More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAli Aliu: Majat e rebelimit krijues të Zejnullah Rrahmanit

    Ali Aliu: Majat e rebelimit krijues të Zejnullah Rrahmanit

    Lindur më 1952, Zejnullah Rrahmani bëri emër, si zë fort i veçantë në letërsinë shqipe të Kosovës, që në fillim të viteve ‘70. Me dy romanet e para gjatë këtij dhjetëvjetëshi, “Zanoret e humbura” dhe “Sheshi i unazës”, ai u shqua si autor ndër më të talentuarit e brezit të tij. Gjatë këtyre pesëdhjetë viteve krijimtarie, Zejnullah Rrahmani është autor i 32 veprave, kryesisht nga proza artistike dhe nga shkenca mbi letërsinë.

    Njëmbëdhjetë romanet dhe katër vëllimet me tregime, shënojnë një rrugë krijuese, brenda së cilës vërehen tri faza; ajo e fillimeve, me dy romanet e përmendura, autori njëzet e pak vjeçar, përmes një poetike narrative dhe rrëfimit gjithë ftohtësi e refuzim armiqësor ndaj të huajt, kërkon hapësirë të lirë për veten dhe për truallin.

    Romani “Zanoret e humbura”, në fillim do ta hutojë lexuesin e pa mësuar me fshehtësinë e mesazhit që reflekton personazhi me emër L’B’N’, që kërkon zanoret e humbura ndër mote, apo me romanin “Sheshi i unazës”, ku, në një shesh qyteti, antik dhe aktual, Shkup a Shkodër, Prishtinë a Jeruzalem, zhvillohen beteja në mbrojtje të etnisë, gjithë rrëfime shtrirë përtej, ku mpleksen e kushtëzohen, përthyhen mote e shekuj, për të dalë në dritë…

    Gjatë viteve ’90 pason veshja e dytë e poetikës romanore të Zejnullahut, tani saktësisht e afishuar në kohë dhe truall kosovar; në këtë fazë të krijimtarisë së vet, përmes romaneve “Udhëtimi arbdhetar” dhe “Romani për Kosovën”, Zejna dalë nga tuneli historik, të turbullt, kaotik dhe dramatik kosovar; duke sjellë  një fashë kohe historike me gjysmë lirie e gjysmë robërie mbi Kosovë, të njohur si koha italiane që për herë të parë, në hapësirën shqiptare të Kosovës, hapi shkolla në gjuhën shqipe; ishte, sa dhuratë qiellore, sa dhuratë pushtuesi; në kakofoni të tillë rrëmbyer rrëfime dhe personazhe, gjysmë trullosje e gjysmë kthjellimi, ky fragment kohor përfton si një ëndërr dritëterri në historinë kosovare…

    Faza e tretë, aktuale, që shtrihet brenda dy decenieve të shekullit të ri, Zejnullah Rrahmani bën një kthesë të fortë të poetikës narrative, duke iu kthyer plotësisht Unit të vet përballë botës dhe gjithësisë, përballë reales dhe ireales, misterit dhe të pakapshmes, në botë, në jetë, me shijen e një mosbesimi dhe misticizmi. Cikli romanor i kësaj faze fillon me romanin “99 Rruzaret prej Smaragdi”,“Lypësi dhe Sofia” dhe romani “Pesë vakte”, fazë kjo që u paralajmërua nga vëllimet me tregime, “Mjeshtri i vetmisë”, “Tregimet e Ballofcit”, dhe “Iluminacion”; është faza, tregimtare dhe romanore, në të cilën ndjehet aroma krijuese e klasikëve persë, kur  Zena do të ndezë fanarët e brendshëm, në kërkim të botës së vet, të shpirtit të vet, në çaste me një drithmëri e përgjërim të ethshëm, gjithë në kërkim të dijes e ndërdijes; do krijojë, nga kjo perspektivë, universin e vet, do ta bëjë bashkë me makrouniversin dhe do të rrahë muret e të vërtetave, mistereve, do drejtojë, në vazhdim dhe pa ndërprerje pyetje, pa marrë përgjigje, do tundohet në përballje dhe do ndahet sa në pajtim me veten, sa në hutim, sa me besim dhe sa i zhgënjyer;  do bëjë bashkë Zot, njeri dhe gjithësi, gjithë në kërkim të një vizioni në harmoni, të përsosur, të kuptimësuar përmes dashurisë, asaj personales dhe universales; gjithë përmes poetikës narrative romanore dhe tregimtare që vizëllon estetikisht e përsosur, unik në këtë shkallë brenda prozës shqipe; mbështetur në këtë poetikë narrative, Zena do artikulojë dhe përcjellë shqetësime, në momente rebeluese, siç do t’i duket, se bën zë, vjen një shenjë nga përtej, së cilës i vë veshin me kujdes…

    Natyrisht që me këtë rast, fjalën e kam për romanin më të ri të Zejnullah Rrahmanit “Djemtë e Ballofcit”, zgjatim i veshjes poetike të sotme, shoqëruar e forcuar si të tillë edhe me vëllimin e tregimeve “Deti i Zi”, në një botim teknikisht ekselent të shtëpisë “Onufri”. Romani më i ri përbëri nga njëzet e një kapituj, secili i pavarur, por që bashkëqëndrojnë dhe funksionojnë brenda një universi global dhe ku, kapitulli i fundit përmbledh bërthamën kuptimore të romanit. Në tërësinë e vet, romani ofron tre nyje kryesore mbi të cilat mbështetet instalacioni narrativ i tij; shtylla e parë lidhet me pasionin krijues të autorit, përkushtimi, afeksioni total i tij ndaj ngasjes së aktit krijues dhe që gjatë rrëfimeve përshfaqet pasion i ethshëm, gjithë edhe në kërkim të shtigjeve të reja frymëzuese dhe narrative; nuk ndihet rehat imagjinata e tij krijuese në përkapjen e botës brenda tekstit romanor, dhe në hapin e radhës kërkon, përthithet brenda shtigjesh të rinj; përfton imagjinata e tij nga perceptimi në distancë i botës, për t’i anuluar dhe shkrirë ato deri në kufijtë e prekjes me të gjitha shqisat objektivin, imazhin, bëmat, fenomenet dhe, të dashurisë mbi të gjitha: “Jam çufra e gjembaçeve që jeton në Ballofcë”, metempsikozet për një çast narratori, duke vazhduar: “… kësaj bime ngastretare… këtij gjembaçi që të ngjitet dhe nuk të hiqet”; kështu ai këmba-këmbës hapet në shtrirje të pafund gjithë vizion planetar: “… unë due me jetueBallofc,… me marrë me vete kujtimet e tokës, imazhin e shtëpisë sime, të luleve në oborr, të maces e të qenit të shtëpisë…, kam me i mbajtë të gjitha në radhët e kujtesës, në shpirt…”.

    Rrëfimi romanor – tregimtar i Zejnullah Rrahmanit në këtë veshje narrative të poetikës mëton: “Në atë udhëtim të naltë dhe të pafund, e ka qëllimin tem, qëllim të njerëzimit, sipas profetëve në të kaluem… due me e ba atë udhëtim siç e bajnë poetët, prej fillimit drejt infinitit, me e bart mbi shpinë njerëzimin…”, dhe dehja për një çast stepet: “ Por, mos kjo jeta ime është vetëm një ndërmarrje e kotë? Një mismarrëveshje? Një blof?” dhe që, shkallët ngjitëse të imagjinatës krijuese të zbresin në truallin e një vetmie dhe tundimi planetar: “…mos është humbje kohe deri në momentin e fundit kur fryma del e fluturon fillikat nëpër universin e pafund dhe nuk kthehet ma?… cili yll ash ylli im i mëngjesit? Ishte dashuria apo dhembja e saj? Malli a ferri i saj? Me cilin element unë mundem me jetue, pa u druejt e frigue prej zotit as prej njeriut?”.

    Si det i trazuar nga brenda thellësive, shtrin velat në syprinën e qetë, pajtuese e paqtuese: “Krijimi a nuk asht akti ma i thjeshtë i secilit njeri në çaste të caktueme të jetës?… Një lumtuni e papërshkrueme me fjalë e veprimi të mrekullueshëm të imagjinatës?… këtë  lumtuni krijimi njeriu e ndien në zemër…”, gjithë në raporte e tundime dramatike dhe rropatje sizifiane: “ Si me e përballue jetën, këtu, midis kurkundit dhe kurfares?”; është akti krijues i Zenës që nga fillimi, e imagjinatës krijuese të tij gjithë në kërkim të ethshëm të kuptimeve dhe pakuptimësive, e përsosjeve të paarritshme, të dashurisë përftim kurrë i pushtueshme, për të mos reshtur tundimet e radhës: “Tash që të dy këmbët m’u kanë këputur dhe nuk e di a kam për të harritur ndonjëhrë në fund të bibliotekës, librat që i mbaj në dorë magjishëm shlyhen dhe zhbëhen para syve, si Darka e fundit…“.

    Shtylla tjetër bartëse e romanit “Djemtë e Ballofcit”, dhe e kësaj fazë krijuese romanore e Zejnullah  Rrahmanit, është diskursi narrativ, që, në matricën e poetikës së vet narrative, përfshin dhe vë në funksion përbërës, realë dhe virtualë, të natyrshëm dhe atipikë, drejt objektivit hibrid, përbërjesh dhe mpleksjesh atipike; emërtimet Ballofci dhe djemtë, Kopshti Eden me Adam e Evë, Babiloni biblik, antikiteit, figura mitike dhe reale, beteja lashtësish, të lashta, të sapokryera dhe të saponisura, arbërore dhe planetare, Isus dhe Isai, herë binjakë dhe herë shenjtorë, Krisht e Muhamet bashkë, gjithë përfshirë së bashku në rrjedhën narrative të romanit, shtjellë narrative, lëvizje kryqetërthor planetit, horizontalisht dhe vertikalisht; sa trend poetikash narrative universale, unik në prozën romanore shqiptare; gjithë sikur ngulmon narratori, në heshtje a mes rreshtash.

    A nuk është në raport vartësie çdo gjë me çdo gjë në këtë planetin tonë, a nuk ndryshon veç nga jashtë bota, e njëjta, që nga zanafilla e  pandryshuara nga brenda, a nuk ndjehet fryma që lidh, që mban bashkë botën, njeriun, në kohë dhe në hapësirë që s’kanë fund; a nuk i bart përjetësisht, në botën e vet të brendshme njeriu, Abelin dhe Kainin bashkë, a nuk është besimtar dhe mëkatar i përjetshëm njëkohësisht, ai, njeriu, dhe, a nuk është ajo, dashuria, fuqia e vetme që i mban bashkë të gjitha?

    Gjithë tundime pafund dhe brenda këtij universi shpirtëror turbulent, që dikur bie në paqe, pasojnë medalione narrative perfekte, çaste të paarritshme në prozën tonë si miniatura që po sjellim:

    I fola Korbit

    Korbi pushoi mbi çati para muzgut

    Tri herë trrokati.

    Heshta ra gjithkah.

    Krrokati edhe tri herë, por askush nuk iu përgjigj.

    Ku do të ketë ngecur korbesha e tij tash që nata po

    terrohej?

    Atëherë i fola korbit që po qëndronte mbi tullaz. Korbi

    ma ktheu një “krrrra” të randë, nxjerrë nga fyti. U habita.

    Korbi përplasi sqepin majtas dhe djathtas mbi tjegullat

    e kuqe të kurrizit të pullazit. Ia ktheva korbit një “krrrra”,

    në gjuhën e tij me gjuhën time dhe korbi prapë tha “krrrra”.

    Mos i prek zogjtë e pulës – i thashë korbit,- janë të nënës.

    Korbi kërceu prej një tjegulle në tjetrën.

    Krrrrra, krrrra,- bani dhe u dha krahëve e fluturoi përtueshëm.

    Si ka me e gjete tash korbeshën, kur nata asht e zezë sa pendlat e saj!?

    Maestros i mjafton kaq pak hapësirë për t’i dhënë jehonë planetare vetmisë që për një çast e step, e ngrin në heshtje absolute universin, për t’i dhënë fluturimit një kërkim hapësirave pafund, të pasosur, të paarritshëm, jehonë kërkimtare që shtrihet pafundësisht në kohë dhe hapësirë… 

    Të jenë majat e rebelimit krijues të Zejnullah Rrahmanit, si nga perspektiva e vizionit dhe kërkimit të vetes dhe botës, si nga poetika narrative, përmes së cilës ai thyen të gjitha konvencat romanore dhe tregimtare?

    Ai arrin ta sjellë si imazh të figurshëm e të gjallë emocionin e imagjinatën, të cilin e ndjell dhe përfshin në hapësirën pa fund të botës së vet, në poetikën e hapur, të personalizuar, mund të presë edhe kthesën e fortë të radhës. Bota e tij krijuese është e formatit me etje të pashuar, e atyre që, pas çdo mali, kërkojnë një tjetër… Kjo fazë krijuese mbetet e hapur dhe drejt mëtimeve të reja, siç do t’i drejtohet vetes Zejnullah Rrahmani, me një rast: “Tash je një pyll vjeshtor që shkund gjethet. Janë të të gjitha ngjyrave dhe formave shkrimet e tua të përhapura nëpër imazhet e bukura”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË