More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXhavit Beqiri: Etnoletra shqipe – një model i leximit interdisiplinar

    Xhavit Beqiri: Etnoletra shqipe – një model i leximit interdisiplinar

    Vehbi Miftari, “Etnoletra shqipe / Raporti i letërsisë me etnokulturën e kombformimin”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Botimet Toena, Tiranë, 2025

    Sprovë për një lexim

    Idetë e mendimtarëve paraprijës shpeshherë nuk (mirë)kuptohen nga bashkëkohësit, sidomos nga katedrat e mjediset “e ngurta” akademike, të cilat, në princip, janë të mbyllura kundrejt çfarëdo pamjeje tjetër, që nuk është e kornizuar përbrenda “syllabuseve” zyrtare. Mbase, nga perspektiva e specialistëve konformistë, ky refuzim edhe mund të jenë i drejtë, madje krejt logjik, sepse e njohura e pranuar botërisht përherë mundëson njëfarë rehatie akademike, sado e ngushtë qoftë ajo.

    Studiuesi Vehbi Miftari, me librin e tij Etnoletra shqipe / Raporti i letërsisë me etnokulturën e kombformimin, na jep një shembull par exellance se si shikimi përtej perdes së standardizuar nga “etërit” e kritikës e të studimeve letrare mund të krijojë një pamje tjetër, një pamje shumë më të plotë e më hijerëndë, të po atij peizazhi që ne, në komoditetin tonë akademik e shoqëror, kemi kujtuar se e njohim në tërësi.

    Formimi teorik, njohja e ligjësive të krijimit dhe dija e konsoliduar për objektin e hulumtimit të tij, si dhe njohuritë për shkollat e pararendësve, i kanë mundësuar studiuesit Miftari që ta ketë vullnetin dhe urtësinë për të shikuar e për të veneruar përtej shablloneve të kanonizuara studimore-kritike të katedrave filologjike, veçmas të atyre albanologjike. Kësisoj, ai është hedhur me vetëdije në hullitë e gjera të kërkimit interdisiplinar, duke na dhënë një shembull vërtet të admirueshëm se si një varg, një poezi, një kângë, një vepër, madje një etno-kulturë a një etno-histori mund të shihet e të përjetohet ma e bukur, ma e naltësueme, nëse shihet në tërë dimensionet e saj dhe nga të gjitha pikat e mundshme të shikimit.

                   Miftari pohon me të drejtë se “mungesa e ndërveprimit me fushat e tjera i kishte kufizuar dijet mbi letërsinë e kulturën, ngaqë i trajtonte ato si krijimtari artistike, por linte anash ndikimin e saj si mjet shprehjeje të pikëpamjeve sociale, kulturore e filozofike dhe për forcimin e pikëpamjeve të kombit mbi vetveten”. Kisha vënë re, pohon ai, se studimi i letërsisë (sidomos i letërsisë së hershme shqipe) lidhej vetëm ndonjëherë me shtresa kulturore. Mirëpo, edhe kur bëhej kjo, “anashkalohej thelbi i tyre: ndikimi i një kulture të hershme (popullore) në bartjen e formave të letërsisë, nga ajo gojore në atë të shkruar. Kësisoj, pamundësohej njohja e shpirtit popullor, ndjenja e tij, kujtesa e besimi (përfshirë mitet) në studimin e letërsisë së hershme shqipe”.

    Si rezultat, projekti i tij vetjak: “Ofrimi i një qasjeje të re, e cila krijimtarinë letrare do ta trajtonte në raport me dijet historike, filozofike e humane jo vetëm mundësonte që letërsia të merrte peshë brenda trashëgimisë historike dhe kulturore të shqiptarëve, por do të ndihmonte edhe në sqarimin e raporteve që ajo ka me pikëpamjet kulturore, letrare e historike të tyre”. fq. 7.

    Kânga si kujtesë e arkistrukturë që përafron

    Përkushtimi hulumtues, gjerësia teorike, njohja dhe zotërimi i koncepteve dhe çështjes së trajtuar, kanë bërë që Vehbi Miftari ta zotërojë në plotni edhe organizimin e (mega)tekstit të Etnoletrës shqipe…, duke treguar krahas pjekurisë teorike, edhe shkathtësi bindëse aplikative.

    Sa i përket strukturës, përveç pjesës së ashtuquajtur paratekstuale, si: Përmbajtja, Parathënia, Përfundime, Treguesi i emrave dhe Bibliografia, ky libër përmban edhe këta tre kapituj, të themi kushtimisht, të cilët vetë autori i emnon libra, pra:

    Libri I: Letërsi e përkatësi, me nënkapitujt: I. Letërsia në tehun e teorive mbi kombformimin, dhe II. Roli i letërsisë në krijimin e përkatësive kombëtare;

    Libri II: Humanistët e filobiblistët, me nënkapitujt: Letërsia përkatësore e humanistëve dhe Letërsia përkatësore e filobiblistëve, dhe

    Libri III: Romantikët e pasromantikët, me kapitujt: Romantizmi dhe përkatësitë pararendëse, “Përkatësia” romantike, Kujtesa dhe përkatësia romantike, Miti dhe përkatësia romantike, dhe Himnet kombëtare – “Fryma e përbashkësisë”.

                   Ne do t’i paraqesim shumë përmbledhtas disa nga qëndrimet / konkludimet që ofron ky studim shterues, por, gjithsesi, duke e shmangur intencën e interpretimit, sepse teksti i Miftarit është aq i qartë e i përmbledhur, saqë e bën pothuajse të panevojshëm urën në mes kritikut e lexuesit. (Citojmë): “Letërsia e shkruar shqipe lindi ngaqë në tokën e arbrit qe shtresuar tashmë një traditë popullore, si sinkretizim i traditës lokale dhe kulturës fetare. Ajo mundësoi shfaqjen e lokales dhe autentikes brenda kulturës universale, të cilën mesjeta e shihte të simbolizuar në institucionin e kishës.

    Ngjashëm me popujt e tjerë, edhe arbrit përkthyen e shkruan tekste, të cilat jo vetëm krijuan parabazën për kapërcimin nga kultura gojore shqipe në atë të shkruar, por përcaktuan edhe vetë karakterin e saj, si letërsi me parabazë të fuqishme biblike – letërsi filobiblike. Shkrimtaria e tyre u shndërrua në lidhëse mes kulturës së vendit dhe synimeve të njerëzve.”

    Siç u tha, libri është i ndarë në tri pjesë, ose në tre “libra”. Në librin e parë, V. Miftrai e trajton raportin mes letërsisë e fatit historik të kombeve, të përjetësuar në epikën gojore ose në letërsinë e shkruar dhe ndikimin që ajo ka pasur në zhvillimin e vetëdijes për përkatësi (kulturore, fetare, gjuhësore e etnike, deri tek ajo kombëtare). Si për ta orientuar lexuesin për mënyrën e komunikimit me këtë studim, ai rrëfen se projekti i tij studimor është nxitur nga një premisë, në të cilën arrinte Anne-Marie Thiesse, pasi i kishte studiuar mënyrat e krijimit të kombeve. Ajo mendonte se epika gojore është bartëse dhe artikuluese e kujtesës së kombeve, sepse e bart trashëgiminë e tyre shpirtërore dhe e bën atë nënshtresë kulturore, mbi të cilën kombet e artikulojnë historikisht të kaluarën e tyre. Në epikën gojore, thoshte ajo, dëgjohet vazhdimisht “jehona e shekujve” dhe shpaloset kujtesa e përbashkët.

    Pra, autori e trajton këtë raport mes kujtesës e këngës epike, duke i parë ato të lidhura si nyjë në përpjekjen e bashkësive për ta ringjallur të kaluarën e për të krijuar model frymëzimi për brezat. Citoj: “Duke u kënduar në këngë, nga njëri brez tek tjetri, trashëgimia përforcohet, duke u mundësuar brezave të ardhshëm që të krijojnë kuadrin legjendar-historik mbi të shkuarën e vet. E kënga, duke kaluar gojë më gojë e nga brezi në brez, shndërrohet jo vetëm në mjet shprehjeje artistike, por edhe në tejkohshmëri, arkistrukturë, që i shtyn njerëzit të besojnë në disa vlera të përbashkëta dhe ta ndiejnë të afërm tjetrin që beson në to. Kështu lind kujtesa e përbashkët, ose kujtesa kolektive.” Brezat e ardhshëm do të gërmojnë në të për të gjetur rrënjët e hershme. Sa më thellë në histori që të shtrihen këto rrënjë, aq më e fuqishme bëhet dëshira për dëshmim të tyre e për shpalosjen e tyre, si dëshmimi të ekzistencës së lashtë.

    Kësisoj, ajo shndërrohet në mjet për ripërtëritje etnike dhe mban të gjallë frymën, ndjenjën për të përbashkëtën. Këtë lidhje të përhershme mes kujtesës kolektive dhe kapërcimit të saj në mjet motivues për brezat nëpërmjet këngëtimit epik, Miftari e dëshmon duke marrë si model librin e Makfersonit (James Macpherson), Poemat e Osianit, të njohura ndryshe si këngët osianike.

    Për ta argumentuar idenë se letërsia në të njëjtën kohë “bart” dhe “nxit” ndjenjën e përkatësive, Miftari risjell në kujtesën e lexuesit debatin e hershëm, por asnjëherë të mbyllur tërësisht, mes dy shkrimtarëve gjermanë, Herderit (Johann Gottfried Herder, 1744-1803) e Gëtes (Johan Wolfgang von Goethe, 1749-1832), të cilët përplaseshin rreth idesë nëse letërsia duhet ta pasqyrojë shpirtin e kombit (të jetë kombëtare – Herderi), apo duhet të trajtojë temat e përgjithshme të njerëzimit (të jetë universale – Gëteja).

    Studiuesi Vehbi Miftari vë në pah se romantikët i kundërvihen universalizmit të krishterë të veshur me petk sekularist duke e theksuar lokalen, jo universalen. Kombi si projekt kulturor dhe politik del nga kjo kundërvënie. Në gjykimin e tij, letërsia i përafron këto dy pikëpamje: është universale për nga natyra, por shtron artistikisht pikëpamje të bartësve të saj, në ide e përmbajtje. Prandaj, hamendësimi se çfarë mendojnë vetë pjesëtarët e kombit mbi raportin që arti i tyre e ka me zhvillimin e tyre, është i pashmangshëm.

    Më tej, Miftari e shqyrton raportin e letërsisë me krijimin e kombeve e zhvillimin historik të tyre. Për këtë qëllim ai fillimisht i trajton teoritë kryesore të kombformimit, nga etnosimbolistët, modernistët, primordialistët e perenialistët, te teoritë bashkëkohore, e pastaj edhe ndikimin e ndërsjellë mes pikëpamjeve të kombeve për veten e tjetrin dhe letërsisë si mjet shprehjeje artistike. Në mënyrë të veçantë, Miftari e trajton ndryshimin themelor ndërmjet etnosimbolistëve dhe modernistëve, ngase këto dy teori shfaqin pikëpamje krejtësisht të ndryshme për zhvillimin e letërsisë, por edhe për mënyrën e të kuptuarit të funksionit të saj në shoqëri.

    Objekt i librit të dytë është letërsia e hershme shqipe (humaniste e filobibliste). Nga humanistët janë marrë si model dy librat e Marin Barletit, Rrethimi i Shkodrës dhe Histori e Skënderbeut, si dhe ai i Dhimitër Frangut, Komentar i luftërave të turqve dhe i Zotëri Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, princ i Epirit.

     Përcaktimi për veprat Barletit e të Frangut në diskutimet për raportet e letërsisë me pikëpamjet e popujve mbi përkatësitë, sipas Miftarit, e bën të pashmangshëm hamendësimin nëse është e mundur që shkrimtaria e humanistëve të ndërlidhet me homogjenizimin e kombit.

    Shkrimtaria e humanizmit lidhet me diskursin historik dhe jo me atë letrar. Gjithashtu, ajo është shkruar në gjuhë tjetër, atë latine, dhe jo në gjuhën shqipe. Atëherë, pyet Miftari, mbi çfarë kriteri shkrimtaria e humanizmit është përfshirë në studimin e raporteve komb-nacionalizëm-krijimtari? Ka disa arsye, argumenton ai: së pari, humanistët (edhe ata shqiptarë) kërkonin modelin e ripërtëritjes kulturore e artistike, e cila mund të vinte nga drita hyjnore, shpirtërisht, dhe nga modelet e hershme, kulturalisht. Skënderbeu i Barletit dhe i Frangut qe modeli i krijuar përmbi këtë vetëdije humaniste, por i lidhur për tokën e njerëzit e tij; së dyti, modeli i heroit që priret drejt parimeve klasike do të mbetej një model “i papërkatësi” nëse autorët e tij (Barleti e Frangu) nuk do të prireshin që tekstet e veta t’i shtronin sipas parimeve estetike humaniste, edhe pse në gjuhën latine, por me subjekt shqiptar. Madje, ata e bënin të qartë se po shkruanin tekst për heroin arbëror, që bëmat e tij të mos harroheshin dhe të ngjallnin shpirtin e bashkëkohësve të tij.

    Për filobiblistët libri mban parasysh një paradigmë kulturore: letrarësia (shkrimtaria) e tyre është e lidhur me ekzistencën e një kulture popullore të krishterë, e cila e ka mundësuar lindjen e veprave të para letrare, krahas politikave të papatit për të lejuar botimin e librave në gjuhët vernakulare. Pra, veprat e para shqipe janë rezultat i ekzistencës së një kulture të krishterë, i organizimit të jetës në Arbëri dhe i nxitjes së klerikëve që ta përjetësojnë atë në vepra të shkruara.

    Nga filobiblistët, Miftari ka zgjedhur t’i trajtojë veprat e Gjon Buzukut, Pjetër Budit e Pjetër Bogdanit, të cilët ai i sheh si produkt i ekzistencës së kësaj tradite kulturore, në të cilën feja ishte e lidhur me kulturën e vendit, ndërsa kjo me përkatësinë. Buzuku, prijës i teksteve të shkruara në gjuhën shqipe, provoi që kulturën fetare (në formë formulash kishtare, uratash e lutjesh) ta kthente në kulturë të shkruar, duke përkthyer tekst liturgjie në gjuhën shqipe. Krahas tyre, Miftari e analizon edhe krijimtarinë e Frang Bardhit, Jul Varibobës etj.

    librin e tretë autori e trajton letërsinë e romantizmit, duke i përfshirë edhe disa nga pasromantikët e letërsisë shqipe. Libri përfshin periudhën e krijimit të një vetëdijeje të re mbi rolin historik të bashkësive etnike e kulturore. Zgjimi kulturor romantik, si rimarrje e riartikulim i rezultateve të këtyre periudhave pararendëse, dhe pasqyrimi në letra i ideve kombëtare politike e kombëtare-kulturore në romantizëm, është objekti themelor i “librit” të tretë. 

    Kërkimi i rrënjëve të hershme, këngëtimi epik, ndërloja me narrativën popullore dhe ringjallja e epikës historike u bënë premisa të pakapërcyeshme për kërkimin e një përkatësi të re, asaj romantike. Kjo ndërlidhje përbën dimensionin e dytë të rëndësishëm, që trajton “libri” i tretë. Shqiptarët, thotë Miftari, kanë zhvilluar kulturë të hershme dhe të pasur popullore. Ata e kanë ruajtur e kultivuar folklorin si mjet për dëshmim e ripërtëritje. Mbledhja e tij, prandaj, u bë njëri nga synimet e romantikëve, ndërsa krijimi sipas modelit të rapsodive të hershme, art i dëshiruar. Vetë De Rada, më i hershmi e më i madhi artikulues i ndjenjës romantike shqiptare, i krijoi veprat e veta mbështetur në këtë model. Synimi: ringjallja e shpirtit shqiptar dhe i “dëshmisë” për trashëgiminë e hershme. Kësisoj, kënga u shndërrua në mjet për artikulim e mobilizim.

    Po ashtu, në këtë libër, Miftari e analizon strukturën e këngëve kreshnike, për ta hetuar praninë e kujtesës historike në to, si dhe ndikimin që kjo kujtesë ka pasur në zgjimin romantik. “Të vetëdijshëm se këngëtimi epik nuk e përcakton qartë arealin historik dhe as ngjarjet historike e bartësit e tyre dhe se historia është shtysa themelore për ringjalljen e ndjenjës kombëtare, njohja e veprave themelore historiografike u bë imanencë. Prandaj, libri merr në shqyrtim kërkimet historike, mbi të gjitha librin Histori e Shqypnis të Ndoc Nikajt, nëpërmjet të cilit mund të shtrihej kërkimi për atë që Steven Grosby e quante thellësi kohore (temporal depth), shkruan ai.

    Në këndvështrimin e këtij studiuesi, kërkimi në thellësinë historike, veprim i pëlqyer nga romantikët, i shpuri ata (De Radën në letrat shqipe) deri te kërkimi i impulseve të hershme organike, kombin e lashtë, dëshmimi i të cilit nënkuptonte jo vetëm praninë e tyre në histori, por edhe afirmimin e së drejtës së tyre për të jetuar të lirë e të mosvarmë. Roli i letërsisë në shpalosjen e këtyre “impulseve organike” bëhet jetik, sikundër që gjuha shndërrohet në mjet të fuqishëm për krijim përkatësie e mjet mbijetese.

    Duke e rrëfye t’kaluemen ajo shndërrohet në mjet lidhjeje mes kujtesës (historike), përkatësisë (etnosimbolike) dhe synimeve politike. Miftari i trajton këto dimensione në veprat e autorëve të mëdhenj romantikë, si: De Rada e Naim Frashëri, e pastaj (në shkrimet e hershme të tij) Fishta e Pashko Vasa.

    Përfundim

    Librin Etnoletra shqipe / Raporti i letërsisë me etnokulturën e kombformimin e shquan thellësisht akribia shkencore e realizimit. Miftari shtron një pyetje, ngre një hipotezë, të cilën e shtjellon imtësisht për t’ia dhënë pastaj përgjigjen. Mandej, pasi ta ketë sheshuar sërishmi bindshëm, kalon te përfundimi, që, në fakt, është qëndrimi i tij autorial.

    Shenjë tjetër dalluese e kësaj vepra është gjuha. Duke qenë vetë krijues, poet, Miftari shquhet për ligjërimin e rrjedhshëm, të pasur me leksik e me vokabular shprehjesh shqipe, të cilat këtu gërshetohen e shkrihen lirshëm si një trung i vetëm me njësitë gjuhësore profesionale, me termat tipikë të diskursit teorik-letrar. Me këtë libër, Miftari na ka dhënë një model të veçantë shkrimi, që komunikon lehtë qoftë me lexuesin entuziast e pa thellim të theksuar në artin e shkrimit e në dijet filologjike, qoftë me lexuesin ideal, që teksa njihet dhe e përimton veprën e lexuar, nis e bëhet edhe vetë bashkudhëtar me të.

    Autori Vehbi Miftari është tashmë një lexues model, që duke e njohur dhe duke e studiuar me përkushtim absolut bukurinë dhe thellësinë e fjalës e të kângës arbnore-shqiptare, ka kaluar fuqishëm nga stadi i lexuesit, në atë të studiuesit e të krijuesit model, që i bën nder penës së tij autoriale, botuesit dhe mbarë letërsisë e studimeve bashkëkohore shqipe.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË