Edhe pse ishte kaotike në kryeqytet, më 23 prill, u festua Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e Drejta e Autorit, ku pati oaze reflektimi mbi librin. Sidomos letërsinë. Për Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë e marta nuk ishte e zakontë. Improvizimi i minipanairit të librit vendosur në oborrin e fakultetit drejtonte studentët jo vetëm për librat e preferuar, por edhe për njohje të plotësuar mbi botimet e reja. Disa botues tregojnë se pati vëmendje prej tyre për letërsinë shqipe, autorët bashkëkohorë. Ndërsa në auditorët e këtij fakulteti takimet kishin në fokus bisedat e çlirëta me autorë e përkthyes. Në një prej tyre, përkthyesi e shkrimtari Edmond Tupja kaloi mbi një orë duke iu përgjigjur kuriozitetit të studentëve mbi përkthimin, se si përvoja e tij është një mision i pambaruar, veprat që ka përkthyer ai, si dhe kalime interesante si shihet sot gjuha shqipe përballë sfidës së përkthimit. Tupja, si gjithnjë, krijon atmosferë ndërgjegjësimi kur përballë tij lexuesit, studentët në këtë rast, kanë drojën të hyjnë në skuta të psikës njerëzore, sidomos kur vjen fjala për veprat erotike të përkthyera. Në orët e mëpasshme gjendemi përballë sfidës tjetër të gjuhës. Bashkë me dy fragmente të vogla teatrore, pedagogia e letërsisë Erenestina Halili me një grup studentësh, Klubi i Dramës, rikthejnë sërish në vëmendje autorin e harruar, por të rëndësishëm, me të cilin nis historia e letërsisë shqipe, pothuaj në të gjitha zhanret. Fjala është për Francesco Santorin që ka shkruar romane, poema, tragjedi, drama me një pasuri të panjohur deri sot, por në një përpjekje të fundme, siç është botimi kritik, i plotë, i dramës Emira – pjesë prej së cilës inskenuan studentët. Veshur me kostume arbëreshe, ata arritën të ngjizin krejt natyrshëm, edhe pse amatorë, gjuhën e Santorit, harenë dhe lirizmin e tij.
COD, hapur në mjediset e Kryeministrisë, prej vitesh ka në fokus artin dhe kulturën, ka pasur emra të njohur, publikë, edhe në fushën e artit, ku morën pjesë 400 nxënës në një maratonë leximi. Mbrëmja ka qenë më romantike për librin. Ashtu si në herë të tjera, mjediset e bar “Heminguej” e shndërrojnë librin dhe leximet në një intimitet natyror.
Si çdo vit më 23 prill, Poeteka, në bashkëpunim me autorë, përkthyes dhe institucione kulturore vendase dhe të huaja, organizon takime letrare, ku këtë vit paraqiti për lexuesin shqiptar panoramën e letërsisë austriake ndër vite. Më shumë referuar disa prej vlerave më të spikatura që janë ofruar kohëve të fundit në fushën e librit austriak në gjuhën shqipe. Njihet tashmë origjina e kësaj dite, e cila u kushton vëmendje autorëve, përkthyesve dhe lexuesve, si dita që simbolikisht është e lidhur me emrat e shkrimtarëve të mëdhenj, si Servantes, Shekspir dhe Inca Garcilaso de la Vega. Kjo datë lidhet, gjithashtu, edhe me ditëlindjet apo ditëvdekjet e disa shkrimtarëve të tjerë, gjithashtu të shquar, si Vladimir Nabokov, Manuel Mejia Vallejo, Maurice Druon, Haldor K. Laxness, Josep Pia.
“Në nderim të tyre dhe përjetim të kësaj dite janë krijuar gjeste e rituale, si dhurimi i trëndafilave dhe i librave. Prej këtej burojnë shenja simbolike për ata që e blejnë librin e tyre të parë më 23 prill, duke themeluar kësisoj bibliotekën e tyre të parë. Por, mbi gjithçka, duke filluar që nga viti 1995 e në vijim, kjo ditë u caktua enkas për të tërhequr vëmendjen e publikut drejt librit, për të nxitur edhe më shumë ata që shkruajnë, veçanërisht të rinjtë, dhe ata që sapo kanë nisur të shkruajnë. Mbi gjithçka mbetet zbulimi dhe rizbulimi vit pas viti i kënaqësisë së leximit. Por nuk mbaron me kaq. Rrethi i të interesuarve zgjerohet pasi Dita Botërore e Librit lidhet edhe me mbrojtjen e të drejtave të autorit, duke ftuar që në këtë ditë të veçantë veprimtarive t’u bashkohen dhe të bëhen faktorë edhe botuesit, librarët dhe punonjësit e bibliotekave”, – tërheq vëmendjen Arian Leka në takim. Bashkë me leximin, nëpër tavolina ka edhe kartolinat letrare, duke vijuar programin e Poetrycard, ku ka pasur edhe zbulime në këtë lidhje të letërsisë austriake me shqipen, si përkthimi i një poezie të Rilkesit, e panjohur, sjellë me pseudonim nga Arshi Pipa. Por mbrëmja e 23 prillit pati në vëmendje fragmente nga shkrimtarë të njohur austriakë, si Robert Menasse, Jutta Trebe, Christine Nöstlinger, Robert Seethaler, Thomas Bernhard… disa prej tyre befasi të panjohura letrare, të sjella nga shqipërimet e Admira Poçit, Irena Nasit dhe Lindita Komanit – ndërsa poezitë janë interpretuar nga aktoret Erjona Kakeli dhe Ema Andrea.
Më ceremoniale ishin “festimet” në institucionet shtetërore. Në Bibliotekën Kombëtare prezenca e ministres së Kulturës, Elva Margariti, është shoqëruar me disa vendime për të cilat ka pasur mjaft debate së fundi, siç është situata ku gjendet Biblioteka Kombëtare apo edhe “premtimi” për krijimin e Agjencisë Kombëtare të ISSN-së pranë Bibliotekës. Krijimi i Agjencisë Kombëtare të ISSN-së, e cila do të pajisë me numrin ISSN të gjitha botimet periodike, si: gazeta, revista, – përfshirë edhe ato shkencore, – në format të shtypur ose në formë elektronike, si një domosdoshmëri në fushën e botimeve, do të ndihmonte jo vetëm bibliotekat në kryerjen e përshkrimin bibliografik të periodikut sipas standardeve ndërkombëtare dhe shkëmbimin e të dhënave në rrjetet globale të informacionit, por edhe botuesit për tregtimin më të mirë të botimeve të tyre brenda apo jashtë vendit, si dhe botën akademike-shkencore në përpjekjet integruese euro-atlantike të botimeve të tyre kërkimore e shkencore. Në këtë ditë të veçantë, fondi i vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare u pasurua me dorëshkrimin e përkthimit nga latinishtja të veprës madhore “Gjeorgjikat”, e Virgjilit, sjellë në gjuhën shqipe nga mjeshtri Mark Dema, dhuruar prej birit të tij z. Alfred Dema në kuadër të Ditës Botërore të Librit. Fondi i dorëshkrimeve në BKSH numëron rreth 1189 vepra të dorëshkruara, kryesisht në gjuhët orientale (arabishte, osmanishte dhe persishte), shumica e të cilave janë kopjuar nga kaligrafë të specializuar në Shkodër, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Shumica e dorëshkrimeve orientale u takon shekujve XIII-XIX. Ato shquhen për miniaturat në ar dhe dekoracionet. Pjesë e koleksionit janë edhe disa dorëshkrime në gjuhët perëndimore, ndër të cilat me vlerë të veçantë për Shqipërinë është ditari i albanologut hungarez Franc Nopça “Albania Notizbücher” në 6 vëllime, shkruar gjatë viteve 1905-1909, 1913 etj. Nga dorëshkrimet greqisht, i rrallë dhe i rëndësishëm është kodiku për Shën Nikodhimin nga Berati, i dorëshkruar në fillim të shek. XVIII. Disa nga këto vlera të çmuara të fondit të BKSH-së u ekspozuan për publikun. Por, gjestet mbi librin duken ende të largëta, si ai i djeshmi: “Me një libër në dorë, mos paguaj biletën e autobusit.” Nuk funksionoi!