More
    KreuForumi mbi përkthiminProf.As.Dr. Leonard Xhamani: Vështrim kritik rreth përdorimit të termave mjekësorë në gjuhën...

    Prof.As.Dr. Leonard Xhamani: Vështrim kritik rreth përdorimit të termave mjekësorë në gjuhën shqipe

    Përmbledhje

    Terminologjia e mjekësisë shqiptare, ashtu si terminologjia mjekësore e gjuhëve të tjera, është ngritur përgjithësisht mbi bazën e huazimeve. Fjalori terminologjik mjekësor që përdorin mjekët apo shkencëtarët e kësaj fushe, është shumë i specializuar dhe i kufizuar nga shoqëria apo njerëzit e thjeshtë. Kjo terminologji lindi dhe mori formë që në antikitet, prej mjekëve dhe shkencëtarëve, duke pasur si bazë greqishten e vjetër dhe latinishten. Në sajë të këtyre gjuhëve teminologjia mjekësore ka karakter ndërkombëtar dhe lehtëson komunikimin mes specialistëve me gjuhë të ndryshme.

    Në këtë ligjëratë do të përqendrohemi te përdorimi i termave mjekësorë në gjuhën shqipe, duke nxjerrë në pah disa probleme. Këto probleme vijnë pikërisht nga mospërkthimi apo përkthimi i pjesshëm i këtyre termave, gjatë komunikimit me studentët (sidomos të vitit të parë) apo me pacientët e klinikave spitalore. Duke përdorur, pa u menduar gjatë, terma të tillë, nuk kemi bërë asgjë tjetër, veçse kemi varfëruar fjalën shqipe dhe gjuhën e kemi bërë të pakuptueshme. Do të ishte udhës që të gjithë specialistët e kësaj fushe, t’i jepnin rëndësi shqipërimit të termave (aty ku e shohin me vend), pasi kjo do të sillte lehtësi për t’i kuptuar më mirë dhe një kontribut të vyer në gjuhën tonë. 

    Fjalët kyçe: terminologji mjekësore, gjuhë e specializuar, huazime, përkthim i pjesshëm

    Hyrje

    Çdo fushë e shkencës ka sistemin e vet terminologjik, që përbën edhe bazën e kësaj shkence.  Termat nuk janë gjë tjetër veçse fjalët që kanë një kuptim të veçantë në një degë të caktuar të shkencës. Pra, përfshihen fjalë që përdoren në këtë shkencë dhe jo në ndonjë tjetër. Termat përmbajnë gjithmonë një maksimum informacioni, prandaj janë të pazëvendësueshëm, duke formuluar një mendim të saktë të folësit. Terminologjia mjekësore lindi dhe mori formë që në antikitet, prej mjekëve dhe shkencëtarëve, duke pasur si bazë greqishten e vjetër dhe latinishten. Edhe sot e kësaj dite, gjuhët klasike janë burimi kryesor ndërkombëtar për plotësiminn e terminologjisë mjekësore. Këto gjuhë kanë depërtuar me lehtësi në terminologjinë e gjuhëve kombëtare, duke iu përshtatur rregullave gramatikore të tyre, dhe u bënë të pazëvendësueshme. Në sajë të këtyre gjuhëve, teminologjia mjekësore ka karakter ndërkombëtar dhe lehtëson komunikimin mes specialistëve me gjuhë të ndryshme. Fjalori terminologjik që përdorin mjekët apo shkencëtarët e së njëjtës fushë, është shumë i specializuar dhe i kufizuar nga shoqëria apo njerëzit e thjeshtë.

    Terminologjia mjekësore shqipe, ashtu si e të gjitha gjuhëve të tjera, është ngritur përgjithësisht mbi bazën e huazimeve, të cilat janë të nevojshme derisa mungon gjegjësja në shqipe, ndërsa një pjesë tjetër është shqipëruar, duke u ardhur në ndihmë studiuesve të asaj fushe. Për përkthimin e terminologjisë mjekësore duhet të kemi parasysh jo vetëm njohjen e gramatikës latine, por edhe strukturën e veçantë, e cila duhet kuptuar e përvetësuar.

    Në këtë ligjëratë do të përqendrohemi te përdorimi i termave mjekësorë në gjuhën shqipe, pasi kemi një vështrim kritik për këtë çështje. Nga përvoja disavjeçare në Universitetin e Mjekësisë, duke u marrë me terminologjinë mjekësore, kemi vënë re se këto të fundit ose janë të papërkthyera ose të përkthyera pjesërisht. Siç do ta shohim edhe më poshtë, një pjesë e mirë e termave që ndërtohen nga dy a më shumë fjalë, mund të përkthehen dhe informacioni që përcillet në gjuhën tonë, është po aq i plotë sa ai origjinal. Por, kjo është lënë pas dore nga specialistët e fushës, duke sjellë vështirësi për t’i kuptuar më mirë, madje edhe keqkuptime. Do të ishte udhës që të gjithë specialistët e kësaj fushe, t’i jepnin rëndësi shqipërimit të termave (aty ku e shohin me vend), pasi do të kuptoheshin më mirë dhe do të sillte një kontribut në gjuhën tonë.

    Ndërtimi i termave mjekësorë dhe problemet e përdorimit të tyre

    Po t’u hedhim një sy termave mjekësorë, kuptojmë se pjesa më e madhe e tyre ndërtohen sipas një skeme të caktuar. Në përgjithësi, ata ndërtohen nga: 1. Emër plus një ose më shumë mbiemra. Këta quhen terma me përshtatje, pasi mbiemri përshtatet me emrin në gjini, numër dhe rasë. Të tillë për shembull: herba medicata (bimë mjekësore), cartilago intercostalis (kërci ndërbrinjor), muscŭlus biceps (muskuli dykrerësh), muscŭlus longus et latus (muskuli i gjatë dhe i gjerë), os nasale (kocka e hundës). 2. Emër plus emër në gjinore. Këta quhen terma pa përshtatje, pasi emri në gjinore mbetet i pandryshuar në formë. Për shembull: radix dentis (rrënja e dhëmbit), cavitas nasi (zgavra e hundës), os calcanei (kocka e thembrës), regio cordis (zona e zemrës), angŭlus ocŭli (këndi i syrit), columna vertebrārum (kolona e rruazave, vertebrave), morbus gingivārum et labiōrum (sëmundja e mishit të dhëmbëve dhe buzëve) etj.

    Që të dyja këto skema, sigurisht, mund të zgjerohen edhe më tej, duke futur mes tyre apo duke shtuar në fund edhe fjalë të tjera, si: lobus hepatis dexter (zona e djathtë e mëlçisë), luxatio ossis pedis sinistri (nxjerrja e kockës së këmbës së majtë), muscŭlus extensor indĭcis (muskuli shtrirës i gishtit tregues), muscŭlus biceps brachii (muskuli dykrerësh i krahut), fractura ossium pedis (thyerja e kockave të këmbës).

    Nga përkthimi në shqip i termave të mësipërm kuptojmë se “nuk po u hyjmë në hak” termave origjinalë, pasi nuk po sjellim një informacion të plotë në gjuhën tonë. Përkundrazi, informacioni që na vjen në gjuhën tonë, është po aq i plotë sa ai që përcjell origjinali. Atëherë, pse të mos përdorim fjalën shqipe në vend të huazimit të integruar nga origjinali? Pse të përdorim fjalën regjon, lob, frakturë, luksacion, ekstensor, etj., në vend të fjalës shqipe? Gjegjëset shqipe shumë mirë mund të përdoren edhe në leksionet e studentëve, por edhe nëpër konferenca kombëtare që organizohen nga specialistët e fushës. Patjetër, ka edhe terma që nuk i plotëson shqipja, të cilat tashmë dihen dhe janë bërë pjesë e gjuhës sonë me kalimin e kohës. Madje një pjesë e tyre kuptohen nga të gjithë njerëzit. Sidomos këto dy vitet e fundit, terminologjia mjekësore ka qenë në qendër të vëmendjes, për shkak të pandemisë, dhe shumë terma u futën në fjalorin tonë të përditshëm. Duke u folur dhe përdorur nga një rreth i gjerë personash, termat synojnë të dalin nga përdorimi i kufizuar i specialistëve. Të tillë kemi, p.sh: frakturë (thyerje e kockës), diabet (një sëmundje që shkakton nivele të larta të sheqerit në gjak), gastrit (pezmatim i rreshtimit të stomakut, zakonisht me dhimbje dhe / ose të vjella), hemorragji (humbje e gjakut të brendshëm ose të jashtëm), leucemi (kancer i gjakut), koma (gjendje e pandërgjegjshme e vazhdueshme), hernia (zgjatim jo normal i përmbajtjes së një pjese të trupit), migrena (dhimbje koke e shkaktuar nga problemet me enët e gjakut), asfiksia (humbja e vetëdijes për shkak të shumë pak oksigjenit dhe shumë dioksidit të karbonit në gjak), etj. Të gjithë këta terma kanë dalë gradualisht nga rrethi i ngushtë i specialistëve dhe janë bërë pjesë e komunikimit të të gjithë njerëzve.

    Në terminologjinë mjekësore shqipe hasim edhe sinonime. Sinonimia në fushën e mjekësisë, si në çdo gjuhë sektoriale, është shprehje e thellimit të njohjes njerëzore, që synon të zbulojë gjithnjë të rejat e kësaj shkence. Çdo risi në këtë fushë, zbulimi i sëmundjeve të reja, përcaktimi i terapive e medikamenteve që nevojiten për to, nxjerr si nevojë krijimin e emërtimeve të reja. Në fillim koncepti rreth sëmundjeve është tepër i ngushtë, por, me kalimin e kohës, duke u thelluar në procesin e njohjes, njeriu zbulon anë të tjera, çka u ka dhënë mundësi studiuesve që të njëjtën sëmundje ta emërtojnë me terma apo fjalë të ndryshme. Mjekësia është një nga shkencat që ka në zotërim numrin më të madh të kanaleve të përhapjes në publikun e gjerë. Edhe pse zakonisht gjuhët e specialitetit e përdorin me kursim sinoniminë, gjuha e mjekësisë pikërisht për shkak të shtresëzimit të madh përdor mjaft sinonime. Kështu, kemi sinonime që krijohen nga ekzistenca e termave që u përkasin niveleve të ndryshme të aktualizimit[1] dhe më konkretisht nivelit të mirëfilltë shkencor (ose sektorial) dhe atij shkencor-popullor (ose përdormi i zakonshëm); dhe, të dyja format janë të pranuara ose ligjëruara.

    Sigurisht, nuk mendojmë për një sinonimi të plotë të termave mjekësorë në gjuhën shqipe. Por, për fat të keq, po zhduken edhe ato sinonime që na kanë ardhur nga të parët tanë. Më konkretisht, pakkush ose askush nga brezi i ri që studion në mjekësi, nuk e përdor, ose nuk e njeh, termin “kolla e bardhë ose e mirë”, por njeh termin latin pertussis; apo termin “sëmundja e tokës” për epilepsi; termin “tifoja e morrit” për typhus exanthematicus; termin “verdhëza” për hepatit, etj. Më duket sikur jemi mjaft të kënaqur me huazimet e integruara, pa e menduar gjatë që po i fshijmë ngadalë këto sinonime ekzistuese. Pa folur edhe për përkthimet e pjesshme, të cilat i hasim pa kriter në çdo tekst universitar apo revistë shkencore kombëtare. Gjuha e terminologjisë mjekësore karakterizohet nga një shkallë e lartë teknicizmi[2], gjë që nënkupton se ky ligjërim ka një leksik specifik dhe raporti ndërmjet shenjuesit dhe të shenjuarit duhet të jetë i qartë, pa mundësi dykuptimësie, sepse synimi i tij është të favorizojë dhe lehtësojë komunikimin në një grup të ngushtë specialistësh, e në rastin e terminologjisë mjekësore, jo vetëm tyren. Për këtë motiv, termat mjekësorë që përkthehen prej latinishtes, duhet t’u përmbahen si rregullave bazë të kësaj gjuhe, ashtu edhe rregullave bazë të shqipes, gjë që në një pjesë të këtyre termave nuk vihet re.

    Përkthimet e pjesshme të termave mjekësorë

    Gjuhët klasike janë burimi kryesor për furnizimin e terminologjisë mjekësore. Deri më sot, shumica dërrmuese e emrave të rinj të futur për herë të parë në terminologjinë mjekësore mbajnë vulën e origjinës  greke ose latine. Termat mjekësorë greko-latinë kanë depërtuar lehtësisht në terminologjinë e gjuhëve kombëtare dhe, duke u modifikuar në përputhje me sistemet e tyre fonetike dhe morfologjike, janë bërë të pazëvendësueshëm. Kjo vërtetohet lehtësisht kur të shfletojmë librat apo studime të ndryshme në fushën e mjekësisë. Po të përqendrohemi në literaturën tonë, mjaft studiues, mjekë apo hartues tekstesh, duke u ndikuar pikërisht nga këto gjuhë, termat nuk i përkthejnë, por i bëjnë një lloj shqipërimi, sikur të ishin pronë e leksikut tonë.  Kështu, për shembull, po t’i hedhim një sy tekstit të Anatomisë[3], në pjesën më të madhe të kapitujve, hasim përdorime të tilla, si: këndi lateral i syrit; pjesa nazale e faringut; vertebrat cervikale; mushkëritë ndodhen në kavitetin torakal; organet e kavitetit abdominal; gjëndërr sublinguale; ekstraksion i dhëmbit; xhinxhivat rrethojnë qafën e dhëmbit; rrugët respiratore; lezione të arterieve, etj. Këtu duket qartë që përbërësit latinë të termave të mësipërm, janë futur në përdorim pa ndonjë kriter të caktuar, sepse gjegjësja në shqipe e termit mjekësor ekziston.

    Duke përdorur pa u menduar gjatë terma të tillë, nuk kemi bërë asgjë tjetër, veçse kemi varfëruar komunikimin dhe gjuhën e kemi bërë të pakuptueshme. Kjo, në radhë të parë, bie në kurriz të studentëve, sidomos tek ata të vitit të parë. Një pjesë e pedagogëve leksionet i bëjnë aq shkencore, sikur janë para kolegevë të tyre dhe tregojnë për zbulimin e radhës. Nga “entuziazmi” harrojnë se 18-vjeçarët që dëgjojnë, për shkak të terminologjisë së re, nuk kuptojnë më shumë se 30% të asaj teme që po trajtohet. Dhe kjo ua vështirëson akoma më tepër punën, kur këta të fundit fillojnë të harxhojnë kohë për të kuptuar si fillim termonogjinë e përdorur, pastaj thelbin e çështjes. Të njëjtën gjë vërejmë edhe te hartimi i teksteve apo metodave që përdoren nëpër leksione. Janë të mbushur që një fillim me një lumë termash, të cilët nuk janë të shqipëruar apo sqaruar se kujt i referohen. Duke e ngulitur në kokë termin siç është nga origjinali, edhe studentët e kanë të vështirë ta interpretojnë në shqip, pasi nuk gjejnë edhe fjalët e duhura. Madje, ndonjëherë interpretojnë edhe gabim. Për shembull, fjalën diagnozë, e interpretojnë sikur është sëmundje, kur në fakt është përcaktimi i sëmundjes; termin anamnezë e ngatërrojnë me amnezinë e shumë të tjera si këto. Sikur këta pedagogë ta përcillnin informacionin sa më thjeshtë, duke shpjeguar edhe në shqip termat e përdorur, do të sillte një dobi jo vetëm te puna me studentët, por do të jepte edhe një kontribut të vyer për gjuhën tonë.

    Gjatë punës sonë në Universitetin e mjekësisë, gjithmonë i kushtojmë rëndësi përkthimit të termave në gjuhën shqipe, duke i këshilluar studentët që nesër do të përballen me pacientë, të cilët nuk e njohin këtë terminologji. Duke qenë më të thjeshtë në komunikim, edhe puna e tyre do të thjeshtohej më shumë, pasi nuk do të ishin të detyruar që të jepnin informacione shtesë, pas një këshillimi të gjatë të mbushur me terma të pakuptueshëm.

     E njëjta gjë vlen edhe për komunikimin e mjekëve me pacientët në klinikat spitalore. Shpesh ata “harrojnë” që përballë nuk kanë një koleg të vetin, por një pacient, që kur dëgjon këtë gjuhë, çorientohet dhe nuk kupton asgjë. Madje, ndonjëhrë ndikon negativisht në psikologjinë e këtij të fundit. Edhe intervistat e mjekëve në televizion duhet të jenë më të qarta, pasi flasin për një publik të gjerë dhe gjuha duhet të jetë më e zgjedhur.

    Shpesh kemi rastisur që të shoqërojmë të afërm në spital dhe nga biseda me mjekët dallojmë që këta e kanë pak të vështirë të shkëputen nga gjuha e tyre mjekësore. Biseda vështirësohet më tepër kur këta terma shqipërohen nga origjinali, vetëm duke i shtuar ndonjë mbaresë, sikur të ishin të gjuhës sonë të përditshme dhe jo të një rrethi të caktuar njerëzish. Po përmendim disa prej tyre: Pacienti ankohet se ka vertigo; Variçela (Variola) është sëmundje që prek të vegjlit; ka dëmtim të nefroneve; bajamet i ka të hipertrofizuara; analiza për gjak okult në urinë; ilaçe profilaktike; gingivat i ke delikate; duhen matur saturimet, etj. Vertigo (marrje mendsh), variçela (lija e dhenve), nefrone (veshkat), të hipertrofizuara (të enjtura, të zmadhuara), gjak okult (gjak i fshehtë, që nuk dallohet me sy të lirë), ilaçe profilaktike (ilaç parandalues), gingivat (mishi i dhëmbëve), saturimet (niveli i oksigjenit në gjak) janë terma që nuk kuptohen nga pjesa më e madhe e pacientëve apo familjarëve që i shoqërojnë. Shembuj mund të sjellim plot, pasi jemi në një situatë pothuajse paspandemike dhe terminologjia mjekësore zuri faqet kryesore të të gjitha lajmeve. Madje kohët e fundit po lakohet lija e majmunit. Askush nuk e përmend me emër shkencor poxvirus simiae. Ashtu si gjuhët e tjera, anglishtja (monkeypox) apo italishtja (vaiolo delle scimmie), mjekët tanë e japin termin në shqip dhe informacioni përcillet pa asnjë mangësi.

    Pavarësisht qëllimit të mirë të mjekëve, përkthimet e pjesshme që gjenden rëndom nëpër tekstet e disiplinave mjekësore, rrezikojnë të kthejnë në normë terminologjike, një formë termi e cila më shumë se ndihmon, krijon kakofoni, e ndoshta edhe keqkuptime. Qenësia e kësaj situate lidhet ngushtë jo vetëm me specialistin e fushës, por edhe me përkthyesin. Fakti që ato botohen në tekstet universitare apo në studime të fushës të përkthyera në mënyrë të pjesshme,  nxjerr në pah dy shkaqe: mosnjohjen e gjegjëses shqipe nga ana e specialistit ose mosinteresimin e tij për t’u thelluar më mirë në shqipërimin e termit[4]. Në rastin e përkthyesit të termave mjekësorë, kushdo që merr përsipër shqipërimin e tyre, duhet të jetë së pari një njohës i gramatikës latine, e më pas edhe i shqipes.

    Këtu do të doja t’i kujtoja me respekt të gjithë ata profesorë e studiues (mos maiorum) që kanë dhënë një kontribut mjaft të vyer për shqipërimin e termave mjekësorë, si Henrik Lacaj, Kosta Qiriazati, Robert Andoni, Gjergj Minga, etj. Një punë mjaft të mirë kanë bërë edhe botanistët tani, të cilët kanë përkthyer e shqipëruar mjaft emra bimësh e lulesh. Kohët e fundit një të tillë botoi Profesor Xhevat Lloshi. Në sajë të punës së tyre, duke u bashkërenduar me profesorë të gjuhësisë, kemi sot një pasuri gjuhësore, të cilën nuk kemi pse ta humbim çdo ditë nga pak. E them këtë të fundit, sepse, siç po lihet pas dore përkthimi i termave mjekësorë, po ashtu po lihen edhe termat e fushave të tjera shkencës. Në këto kushte, do të doja t’i riktheheshim traditës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ta çonim më tej punën e profesorëve tanë, duke i pasuruar fjalorët që kemi. Nëse nuk do ta bëjmë këtë, e gjithë kjo punë e madhe dalëngadalë do të harrohet.

    Do ta mbyllja me një thënie të Profesor Isa Bajçinca, që thotë: “Shqipen duhet ta bëjmë të zonjën që t’u vihet përballë ndershmërisht gjuhëve “të mëdha” dhe të mos ndihet “e strukur”, sepse ka një thesar leksikor, një zhdërvjelltësi në tërë sistemin dhe një potencial të tillë, që të përballojë sfida, çfarëdo qofshin ato.”

    Përfundime

    Terminologjia mjekësore shqipe është ngritur përgjithësisht mbi bazën e huazimeve, nga të cilat një pjesë është shqipëruar. Ndërsa pjesa tjetër, për sa kohë nuk kemi gjegjësen e tyren në shqip, do të vazhdojnë të mbeten pjesë e terminologjisë së fushës përkatëse, ashtu siç edhe bëjnë edhe gjuhët e tjera. Do të ishte udhës që të gjithë specialistët e kësaj fushe, t’i jepnin rëndësi shqipërimit të termave, pasi do të kuptoheshin më mirë dhe do të sillte një kontribut të vyer në gjuhën tonë. Kjo do të krijonte lehtësi në komunikimin me njerëzit e thjeshtë dhe do të shmangte keqkuptimet.

    Termat është e nevojshme t’i përdorim vetëm kur fjalët e veçanta janë të domosdoshme. Duke u përdorur nga një rreth i gjerë personash, ata mund të dalin nga përdorimi i kufizuar i specialistëve. Po ashtu, edhe tekstet universitare duhen parë dhe korrigjuar, për t’i zëvendësuar përkthimet e pjesshme me ato të plota. Termat e rinj patjetër që e pasurojnë gjuhën, por është detyrë e specialistit të fushës dhe përkthyesit që ta sjellin në gjuhën tonë sa më thjeshtë që të jetë e mundur. Fakti që një sërë studiuesish janë përpjekur të shqipërojnë një pjesë të terminologjisë mjekësore, tregon se shqipërimi i këtyre termave është i nevojshëm për kuptimin dhe studimin e fushës së mjekësisë.

    BIBLIOGRAFI

    Campanini Carboni – “Vocabolario Latino – Italiano, Italiano – Latino”, Torino 1993.

    Federica Scarpa – “La traduzione specializzata”, Hoepli, Milano 2008.

    Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë – “Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë 1984.

    Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë – “Studime Filologjike”, Tiranë 1996.

    Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë – “Studime Filologjike”, Tiranë 1997.

    Kosta Qiriazati, Gjergj Minga, Robert Andoni – “Fjalor Latinisht – Shqip i Mjekësisë”, Tiranë 1975.

    Kosta Qiriazati – “Gjuha latine për Fakultetin e Mjekësisë”, Tiranë 1996.

    Rahim Gjika – “Terma mjekësore të shqipëruar”, Tiranë 1981.

    Rozarka Budina, Besnik Gavazi, Etleva Droboniku – “Dentistria restorative”, Tiranë 2010.

     Sazan Gabrani, Drita Osmalli, Skënder Topi – “Anatomia e njeriut”, Tiranë 2011.

     Sezai Braho, Viron Xhillari – “Receptar për mjekët dhe farmacistët”, Tiranë 1983.

     Terminologjia, si kryeporta e hyrjes së leksikut të huaj në shqipen standard, gazeta “Shqip”, 05.10.2019.

     Xhevat Lloshi, “Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve, Shqip-Latinisht, Latinisht-Shqip”, Logosa, Tiranë, 2014.


    [1]  A. Duro, Terminologjia në ligjërimin e specializuar, Studime Filologjike, nr. 1-4, Tiranë 1997, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, f. 77.

    [2]  Agron Duro, Terminologjia në ligjërimin e specializuar, “Studime Filologjike”, Tiranë 1997, f, 71-77.

    [3]  Sazan Gabrani, Drita Osmalli, Skënder Topi, Anatomia e njeriut, Tiranë 2011, f. 102.

    [4]  Abdyl Veizaj, Termat e mjekësisë në rrafshin konceptor, “Studime Filologjike”, Tiranë 1996, f, 113.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË