Reagimi i Hemingueit për botimin e “Plaku dhe deti” në revistën “Life”
“Jam shumë i emocionuar për ‘Plaku dhe deti’, dhe që po del te ‘Life’ e kështu shumë njerëz të cilët nuk do ta përballonin ta blinin mund ta lexojnë. Më bën më të lumtur sesa të kem Çmimin Nobel”.
Në revistë citohet dhe çfarë mendon z. Hemingway për librin e tij:
“Çfarëdo që unë kam mësuar është te rrëfimi por shpresoj të lexohet thjeshtë dhe drejtë dhe gjithë gjërat që janë aty nuk shfaqen por janë me ty vetëm pasi e ke lexuar. A nuk mendon se është një histori e çuditshme që duhet të na ndikojë të gjithëve (sidomos mua) në këtë mënyrë? E kam lexuar tashmë mbi 200 herë dhe çdo herë më bën diçka. Sikur më në fund kam arritur atë për të cilën kam punuar gjithë jetën time.
Kur po përgatitej për botim tek Onufri libri “Plaku dhe deti”, nuk kishim asnjë kontratë tip përkthimi me Kadarenë. Ndaj ia kërkuam përkthyesit të nderuar se si do ta dëshironte ai vetë një të tillë. Gjithë humor, nuk vonoi përgjigjja e Kadaresë për paaftësinë tonë për të hartuar një kontratë. Në një zarf të verdhë kishte futur një letër format A4 të palosur më dysh, ku kishte shkruar “Shlyerje Kontrate”. Atë vit ishte jubileu i 50-të i botimit për herë të parë i librit të famshëm të Hemingueit.
Shlyerje Kontrate
Të dy palët: AUTORI dhe BOTUESI (K. dhe H.) ranë dakord të shlyejnë kontratën e librit “Plaku dhe deti” me peshk (Meqenëse libri flet për peshq etj.)
Në bazë të konsultimeve me kritikën letrare amerikane, shoqatën e mbrojtjes së mjedisit, shoqatën atlantike të peshkatarëve, Bursën e New Yorkut etj., u arrit përfundimi:
Peshku i madh i kapur nga personazhi i Hemingueit duhet të ketë qenë 900 kg.
Në bazë të çmimeve të Shqipërisë:
900 kg. x 9000 lekë të vjetra = 8.100.000 lekë të vjetra
Meqenëse:
Pjesa më e madhe e peshkut u shqye nga peshkaqenët (B. Hudhri, B. Çabej, F. Toçi etj) mbetën vetëm 120 kg.
Pra 120 kg. x 9000 lekë= 1.080.000 lekë të vjetra
Përfundimisht: Botuesi i nderuar Bujar Hudhri i detyrohet përkthyesi I. K.
120 kg. Peshk!
Shënim i Bujar Hudhrit