Klodeta Dibra përkthyese dhe poete, ka përballë “Merinin” dhe teoritë e përkthimit. Unë kam përballë një përkthyese që pa ndërprerje i kthehet fjalës, për të matur dritën, peshën, ndryshimet e fjalëve, që kanë ndërkohë jo vetëm n’gjuhë të vet po dhe në botën botuese të përkthyer n’gjuhë tjera. Kam përballë dhe dukjen plot rrudha të Merinit, cigaren në dorë dhe dy imazhe ambivalente të dy profileve, po lidhen në një kokë të tretë, që lidhë asht n’gjuhë t’vet e n’krahasim me Merinin që lëviz n’thellësi të imazhit, unë dhe përkthyesja do duhet të biem dakort për një drejtim që do i japim të kuptuarit, dhe zgjedhjes më të mirë të imazhit, tashmë për një tjetër kokë, atë të lexuesit të çdokohshëm.
Përkthimi i Merinit ishte takim i dy poetikave, të Merinit dhe asaj të përkthyer. Unë isha një pikë tjetër takimi poetik, që të tria kishim një përbashkuese themelore aspak teorike. Merini e përkthyer do mbetej në dinjitetin e vet estetik, me Klodin që kishte autonominë e vet si përkthyese dhe mua që nuk duhej të shkëputesha këtij takimi poetik.
Teksti përpara në gjuhën mëmë të Merinit, me tërë reflektimet shqisore e gjuhësore, zhyteshin n’botën e përkthyesit me qëllimin për të transmetuar psikologjinë e saj të munduar, për të gjeneruar ndjenjat e saj të errëta, paplotësinë e poetes, për të sjellë vuajtjet e dhimbshme të mendjes së saj.
Nëse për përkthyesen nuk ka betejë, nuk mund të mësosh të jesh përkthyese, e për këtë nuk mjafton të dish gjuhën e tjetrit, duhen teknika dhe mbi të gjitha duhet fryma e poetes – përkthyese që lexuesi të kuptojë atë çfarë ndodh brenda Merinit, duke krijuar kështu një shkëmbim kaq të gjallë e afinitet.
Situatat e çdo poezie njiheshin mirë nga përkthyesja, e në këtë pikë lindte gjuha që prodhonte një poezi ku përkthyesja ishte tërësisht e përfshirë, kjo bënte që unë të kuptoja se kjo lëndë gjuhësorë dhe poetike kishte rënë në duart e një njeriu që di shumë për letërsinë, që nuk përkthente me qëllimin e botimit, po përkthente se poezia për të është një kanon fjalësh që në fund duhet të mbetet lirikë meriniane.
Merini dhe përkthyesja më bënë të kuptoja se mendësia e dinjiteti i gjuhës kalon përtej mundësive teorike, për sa kohë kemi nevojë për letërsi dhe jo thjesht për një përkthim literal, po për një lëvizje të gjuhës në kohë e funksione qarkulluese të poezisë dhe poetit në gjuhë tjetër.
Të dy tekstet e përkthyera u trajtuan me të njëjtën strategji përkthimi, ndjekjen e Merinit për t’i dhënë kënaqësi lexuesit, dhe pas çdo mbërritjeje në fund, të kthyerit në leximin e saj ishte ushtrimi që promovonte jo vetëm përkthimin po dhe Merinin mes gegnishtes letrare dhe standardit.
Përkthyesja kishte gjithmonë përpara Merinin – poete, gjuhën e saj burimore dhe aktin e përkthimit të cilin ia nënshtronte përzgjedhjes së vazhdueshme të fjalëve të peshuara në një sitë që synonte mos humbjen e origjinalitetit, duke e treguar këtë përmes reflektimit estetik e dialogut të vazhdueshëm konstruktiv, ndaj për mua përkthyesja është një fenomenologji më vete me shije, sepse mundësoi një përkthim që lejon kapërcimet paragjykuese, kam parasysh idenë e përkthimit si një kopje perfekte.[1]
Mund të pohoj të njëjtin konstatim si Buffon[2], se nuk mund të thuhet:
“Kështu duhet përkthyer këtu, sepse është kompleksiteti i përvojës së një personi, një artisti, një përkthyesi në tërësi. E rëndësishme është që – në përgjithësi përkthimi të jetë koherent, t’i përgjigjet një ritmi autentik, të ketë një intonacion të thellë.”
Le të futemi në situatën e një poezie dhe të ndjekim nga afër gjuhën që lind nga përkthyesja, duke prodhuar kështu një poetikë të vetëdijshme grupi që përfshin si Merinin ashtu dhe përkthyesen, tregues ky se përkthimi nuk është në duart e një njeriu që nuk di asgjë për letërsinë.
(4) Pensiero, io non ho piú parole.
Pensiero, io non ho piú parole.
Ma cosa sei tu in sostanza?
qualcosa che lacrima a volte,
e a volte dà luce.
Pensiero, dove hai le radici?
Nella mia anima folle
o nel mio grembo distrutto?
Sei cosí ardito vorace,
consumi ogni distanza;
dimmi che io mi ritorca
come ha già fatto Orfeo
guardando la sua Euridice,
e cosí possa perderti
nell’antro della follia.
(4) Mendim, e pagojë tesh jam
Mendim, e pagojë tesh jam.
Çfarë je n’tharm?
ca pika lot,
a flakërim.
Mendim, rranjët ku i ke?
N’shpirtin tem t’marrë
a n’barkun e coptum?
Sa i pacipë e lakmitar je,
çdo hapësirë përshkon;
m’thuj t’përdridhem
si Orfeu
kur Euridikën e tij pa,
se kështu kam me t’humbë
n’shpellën e çmendisë.
1. Pensiero, io non ho piú parole. Nëse do kishim përkthim literal e të ruhej rendi i drejtë sintaksor i fjalisë dhe në gjuhën shqipe do kishim: Mendim, unë nuk kam më fjalë, po përkthyesja ofron:
Mendim, e pagojë tesh jam – përmes inversionit, vendosjes së kallëzuesit në fund, fjalia bëhet me potente, përveç kësaj përkthyesja zëvendëson frazën: non ho parole – me e pagojë, duke ruajtur imazhin.
2. qualcosa che lacrima a volte,
e a volte dà luce.
ca pika lot,
a flakërim.
Fjalia në këtë rast të përkthyer thuket pa humbur ndjesinë. Ajo kumbon në emocion.
3. Nella mia anima folle
o nel mio grembo distrutto?
N’shpirtin tim të marrë
përkthimi literal do kishte këtë formë
a në barkun tim të coptuar?
Përkthyesja sugjeron.
N’shpirtin tem t’marrë
a n’barkun e coptum?
Fjalët e nënvizuara dalin në funksion të rrethanorëve homogjenë, përgjatë përkthimit dalin në formën e epiteteve metaforike. Nëse do i përgjigjeshim strukturës sintaksore të drejtë do kishim: Në t’marrin shpirtin tem a t’cpotuemin bark, këtu përkthyesja ndryshon klasën e fjalëve nga mbiemra në emra e coptum (mbiemër) – t’coptuemin (emër në rasën kallëzore).
Shih dhe: kam me t’humbë – është formë dialektore e kam për të humbur – formë e pashtjelluar e paskajores.
Në këtë rast që analizuam, përkthyesja propozon një përzgjedhje të vazhdueshme e të kujdesshme të fjalëve që garantojnë cilësi, edhe në ato raste kur fjalia në origjinal duket se humbet fjalë, estetikisht ajo tregon se poezia nuk margjinalizohet, po diaogon më lirshëm si me gjendjen e poetes ashtu dhe me kumtin e poezisë deri në vargun e fundit ku shija fiton.
Nisur nga studiuesi e përkthyesi Buffon, ekzistojnë dy mënyra për të shqyrtuar përkthimin poetik, e para konsiston në kërkimin e një gjuhe poetike të madhe dhe të lartë, anonime për nga definicioni dhe e dyta synon të forcojë takimin / përplasjen midis poetikës së përkthyesit dhe poetikës së përkthyer, me pasojë, në rastet më të lumtura, të nxjerrë një tekst të denjë – më në fund – të hyjë në përkthim. Në këtë këndvështrim të dytë, përkthimi letrar, dhe më konkretisht përkthimi i poezisë, konsiston mbi të gjitha në rijetesën e aktit krijues frymëzuar nga origjinali, në një gjendje që, në terma staineriane[3], para se të jetë një ushtrim formal është një përvojë ekzistenciale.
Buffon do pohonte se: Sono stato leale alla tua altezza poetica, tradendoti qui e qui e qui: l’ho fatto per restare il più lealmente possibile alla tua altezza. Questo è ciò che dico ogni sera ai poeti vivi e morti coi quali cerco di intessere un dialogo poietico, nel tentativo di realizzare dei testi dotati di vita estetica autonoma e con la consapevolezza di compiere un’azione di ospitalità linguistica ricca di conseguenze – e anche di rischi – sulla mia stessa esistenza.[4]
Ndaj nisur nga ky konstatim përkthyesja dhe e përkthyera edhe pse u përkasin dy sistemeve të ndryshme gjuhësore, në aktin e përkthimit si akt interpretimi relativ, është vetë përkthyesja ajo që vendos herë pas here se çfarë shkalle ekuivalence duhet të respektojë, duke përcaktuar kështu një reagim ndryshe nga lexuesit.
Kuptimi i tekstit deri në pikëmbërritjen e saj fundore, kalon në një rrjet kuptimor që rikodohet, pa kundërshtuar kuptimin e tekstit origjinal. Nga shtatë llojet e përkthimit propozuar nga André Lefevere: fonemik, literal, metrik, poezi e shndërruar në prozë, përkthim me rimë, përkthim dhe interpretim i vargut të lirë, përkthyesja jonë është më afër versionit të shtatë, përkthimit dhe interpretimit të vargut të lirë, duke ruajtur temën themelore të çmendisë, izolimit, përmes tkurrjes së leksikut:
dimmi che io mi ritorca / m’thuj t’përdridhem;
come ha già fatto Orfeo / si Orfeu,
ose edhe duke përmbysur herë pas here rendin e fjalisë nga italishtja në shqip: p.sh.;
guardando la sua Euridice, – kur Euridikën e tij pa.
Edhe në rrafshin fonologjik ku përemri dëftor io – është zhdukur, gegërishtja letrare i jep mundësi përkthyeses të krijojë paralelizma leksikorë mes gjuhës së poetes dhe gjuhës në të cilën vjen. Edhe pse në dukje kemi humbje në nivelin semantik, përkthyesja ndërton poezinë e saj. Në gegërisht vargu ka karakter sintetik, dhe aftësi për të qenë më i paraqitshëm, për nga forca e mendimit dhe emocionit.
Ndaj përkthyesja e Merinit pohoj se është një ndërtuese në gjuhën e vet. Në tharmin etno -psikologjik, që koha ka shtresuar në këtë dialekt ajo që shpërfaqet në gjuhën e përkthyeses është një leksik i pasur gjuhësor ku veçoj një fjalor autentik:
Në italisht | Përkthimi literal | Në gegërisht |
Manicomio | spital psikiatrik | Çmendinë |
voragine | hon · humnerë | shtjella |
eppur veniva qualche volta al tempo | Ndonjëherë vinte në kohë | nji fill i kjartë ia behte |
la menzogna | gënjeshtrën | rrenën |
mano | dorë | Krahu |
malato | i sëmurë | lëngatë |
impietosa | e pashpirt | mizore |
sillabando | rrokjezonte | belbëzonte |
cassa | kuti, arkë… | zgavër |
eco | jehonë | gjëmim |
risonanza | rezonancë | ushton |
aggrumano | ngjizen | tkurren |
io non ho piú parole | unë nuk kam më fjalë | e pagojë jam |
mi suona | më tingullon | m’buçet |
accecata | verbuar | mjegull |
non ho foglie né fiori | nuk kam gjethe në lule | lakuriqe pa gjethe e lule; |
Affori, paese lontano | Afori, vend i largët | Afori, atdhe i humbun |
dentro la cella muta. | brenda qelisë së zhveshur | n’qelinë e pagojë. |
su e giú | lart e poshtë | n’ecejaken |
inferocite | zemëruar | idhnum |
fuggiva | iku, ia mbathi | ikacak |
assiepati dietro le sbarre | të strukur pas hekurave | rrimë gardhuem pas hekurave |
Ndërsa Donatella Bisutti përshkruan qartë situatën e përkthyesit se: Kushti thelbësor i përkthimit është kushti thelbësor i të shkruarit kreativ…. Përkthimi është ushtrimi përfundimtar i distancës dhe i përfshirjes: sepse përkthyesi është jashtë tekstit që do të përkthehet, prandaj ai duhet të kapërcejë distancën që e ndan prej tij, duke e përvetësuar atë.[5]
E këtë përkthyesja e ka bërë duke i dhënë të njëjtën magjepsje Merinit edhe në shqip. Gjuha e gjetur është një përmbledhje mendimesh, aromash, tingujsh, imazhesh që tregojnë të njëjtën rrugë për të hyrë në shpirtin e Merinit, po këtë radhë përmes shqipes.
Shija ime përkoi, ndaj ardhja e këtyre dy librave në shqip është prumje transhendente e lidhur si me imazhin ashtu dhe me ligjërimin poetik të Merinit. Kjofshin të lexuesit.
[1] Veschi, Gabriella.; Midis artit dhe shkencës: hijeshia e përkthimit, f. 8-9. Teksti letrar ofron nivele të ndryshme leximi që ngrenë pengesa të shumta kur përballemi me aktin e përkthimit, siç shkruan Lotman: Vështirësitë kryesore të përkthimit të tekstit letrar lidhen me diçka tjetër – nevojën për të transmetuar lidhjet semantike që dalin, konkretisht në tekstin poetik, në rrafshin fonologjik dhe gramatikor. Nëse do të bëhej fjalë vetëm për riprodhimin e disa onomatopeve, aliteracioneve apo të ngjashme në nivel fonologjik, vështirësitë do të ishin dukshëm më të vogla. Por ato lidhje specifike semantike që dalin në bazë të ndryshimit në tekstin poetik të marrëdhënies midis mbështjelljes tingullore të fjalës dhe semantikës së saj, si dhe semantikës së nivelit gramatikor, duket se i mohojnë vetes një përkthim të saktë. Këtu, me siguri, duhet shtruar pyetja jo e saktësisë së përkthimit, por e përshtatshmërisë së tij, e përpjekjes për të riprodhuar në përgjithësi shkallën e dendësisë së lidhjeve semantike në tekst. citim i cituar. Lotman, Jurij, Problemi i tekstit poetik, në A.A.V.V. Teoritë bashkëkohore të përkthimit, op. cit., f. 260.
[2] Buffon, Franco.; La lealtà del traduttore di poesia, https://www.trecani.it/magazine/lingua_italiana.
[3] George Steiner
[4] Buffon, Franco.; La lealtà del traduttore di poesia, https://www.trecani.it/magazine/lingua_italiana. I kam qëndruar besnik lartësisë sate poetike, duke të tradhtuar këtu, këtu dhe këtu: E kam bërë për t’i qëndruar sa më besnik lartësisë sate. Kështu u them çdo mbrëmje poetëve të gjallë e të vdekur me të cilët përpiqem të thur një dialog poetik, në përpjekje për të krijuar tekste me një jetë estetike autonome dhe me vetëdije për të kryer një aksion mikpritjeje gjuhësore të pasur me pasoja – dhe gjithashtu nga rreziqet – mbi ekzistencën time.
[5] Bisutti, Donatella, Sul rapporto tra poeta tradotto e poeta traduttore , in A.A.V.V., La traduzione del testo poetico, a cura di Franco Buffoni, Guerini e Associati, Milano 1989, pag 180.