Lundronim me anije turistike nga Manhatani në Nju Jork drejt Ellis Island-it për të vizituar Statujën e Lirisë, simbolin e qytetit të Nju Jorkut.
Duke iu afruar ishullit, i bëra një foto nga larg Statujës dhe s’di se si, më shrepi në mend një ide… të kompozoja një foto (ngaherë e kam dashur fotografinë për shkak të filmit..) duke shtrirë pëllëmbën e dorës te fundi i bazamentit të saj, në atë mënyrë, që të dukej në foto (të krijohej idea) sikur e mbaj atë në pëllëmbën e dorës..! Ide fotografike gjeniale, mendova. Bëra me të shpejtë dy-tri prova ndërsa anija lundronte… Si e fiksova idenë dhe kompozimin me profilin tim në kuadër dhe me dorën që mban Statujën (“Statuja e Lirisë” është e lartë 46,5 m, të cilës i duhet shtuar edhe 46,9 m lartësinë e bazës e lartë), ia dhashë Jimmy-t, një mikut tim dhe i tregova se si ta bënte fotografinë.
Mezi prita të nesërmen e asaj dite që të lahej negativi dhe të stamposej fotoja… Kishte dalë me sukses, ja, shihet, krejt natyrale, (jo montazh apo dubëlekspozicion..). Fotografët profesionistë e kuptojnë edhe më mirë.
“Climb the Statue of Liberty”
Lawrence Ferlingheti
I
Dimër.
Lumi Hadson limfat shtrin,
Manhatanin pushton.
Dielli si një disk mbi Ndërtesën Imperiale,
në on.
Shkëlqejnë luspat prej peshku
mbi kupolën e Ngrehinës Kristal,
si një amfib kozmik më shëmbëllen
në count down,
në ikje për lart.
Qiellgërvishtëset lartësisë
diktojnë epërsi.
Ngas trafikut kaotik.
Nga reklamat verbuese
feks Tajms Skueëri,
bursa e Nju-Jorkut brof,
ngrihet e bie
si shtati i të dehurit.
Muzgut jetëpak
reklamat përpijnë,
verbojnë sy, pa kortezi.
Dita u fik.
Jehonat e kambanave të largëta mbërrijnë
nga katedralja e Shën Patrikut.
Ngas drejt Daun Taunit.
One way!
Sens unik (si koha) pa kthim.
Nga hutimi
humb mbikalimin.
Fuck!
Për pak ia shtypa hijen një anonimi endacak
në Avenjunë e 7-të.
Me gjymtyrët lart, në jerm të fjalëve, s’di…
vdekjes i lutej ai i ngratë a
Zotit,
që e kurseu këtë herë, e fali,
s’e fshiu përngaherë
nga lista e të gjallëve.
Fat fakiri.
Në Rrugën 42
dritat mugëtojnë
(bëjnë hara-kiri).
Taksitë njujorkeze ndërrojnë klientë,
me ngut, pa ndjesi,
si prostitutat.
Garojnë nëpër strite,
Dollarit i zënë pritë:
“Swallowing money. That’s it!”
Trafiku ndal.
Knock down!
Pres.
Semafori u fik, u ndez.
Prapë ngarje, rendje, marramendje,
stres…
Kohë të mendosh s’ke,
korsi të ndërrosh nga nxitimi,
mendimit në tru t’i gjesh, së paku,
vend të lirë parkimi.
II
Statujës së Lirisë këtij fund dimri
një lot në sy i ka ngrirë.
Në ag mjegulla e mbulon magjishëm
me velin e trishtimit.
Loti i akullt feks nën hënën lart.
Sikur të këputej
nga ai sy gjigant,
do t’ia trazonte heshtjen oqeanit,
si cunam,
sa ta përpinte Manhatanin.
Fantazma e Lirisë lartësisë ofshan.
Ngjitem në trup të saj.
Erë sfinksi fishkëllen,
fryn fund e majë.
Ndjesi e frikshme.
S’guxoj t’ia kujtoj vetes
sa pranë i jam vdekjes:
Një hap.
Një çast.
Hedh vështrimin larg,
Nju-Jorku i paanë.
Ura e Bruklinit shkëlqen si gjerdan me diamante.
Egoist, grindet vetja.
Ngurrove, s’e shkrove në licencë:
Trupin e fal si donacion human
nëse vdekja shfaqet tinëz…
për transplant.
Një indeks i shënuar në licensë,
e fal jetën, nëse vdes.”
(Hi në erë bën më tepër sens,
pluhur në univers).
Këtu lart i prek me dorë retë,
i kam nën vete,
karvanë shtegtimi për larg,
kushedi për ç’jetë,
pa përmasë,
qilima fluturues për në Saturn e Mars,
përtej shikimit
tej-se-ku,
në parajsë.
Arusha e Madhe ngre pluhur në univers,
si një qerre mortore, ku i Plotfuqishmi na merr.
Ëndrrat vdesin, humbin sysh,
si zogj krahëprerë.
Sovrani,
qiejsh,
për ndjesi heretike,
i djeg me rrufe mbi re
rebelet,
si në karrigen elektrike.
Ca ëndrra haplehta,
të trishta,
fluturimdashëse,
të brishta,
me intuitë femre,
prej dobësisë
(nimfomanisë)
e falin resh trupin, jo zemrën.
Nga zhgënjimi,
të mashtruara, jo rrallë,
pa mundur të kthehen tek e shkuara,
humbasin udhën,
ngrijnë në mall.
Herë-herë në delir,
disa ëndrra
ikur përngaherë,
fitimtare kinse
nga lufta me mullinj ere,
këtej e andej botës,
krijesa efemere,
i kap sindroma Alzheimer.
Pandehmës,
si në përtejjetë e gjejnë ngushëllimin,
shuhen boshësisë, larg pragut të vet,
i tret harrimi.
Zemra
rreh
si një orë mekanike
e kurdisur veç një herë në jetë.
III
Nju-Jork,
ç’fatalitet!
Zgavrës së dy kullave-hije
dhemb boshi fantomë,
si gjymtyrët e një ushtari
këputur në betejë.
Ngrehinat ranë.
Atje,
kundruall Urës së Bruklinit,
shkrumb e hi u bënë, i vranë.
Qiejt i mallkuan?!
I pashë me sy!
Të qe fiksion,
ndoshta hamendje e trurit tim
ai mëngjes gjëme…
ç’nuk na fanepset në ëndrra!
(Mos po çmendem?!)
Stephen Hawking,
sfinks gjenial,
konstelacion eshtak…
Do të mbërrijmë njëherë te zoti soditës,
me shpejtësinë e dritës..?
Mendimi primar,
si yll imagjinar,
po më tërheq nga mënga e xhaketës, pas idesë,
të kërcej
kësaj lartësie,
ku gjithçka duket e përthyer;
mendtë t’i merr horizonti i paanë,
nga marramendja sa s’bie
dhe kjo botë më përmbyset
nga animi i pjerrët,
në zgrip të kësaj çudie…
Në djall kuantika,
kudondodhja ime,
përjetësi s’ka,
veç energji sublime.
Zbrazëti… eter,
galaktikën tonë do ta përpijë si pré
një çast pa kohë,
Vrima e Errët.
(I frikshëm mendimi,
çfarë ikën s’kthehet..
Do mbërrijmë vallë në të shkuarën,
si në të ardhme,
me slita imagjinare..
Ta bëjë “rewind” kohën,
shqisa mbinjerëzore,
Inteligjenca artificiale…(?!)
Uni im, në natë,
me vdekjen hipotetike,
nën re surreale lart
sublimon.
Për shkak të rastësisë
a të profecisë,
absurdes së jetës,
çmendurisë,
hidhen në çart nga kati 107.
(Ç’ ka të jashtëzakonshme,
heroike, triviale, fatale,
ç’ndryshon, në fakt,
nga vdekja në imagjinatë?)
(Një zë në vete më flet:
Ngrehinat e së ardhmes do të jenë prej ajri,
pa pilotë të vdekjes,
kamikazë…
Pa trupa shkrumb, së gjalli).
Qielli u zbraz.
Shoh atje yjësinë me bisht.
Ç’mijëvjeçar jeton
njerëzimi?
Krisht!
Ç’asteroid
mund ta zhdukë botën
në një ditë?
Më bëhet atje,
se si qiejt përflaku,
gjithësinë rroku,
shkaktoi Big Beng-un,
natën e Bartolemeut,
në qiejt e Nju-Jorkut.
Kullat-fantazmë
mbinë papritur
qiejsh vetëtitës,
U nderën lartësisë,
në terrin e dritës.
IV
Shtati bie në rënie të lirë.
(Ligji Gravitacional,
flijimin e kreu,
trupi njerëzor,
ra,
si nga Kulla e Pizës,
guri i Galileut.)
Mbet pezull në natë
midis qiellit e dheut
në mesin e artë.
•
Gdhin.
Dielli prek shtatin e Statujës,
gjymtyrë e asht,
ia zhvesh mantelin prej mjegulle,
si rrobën e natës një të dashure
me afsh.
Loti shkrin,
këputet,
bie në oqean,
për ta mbytur Manhatanin.
Retë marramenden,
në arrati ikin,
përzënë nga era rrëmbyeshëm,
cikmës së dimrit.
I zhveshur nga terri,
Nju-Jorku gri.
Qyteti biblik.
Grykës,
kaotik,
iluzor si Kulla e Babelit.
(Nata ia ndez magjinë,
misteret…
dita ia fik).
Një çast,
nuk e di se si,
prej përmasës,
a prej madhështisë,
teksa e shoh nga larg
Statujën e Lirisë,
krahun shtrij në pafundësi,
me sy e sjell dhe e mbaj,
shtatoren më gjigante të botës,
me pishtarin e ndezur drejt qiellit,
si një kukull barbie,
në pëllëmbë të dorës.