuk e di a ka diçka që këto dy vende i bashkon, por nuk e kam të vështirë të gjej çfarë i ndan, ndërsa ju keni bërë dhe bëni të kundërtën, kërkoni atë element në të cilit fshihet ai thelbi, në mos i përbashkët, i ngjashëm. Sa i vështirë është kërkimi i tij?

    D. H.: Është e vërtetë, se kemi qenë në të njëjtën anë të „perdes së hekurt”, ku Polonia shihej si “baraka më e gëzuar e kampit”, por te ne stalinizmi mbaroi në vitin 1956, kohë kur u jetësua një lloj liberalizimi në ushtrimin e pushtetit nga partia sunduese, kurse në Shqipëri ka vazhduar deri në vitin 1991. Për atë që ka ndodhur te ju, ne kemi nisur të mësojmë vetëm atëherë.

    Në krahasim me Shqipërinë, Polonia vetëm sa është „fërkuar” nga diktatura, por edhe ne kemi pasur përvojat tona të dhimbshme të krimeve komuniste, apo të atyre naziste, më herët. Polakët, po flas këtu për brezin e vjetër dhe të mesëm, vazhdojnë ta kenë të koduar në gjenet e tyre vuajtjen e Luftës II Botërore dhe tragjedinë e hebrenjve dhe të kombësive të tjera në fabrikën e vdekjes, siç ishte Auschwitz. Brezi i vjetër dhe i mesëm i shqiptarëve e ka provuar në lëkurën e vet, 45 vjet rresht, eksperimentin e tmerrshëm komunist.

    Prandaj, për fat të keq, të gjesh atë që na bashkon nuk është e vështirë. Është e dhimbshme, ngaqë na bashkojnë viktimat dhe vuajtja e tyre. Na bashkon ndjesia e lirisë dhe mungesa e saj. Na bashkon qëndresa dhe shtypja e saj. Na bashkon kërkimi i humanizmit në kushte ekstreme dhe përvojat përkufitare që lidhen me këtë. Na bashkon përndjekja, spiunimi, censura, mungesa e një jete individuale, shpëlarja e trurit. Na bashkojnë burgjet dhe torturat. Na bashkojnë gjakësorët. Na bashkojnë pendesa për krimet e kryera dhe mungesa e pendesës. Na bashkojnë fshirja e fajit dhe mungesa e ndjenjës së fajit. Na bashkojnë ndëshkimet dhe pandëshkueshmëria. Na bashkon vdekja e viktimave të pafajshmë.

    Këto trauma vazhdojnë të ekzistojnë në letërsitë tona dhe unë, si përkthyese, ndiej një lidhje të jashtëzakonshme emocionale me viktimat shqiptare të komunizmit. Prandaj, me siguri që do të doja të përktheja letërsinë non-fiction, sepse ajo është kujtesa për atë që ishte dikur, kujtesa për viktimat, por edhe paralajmërim që ai makth të mos përsëritet më kurrë, si në Shqipëri, si në Poloni, apo gjetkë.

    A. D.: Disa nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe i janë paraqitur lexuesit polak nën përkthimin tuaj. Nga ajo çfarë keni vënë re, në ç’mënyrë ky lexues i është qasur kësaj letërsie?

    D. H.: Të godet shpërpjesëtimi tepër i madh në numrin e përkthimeve nga gjuha polake në gjuhën shqipe dhe nga gjuha shqipe në atë polake. Librat e përkthyer në shqip nga gjuha polake janë gati trefish më shumë, afërsisht 60 me 25. Për këtë janë bërë bashkë disa arsye, nga të cilët, për mendimin tim, më të rëndësishmet janë dy: së pari, letërsia polake është më e madhe, ka nxjerrë pesë nobelistë, çka e ka rritur në mënyrë të ndjeshme interesimin për letërsinë tonë dhe për autorët e saj. Së dyti, politika e izolimit të plotë të Shqipërisë nga ana e regjimit komunist ka sjellë humbje të parikuperueshme edhe në kulture.

    Letërsia polake është përkthyer fillimisht në Shqipëri në vitet 30 të shekullit të XX, kryesisht nga gjuha italiane. Në këtë kohë, letërsia shqipe në Poloni ka qenë e panjohur; në vitet 50 të shekullit të XX deri në kohën e ndërprerjes së marrëdhënieve me bllokun lindor në vitin 1961, studiuan në Poloni shumë shqiptarë, nga të cilët disa u bënë, më pas, përkthyes. Në të njëjtën kohë, në Shqipëri studentët polakë numëroheshin me gishtat e dorës. Pas rënies së regjimit komunist dhe pas hapjes së kufijve shumë të rinj shqiptarë erdhën të studiojnë në Poloni, disa prej tyre u ngulën në Poloni. Nga ky grup vjen edhe brezi më i ri i përkthyesve. Kurse, të rinjtë polakë nuk e shihnin Shqipërinë si vendin e ëndrrave për të studiuar. Vetëm në vitin 2000, falë angazhimit të prof. Irena Sawicka në Unviersitetin e Torunit u hap për herë të parë filologjia shqiptare, e disa vite më pas, shumë prej të diplomuarve nga kjo degë nisën të punojnë si përkthyes nëpër misionet ushtarake, si rezidentë turistikë, por edhe si përkthyes të licencuar. Deri më tani asnjëri prej tyre nuk është bërë përkthyes i letërsisë artistike.

    Ndërkohë, letërsia polake ka gjetur tashmë disa breza përkthyesish të shkëlqyer[2]. Ndër ata që i përkasin brezit më të vjetër duhen përmendur i ndjeri Qevqep Kambo, por edhe Arqile Teta, Leonard Zissi, Pandeli Cina. Brezin më të ri e përfaqësojnë: Astrit Beqiraj, Edlira Lloha, Petrit Dollani, Rigels Halili. Duhet theksuar se Arqile Teta është gjithashtu autor i dy fjalorëve të domosdoshëm në punën e secilit që merret me gjuhën polake dhe shqipe: „Fjalor polonisht-shqip” (2007) dhe „Fjalor shqip-polonisht” (2018), secili prej tyre përmban 30 mijë fjalë.

    Letërsia shqipe përkthehet në Poloni nga tre përkthyes: Mazllum Saneja nga Kosova (vdekur në vitin 2021) dhe Rigels Halili, që përkthen në të dyja gjuhët (siç edhe i ndjeri Saneja), si dhe nga Dorota Horodyska, e cila përkthen vetëm në gjuhën polake.

    Deri në vitet ‘80 të shekullit të XX letërsia shqipe në Poloni praktikisht nuk ka ekzistuar me përjashtim të një dyzine tregimesh dhe reportazhesh të përkthyera nga gjuha ruse në vitet 50. Vetëm në vitin 1984 është botuar në polonisht romani i Ismail Kadaresë „Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ndërsa në vitin 1988 „Prilli i thyer” të përkthyer nga gjuha frënge. Në këtë kohë, revista „Letërsia në botë” botoi disa vjersha të poetëve kosovarë të përkthyera nga Mazllum Saneja, i cili, si shtetas i Jugosllavisë së atëhershme, mund të udhëtonte lirisht nëpër Evropë dhe për këtë arsye mundi të vinte edhe në Poloni.

    Situata filloi të ndryshojë pas vitit 1990, por jo përnjëherë. Një interesim i vërtetë për Shqipërinë lindi në kohën e firmave piramidale në vitin 1997 dhe në kohën e luftës së Kosovës, kjo edhe i çeli rrugën letërsisë shqipe. E pra, politika edhe një herë ushtroi ndikimin e saj mbi letërsinë, por kësaj here, një ndikim pozitiv.

    Një rol të jashtëzakonshëm në promovimin e publicistikës shqiptare të „dorës së parë” ka luajtur gazeta më e madhe polake „Gazeta Wyborcza” [Gazeta e Zgjedhjeve] dhe kryeredaktori i saj Adam Michnik – veprimtar i opozitës, disident dhe i burgosur politik. „Gazeta” dhe gazetarët e shkëlqyer të kësaj gazete ishin ata, që botuan për herë të parë, artikuj rreth situatës në Shqipëri dhe në Kosovë të shkruar nga Fatos Lubonja, Bashkim Shehu, Shkëlzen Maliqi, Artan Puto, Veton Surroi, Gazmend Kapllani, tashmë të përkthyer drejtpërdrejt nga gjuha shqipe.

    Një përzgjedhje e publicistikës së Fatos Lubonjës nga vitet 1991-2005 me titull „Shqipëria: liri e kërcënuar” (2005) pati jehonë të gjerë në rrethin e lexuesve polakë. Deri më sot, ai libër shërben si çelës por njëherësh si udhërrëfyes për të kuptuar çështjet e ndërlikuara shqiptare. Tirazhi i saj, sikurse dhe tirazhet e librave të të gjithë autorëve, ka mbaruar prej kohësh, por ai vazhdon të jetë libri më i rëndësishëm publicistik mbi Shqipërinë i një autori shqiptar. Këtë libër e shfrytëzojnë studiues të Ballkanit, studentë, si dhe lexues të tjerë, të cilëve u intereson të dinë për Shqipërinë.

    Autori më i rëndësishëm shqiptar që ka hyrë në peizazhin letrar polak në mënyrë të përhershme është Ismail Kadare. Romaneve të përkthyera nga frëngjishtja në vitet ‘80 i janë shtuar të tjera, tashmë të përkthyera nga gjuha origjinale: „Pallati i Ëndrrave” (2006), „Pasardhësi” (2008), „Qorrfermani” (2010; përmbledhje me tri novela: Qorrfermani; Breznitë e Hankonatëve; Komisioni i festës), „Vajza e Agamemnonit” (2011), „Aksidenti” (2013), „Darka e gabuar” (2014).

    Autori i parë i erës postkomuniste ka qenë Ylljet Aliçka. Përmbledhja e tij me tregime „Kompromisi” (2002) ishte një libër-kult ndërmjet lexuesve të letërsisë së Ballkanit. Ky vëllim u shoqërua me shumë recensa entuziaste, autori e vizitoi Poloninë, ndërsa libri i tij u përfshi si lexim i detyruar në planin mësimor të studentëve polakë të gjuhës shqipe, si dhe të gjithë librat e autorëve shqiptarë.

    Një tjetër zë i freskët ishte romani i Fatos Kongolit i botuar në vitin 2007 me titull „Lëkura e qenit”. Ky është mbase rrëfimi më i hidhur që synon të bëjë llogaritë me komunizmin. Libri pati recensa tepër të mira, Kongoli erdhi për promovimin e librit në Poloni, lexuesit kërkonin botimin e librave të tjerë nga ky autor.

    Tregut letrar polak iu shtuan edhe dramaturgët. Drama „Këpucët” (2004) e Stefan Çapalikut ishte drama e parë shqiptare e përkthyer në polonisht. Ajo madje u prezantua në Takimet mbarë polake të dashamirëve të teatrit. Dramat „Shembja e Kullëssë Ajfelit” e Jeton Nezirajt (2015)  si dhe „Gruaja në dritare” e Arta Arifit (2017) kanë prezantuar dramaturgjinë e re të Kosovës. Të trija dramat janë botuar nga revista prestigjioze „Dialog”.

    Kështu, pra, në kapërcyellin e shekujve të XX/XXI, autorët shqiptarë kanë folur polonisht me plot zërin. Ajo njollë e bardhë në hartën letrare nisi të zvogëlohej. Edhe pse fillimisht e trajtuar me habi dhe hutim (a ekziston një letërsi e tillë?!) ajo ka marrë tiparet e një letërsie të lexuar, e cila pasohej me recensa dhe ndiqej me pritshmëri. Ka qenë zbulim!

    A. D.: Po lidhja juaj me shqipen, gjuhën dhe letërsinë e shkruar në këtë gjuhë, kur fillon dhe si vazhdon?

    D. H.: Ka qenë rastësi.

    Në vitin 1993, ndodhi të vija në Tiranë për promovimin e antologjisë së poezisë shqipe dhe polake. Nuk dija asnjë fjalë shqip. Gjatë qëndrimit nisa të bisedoj me shkrimtarët dhe poetët në rusisht. Në njërin prej takimeve, Bardhyl Londo më pyeti, disi me shaka, nëse do të nisja ta mësoja shqipen. Kurse unë, pa kaluar as tri ditë nga qëndrimi im në Shqipëri, e dija që kisha dëshirë të bisedoja me shqiptarët në gjuhën e tyre! Ngaqë shqiptarët më ngjallnin kërshëri. Ndonëse në këtë kohë Shqipëria sapo kishte nisur të dilte nga izolimi, shqiptarët dinin për Poloninë aq shumë, kurse unë nga Polonia „e hapur” nuk dija asgjë për Shqipërinë. Më erdhi turp. U zgjua tek unë ambicia. Doja të dija sa më shumë: kush janë, si kishin mundur të dinin ato gjëra për botën dhe për vendin tim, çfarë kishte ndodhur në periudhën e komunizmit. Këto ishin tema-lumenj. E pra, iu përgjigja Bardhylit, se do të përpiqesha. Ishte si t’i jepja besën. Atëherë nuk e dija se çfarë rëndësie kishte besa në kulturën shqiptare, por e dija se çfarë do të thoshte për mua personalisht, që ta mbaja fjalën. Dhe kështu nisi.

    Jam autodidakte. Kur kam filluar, në Poloni nuk ka pasur filologji të gjuhës shqipe, as libra shkollorë për mësimin e gjuhës, as fjalorë (por, që në vitin 1992 për fat, pa dritën e botimit „Fjalor minimum shqip-polonisht polonisht-shqip” me autorë Marek Jeziorski dhe Jerzy Wiśniewski), nuk ka pasur internet për të mësuar nga kontaktet e drejtpërdrejta. E gjithë kjo „punishte” është krijuar më vonë. Por, ka pasur diçka të jashtëzakonshme dhe të bukur në mësimin tim. Gjatë gjithë kohës më kanë ndihmuar, si polakët, ashtu edhe shqiptarët! Kam pasur shumë fat. Ose mbase, jam me fat me njerëzit?

    Në Poloni, fillimisht ma ka mësuar gramatikën prof. Jolanta Mindak, bashkautore (bashkë me prof. Sawickan) e librit të parë me titull „Hyrje në gramatikën e gjuhës shqipe” (1993) e cila, si pakkush në Poloni e njihte gjuhën shqipe nga kurset në Prishtinë. A nuk është diçka e jashtëzakonshme, që në një qytet prej një milioni e gjysmë banorë si Varshava, ne banonim disa rrugë larg njëra-tjetrës? Mandej, prapë me ndihmën e njerëzve të veçantë munda të udhëtoj për në Shqipëri edhe tri herë të tjera: herën e parë për tri javë, të dytën për dy muaj, të tretën për tre muaj, gjatë të cilave arrita të nxë njohuri nga gjuha e folur. Që prej vitit 2001, përpiqem ta vizitoj Shqipërinë çdo vit për një periudhë 7-9 ditë dhe e them me dhimbje, që ky është kontakti i vetëm që kam me gjuhën e folur. Në Poloni nuk kam me kë të flas shqip, ndërsa arsyet personale nuk ma mundësojnë të qëndroj më gjatë në Shqipëri, ndonëse përkohësisht. Për fat të mirë ekzistojnë WhatsApp dhe Skype…

    Kur kam filluar mësimin e gjuhës shqipe, thjesht për veten time, nuk e dija se çfarë do të dilte prej kësaj. Kur papritur, në vitin 1997 Shqipëria, më pas në vitin 1999 Kosova përfunduan në faqet e para të gazetave të të gjithë botës dhe në Poloni kërkoheshin lajmet që vinin nga terreni, nga vetë shqiptarët. Kështu që nisa të përkthej për „Gazetën e Zgjedhjeve” tekstet publicistike, të cilat në sajë të përsëritjes së fjalëve e pasuruan shumë shqipen time.

    Publicistika ka qenë etapa e parë në promovimin e kulturës shqipe në Poloni dhe etapa e parë e punës sime si përkthyese.

    Më pas, pasi e kisha njohur disi letërsinë shqipe, kisha fituar një lloj sigurie në raport me gjuhën, vendosa të provoj të përkthej prozën shqipe. Nuk kërkova të përkthej Kadarenë, mendoja se ishte ende tepër herët, mbase kisha frikë nga reputacioni dhe autoriteti i tij. Zgjedhja ime ra mbi tregimet debutuese të Ylljet Aliçkas, të cilat më kishin magjepsur. I përktheva aty për aty, si më erdhi, si për të testuar veten, pa shpresuar se shtëpitë botuese do të shfaqnin ndonjë interes për një letërsi deri atëherë të panjohur, për një shkrimtar të panjohur dhe për një përkthyese të panjohur. Sërish, falë njerëzve të mirë, por edhe për fatin tim dhe të Aliçkas, „Kompromisi” u botua në Poloni në vitin 2002. Dhe rezultoi suksesi ynë i përbashkët.

    Pas këtij debuti, pohova se kishte ardhur koha për përkthimin e Kadaresë. Kam përkthyer gjithsej nëntë libra të tij në gjashtë vëllime.

    Poezisë i erdhi koha më vonë. Nuk ma merrte mendja se ndonjëherë do të guxoja të përktheja poezi, se do të nisja „ta ndieja”, ngase poezia e mbart përkthyesin në tjetër përmasë të ndjeshmërisë shpirtërore dhe gjuhësore. Por, pavërsisht kësaj droje, vendosa ta provoj dhe në vitin 2010 paraqita në Konkursin „Poeti Evropian i Lirisë” përmbledhjen me poezi të Luljeta Lleshanakut me titull „Fëmijët e natyrës”. Libri nuk fitoi, por përkthimi im fitoi çmimin si përkthimi më i mirë i poezisë në Poloni, për vitin 2012, të akorduar nga revista „Letërsia në botë”.

    Këtë vit, përmbledhja me poezi e Lleshanakut „Ujë dhe karbon” në përkthimin tim fitoi në Konkurs ex aequo me poezinë e poetes ukrainase Marianna Kijanowska.

    Këto dy përmbledhje përbëjnë deri më tani arritjen time të vetme në fushën e përkthimit të poezive.

    Si fituese e Konkursit, Lleshanaku nuk merr dot më pjesë në edicionet e radhës. Por, nëse dhjetë vjet nga këtu, ne dhe bota jonë do të vazhdojnë të ekzistojnë, do të doja të merrja pjesë në këtë Konkurs me një tjetër poet/e shqiptar/e, vizioni i lirisë së të cilit/të cilës do të më bindë për fuqinë dhe veçantinë e poezisë së tij/të saj.

    A. D.: Nga pikëvështrimi juaj, si e shihni: A do t’i bënte mirë Shqipërisë që letërsia të shërbejë si pasaportë e saj në Evropë? Tiparet e letërsisë tonë, e bashkojnë apo ndajnë atë nga letërsia bashkohore evropiane?

    D. H.: Shqipëria është në Evropë! Letërsia shqipe është letërsi evropiane! Gjithashtu, mendoj se përpjesëtimet e veprave gjeniale, të shkëlqyera, të dobëta, apo mjerane janë të ngjashme me ato që ekzistojnë në çdo letërsi tjetër. Por, kjo letërsi është fatkeqe sepse mbi të rëndojnë dy „mallkime”: mallkimi i lindjes dhe mallkimi i politikës: „mallkimi i lindjes” ngaqë ka qenë përherë letërsi „e vogël”, letërsi e „skajit”, ose letërsi e „periferive”; „mallkimi i politikës” ngaqë për disa dhjetëra vite, nga 1945 deri më 1990, ka qenë e izoluar nga letërsia botërore, ndërsa e vetmja metodë krijuese e saj e ka qenë realizimi socialist.

    Prandaj, pas vitit 1990, letërsia shqipe filloi rrufeshëm të mbushë hendeqet shumëvjeçare, duke provuar të futet sa më shpejt në rrjedhat evropiane. Në këtë garë drejt Evropës të parët që e humbën betejën ishin shkrimtarët e realizmit socialist, të cilët nuk arrinin të shkruanin ndryshe, ndaj humbën rrugën në realitetin e ri. Por, nga ata qindra autorë shqiptarë, të shfaqur në hapësirën letrare gjatë tridhjetë viteve të fundit, kanë qenë tejet të paktë ata që kanë spikatur dhe kanë lënë një gjurmë në letërsinë evropiane.

    Përse është kështu?

    Arian Leka në esenë e shkëlqyer „Provincë autonome – letërsi-fason”[3] (2018), i botuar edhe polonisht në po atë vit, tregon se sa të ndërlikuar e ka hyrjen në Evropë një letërsi si ajo shqiptare, duke pohuar me trishtim, se pavarësisht fenomenit Kadare, i cili lexohet në të gjithë botën, letërsia shqiptare vazhdon të mbetet një prej letërsive më pak të lexuara.

    Ka shumë arsye për këtë dukuri: gjuha „e vogël”, që kufizon numrin e përkthyesve dhe të lexuesve; dobësia e institucioneve shqiptare, që duhej t’i nxisnin dhe promovonin autorët; sponsorizimi dhe shpërblimi me çmime vetëm i atyre autorëve që janë „tanët”; dobësia e kritikës letrare, e cila u thur lavde shpesh autorëve mediokër, vetëm pse janë të njohurit e kritikut; si dhe duke cituar Robert Elsie, mungesë e cilësisë letrare në letërsinë shqiptare[4]; dhe sipas Lekës përshtatja apo imitimi stilistikor dhe klisheja e zhanrit apo tematikës, si stereotip i detyruar prej modeleve sunduese; e mbi të gjitha të ashtuquajturat „tema shqiptare”. [5]

    Po ndalem në këto konstatimet e fundit, ngaqë ato janë më të rëndësishmet në punën time si përkthyese. Po citoj edhe një herë Arian Lekën:

    […] çështja e klishesë së zhanrit dhe tematikës brenda letërsisë shqiptare, lidhet me trysninë

    që fuqitë kulturore dhe gjuhët sunduese ushtrojnë ndaj modeleve më të vogla letrare, duke i grishur ato me sukses ndërkombëtar. Edhe ajo pak “autonomi estetike” e pretenduar prej “letërsive të vogla”, cënohet. Brenda kësaj letërsie krijohet një jetë paralele, përkufizuar me logjikën se, që të mbijetojë dhe të kapërcejë izolimin, kjo letërsi duhet të shkruhet jo duke patur parasysh lexuesin vendas apo thjesht lexuesin si të tillë, por lexuesin e huaj: thënë ndryshe tregun e huaj të leximit[6].

    Turri i shkrimtarëve shqiptarë për famë ndërkombëtare bën që letërsia shqiptare të fillojë të ndahet në dy rryma: për lexuesin vendas që do të thotë për një lexues „të keq” (i cili nuk është aq i emancipuar sa për të kuptuar për çfarë shkruaj, kështu thotë pak a shumë, njëra prej autoreve) si dhe për një lexues „të mirë”, atë perëndimor, i cili është i hapur dhe kupton. Në letërsinë evropiane ka kohë që qarkullojnë të njëjtët emra: Ornela Vorpsi, Elvira Dones, Gazmend Kapllani, tani është bashkuar dhe Lea Ypi. Duke e lënë mënjanë gjuhën shqipe, këta autorë shkruajnë menjëherë në gjuhët e „mëdha”, për pasojë përkthehen nga këto gjuhë. Disa i përkthejnë më pas librat e tyre në shqip, por lexuesi i tyre i parë dhe më i rëndësishmi është lexuesi perëndimor. Kurse unë vras mendjen se si duhet t’i trajtoj këta autorë, si autorë shqiptarë, apo vetëm si autorë me prejardhje shqiptare? Thjesht, nuk e di.

    Gjithsesi, mendoj se shpërfillja, apo deri edhe mënjanimi i lexuesit vendas është një lloj teprimi intelektual. Kjo për arsyen, se një lexuesi perëndimor mund t’ia paraqesësh realitetin shqiptar të bojatisur, të shtosh gjëra, e madje edhe të falsifikosh; për t’i joshur më tej të huajt me Shqipërinë, mund të shtosh bunkerët, gjakmarrjen, virgjëreshat e betuara, Kanunin, trafikantë të qenieve njerëzore a të lëndëve narkotike, emigracionin masiv, apo piramidat financiare; të pasurohesh me egërsinë, egzotiken, misterin; por edhe me besën e burrave, guximin dhe nderin. Dallimi ndërmjet këtyre dy kategorive të lexuesve është tejet i madh: një lexues vendas ka mundësinë ta verifikojë këtë letërsi, mund t’ia nënshtrojë kritikës, ndërsa një lexues i huaj do të përpijë gjithçka si „të vërtetën më të madhe”. E do të mahnitet.

    Të shkruash që në krye të herës në një gjuhë „të madhe” arrin njëkohësisht dy qëllime: i shmangesh kritikës në vend si dhe fiton famë jashtë kufijve.

    A. D.: Keni përkthyer duke filluar nga Ylljet Aliçka, te Stefan Çapaliku, Ismail Kadare, Fatos Kongoli dhe Luljeta Lleshanaku. Ndërkohë, letërsinë shqipe e njihni shumë, shumë mirë… Si e shihni gjendjen e saj sot?

    D. H.: Që prej vitit 2015 në Poloni nuk është botuar asnjë libër shqiptar i përkthyer nga origjinali, madje as nga një gjuhë e dytë!

    Përjashtim përbëjnë: përmbledhja me poezi e Luljeta Lleshanakut “Ujë dhe karbon” (2022) i cili duke qenë në finalen e Konkursit “Poeti Evropian i Lirisë” e cila e ka të garantuar botimin si dhe libri i Lea Ypit “Të lirë” i përkthyer nga gjuha angleze, i cili po hyn fuqishëm në tregjet perëndimore dhe së shpejti do të botohet edhe te ne. Së shpejti do të botohet edhe “Hoxha: grushti i hekurt i Shqipërisë” i Blendi Fevziut, i përkthyer nga anglishtja. Këtu duhet t’i bëjmë drejtësi autorit; ky libër është botuar fillimisht në gjuhën shqipe, ndonëse me një titull tjetër. Por, ngaqë libri nuk i përket letërsisë artistike, po e përmend vetëm si kureshti. Në çdo rast, libri i Blendi Fevziut do të ketë sukses të garantuar në vendin tim.

    Më duhet të konstatoj me hidhërim se në Poloni kanë mbaruar “njëzet vitet e arta” të letërsisë artistike shqiptare! Ky njëzetvjeçar ka nisur që prej mesviteve 90 të shekullit të XX deri diku në vitin 2015. Kjo periudhë çelet me piramidat financiare dhe nga lufta në Kosovë dhe mbyllet me “Darka e gabuar” (2014), librin e fundit të Kadaresë të botuar në Poloni.

    Simptoma e parë e afrimit të fundit, këtë mund ta quaj edhe fillimi i një krizë, ishte mungesa e interesit pikërisht për krijimtarinë e Kadaresë! Tashmë, shtëpitë botuese, ose nuk duan ta publikojnë, ose nxjerrin shumë vështirësi për botimin e ndonjë vepre të tij. Mendoj se këtu kanë pasur ndikim informacionet se Kadareja ka qenë sidoqoftë shkrimtar i oborrit dhe jo shkrimtar disident. Lexuesit polakë janë tej mase të vëmendshëm dhe të ndjeshëm karshi rolit të shkrimtarëve të ish bllokut në totalitarizëm, përfshirë edhe atyre polakë, dhe këtë e lënë të kuptohet në mënyrë të dhimbshme.

    Në vend të Kadaresë, i cili deri pak kohë më parë ishte shkrimtari-qendër, i cili ndriçonte me rrezet e tij edhe ndonjë emër tjetër në letërsinë shqiptare, tanimë botuesit kërkojnë autorë të rinj. Dhe po i gjejnë, por këta janë kryesisht ata autorë që botojnë menjëherë në gjuhët e “mëdha”. E pra, kemi të bëjmë me disa emra të instaluar në këto gjuhë, të cilët më pas, përkthehen edhe në polonisht dhe është tepër e vështirë, së paku, te ne, që të promovohet autori nga interior (një shqiptar shqiptar), i cili ndonëse mund të jetë i shkëlqyer, është dhe mbetet i panjohur, ngaqë nuk e ka atë forcë për t’u dalluar sikurse kolegët e koleget e tij, të fushës së penës.

    Të jetë vallë kjo një letërsi e madhe vërtet? Po them kaq: këta janë autorë me cilësi letrare jo të njëjtë, por të promovuar në Perëndim, çka për botuesit e huaj është një rekomandim mjaft i goditur për t’i botuar veprat e tyre edhe në gjuhët përkatëse, në vendet e tyre. Porse, autorët vendas, ata që shkruajnë shqip, janë në këtë moment, passé. Këtyre viteve të fundit kam propozuar disa autorë, shtëpitë botuese, ose kanë refuzuar, ose nuk janë përgjigjur.

    Flitet për përkthyesit e “gjuhëve të vogla”, se janë ambasadorë letrarë, ose ura, emisarë, apo agjentë, që qëmtojnë libra të vyer, ua rekomandojnë ata botuesve dhe luftojnë për botimin e tyre. Kjo është e vërtetë dhe tingëllon shumë bukur. Porse, është paksa démodé. Përndryshe, cilat janë shanset që mund të ketë në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit të XXI përkthyesi-agjent i një gjuhe të “vogël”, i cili duhet të jetë në dijeni të prodhimit letrar aktual, të vrojtojë prirjet, të përzgjedhë librat më të mirë, të përkthejë fragmente, më pas të ndërmarrë pelegrinazhe nga një shtëpi botuese në tjetrën, me shpresën se ato do t’u ngjallin interes atyre  – krahasuar me agjencitë letrarë profesionistë perëndimore me të cilët bashkëpunojnë shtëpitë botuese? Janë zero. 

    A mos do të thotë kjo se shkrimtarët shqiptarë e botuar në Poloni do të jenë vetëm ata, “që zgjedhin rrugën më të shkurtër”, ata që shkruajnë direkt në një gjuhë “të madhe”, sepse kjo është e vetmja rrugë drejt suksesit? E pranoj, se një konstatim i tillë më habit dhe mua vetë. Por, kjo është ajo çka po ndodh aktualisht në Poloni. Kjo është simptoma e dytë e fundit të “njëzetvjeçarit të artë”. Kjo “urë letrare polako-shqiptare” po fillon të shtrembërohet. E them këtë me keqardhje.

    Kurse unë, thjesht, dua të përkthej nga gjuha shqipe! letërsinë e shkëlqyer, origjinale, jo imituese, atë letërsi që do të bëhet një zbulim intelektual dhe artistik, e shkruar për lexuesin vendas, jo “me porosi”, për t’i ardhur për shtat shijeve dhe pritshmërive të lexuesit perëndimor. Sepse kjo letërsi është disi artificiale në vetvete, madje kallpe. Në njëfarë mënyre, autori atje është duke krijuar edhe vetveten. Kështu, përnjëherë i shoh, i nuhas autorët që shkruajnë letërsinë shqipe në gjuhët e “mëdha”. Tekefundit, jo vetëm unë, por edhe miqtë e mi shqiptarë, apo polakë, që e njohin realitetin shqiptar. E janë pikërisht këta libra që ndikojnë dhe pikturojnë peizazhin e letërsisë bashkëkohore shqiptare në botë. 

    Si do t’i shpëtojë letërsia këtij dualizmi, ekzistencës së dy tregjeve të lexuesve: lexuesit shqiptarë dhe lexuesit perëndimorë? A ka kuptim të flasim gjithësej për këtë dukuri? Tani për tani, thjesht, nuk e di.

    A. D.: Janë të shumta veprat e përkthyera nga ju në polonisht… A është ndonjëra prej tyre që do të veçonit, qoftë si eksperiencë përkthimi, qoftë si eksperiencë e pritjes nga lexuesi i atjeshëm?

    D. H.: Mendoj se kam përkthyer shumë pak deri tani. Do të kisha përkthyer shumë herë më tepër, nëse do të kishin bashkëvepruar katër elementë të rëndësishëm: cilësia letrare e letërsisë shqipe, predispozita e botuesve polakë ndaj kësaj letërsie, mbështetja financiare nga ana e institucioneve shqiptare si dhe promocioni i duhur.

    Mungesa e këtyre elementëve e vret motivimin dhe thjesht të heq dëshirën. Kurse, përkthyesi, përveç ndjeshmërisë duhet të ketë cipë „të trashë” që fitojë rezistencë ndaj dështimeve. Kjo është e vështirë, por mund ta mësosh. Letërsia shqipe është pasioni im, e pse do të duhej të hiqja dorë prej saj, kur i kam kushtuar gjysmën e viteve të mia?

    Për mua, çdo autor ka qenë dhe është sfidë. Çdo zhanër letrar është fillimi i një rruge zbulimesh në përkthim, është mision të cilit i qasem si diçkaje të shenjtë, apo si nëna i qaset fëmijës, që kërkon ta ushqesh vazhdimisht, të kujdesesh paprerë si dhe ta duash me mençuri. Prandaj dhe nuk kam autorë që i trajtoj ndryshe, më mirë se të tjerët, nuk kam të privilegjuar, edhe nëse bëhet fjalë për emrat më të njohur. Në botën time të përkthimit mbretëron demokracia e plotë: secili autor që përkthej është unikal dhe i papërsëritshëm, sepse secili e pasuron përvojën time. Pasi, përkthyesi, veç përgatitjes, përvojës dhe dijeve, nuk zotëron asgjë tjetër. Me autorin më lidh një marrëdhënie krijuese. Me përjashtim të autorëve, veprat e të cilëve janë të dobëta dhe të cilët nuk dua t’i përkthej. Përditshmëria e punës së përkthyesit e kërkon edhe një gjë të tillë. Si dhe të dish të thuash, jo.

    Nuk jam kurrë e kënaqur me përkthimet e mia. Prandaj, kur ato shohin dritën e botimit, nuk i lexoj, sepse nëse e shoh me sy të ftohtë përkthimin tim, gjithnjë inatosem me veten, ngase mund të isha shprehur ndryshe, më mirë, më saktë. Ndërsa tani nuk jam në gjendje të ndryshoj kurrgjë! Jam kritiku më i ashpër dhe nuk bëj kompromise me veten. Vlerësimi i përkthimit i takon lexuesve.

    A. D.: Para pak kohësh është shpallur edhe fituesi i Man Booker International Prize, ku, njëlloj si me Poetin Evropian të Lirisë, vlerësimi nuk është eksluzivitet i autorit, por edhe i përkthyesit. Në syrin tuaj, në përgjithësi, me çfarë sfidash përballet po përballet përkthimi?

    D. H.: Gjithnjë e më shpesh nëpër konkurset letrare vlerësohen edhe përkthyesit, madje shtëpitë botuese kanë nisur t’i vendosin emrat e tyre nëpër kopertina. Mendoj se ky është një nderim i bukur për punën tonë. Sepse puna jonë është një akt krijues, çka nuk do të thotë asessi, që përkthyesi trajtohet njësoj si autori. Përkthyesi është autor vetëm i përkthimit të vet, nuk është autor i veprës! Përkthyesi nuk duhet të shfaqë zell të tepruar, të ndreqë apo të përmirësojë autorin, as të dalë në plan të parë. Duhet të jetë i mprehtë dhe skrupuloz. Është ai që vendos për efektin përfundimtar dhe është ai që do të përgjigjet për gabimet, jo autori, nëse përkthimi „ngec” dhe nuk të grish për lexim. Po flas për diçka që është buka e përditshme e përkthyesve të letërsisë dhe fjalët e mia mund t’u duken banale. Por secili prej nesh dëshiron të përkthejë sa më mirë dhe këtë e bën siç di vetë. Çfarë do të thotë kjo për mua?

    Para së gjithash, secilit tekst i afrohem me përulje. Çdo libër i ri është një mësim. Ai nxjerr zbuluar paditurinë time dhe më detyron që të hulumtoj. Me fjalë të tjera, përkthyesi duhet të jetë edhe hulumtues. Atij i duhet të thellojë dhe të kuptojë domethëniet e fshehura, nënkuptimet dhe aluzionet. Çdo fjali, edhe ajo më e thjeshta, mund të jetë për mua një zbulim në gjuhën time dhe një vlerë e paçmuar.

    Nëse nuk e di diçka, atëherë kërkoj informacion në të gjitha burimet e mundshme. Këtu nuk ka asnjë turp. I pyes miqtë e mi shqiptarë, ata kurrë nuk ma kanë kursyer ndihmën. Mbaj kontakte me email me autorët si dhe flas me ta personalisht kur vij në Shqipëri. Një kontakt të tillë e kam pasur me të gjithë autorët, me përjashtim të Kadaresë. Kurrë nuk kam pasur guximin ta pyes për diçka, ose të pranoj që diçka nuk e di. Në raport me autorët e tjerë nuk jam ndier e frenuar, ndërsa ata të gjithë, pa përjashtim, kanë qenë shumë të hapur. Udhëzimet e tyre kanë qenë shumë të rëndësishme për mua.

    Kontaktin më të ngushtë shpirtëror e kam pasur dhe e kam me Luljeta Lleshanakun. Forca e poezisë së saj dhe personaliteti i saj është kaq i madh, sa duke përkthyer, zhytem e tëra në botën e saj poetike. Përveç kësaj, Luli (mbas Arta Arifit) është gruaja e dytë ndërmjet autorëve të mi (çfarë shpërpjesëtimi gjinor!), deri edhe bisedat tona të përditshme, të dy grave nga dy rrethe kulturore të ndryshme, paçka se të përafërta, si dhe ato rreth përvojave të ndryshme, më çojnë drejt vargjeve të saj.

    Bisedat për vargjet kanë qenë të gjata, sepse kam dashur që në përkthimin tim të jap të njëjtat kuptime dhe ndjesi si ato që u jepte Luli. Një përkthim i mirë duhet të ruajë sa më shumë cilësinë dhe karakterin e origjinalit. Gjithashtu, duhet të ruajë stilin, ngjyresat dhe thekset, që janë në tekstin burimor. Dhe ndonëse përkthyesi ka „dorë të lirë” në marrjen e shumë vendimeve, po aq të ndaluar e ka që të ndërhyjë në botën e krijimit të paraqitur, as të bëjë ndryshimin më të vogël në vizionin e kësaj bote. Është lexuesi dhe jo përkthyesi ai që ka lirinë e interpretimit. Dhe për çdo lexues, ka një interpretim.

    E përktheu nga polonishtja

    Edlira Lloha


    [1]  Fituesit e deritanishëm të Çmimit mund t’i shihni në “ExLibris”, nr. 183, 28 maj, 2022, fq. 8.

    [2]  Zissi Leonard, Polish Literature in Albania, [në:] Perspektywy Kultury, Kraków, WSFP „Ignatianum”, nr 25 (2/2019), fq. 145-157.

    [3]  Leka Arian, Provincë autonome – Letërsi fason, [në:] Në kërkim të këmishës së humbur, Tiranë, Poeteka 2018, fq. 311-331.

    [4]  Leka Arian, Provincë autonome – Letërsi fason…, po aty, fq. 324.

    [5]  Po aty, fq. 325.

    [6]  Po aty, fq. 326.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË