More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXheni Shehaj: “Barriera” e Pavel Vezhinov (Mbi kufizimin e mendjes njerëzore)

    Xheni Shehaj: “Barriera” e Pavel Vezhinov (Mbi kufizimin e mendjes njerëzore)

    Shoqëria njerëzore ka një mënyrë të caktuar për të jetuar, vepruar e për t’i parë gjërat. Jemi mësuar të klasifikojmë, të përcaktojmë e vlerësojmë sipas një standarti shoqëror. Gjithçka që ndodh jashtë kornizës e quajmë devijim, shmangie, jonormale. Ne nuk mund të pranojmë që dikush flet me engjëjt, parashikon të ardhmen apo që lexon të shkuarën e dikujt tjetër të cilin e takon për herë të parë. Ne nuk e pranojmë të ndryshmen pasi jemi mësuar të kemi një standart, një normë. Na duket anormale ajo që nuk mund të bëjmë dot vetë, ajo që i rrëshket normalitetit dhe futet në hulli të panjohura. Historia ka treguar se në rastin më të keq, të ndryshmit, shoqëria i shfaros, i vret, i djeg, i linçon, i dëbon (shtrigat, fallxhoret, parashikuesit); ka raste kur duke i klasifikuar si të sëmurë, shoqëria i mbyll këta njerëz në spitale psikiatrikë dhe i dend me ilaçe, (ata që dëgjojnë zëra, që flasin me qenie të padukshme për sytë tanë). Në rastin më të mirë, shoqëria i quan të dalë mendsh dhe nuk merret me ta, u kalon anash, i mënjanon duke i larguar nga vetja.

    Kjo është tematika që shkrimtari bullgar Pavel Vezhinov ka trajtuar në novelën “Barriera”. Novela ka në qendër të ndryshmen, të veçantën dhe mediokritetin, kufizimin. Antoni një 40-vjeçar i divorcuar, baba i një djali, kompozitor i njohur njihet në rrethana të pazakonta me Dorotean, 20-vjeçare, banore e spitalit psikiatrik prej 5-6 vitesh. Ajo trajtohet për skizofreni. Novela është shkruar në vetë të parë dhe rrëfyesi është Antoni.

    Errësira si fshehës i gjurmëve

    Rrëfimi fillon natën dhe përfundon po me natë. Nata, errësira përdoret rëndom në vepër e thuajse në të gjitha rastet për të fshehur anormalitetin, ngjarjet, nga të cilat shoqëria mund të trembet, vetëm sepse nuk është në gjendje ti pranojë. Ngjarjet ndodhin natën për të mos u parë nga njerëzit, nga shoqëria, ndodhin atëherë kur ata flenë. Njohja e Antonit me Dorotean ndodh natën, bisedat në taracën e pallatit, fluturimi, rënia, mbyllja e novelës me Antonin që ngjitet në taracë po ashtu ndodh natën.

    Antoni, mishërimi i shoqërisë mediokre

    Shumë gjëra shoqëria nuk i pranon dhe mishërimi i shoqërisë është Antoni. Ai e mëson që prej fillimit që Dorotea është ndryshe. Ajo vetë ja thotë, doktoreshë Jurukova, mjekja e vajzës ia pohon. Megjithatë Antoni si pa kuptuar e bën pjesë të jetës së tij Dorotean. I gjen punë të kopjojë nota muzikore, e mban në shtëpi, darkon me të dhe pas darke ngjiten në taracë e shohin qiellin. Antoni si mishërim i shoqërisë mediokre e mendjembyllur habitet tejmase kur vajza shfaq shenja të telepatisë, kur i lexon mendimet, kur i tregon se dëgjon muzikë brenda kokës. Të gjitha këto e trembin Antonin dhe e çudisin. Dorotea nga ana tjetër të krijon ndjesinë se tek Antoni ka gjetur dikë që e kupton. Ndjehet e qetë me të, madje pas disa kohësh arrin t’i rrëfejë dy traumat e jetës së saj: vdekjen e të atit para syve (një makinë e bëri copash) dhe tentativën e xhaxhait për ta përdhunuar. Por Antoni është aq mendjengushtë sa kur u takua për herë të parë me vajzën vërejti këpucët pa çorape dhe fundin e rrudhosur. Është aq i kornizuar sa nuk mund të depërtojë brenda shpirtit të saj dhe duke mos qenë në gjendje ta kuptojë përqëndrohet te vogëlsirat.

    Dyzimi i Doroteas

    Dorotea është një vajzë ndryshe. Në adoleshencë ka kaluar dy trauma të cilat kanë lënë gjurmë në karakterin e saj. Ajo ka disa dhunti të cilat për shoqërinë janë haluçinacione, janë fiksime, çmenduri. Mirëpo e vërteta është që ato dhunti ekzistojnë dhe nuk kanë të bëjnë me haluçinacionet. E vërteta është që Dorotea mund të lexojë mendimet, të dëgjojë muzikë brenda kokës si dhe të fluturojë. Por a mund të fluturojnë njerëzit?! E pra në një shoqëri me rregulla standarte asgjë nga këto s’mund të ndodhë. Telepatia, hipnotizimi, fluturimi, etj shihen si të pamundura ose ata që i praktikojnë janë të çmendur.

    “Si shumë njerëz të tjerë normalë, unë instiktivisht e kundroja si anormale gjithçka që nuk isha i zoti ta bëja vetë. Ose atë që të tjerët e bënin jo ashtu si e bëja unë. Tani e kuptoj fort mirë se kjo nuk është gjë tjetër veçse një shfaqje injorance dhe mediokriteti”.

    Këto janë fjalët e Antonit pas shfaqjes së një prej dhuntive të vajzës. Autori e vendos Dorotean në paralelizëm me Odetën e “Liqeni i mjellmave”:

    – të dyja janë të dyzuara; Dorotea herë normale (sipas normave shoqërore), herë ndryshe (shprehje e praktikim i dhuntive). Odeta ditën është mjellmë, natë njeri.

    – vetëm dashuria mund të kthejë në normalitet Dorotean (sipas shoqërisë Antoni mund të ndihmonte në shërimin e saj) ndërkaq Dorotea u gabua kur mendoi se Antoni ishte dashuria, ishte ai që e kuptonte dhe e pranonte siç ajo ishte. Në rastin e Odetës vetëm dashuria mund ta thyente mallkimin, pra princi Zigfrid.

    – përfundimi tragjik për të dyja: Dorotea vdes e copëtuar, pa Antonin pranë. Odeta vdes e para, dhe Zigfridi e ndjek pas.

    Pas fluturimit, Dorotea përpiqet ta qetësojë Antonin dhe në fund e bindur se ai e ka kuptuar i thotë se ajo nuk është mjellmë, por njeri. Duket sikur kërkon ti thotë se nuk mban fatin tragjik të mjellmës, mjafton që ai ta kuptojë. Dorotea është e bindur se e ka prejardhjen nga zogjtë. Edhe pse nuk di të notojë, ajo futet në ujë dhe e përvetëson notin menjëherë. E megjithatë duket se hapësira e kufizuar e liqenit asaj i rri ngushtë. Qielli pa cak e pa anë është shtëpia e saj.

    “Ke qenë ndonjëherë në parkun zoologjik? A ke parë shqiponja mbyllur në kafaze? Ska në botë pamje më të mjerueshme sesa një shqiponjë e mbyllur prapa hekurave. A mund të rrijë dot vallë shqiponja pa hapësirë? Sigurisht që jo”.

    Liria, të cilën Dorotea me mendjen e saj e lidhte me fluturimin, shfaqet si nevojë, si domosdoshmëri. Ajo përdor fluturimin për të lehtësuar shpirtin e për t’u ndjerë e lirë. Mendon se ngrohtësia e saj që ka gjatë fluturimit do përcillej edhe tek Antoni, por ai ndjen të ftohtë dhe Dorotea kupton se ata i ndan një barrierë e lartë. Pas zbritjes, i ftohti i Antonit i kalon asaj si për të vërtetuar edhe njëherë ekzistencën e barrierës.

    Doktoreshë Jurukova

    Është mjekja që ndjek Dorotean. Ajo takohet disa herë me Antonin dhe diskutojnë për të vetmen të përbashkët që kanë: Dorotean. Doktoresha i tregon Antonit se ia ka ndaluar librat artistikë vajzës pasi ndikojnë për keq. Jo rrallë herë Dorotea e imagjinon veten si heroinat e romaneve që ka lexuar. Fakti që ia kanë ndaluar të lexojë letërsi tregon se shkrimtarët duke trilluar turlilloj historish futen në kategorinë e jonormalëve, e fantazi-shfrenuarve. Dhe shoqëria normale me shumë vështirësi e pranon këtë lloj. Doktoresha sado që është e veçantë, është pjesë e një sistemi dhe duhet ti përmbahet rregulloreve dhe protokolleve. Por njeriu që bart të veçantën brenda vetes edhe në kushte jo të favorshme e gjen mundësinë të arratiset, të devijojë, të shmangë pengesat. Dhe ky njeri përfaqësohet më së miri me personazhin e dr.Jurukovës. Ajo nxjerr gjithfarë justifikimesh për ta strehuar Dorotean në spital pasi është e bindur se e ardhmja e vajzës do të jetë e frikshme. Kur e paralajmëron Antonin për temën e fluturimit (para se ky të ndodhë) ajo pohon se ka parë në ëndërr sikur fluturonte. Por duke parë çmeritjen e bashkëbiseduesit, doktoresha nuk e nget më tej bisedën. Antoni mendjengushtë nuk mund ta kuptonte se doktoresha mundohej ti tregonte veçantinë e saj.

    Pasi fluturimi ndodhi, Antoni i alarmuar shkoi të bisedonte me doktoreshën. Ajo u mundua të ruante qetësinë pasi e kuptoi menjëherë (në fakt e kishte kuptuar shumë më përapara) se Antoni nuk mund ta kalonte barrierën që e ndante nga Dorotea. Atëherë ajo mundohet mos ta bëjë alarmante duke e trembur Antonin por dhe duke mbrojtur tërthorazi vajzën. Sinjalet që doktoresha u mundua ti jepte tërë kohës Antonit kishin rënë pre e verbërisë së tij. Antoni nuk mund të dilte nga korniza ku shoqëria e kishte futur. Doktoreshës i duhej të qëndronte në mes.

    Epilog

    Novela mbyllet tragjikisht si për Dorotean dhe për Antonin. Pas fluturimit, ata fjetën bashkë. Antoni ndjeu presionin e shumë ngjarjeve dhe pa patur guximin ta shihte e ti fliste përballë u largua për dy ditë në një tjetër qytet. I telefonoi për ta njoftuar dhe e gënjeu duke i thënë se ishte larguar për punë. Ato dy ditë i kaloi duke pirë e menduar. U desh një çast, një çast kthjellimi, qetësie, dhe Antoni u bind të nisej që atë moment. Nata e gjeti në shtëpi. Dorotea mungonte. Drita që ajo kishte lënë ndezur nuk është gjë tjetër veçse norma, të qenit normal në një shoqëri normale. Këpucët nuk i duheshin për aty ku ish nisur. Dorotea kishte marrë fluturimin për t’u rrëzuar më vonë në një gropë të hapur nga eskavatorët. Shoqëria nisi hetimet për një vrasje të tmerrshme. Antoni ishte i vetmi që e dinte të vërtetën. Dorotea u vetëvra për shkak se nuk kuptohej, nuk pranohej. Antoni i dërrmuar, i lodhur dhe me ndjenjën e fajit i mbyll ditët në taracë pa guxuar të shohë qiellin, yjet. Tashmë e ka pranuar kufizimin e tij dhe e di që nuk ka krahë të fluturojë e as të kuptojë shpirtin njerëzor. Sepse siç pohon dhe doktoreshë Jurokova:

    “Shpirti njerëzor është diçka më e çuditshme dhe më e pabesueshme se ç’mund ta përfytyronte madje një shkrimtar i tillë si Dostojevski. Ne ende nuk i njohim as forcat e tij reale, as dobësitë e tij të lemerishme. Me përjashtim ndoshta të shkrimtarëve dhe psikiatërve. Ata së paku kanë mundësinë të hetojnë përmes ca birave e plasave…”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË