1.
”Ndrydhe pak gishtin që të të dalë gjak”,
thotë mëkuesja.
(Veni re që s’e quaj ”infermiere”.)
2.
Trupi im s’e tret mirë sheqerin.
Ndoshta s’bën mjaft insulinë.
ose ndoshta indet më janë lodhur tepër
e s’e zbërthejnë dot insulinën
ashtu si duhet.
3.
Kjo gjendje vie për shkaqe të ndryshme, thotë ajo.
Tipi 2 që ke ti ka shkallë të lartë trashëgimie.
Edhe mënyra e jetës luan rol.
(Veni re si e shmang fjalën ”sëmundje”.)
4.
Lexo: historia jote brez pas brezi luan rol.
Jot ëmë me diabet. Yt atë me diabet.
ushqimet kalorike të popullit që ka vuajtur nga uria
e që është zënë tërësisht i papërgatitur
nga shekulli XXI.
5.
Sot vdesim më shpesh nga mbipesha
se nga plumbi.
Por.
6.
Gjyshërit e mi u rritën të ngordhur nga uria.
Ikanakë fëmijë ikanakësh.
I mësuan fëmijët e vet të puthin bukën e misrit
në mënyrë rituale, e t’i falen Zotit mbas hajes
me duar mbi fytyrë: si për të lexuar në heshtje
nga Libri i Vuajtjeve.
Ata fëmijë u bënë dikur prindërit tanë.
7.
Im atë na edukoi si ateist:
s’do të mbulonim më kurrë sytë me duar.
Ne do të numëronim syhapur sa herë hëngrëm mish
gjatë javës. Sa prej nesh u shkolluam.
Sa prej nesh kemi punë, që të hamë shpesh mish.
Statistikat sasiore u bënë
feja jonë e re.
8.
Më vonë mungesat e padukshme do të na vrisnin
nëpër pyje të plotnisë.
Por.
9.
Ime ëmë kujton ende se diabeti iu shkaktua
nga mallëngjimi i mërgimit.
Ndoshta indet i janë lodhur tepër nga ndarjet
e s’ia zbërthejnë dot të gjitha largësitë
ashtu si duhet.
10.
Kur ika në mërgim mblodha në valixhe
shijet e fëmijërisë, kujtimet, fetë e të parëve:
fije indesh të këputura prej ndarjesh.
U mësova të puth bukën e huaj si ritual,
me duart mbi fytyrë Si për të mbyllur në heshtje
Librin e Harresës.
Por trupi nuk harron.
(Veni re si kam tentuar ta harroj këtë ndër dekada.)
11.
E ndrydh gishtin që të më dalë gjak.
Bashkë me të del një histori ndrydhjesh të përcjella
Brez pas brezi.