More
    KreuLetërsiBibliotekë"800 hapa larg Venerës", fragment nga romani i Virion Graçit

    “800 hapa larg Venerës”, fragment nga romani i Virion Graçit

    Është kënaqësi të vdesësh në çdo ditë të javës, por kënaqësia më e madhe provohet po të vdesësh të enjten. Kristofori nuk zgjodhi ditën e enjte për t’u ndarë prej nesh. Ndërroi jetë të mërkurën në mëngjes, në orën 04 e gjysmë, sipas orës vendore. Pranë iu gjendën disa kalimtarë, postieri dhe një fqinje e tij, Kumria, që po kthehej nga puna. Ashtu mund të dorëzohej Kristofori – në lëvizje, në udhëtim, i vendosur për t’u kthyer në shtëpi, pranë Zanës, bashkëshortes shembullore, pranë Kolombit e Vespuçit, djemve të tij të mrekullueshëm. 800 hapa larg shtëpisë kur, papritur, u shemb përtokë pa frymë. Kumria i mati pulsin. Ishte e gatshme ta kthente në jetë të ndjerin Kristofor, nëse do të kishte një fije shpresë. Më kot, ndihma e saj nuk e pati rezultatin e duhur. Megjithëse i papunë prej një jave, ai i la të gjitha punët në mes: plane të parealizuara, projekte të gatshme e të uritura për energjinë dhe forcën e tij. Pra, një makineri e gjallë pune, dashurie e zelli, e ndalur befasisht. Në orën pesë të së mërkurës kishte planifikuar të zhvillonte disa takime. Thonë se ka lënë një letër-ankesë te personeli i bashkisë, por kjo mbetet për t’u vërtetuar. Kishte një javë që sillej rrugëve, pa e ditur kush shkakun. Prisnim ende prej tij; ishte gati të sakrifikohej për komunitetin, po t’i jepej një mundësi e dytë. Ndërkohë, pohojmë me krenari cilësi të tjera të tij: natyrën gazmore, dashurinë për sportin, veçanërisht për lojën e bilardos. Prind i pazëvendësueshëm, bashkëshort i përsosur. Prisnim suksese të reja prej tij dhe ato do të bëheshin realitet. Ishte i aftë dhe i gatshëm. Fati u tregua i padrejtë. Vdekja e parakohshme e rrëmbeu nga gjiri i shoqërisë që e donte dhe e vlerësonte aq shumë, sikurse, pak ditë më parë, reforma në administratë e shkëputi nga kolegët e zyrës së urbanistikës. Kështu, jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit bashkëqytetarit tonë, mikut, shokut, njeriut të palodhur e të papërtuar që po i drejtohet amshimit. Përherë qe shembull frymëzimi për ata që ishin pas tij, vepra e tij ndriçonte kur nuk kishim dritë, mendimi i tij na printe kur e humbitnim rrugën. Tani po mbetet vetëm një kujtim i vyer, një shembull për t’u ndjekur, një dëshpërim pa fund që po na merr frymën.

     Këtu, në këtë pjesë, Dalani e ndërpret fjalën, merr frymë më thellë se zakonisht, përfshin me shikimin e tij prej shqiponje ata pak kureshtarë që kanë marrë mundimin të vijnë.

    Në emër të intelektualëve të pavarur të lagjes sonë, propozoj një minutë heshtje për të ndjerin Kristofor, e mbylli përkohësisht fjalën e rastit Dalani. Njëkohësisht, palosi dhe vuri në xhepin e pasmë të pantallonave fletën e nekrologjisë. 

    Oh! Oh! Pizevengu, maskarai, krokodili… ofshau Kristofori brenda arkivolit. Gjeti përsëri rast për t’u tallur me mua. Nejse, nuk duhet të habitem. Dalani kështu ka qenë gjithmonë – një qen endacak që të kafshon pas shpine, në befasi, kur nuk e pret. Shpesh e kam kapur në faje, në lapërdhi; e kam demaskuar duke i folur mënjanë. E kam falur Dalan qelbanikun, por zemërgjerësinë time njerëzore ai e ka kuptuar si dobësi, si paaftësi. Më e keqja është se kësaj here jam i detyruar të pajtohem me fyerjet e tij, jam i pamundur ta kundërshtoj. Unë jam i vdekur nën dhé, ai është i gjallë mbi tokë, në dritën e diellit.

     Kristofori u mundua të lëvizë duart në hapësirën e paktë brenda arkivolit. Me ato duar kishte ngritur pantallonat, kishte lidhur këpucët, kishte tërhequr këmbëzën e pushkës automatike, kishte kapur për fyti një nëpunës të korruptuar, kishte duartrokitur udhëheqësit lokalë, kishte mbajtur lugën, thikën, pirunin, kartëpecetat dhe letrat higjienike, librezën e kursimeve, fletët e votimit, timonin e veturës, gazetat e mëngjesit, veglat e punës. Duart nuk iu bindën. U mundua të lëvizë këmbët. Me ato këmbë kishte shkuar në disa dasma kushërinjsh. Me ato këmbë kishte shkuar të bënte tifo për skuadrën e zemrës, me ato këmbë Kristofori kishte vrapuar disa herë si i çmendur kur e kishte ndier të nevojshme, si të vetmen mundësi për të shpëtuar. Këmbët nuk iu bindën. U përpoq të lëvizë kokën, sadopak. Me atë kokë kishte udhëhequr trupin e tij, kishte diskutuar për probleme të ndryshme, në atë kokë kishte mbajtur për dy vjet kapelën e rekrutit ushtarak, me atë kokë kishte trembur një fëmijë të fqinjit kur ky i fundit i kishte dalë befas një mbrëmje në një kthesë të pandriçuar mirë. Edhe koka nuk iu bind. Hoqi dorë nga çdo përpjekje për ta lëvizur trupin.

    Paskam ndërruar jetë, me sa duket, u bind Kristofori. Paskam vdekur vërtet, para kohe, një javë mbas pushimit nga puna, 800 hapa larg shtëpisë ku banoj, pa arritur të trokas në portën time. Po të kisha mbërritur deri në shtëpi, mund të më kishin dhënë ndihmën mjekësore: fillimisht një ndërhyrje e rastit, me hamendje, me ato njohuri modeste që mund të kishte personi që do të gjeja aty, pastaj shoqërimi për në spital, autoambulanca që po ecën rrufe me sirenën e alarmit, rruga e mbushur plot me makina, radha e tyre që hapet, prishet, krijohet enkas një korridor i ngushtë, por i mjaftueshëm për të kaluar autoambulanca.

    – Mos e pengoni autoambulancën, e ka me urgjencë, dikush qenka shumë i sëmurë. Hapuni! Hapuni!

    – Kush është ky?

    – Kristofori.

    – Kristofori, ai i bashkisë?

    – Po, ai ish-i i urbanistikës. Kishte një javë që e kishin hequr prej andej.

    – Nuk  e mbaj mend për fytyrë.

    – Nuk ka tërhequr vëmendjen e bashkëqytetarëve Kristofori. Nuk ka dashur të shquhet.

    – Më jep ndonjë hollësi tjetër. Kë kishte grua, për shembull?

    – Zanën.

    – Zanën?

    – Zanën. Të kujton gjësend?

    – Diçka. Ky i shoqi i Zanës, ky Kristofori, mos kishte “Ferrari” të vitit të fundit?

    – Kurrsesi. Vetura e tij ka qenë nga më të rëndomtat, një mbeturinë, një hedhurinë e ndryshkur, pa pikë prestigji e autoriteti, si i zoti. Si Kristofori. Askush nuk bëhej kureshtar për të kur ai ishte i pranishëm, aq më pak t’i hapnin rrugën për respekt, për ta lejuar të kalonte Kristofori i pari, pasi gjasme koha e tij qe më e çmuar se e të tjerëve, se jeta e tij vlente ende dhe ai duhej mbajtur me çdo kusht në këtë botë.

     Askund nuk i kanë dhënë atë që i takon Kristoforit. Fare pranë arritjes së diçkaje, atë e kanë zbythur me arrogancë, me përçmim, padrejtësisht e kanë përzënë prej vendit ku me meritë e modesti porsa ka mbërritur. Ai vetë nuk habitej më. Kur i kishte ndodhur për herë të parë, po, kishte qarë dhe qe larguar nga mbrëmja festive për Vitin e Ri.

     Në klasën e parë fillore, në festën e fundvitit, iu avit bredhit të Vitit të Ri me fëmijët e tjerë. Lexoheshin emrat sipas radhës, ndaheshin dhuratat e rastit për secilin nxënës. E zbuan kur ishte duke e prekur dhuratën e tij.

    – Kristofor, shko ulu përsëri!

    – Tani e kam radhën, zoti mësues, – kishte mërmëritur ai duke pasur parasysh renditjen e emrave në regjistër.

    – Ke marrë vlerësim negativ në orën e edukimit fizik, i parafundit në vrapimin me pengesa dhe i fundit në hedhjen e gjyles, – i kishte vënë kapak bisedës mësuesi kujdestar.

    Kristofori nuk kishte pritur sa t’i vinte radha përsëri. Qe larguar menjëherë nga mbrëmja festive kushtuar Vitit të Ri dhe krishtlindjeve. Ky kishte qenë rasti i parë kur atë e shtynin tutje padrejtësisht. Rastet ishin qindfishuar nëpër vite, veçse Kristofori nuk habitej më, nuk befasohej.

    Rasti i fundit kur e largonin pikërisht në çastin kur sapo kishte mbërritur vendin e dëshiruar ndodhi dje. Përballë reklamat e kinemasë, afishja e divës hollivudiane, pranë një grua e rëndomtë (Kumria, sikurse u vërtetua më vonë), një rrotullim në pluhur, një përqendrim i pamjes në afishen e kinemasë, vendosur në murin përballë, dhe… largësia prej 800 hapash nga vendi ku ai ra për të mos u ngritur më, deri te banesa e tij. Po të kishte mbërritur në shtëpi, mbase nuk do të ishte kthyer përsëri në jetë, ndihma e parë ndoshta nuk do të ishte e mjaftueshme, cilësore, profesionale, por, megjithatë, do të kishte pasur mundësinë t’i binte gjithë qytetit mespërmes për disa minuta, me një makinë të shpejtë, me alarm, duke ulëritur me arrogancë dhe krenari.

    – Hapuni! Hapuni! Hapeni rrugën, lëreni të lirë krahun e shpejtësive të mëdha. Ej, shoferë tutkunë, gjumashë e ngordhalaqë, ej, qytetarë të shastisur, të qullur nga parazitizmi, mirëqenia dhe amullia, kini kujdes, shikoni, dëgjoni, mos e humbisni këtë rast të papërsëritshëm! Po kalon Kristofori, përshëndeteni për të fundit herë njeriun që po vdes. Po kalon nëpunësi i pakorruptueshëm i bashkisë, po kalon Kristofori i urbanistikës, lëreni rrugën të lirë.

    Me gjithë nxitimin e tij prej këmbësori, nuk ia doli dot me sukses të mbërrinte i gjallë në shtëpi. Hoqi dorë nga përpjekjet për ta sfiduar fatin e zi. Vendi ku mund të kishte njëfarë probabiliteti për të kapërcyer çastin fatal ishte larg, mjaft larg, rreth 800 hapa. U detyrua të dorëzohej me gjakftohtësi, pa u bërë qesharak, pa i hyrë luftës për ta përmbysur rezultatin e paracaktuar të një ndeshjeje. Shenjat, nga toka deri te qielli, ishin kundër tij, asnjë mundësi reale për të fituar. Kështu, vuri dorën mbi gjoks, në krahun e majtë, e shtypi nga jashtë atë që po e kafshonte me tërbim nga brenda, u mat t’i fliste një zonje që po i afrohej, zëri nuk po i dilte, u kruspullos, bëri një gjysmë rrotullimi rreth vetes, në atë lëvizje pa edhe një herë afishen e kinemasë verore, fotot për shfaqjen e filmit të radhës me divën amerikane më të paguar të viteve të fundit, rreth 28 milionë dollarë për një ulje brekësh.  

    Jo keq, jo keq, 5 milionë dollarë është buxheti vjetor i bashkisë sonë, mendoi Kristofori. U kruspullos nga dhimbjet, ra pa frymë i shtendosur, trupi në pluhur u shtri lirshëm, koka e goditur mbështetur në pllakat e betonit të trotuarit, një britmë e shkurtër njeriu, ndoshta nga ai që po vdiste, ndoshta nga kafeneja përballë, ndoshta nga gruaja që po i afrohej nxitueshëm. Mesditë e bukur, kaltërsi dhe diell rreth e qark tij, mjegull dhe terr për të, errësirë dhe kaos në sytë dhe në përfytyrimin e tij. Dalëngadalë po çlirohej nga ngërçet. Fatmirësisht, po humbiste çdo lidhje me veten e tij, s’po e ndiente më dhimbjen e gjoksit, s’po e shikonte më aspak afishen e kinemasë verore, vendosur në murin përballë.

    Kush mund të ketë ardhur në varrim? Kush i mban kurorat me lule? Cilët janë këta që rrinë më afër arkivolit? Po ata që pëshpëritin disa metra më tej? Sa mund të jetë vargu me vetura nga ana e bashkisë? Sa kurora kanë sjellë përfaqësuesit e shoqatave dhe të organizatave joqeveritare ku bëja pjesë dikur? Çfarë kanë shkruar për mua? Kudo që formohej ndonjë shoqatë isha midis nismëtarëve, isha ndër themeluesit më aktivë, isha ideator i përkushtuar, por, zakonisht, disa javë më vonë, pas fillimit të punës, kur radhët e shoqatës forcoheshin dhe kërkesat për anëtarësime të reja shtoheshin dita-ditës, isha i pari që largohesha dhe distancohesha prej tyre i mërzitur, i zhgënjyer, i tradhtuar nga synimet dhe prapaskenat e anëtarëve të rinj, i neveritur nga devijimet në program, nga paturpësia dhe grykësia e ish-bashkëpunëtorëve të mi. Kush mund të ketë ardhur? Të shikoj pak.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË