(le të lexohet gjatë dëgjimit të ‘River Flows in You’ – Yiruma)
Jam pianist i disfatave
muzikant poetik i shpatave.
M’i sillni 48 piano të zeza
të akorduara këndshëm
të mbushura me ushqime
vendosni në rrethrrotullim
me to përthekojeni trupin tim
do të luaj gishtat në çdonjërën prej tyre
secilën do ta puth, do ta mbaj afër fytyre.
1. do të luaj për fëmijët e vrarë në Bosnjë
2. për fytyrat që i goditi acidi
3. për nënat vetushqyese dhe bijtë e tyre të paushqyer
4. për gjyshërit që nuk i panë kurrë mbesat tek rriten
5. për kafshët e bukura dhe njerëzit e kafshëruar shëmtueshëm
6. për dhimbjen që nuk fashitet as me miligrame ilaçesh
7. për urinë, për vrerin e të vjellave të të sëmurëve
8. për të vrarët në Kosovë, për shqiptarët e vrarë në Serbi
9. për rrugët e errëta, për njeriun me fat të zi.
M’i sillni 48 piano, dua të qaj e të bërtas
në mes një liqeni mjellmash
vetminë ta vras.
Se sytë më shumë kanë lot se vizion.
Nën dritën e nënës natyrë
dua të zhytem thellë,
vaji i këngës, si yndyrë më rrjedhë.
10. do të luaj për pleqërinë e harxhuar në dializë
11. për trupat e gjymtuar nga copa betoni tërmetesh
12. për këshillat e detit, që nuk i dëgjuam kurrë
13. për malësoren që e shtypëm dhe e kthyem në burrë
14. për shtatzënat që u dorëzuan, e prej gjumit më s`u zgjuan
15. për ata që kaluan ditët në karroca invalidore
16. për lotët që ujisin lulet anash varrezave
17. për shiun histerik, që bie mbi varfërinë
18. për këmbët e lagura, për copat e lagështa të bukës
19. për ata që u shkatërruan prej prindërve të mjerë
20. për ata që nuk notuan, me nota evropiane vajtimi u harruan
21. për secilën që u dhunua, secilën mitër që nuk fle e qetë
22. për poezitë që poshtërisht nuk gjetën kurrë fletë.
Jam pianist i ujtë, i akullt
me 48 piano, nën dallgë e vetëtimë
jam i lënduar, fytin e ngushtuar
muskujt më janë brishtuar.
23. do të luaj për tenorët e sopranot e vdekura
24. për jetimoret e harmoninë kishtare brenda tyre
25. për fluturat të cilave ua hëngrëm krahët
26. për elefantët, kengurët, zebrat që i armiqësojmë
27. për gazetat e redaktuara, në kosh të bërllogut
28. për tmerrin në Siri, për bombardimet gjatë smogut
29. për librat fetarë, që i bëmë rrush e kumbulla
30. për gratë që s’u martuan, e rrijnë vetmisht të strukura
31. për ata që durojnë, heshtshëm e buzëqetshëm vajtojnë
32. për sulmet e panikut, për egot e kalbura kur guxojmë të gjykojmë.
M’i sillni 48 piano
kontrolloni plehrat, sokaqet, shkollat e muzikës
të vetmen Akademi
thyeni dyert e secilës shtëpi, çkado që gjeni,
çdo libreto të pluhurosur në agoni.
silleni.
33. do të luaj për vajzën që nuk trashëgoi asgjë
34. për shërimin e atyre që kanë ngelur në greminë
35. për flamujt me ngjyra shumë, për autizmin, për bardhësinë
36. për fshataret që presin eshtrat e mykura të burrave, të vijnë
37. për udhëtarët pa bagazh, pa destinacion, të flakur në qiell
38. për ditët me Diell, për netët me Diell, për të dielat me Diell
39. për çdo spital në botë ku fle një burrë me kancer
40. për çdo krah që të gjendet, për çdo mjek, për secilin infermier
41. për foshnjet e lëna si copa buke në një inkubator
42. për ëndrrat që kurrë nuk dolën prej ëndrrave
43. për ata që asnjëherë nuk i lejuam të jenë vetja, tërësia
44. për dëborën që bjen e ne çuditërisht nuk e duam
45. për ata që na e prenë rrugën, se askund nuk shkuam
46. për hipoterminë, për trupat e shpërdoruar pa oksigjen
47. për inatet, për vajet, për Pashkët e Bajramin e kaluar në lot
48. për pianot e tingullta që nuk lëshuan tingull dot.