More
    KreuIntervistaMaría Roces González: Qëndruam me Shqipërinë dhe shqiptarët për tërë jetën

    María Roces González: Qëndruam me Shqipërinë dhe shqiptarët për tërë jetën

    Bisedoi Andreas Dushi

    Vitin që shkoi, në Spanjë u botua një libër me titull “La Bella de la Tierra” (E bukura e dheut) me kallëzime popullore nga Shqipëria. Përzgjedhjen dhe përkthimin e tyre, përgjatë dekadash, e keni realizuar ju dhe bashkëshorti juaj i ndjerë, mjeshtri Ramón Sánchez Lizarralde . Cila është historia e këtij libri, koha që ju mori si dhe si është realizuar përzgjedhja e historive përbërëse të tij?

    Që nga mesi i viteve 1980, Ramón Sánchez Lizarralde u përpoq të botonte një antologji të përrallave shqiptare, por në vitin 1994 dhe 2004 ai arriti të botonte vetëm dy koleksione të vogla me përkatësisht 28 dhe 10 tregime. Botuesja Cristina Herreros, e cila ndante të njëjtën dëshirë me Lizarralden, i kërkoi María Roces në 2011 kur Ramoni vdiq, që ta bënte atë përpjekje realitet; gjë që u krye në dhjetëvjetorin e vdekjes së Ramonit.

    Të 106 tregimet që gjenden në antologji kanë qenë të pabotuara në spanjisht, me përjashtim të dhjetë tregimeve që Lizarralde botoi në 2004(Mirënjohja e të vdekurit ) dheqë përfshihen edhe tek E bukura e dheut. Këto tregimejanë marrë nga botime shqiptare të denja për çdo meritë dhe përzgjedhja e tyre ndjek modelin e përmbledhjeve të prozës popullore shqiptare.

    Në vitin 2018 ndejta tre muaj në Shqipëri në kërkim të dokumentacionit, ndërsa përkthimi është bërë në periudha të ndryshme midis viteve 2019 dhe 2020.

    Në fund të tij është një fjalor ku gjenden edhe figurat mitologjike të pranishme. Mitologjia është një element përfaqësues – antropologjik i kulturës së një populli, por shpesh vihet re edhe një lloj shtegtimi i miteve e veçanërisht i personazheve të tyre, me anë të të cilit mund të gjurmojmë lidhjet historike mes popujve të ndryshëm. A e shihni një dukuri të tillë mes Shqipërisë dhe Spanjës? Pra, a keni evidentuar personazhe mitologjike të ngjashëm si në kulturën shqiptare, ashtu dhe atë spanjolle?

    Është e vërtetë se ka figura mitologjike dhe mite të ngjashme universale, të Europës Qendrore, Ballkanike dhe Mesdhetare; se historitë për disa kafshë, për shembull, ndryshojnë pak nga një kulturë në tjetrën dhe se disa përralla të mrekullueshme priren të kenë një fije të përbashkët të ngjashme dhe synim didaktik…. Por, për të shmangur konfuzionin, dhe meqenëse këto histori janë gjithashtu një dëshmi e gjallë të gjurmëve të doke e zakone të lashta, veçanërisht shqiptare, që i dallon ato edhe nga përrallat e tjera ballkanike dhe/ose mesdhetare, i lë qeniet mitologjike me emrin e tyre shqiptar dhe u referohem në fjalorin përfundimtar për një kuptim të tyre të saktë.

    Si parathënia, ashtu edhe fjalori janë pritur shumë mirë.

    Pak ditë më parë, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë nderoi Ramón Sánchez Lizarralde-n, personalitetin kryesor transmetimit të letërsisë shqipe në gjuhën spanjolle. Fakti që ai e ka shkruar emrin e tij në përjetësinë e shqipes, si ju bën ndiheni?

    Shqiptarët, të paktën ata që kam fatin të njoh, janë mikpritës dhe bujarë, dhe në rastin e Ramón Sánchez Lizarralde, edhe Ministria e Kulturës (Penda e Argjendtë, 2005) edhe vetë shteti shqiptar (Medaljen e Mirënjohjes, pas vdekjes, 2013), dhe tani Biblioteka Kombëtare (së cilës më ra në mendje në vitin 2018 t’i dhuroja nja dy kopje të përkthyera nga unë dhe Ramoni, siç bëra në prill) e kanë treguar qartë mirënjohjen e tyre për punën e  lavdërueshme si një urë kulturore midis Shqipërisë dhe Spanjës.

    Ai ndihej asokohe, dhe do të ndihej gjithashtu tani mirënjohës, falënderues, e i lumtur. Unë ndjej se ne të dy, edhe ai, edhe unë tani, meqenëse kam marrë në dorë amanetin e tij për të vazhduar, po përpiqemi të kthejmë në Shqipëri një pjesë të asaj që ajo na dha dhe që vazhdon të ma japë edhe sot. D.m.th. unë vazhdoj t’i paguaj borxhin Shqipërisë.

    Nuk e di pse kalova një pyetje të rëndësishme: Njohja juaj e parë me shqipen, cila ka qenë? Po në Shqipëri kur erdhët për herë të parë? Në çmënyrë, për çarsye?

    Kur unë dhe Ramoni mbërritëm në Shqipëri për herë të parë në tetor të vitit 1980, për të punuar ai te Shtëpia Botuese “8 Nëntori” dhe unë te Radio Tirana, nuk dinim asnjë fjalë shqip, përveç fjalës raki,që dija unë. Ne ishim militantë të vjetër antifrankistë (Ramoni që kur ishte 17 vjeç, unë që nga mosha 21). Ishim ende klandestine, anëtarë të Partisë Komuniste të Spanjës (marksiste-leniniste), e cila kishte dërguar çifte spanjolle në Tiranë që nga viti 1964 me kërkesë të “partisë motër”, PPSH-së.

    Hymë në Shqipëri përmes Rinasit dhe nga Beogradi me pasaportë fallso dhe, sapo mbërritëm u pagëzuam me emrat Karlos Sanchez dhe Karmen González.

    Bashkëjetesa me Ramón Sanchezin, edhe po të mos donit ju ka bërë pjesë të punës së tij, në një formë a në një tjetër. Prandaj, besoj se e ka diskutuar me ju edhe nivelin e besnikërisë në përkthim, aq më tepër të shkrimtarëve si Kadare, Starova, Kongoli, në krijimtarinë e të cilëve gjendet brendashkruar historia e kombit shqiptar. A e sfidonte veten dhe gjuhën duke kërkuar mënyrën ideale të pasqyrimit në spanjisht të atij kuptimi semantik që mbante brenda vetes fjala a fraza në shqip?

    Kur Ramón Sánchez Lizarralde filloi t’i përkushtohej letërsisë në vitin 1987, tradita e përkthimit të shqipes në spanjisht praktikisht nuk ekzistonte (përveçse një versioni të tmerrshëm kubanez të viteve gjashtëdhjetë të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur dhe një tjetri nga francezët i Kështjellës), përveçse shkrimeve të mangëta propagandistike të Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, në hartimin e të cilave Ramoni bashkëpunoi për gati katër vjet. Ai vetë konsideronte si pika themeluese për përkthimet e tij, në fillim, për të mbështetur punën e tij, përkthimet në frëngjisht dhe italisht dhe traditën relativisht të konsoliduar të përkthimeve nga spanjishtja në shqip, e cila në atë kohë përfshinte disa nga veprat më të mëdha të letërsisë spanjolle.

    “Një pionier me zor”, siç e quante veten, Lizarralde konsideronte si “kamerdaren e shpëtimit” në fund të viteve ’80, Fjalorin shqip-frëngjisht të vitit 1977 të Vedat Kokonës, dhe Fjalorin e gjuhës sotme shqipe të vitit 1980 dhe, natyrshmërisht, edhe fjalorë spanjisht për të kërkuar ekuivalencat e nevojshme. E pra, me gërshetime të tilla, edhe miku dhe camarada ynë i madh Jesús Hernández pati guximin të aventuronte me përkthimin e Dimrit të Madh të Kadaresë në fillim të viteve nëntëdhjetë.

    Kjo është arsyeja që Lizarralde do të shkonte aq larg sa të thoshte: “Që andej vjen veprimtaria ime përkthimore, duke përdorur një shëmbëlltyrë cirku, diçka si puna pa rrjet: çdo zgjidhje konkrete, çdo shkëmbim leksikor më ndodh në një gjendje mjaft të afërt me atë të praktikës së ecjes në litar. Sigurisht, gjatë viteve të stërvitjes, kam adoptuar zgjidhje dhe ekuivalenca të njëfarë soliditeti, por, pavarësisht gjithçkaje, sa herë që zhytem në një tekst të ri, kam gjithmonë ndjenjën e rrethimit nga një fortesë, jo vetëm e ndryshme nga të mëparshmet, por edhe e ndërtuar me materiale të tjera…”.

    Po jetesa me Sanchezin, emocionet, sfidat, të papriturat dhe befasitë… Nuk e di, çmund të thoni?

    Unë dhe Ramón Sanchez u takuam në pranverën e vitit 1977 në Valencia në klandestinitet, duke qenë postëroje të një greve. Ne ishim shokë, militantë të së njëjtës parti, shkuam të jetonim menjëherë bashkë, dhe që atëherë deri në vdekjen e tij, në korrik 2011, ishim çift. Jetuam në Madrid, Valencia, Vendin Bask, Shqipëri, Madrid përsëri, dhe ai zgjodhi të vdiste në Soto de Agues (Asturias), fshati i nënës sime, ku unë jetoj tani.

    Ramoni pohonte se unë isha i vetmi person në botë me të cilin ai donte të jetonte. Ishte e ndërsjellë.

    Kur në vitin 2005 Ramoni mëson se pasioni i tij për letërsinë dhe përkthimin letrar, dhe vetë jeta e tij kishin një datë skadimi, më bindi “të kthehem në skenë” dhe, që atëherë e tutje, ne nënshkruajmë kontratat dhe përkthejmë së bashku, ndërsa ai fillon të më caktojë rolin e “pasardhëses” se tij kompetente për botuesit, dhe trashëgimtares së të drejtës së tij të autorit, duke e lënë tokën të mbjellë dhe plehëruar që të mos tërhiqem.

    Në shkimin e saj Spanjolli që e deshëm të gjithë, Mira Meksi shkruan:“Ramón Sanchez-i përbën një fenomen më vete si lëvrues i artit të komplikuar të përkthimit letrar: pa kryer studime të mirëfillta filologjike, pa pasur asnjë lloj tradite apo baze të mëparshme përkthimi të letërsisë shqipe në spanjisht ku të mund të mbështetej dhe në kushtet e mungesës së fjalorëve shqip-spanjisht dhe spanjisht-shqip (ky i fundit me plot mangësi është botuar vetëm në vitin 1999), arriti jo vetëm të përkthejë me sukses një pjesë shumë të çmuar të veprës së Kadaresë, por edhe të nderohet me Çmimin Kombëtar të Përkthimit në Spanjë, të japë leksione dhe konferenca të rëndësishme në universitetet e botës mbi përkthimin letrar […] të ketë poste drejtuese në shoqatat e përkthyesve të Spanjës dhe të krijojë një revistë shumë të vlerësuar mbi përkthimin.” Çfarë mund të thoni për këtë fakt krejt të panatyrshëm dhe, të ndodhur në rrethana veçanta?

    Ajo që shkruan Mira Meksi, sigurisht me qëllimet më të mira, është një ekzagjerim tipik i nekrologjisë, pasi studimet filologjike nuk janë absolutisht të nevojshme për të qenë shkrimtar (përkthyesi është autor) dhe nuk është aspak e qartë se filologët, për faktin se janë të tillë, janë përkthyes të mirë. Deri kohët e fundit, përkthimi letrar kishte një origjinë qartësisht aventureske dhe arrihej përmes rrugëve misterioze dhe kthesave të çuditshme (sa aventurierë, udhëtarë, ushtarë, tregtarë, robër lufte, piratë, murgj, endacaket apo emigrantë të thjeshtë ekonomikë kanë vendosur lidhjet e para midis gjuhës së tyre dhe asaj të vendit pritës, të mirë apo të keq!). Atëherë nuk kishte asnjë përgatitje specifike universitare, por në të mbi të gjitha mbizotëronte pasioni dhe dëshira letrare e guximtarëve që atyre që hyjnë në këtë univers magjepsës. Dhe kjo pa u futur në diskutimin nëse mund të mësohet apo jo përkthimi letrar, apo si mësohet (që nuk është e njëjta gjë).

    Për Ramón Sánchez Lizarralde, ishte qëndrimi në Shqipëri dhe kontakti me njerëzit e saj, leximi i letërsisë shqipe, njohja graduale e kulturës së njerëzve të përmendur, ato që zgjuan tek ai projektin, në fillim të paqartë, më vonë plotësisht të rrënjosur, të përpjekjes së përhapjes në gjuhën dhe vendin e tij të veprave më të shquara te kësaj bote letrare.

    Trajektorja e tij fillestare e vështirë dhe e rrezikshme, së cilës iu referova më lart, është e ngjashme me atë të përkthyesve letrarë të gjuhëve të keqemërtuara si “minoritare” ose “të papërballueshme”, siç është gjuha kineze, prej së cilës historikisht nuk kanë ekzistuar e madje ende ekzistojnë shumë pak përkthime në spanjisht. 

    Që në shekullin XVI, “Historia e Skënderbeut” e Barletit u përkthye e botua në Spanjë. Pastaj, për shekuj me radhë, Shqipëria personifikohej, shpjegohej nëpërmjet “një vendi të mistershëm e të panjohur”. Si do ta shpjegonit procesin gjatë të cilit Ramón Sanchez, por bashkë me të edhe ju, e gjetët këtë fill “të humbur” dhe e ndërlidhët sërish me Shqipërinë aktuale?

    Vendet (si fqinji ynë Portugalia) dhe bile perandoritë (si ajo osmane) “misterioze dhe të panjohura” kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shumta në injorancën kulturore spanjolle. Mbi te gjitha, në shekullin XX, diktatura e Frankos, po aq sa tirania enveriste, kontribuoi për ta bërë Shqipërinë një vend rreptësishtë të ndaluar (shprehshëm në pasaporta) dhe madje të mallkuar, bashkë me të gjithë vendet e Lindjes.

    “Shqipëria, kryeqyteti: Tirana” ishte gjithçka që brezi im mbante mend nga Shqipëria prej orës së gjeografisë, por militantët proshqiptarë antifrankistë nuk kishin akses në asnjë lloj informacioni të vërtetë dhe duhej të kënaqeshin me mitin e rezistencës së Davidit shqiptar ndaj sulmit të Goliatit imperialist, revizionist dhe madje edhe kinez.

    Qëndrimi ynë në Shqipëri, edhe në vitet shumë të vështira ‘80, kontakti ynë me universin emocionues shqiptar që pamë pas maskës së pamëshirshme së diktaturës, bëri mrekullinë:  qëndruam me Shqipërinë dhe shqiptarët për tërë jetën.

    Dhe, meqë ra fjala, nuk njoh asnjë spanjoll që të ketë kaluar sadopak kohë në Shqipëri që të mos ketë rënë në dashuri me vendin dhe njerëzit e saj.

    Gjatë një vizite në Madrid në 2018, vizitova librarinë Pasajes. Një librare shumë simpatike, kur i fola anglisht, më pyeti nga isha. “Shqipëria,” i thashë. Më tha se e njihte mirë këtë vend nëpërmjet një shkrimtari, Ismail Kadaresë. Sinqerisht, mu bë qejfi, gjë që e shpreha në bisedën që vijoi, diku një orë. Si ndiheni kur mendoni se pikërisht falë kontributit të Ramón Sanchezit, një kulturë “e dënuar për të mbetur e panjohur” ja del ta kapërcejë këtë “dënim”?

    Përgjigjem me fjalët e Ramonit:

    Në çdo rast, për sa u përket atyre vizitorëve të huaj të çuditshëm që ishim ne, “miqtë” siç na quanin disa, me tallje e zë të ulët, paradokset e kësaj epoke dhe të kësaj bote, kanë dashur disa prej nesh të bëhemi përkthyesit më mirë letërsisë shqipe në gjuhë tjera, të bëhemi mbrojtës botën tonë asaj bote tjetër aq të përbuzur dhe të troshitur, që ishte bota shqiptare, të bëhemi ura lidhëse të gjuhës dhe kulturës midis dy brigjeve mesdhetare që nuk kishin marrëdhënie prej shekujsh. Se në fakt, shkëmbimi kulturor nuk është gjithmonë fryt i konventave ndërmjet shteteve, por rezultante e një lëvizje formalisht kaotike, produkt i përpjekjes së qenieve njerëzore për të zgjeruar sferën e njohjes… Përveç kësaj, jam plotësisht i bindur se, sido që disave mund t’u duket shumë e pakët rëndësia e tij, transmetimi, komunikimi midis botëve është një nga ushtrimet më pasionuese, të këndshme e pasuruese mund të mendohet. Dhe jo vetëm për atë e praktikon”.

    Parathënien e librit të tij “Shqipëria në pasqyrën e letërsisë”, Ramón Sánchez e mbyll me: “…ndihem thuajse një shqiptar më shumë. Por brenda saj, s’mund të mos vë re vështirësitë për të qenë me të vërtetë dhe domosdo i tillë dhe, për më tepër, për t’u pranuar si i tillë, sidomos kur i jap vetes të drejtën për të shprehur keqardhje dhe për të kritikuar ato gjëra që më duken blana dhe huqe të bashkatdhetarëve mi të asaj ane të Adriatikut. Po ju, ndiheni thuajse shqiptare”?

    Në vendin tim nuk jam “pothuajse shqiptare”, por “plotësisht shqiptare”, doja apo s’doja. Dhe mbi të gjitha, ambasadorët Manuel Montobbio dhe Anila Bitri Lani më kanë dhënë prej kohësh titullin “albanologe”, ndërsa gazetarët, historianët, udhëtarët, kolegët dhe bashkatdhetarët e tjerë më marrin si “Fjalori enciklopedik shqiptar”. Ndihem gjithnjë e më shumë si “monoliti shqiptar” dhe kjo pavarësisht se, për të shmangur çdo tipar shovinist, ju them se e konsideroj veten dhe se kam zgjedhur të jem ballkanase.

    Tani, më duhet të pranoj që, kur jam në Shqipëri, e konsideroj veten një korçare të vërtetë.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË