More
    KreuIn memoriamNdahet nga jeta Ismail Kadare, gjigandi i letërsisë shqipe

    Ndahet nga jeta Ismail Kadare, gjigandi i letërsisë shqipe

    Ismail Kadare, i lindur më 28 janar 1936, mbylli sytë mëngjesin e 1 korrikut, në moshën 88 vjeçare në Tiranë, pas një arresti kardiak.

    Autori fitues i dhjetëra çmimeve ndër më të rëndësishmet ndërkombëtare, mes të cilëve The Man Booker International Prize (2005), Prix Mondial Cino del Duca (1002), Premio Grinzane Cavour (1992), Prix Mediterranee Etranger (1993), Premio Letterario Boccaccio (1997), Premio Feronia (1998), Gottfried vom Herder Preis (1998), Ovid Festival Prize (2003), Premio Principe de Asturias de Las Letras (2009), Flaniano International Prize (2008), La Risa de Bilbao (2012), Jerusalem Prize (2015), Mediterranean Culture Prize (2016), Premio Nomino (2018), Park Kyong-ni Literary Prize (2019), Neustadt International Prize (2020), nderuar me urdhrin e Kalorësit të Legjionit të Nderit nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, shprehej kështu në vitin 1996: “Onufrin e kam zgjedhur për botuesin tim të tanishëm dhe të mëvonshëm, midis botuesve të tjerë shqiptarë. Më është dukur një botues serioz, por më kryesorja, më është dukur se në aksionin e tij të botimit nuk udhëhiqet nga etja për fitime, që për fat të keq është shumë e shpeshtë në jetën e sotme shqiptare dhe vendeve të tjera të Lindjes, por ka edhe njëfarë idealizmi, domethënë në kuptimin shpirtëror të gjërave.”

    Krijimtaria e tij e botuar zë fill me veprën “Frymëzime Djaloshare” (1954) e cila do t’i hapte rrugë kryeveprave që do ta bënin të njohur ndërkombëtarisht. “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Pallati i ëndrrave”, “Prilli i thyer”, “Darka e gabuar” e deri te “Kur sunduesit grinden”, bashkë me shumë e shumë vepra të tjera, janë tanimë pjesë e trashëgimisë letrare të të gjithë botës. Në vitin 2010, Charles McGrath shkroi në The New York Times se Kadare është “i paaftë për të shkruar një libër që nuk është interesant.

    Vitin e shkuar,  krijimtaria e Kadaresë u botua në shtatë vëllime me nga 1000 faqe secili dhe u prezantua për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Torinos, ku Shqipëria ishte vend i ftuar, ndërsa promovimi, në prani të autorit, u realizua në Panairin e Librit të Kosovës, në Prishtinë, po atë vit.”.

    Ismail Kadare i ofroi për herë të parë botës një panoramë letrare të Shqipërisë dhe u kthye, përveçse në promotorin më të mirë të vendit të tij, si një gur i rëndë ku mbështetshin shqiptarët sa herë një i huaj kërkonte të dinte më tepër për vendin e tyre, edhe një mbrojtës i paepur i kombit, me kontribut të shquar në njohjen e Evropës me çështjen e Kosovës në kapërcyellin mes dy shekujve.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË