Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, aty ku ndërthuren kujtesa dokumentare me traditën shkrimore, është çelur ekspozita “Koleksioni i Biblave”, një ngjarje e veçantë kulturore që tejkalon dimensionin e zakonshëm muzeal, për të ofruar një rishqyrtim të thellë të gjenezës dhe evolucionit të tekstit biblik në trojet shqiptare. Kjo ekspozitë sjell në vëmendje jo vetëm rolin e teksteve të shenjta në formimin e një gjuhe dhe kulture, por edhe mënyrat se si tradita e teksteve të shenjta ka vepruar mbi ndërgjegjen e shkrimit shqip, mbi mekanizmat e përkthimit dhe mbi institucionalizimin e dijes së shkruar në hapësirën shqipfolëse. Vendosja e kësaj ekspozite në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, një nga institucionet qendrore të ruajtjes dhe interpretimit të trashëgimisë sonë bibliografike, e kthen këtë ngjarje në një moment të veçantë reflektimi.
Ekspozita përfshin më shumë se katërqind vëllime biblike dhe materiale me karakter biblik e liturgjik, të shtypura nga mesi i shekullit XV deri në shekullin XIX në qendra të ndryshme evropiane, si: Itali, Francë, Gjermani, Holandë e Greqi, duke krijuar një hartë materiale të qarkullimit të librit të shenjtë në kontinent. Nga inkunabulat e para tek botimet e rafinuara të shekujve të mëvonshëm, këto vepra lejojnë ndjekjen e zhvillimit të tipografisë, të ikonografisë dhe të teknikave të shtypshkrimit, por sidomos japin dëshmi të itinerarit historik të tekstit biblik si objekt kulti, studimi, interpretimi dhe përkthimi.
Një shtresëzim të veçantë historik e sjellin dorëshkrimet e ekspozuara: fragmente të hershme të Shkrimeve të Shenjta, kopje liturgjike dhe dokumente që paraprijnë shtypshkrimin. Ato përftojnë natyrën e një arkivi të hapur dhe dëshmojnë një qarkullim të hershëm të fjalës së shenjtë në Ballkan, duke ndriçuar mënyrat se si tekstet biblike janë përvetësuar dhe transmetuar shumë kohë përpara konsolidimit të një sistemi të mirëfilltë shkrimi në gjuhën shqipe.
Rendi i paraqitjes së ekspozitës pasqyron evolucionin e shqipes së shkruar krejtësisht kronologjik:
Nga Meshari i Gjon Buzukut (1555), që për ne përbën kontaktin e parë të aftësisë së shqipes për të përballuar një tekst teologjik të ndërlikuar, tek përkthimet e Pjetër Budit dhe Pjetër Bogdanit, që shënojnë momente themelore në formimin e një tradite të qëndrueshme shkrimore dhe në artikulimin e një leksiku teologjik të strukturuar. Më tej vijnë shekujt XVIII–XIX dhe periudha e Rilindjes, me figura të tilla si Kostandin Kristoforidhi, i cili punoi me vetëdije filologjike për të afruar dialektet kryesore të shqipes përmes përkthimit biblik; familja Qiriazi, që i dha tekstit të shenjtë funksion pedagogjik dhe kulturor; Fan S. Noli, me përkthimet e tij të pastra dhe ritmike, që lanë gjurmë të thella në traditën kishtare e letrare; si dhe Dom Simon Filipaj, i cili në gjysmën e dytë të shekullit XX solli për herë të parë një përkthim të plotë të Biblës në shqip sipas standardeve bashkëkohore. Vëmendje të veçantë zë roli i Shoqërisë Biblike Angleze, e cila gjatë shekullit XIX ndikoi në qarkullimin, sistemimin dhe uniformizimin e teksteve shqipe, në një periudhë kritike për formimin kulturor të kombit shqiptar. Përmes këtij udhëtimi shekullor, dëshmohet rëndësia e përkthimit të shkrimeve të shenjta në zhvillimin e gjuhës dhe mandej, kulturës së një populli. Me gjithë sfidat dhe rrethanat, sot, në një këndvështrim krejtësisht retrospektiv, gjykojmë se ardhja e këtyre Biblave deri në ditët e sotme, me një pjesë të konsiderueshme të tyre si trashëgimi shekullore, dëshmohet lidhja e pamohueshme e gjuhës me traditën dhe besimin. E para ishte fjala, dhe Zoti foli shqip!

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur çdo ditë nga ora 09:00 deri në 20:00, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, synon jo vetëm të paraqesë materiale të vyera bibliotekare, por të nxisë një reflektim të thelluar mbi rolin e përkthimit biblik në formimin e gjuhës shqipe, në kulturën e komunikimit të shkruar dhe në ndërthurjen e traditës sonë me atë evropiane.
Me “Koleksioni i Biblave”, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ripohon misionin e saj themelor: ruajtjen, interpretimin dhe rikontekstualizimin e trashëgimisë së shkruar, duke dëshmuar se pasuria bibliografike shqiptare është pjesë organike e kulturës evropiane dhe jo një periferi e saj.
Një ftesë për vizitë dhe reflektim.

