More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Petro Marko, shkrimtar i “brezit të humbur” dhe i poetikës...

    Behar Gjoka: Petro Marko, shkrimtar i “brezit të humbur” dhe i poetikës së ajsbergut

    Në historinë e letërsisë shqipe, harku i bashkëkohësisë, krijimtaria e Petro Markos, endur me laryshi tekstesh, dëshmi e lëvrimit të jo pak zhanreve letrarë, ku spikat në lavrimin e romanit, do të mbetet shenjë unike, për praninë e këtyre elementëve: shkrimtar që përkon me ngjyrat e “Brezit të humbur”, si dhe lëvrues i poetikës së ajsbergut, gjë që shpalohet në disa tekste romanesh. Shumëçka është thënë në lidhje me jetën, me peripeci të P. Markos, madje e ka gdhendur vetë në librin autobiografik Retë dhe gurët, por tashmë e rilexuar, ka vendin e mjeshtrit të fjalës shqipe dhe të lëvruesit të romanit, të tipologjisë moderne, kryesisht. Në lidhje me konceptin “brez i humbur”, në enciklopedinë angleze theksohet: Gjenerata e humbur, një grup shkrimtarësh amerikanë që u bënë të njohur gjatë Luftës së Parë Botërore dhe e forcuan pozicionin e tyre në literaturë në vitin 1920. Po aty, në mënyrë të detajuar, paraqiten përfaqësuesit e këtij grupimi: Ky term përfshin Ernest Heminguej, F. Scott Fitzgerald, John Dos Pasos, E. E. Cummings, Archibald MacLeish, Hart Crane dhe shumë autorë të tjerë që e bënë Parisin qendrën e aktiviteteve të tyre letrare në 1920. (Lost Generation/AMERICAN LITERATURE/WRITTEN BY: The Editors of Encyclopaedia Britannica/See Article History). Duke qenë luftëtar i Spanjës, ose “poezia më e bukur e tij”, siç i tha Migjeni kur po ndaheshin, si dhe nga të paktët që pati letërkëmbim me Ernest Hemingway, mjeshtrin e poetikës së ajsbergut, pjesëmarrës në luftën botërore, në jetën e tij shkrimtari ynë hero i gjallë i asaj lufte, provon burgun fashist dhe komunist. Në jetën e tij, me shumë travëlime, Petro Marko, mbërriti kulme dhe rënie, e gjithmonë mbeti dashnor i lirisë dhe letërsisë, rebel i pandreqshëm. Natyra dhe fati jetësor, më tepër e krodhi në detin e humbjeve, e brengave dhe derteve, prandaj në një kuptim të ngushtë ngjan me fatin e Hemingway, krahas autorëve të tjerë, që teoria e përcakton si brez i humbur. Shenjat jetësore dhe letrare, përveç të tjerash, e ndërlidhin me ngjyresat e “brezit të humbur”, si dhe me poetikën e ajsbergut. Megjithatë, kjo dëshmi dhe hipotezë, kërkon lexime dhe rilexime, argumenta dhe kundërargumenta, që të fitojë status të qëndrueshëm, ndonëse në shijen e leximit tim, pikëpërkimet janë të rrokshme. Jeta dhe vepra e Petro Marko, simbas optikës së hetuar në hapësirën tekstologjike të romaneve të Markos, shenjëzim i atmosferës së këtij brezi, ndërkaq përçon gjurmë të njëmendta:

    Së pari: Jetësore, dëshmuar në burime, si parashtrime autobiografike dhe në burimet dokumentare, në letërkëmbimin e gjerë, por edhe si luftëtar në Spanjë dhe në Luftën e Dytë Botërore.

    Së dyti: Si autor i veçantë, që shpërfaqet me dimensionet e veta unike, në letërsinë bashkëkohore, që ka lëvruar të gjithë zhanret, ndonëse ka dëshmuar shkëlqim në ligjërimin e romanit, me tipare moderne. Prania e këtyre gjurmëve, të përveçme në letrat shqipe, nuk e shpëtoi nga zhgënjimi dhe humbja e dyfishtë: Marko humbi në jetë, me gjithë mënyrat se si mundet të shkatërrohet njeriu, humbi në letërsi, sepse u la në skaj të shenjimeve artistike, larg hierarkisë së vlerave të projektuara. Megjithatë, humbjet në letërsi, gjithsesi mbeten të përkohshme, me secilin autor, e sidomos me veprat cilësore, duke mbetur në pritje të lexuesit model. Pikërisht humbjet shoqëruese, janë shkas për ta rimarrë në analizë si dukuri letrare, e cila ngërthen praninë e kundërtive, si shkrimtar ku botëkuptimi dhe shenjat letrare, shpesh gati-gati përjashtohen ndërmjetshëm. Një internacionalist i thekur, që pati një formim të plotë dhe la dëshmi letrare, të një natyre humane, sepse besonte në liri dhe barazi, përtej natyrës së “komunizmit” të egër shqiptar, që e ndëshkoi në jetë dhe letërsi. Po kaq, është shkrimtar europian, në konturimin shkrimor, po aq sa shqiptar, prej një rrethane rastësore, sepse qysh në rini, pa dhe njohu Greqinë, Italinë, Francën, Spanjën etj., i preku nga afër qysh në rininë e hershme, dhe prandaj atmosfera shkrimore, e projektuar në pjesën dërrmuese të romaneve, përçon universalitetin që bartin tekstet e letërsisë së përbotshme, kryesisht të tonalitetit të poetikës së ajsbetgut, si dhe të pranisë së gjerë të humanitetit, pa limite dhe pa mure. Petro Marko, vepra e shumëfishtë letrare, për shkak të kulmeve dhe ndalimeve, përkon në nivel të barabitur, një autor shqiptar, që u end në ferrin dhe parajsën, dhe një model shkrimtari tipikisht i “brezit të humbur”, pra më së shumti një shkrimtar europian, gjë që do të kërkonte hulumtime me të thelluara, përqasje të ndërmjetme, duke e parë dhe duke u thelluar në shinat e letërsisë së krahasuar. Përkitazi, me jetën dhe në veprën letrare, që lidhet me rileximin e veprave të P. Markos, por edhe të E. Heminguejt, në këtë periudhë, edhe me “brezin e humbur”, me të cilin shëmbëllen më së shumti. Nga ana tjetër, prania e poetikës së ajsbergut në veprën e shkrimtarit, si element thadrues estetik, është thembra e Akilit e shenjave letrare, veçmas të prozës romanore, njëherit është nyja gordiane e fillesave dhe formësimit të modernitetit në romanin shqiptar. Përqasja e ndërmjetme, e teksteve dhe sendëtimit estetik, me shkrimtarët që e lëvruan tipologjinë shkrimore të ngjyrave të brezit të humbur, në letërsinë botërore, me domosdo duhet hedhur dritë teorikisht dhe në praktikën e shkrimit, se çfarë përfaqëson vetë poetika e ajsbergut. Kjo vatër komplekse, e praktikës shkrimore dhe e dijes teorike, do të kërkonte shqyrtime të përimtësuar në dy planet, në praktikën shkrimore të autorëve të huaj dhe të shkrimtarit tonë. Prandaj, për të prekur këtë tipologji të veçantë të shkrimit letrar në shekullin e njëzet, po sjellim pranë lexuesit idenë e Hemingway, ku madje përmblidhet teoria e ajsbergut: Dinjiteti i vërtetë i lëvizjes së një ajsbergu qëndron tek fakti që ai nxjerr në pah vetëm 1/8 e tij mbi ujë., si një akt domethënës vetëshpjegues, sa i përket poetikës së ajsbergut. Nga ana tjetër, kritiku Jackson Benson, shprehet: Teoria e tij e ajsbergut, në kombinim me qartësinë e të shkruarit, e bënte Hemingway të distanconte veten nga karakteret që ai krijonte. Atëhermë, në këtë pike ku mbërriti ligjërata mbi tiparet e poetikës së ajsbergut, natyrshëm vjen radha e krahasimit të romaneve të Markos, të materies tekstologjike, me poetikën e ajsbergut. Lidhja me poetikën e ajsbergut, e cila përkon me shkrimin letrar të brezit të humbur, në fillim shfaqet si hije modelimi me veprën e E. Hemingway, çka vjen e plotë në faqet e romanit Hasta la Vista, ku madje pikëpërkimet me romanin “Lamtumirë armë”, janë më të dukshme:

    – Formale, gati një situatë e njëjtë, që përcillet me përmbysje kuptimore, “Lamtumirë armë” të Hemingway, me romanin Hasta la Vista të Markos, ku bie në sy fakti që të dy tekstet lidhen me atmosferën e luftës.

    – Paraqitja e rrethanave të luftës, me të gjithë treguesit e vetë, me zymtësinë dhe tonet e shtuara të dëshpërimit, që e përvijojnë jo pak ngjashmërinë, në mes dy teksteve, pavarësisht ndryshimeve të dukshme.

    – Me praninë e humanitetit tronditës, i cili kontraston me terrin e luftës, që me skenat e dashurisë, me shpërfaqjen e përmasave ekzistenciale të qenies njerëzore, sadopak e ka zbehur dhe mërguar tmerrin e luftës.

    – Dy protagonistët e romaneve të Hemingway dhe Markos, simbas hapësirës së teksteve, në kontestin e jetës në zgrip ekzistencial, bien në dashuri me infermieret, heroinat e frontin të luftës.

    Tekstet e P. Markos, me temën e luftës, si përballëvënie e tmerrit të luftës me dashurinë e madhe, si në tekstin e romanit Qyteti i fundit”, ku lidhja erotike me prostitutën, menjëherë të ndërmend situatën e romanit “Harku i Triumfit”, të Erich Maria Remarque, anipse në mes tyre ka edhe shenja dhe nuanca të ndryshme.  Romani Një emër në katër rrugë, kthyer në karton pas botimit, botuar në vitin 2001, si tekst i plotë, sendërton një qasje të shkrimit të epopesë për kohën e luftës, pa e humbur marrëdhënien me poetikën e ajsbergut, ka mundësuar shqiptimin estetik, të fatit të qenies në atmosferën e luftës. Romani Nata e Ustikës (botuar i cunguar para viteve ’90 të shekullit të kaluar), për ritmikën e rrëfimit, frazën që bart shenjat e poezisë, prozës dhe dramatikës, paraqet një tekst të njëmendtë të prozës shqipe, ku poetika e ajsbergut shpalohet në kuptimet dhe përmasat, formësimin dhe strukturimin e vet, edhe pse mjedisi ku janë vendosur ngjarjet, është burgu fashist, e jo fusha e betejës. Poetika e ajsbergut, ku duket vetëm 1/8 pjesë e realitetit, dhe pjesa tjetër është lënë në një terr të ndritshëm artistikisht, gjen hapësirë në disa nga romanet e tij, ku pikërpërkimet me romanin “Lamtumirë armë”, të Hemingway, ndeshesh me pikëtakime të befta me romanin Hasta la vista. Po ashtu të tekstit të romanit “Qyteti i fundit”, ku gjellijnë nuanca ligjërimore të përafërta me romanin “Harku i triumfit”, të Remarque, përbëjnë disa piketa të rrokshme të shqyrtimeve krahasimtare në mes teksteve të këtyre shkrimtarëve. Trashëgimia e gjerë shkrimore, ku spikatet shkrimtari që lëvron gjithë zhanret dhe publicistikën, aty ku poeti dhe prozatori, takohen dhe ndahen, dukshëm të jep dorë për ta veçuar si lëvrues të romanit, si njërën nga penat e përveçme të letrave shqipe. Rileximi i teksteve, Hasta la vista, Qyteti i fundit, Një emër në katër rrugë, Nata e Ustikës, në mënyrë të veçantë, pa harruar lavrimin e poezisë në vitet ’30 të shekullit të kaluar, që për nivelin e shkrimit të saj vinte pas poezive të Migjenit, shënjojnë fondin e vlerave letrare të realizuara prej Petro Markos. Letërsia shqipe, në bashkëkohësi, hyri në binarët e pjekurisë letrare, gjë që theksohet si ndryshim nga zhanret e mëparshme, nga Gjergj Lukash: …ndërsa epopeja është zhdukur dhe është dashur të tretet në një formë plotësisht të re, në roman. (1983: 36), në librin “Teoria e romanit”. Prania e humanitetit, si ndjesi e rrokshme në secilin prej teksteve, që i kapërcen muret ideologjikë, e përveçon prozën e Markos nga letërsia bashkëkohore, e cila më tepër e rrëshqiti në përllomjen e realizmit socialist, sepse vizioni i autorit, ka në qendër njeriun, si një univers që kërkon lirinë dhe nuk resht së luftuari për ta mbrojtur lirinë. Nga ana tjetër, format e shtjellimit subjektor, strukturimi kompozicional, narrativa dinamike, e cila bashkëshoqërohet nga replikat e ndezura të personazheve, si dhe përkujdesja ndaj leksikut, rrafshet e pranishme ligjërimore, e mbi të gjitha prania e shnjave të mishërimit të poetikës së ajsbergut, në hapësirën e teksteve romanore, e vendosin prozëshkrimin e Petro Markos, në binarët e lëvrimit modern, ndonëse në disa romane, për rrethanat e krijuara ka shkruar edhe tekste, që përkojnë me tonet e realizmit socialist, ku do të përmendja Ultimatumi, Ara në mal, e ndonjë tjetër. Nëse romani “Pse” i Sterjo Spasses, botuar në vitin 1936, hodhi themelet e romanit modern në letrat shqipe, tekstet e romaneve të Petro Markos, e formësuan këtë rrjedhë të ligjërimit të prozës, duke krijuar kështu përvojën dhe modelin e lëvrimit modern të romanit në letrat shqipe, që shpërfaqet e plotë, tanimë si konsolidimi i zhanrit, në disa nga romanet e Ismail Kadaresë e ndonjë tjetri. Nëse romani, gjithnjë simbas teorive letrare, është tregues i pjekurisë së një letërsie, romanet e Petro Markos, janë zbulesa e ritmit dinamik të letërsisë shqipe, që vijon ta ketë romanin si kryezhanër të lavrimit letrar. Gjurmët e shenjave të “brezit të humbur”, dhe nuancave të poetikës së ajsbergut, zgjojnë interes të posaçëm për ta thelluar hulumtimin e në aksin e afrive të Petro Markos, me përfaqësuesit e “brezit të humbur”, edhe si një hipotezë, e cila kërkon thellimin e përqasjes së ndërmjetshme, të disa romaneve të Marko-s, me tekstet përfaqësuese të atij brezi. Megjithatë, leximi nëpërmjet estetikave të çfardoshme qofshin, nuk ia arrin me rrok “gjendjen letrare”, një term i Italo Calvinos, kaq të gjerë dhe plot larmi, në hapësirat tekstologjike, sepse vepra letrare e Petro Markos, ka endur dhe sugjeron një poetikë autoriale, që i shpërfill kodet e ngurta estetike. Madje, krijimtaria letrare e Petro Markos, sidomos romanet Hasta la vista, Qyteti i fundit, Një emër në katër rrugë, Nata e Ustikës, shpesh më faniten si “barka e Noes”, si një metaforë shpëtimtare për letrat shqipe, që bart tharmin e poezisë, dramës dhe publicistikës, e sidomos të prozëshkrimit, që spikatet në disa romane, la gjurmë të thella, për ta shmangur letërsinë bashkëkohore nga shërbesa përfundimtare ndaj realizmit socialist.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË