Ledia Xhoga është shkrimtare dhe dramaturge shqiptaro-amerikane. Ka lindur në Tiranë dhe jeton me familjen e saj në Bruklin dhe Catskills. Romani i saj, “Keqkuptimi”, fitoi çmimin e Librit të Qytetit të Nju-Jorkut dhe u shpall finalist për Çmimin e Romanit të Parë në Center for Fiction në Bruklin dhe ka hyrë në listën e të nominuarve për çmimin prestigjioz “Booker Prize” 2025.
Bisedoi Andreas Dushi
Emri i Ledia Xhogës në longlist-ën e Booker Prize për 2025 ishte një befasi shumë e bukur, që përveçse me lexuesit anë e kënd botës, e prezantoi atë edhe me lexueit shqiptar, vendit ku ajo ka lindur. Prandaj, e mora librin menjëherë, pa e ditur se shumë shpjet do të botohej në shqip, nga “Dudaj”, nën përkthimin e Margarita Sulaj Skënderajt. E lexova me shumë vëmendje dhe kujdes e, falë botueses së “Dudajt”, Arlindës, u vura në kontakt me autoren.
Botimi i këtij libri në shqip, përkthyer nga një përkthyese e jo i rishkruar nga autorja, është po ashtu një shtysë për t’iu rikthyer një diskutimi akoma të papërfunduar me një zgjidhje të gjithëpranuar.
Në majin e këtij viti, u mbajt në Bukuresht një konferencë ndërkombëtare lidhur me letërsinë në ekzil. Gjatë saj, u përmend disa herë rasti i Lea Ypit e po ashtu, ai i Pajtim Statovcit, si shembuj domethënës nga Shqipëria, çka ndonjëherë ngatërrohej me letërsia shqipe. Në vendin tonë, ose më mirë në kontekstin e gjuhës sonë, jo rrallë është hapur tema e shkrimtarëve shqiptarë që shkruajnë në gjuhë të huaj, nëse vepra e tyre i përket letërsisë shqipe apo asaj në të cilën është shkruar. Të them të vërtetën, kjo është një çështje për të cilën edhe unë kam ndryshuar mendje, duke u bindur tanimë se pasaporta e vetme e një vepre – për rrjedhojë edhe e autorit të saj – është gjuhë. Debati ama vazhdon të mbetet i hapur, edhe kur librat e Lea Ypit, fjala bie, apo tani i nominuari për Booker Prize i Ledia Xhogës kategorizohen në letërsi shqipe. Madje, situata ndërlikohet edhe më, ose jo tamam ndërlikohet, por përfshihet ndër hulli paqartësishë, kur nominimi i saj për Booker u barazua me nominimet e Kadaresë, pa u bërë dallimi mes dy çmimeve që fondacioni i Booker Prize jep, njëri për veprën e përkthyer (Kadare laureat një herë dhe i nominuar dy herë) dhe tjetri, ai i pari e historiku, për veprën e shkruar në anglisht. Prandaj edhe e kam pyetur Ledian specifikisht për këtë çështje, por aty do të arrijmë pak më vonë.
E pashë të domosdoshme këtë trajtesë paraprake për t’u futur më mirë në kureshtjen që më ngjalli libri i saj. Ledia Xhoga, e lindur në Tiranë dhe e larguar drejt Amerikës shumë vjet më parë, jeton, punon dhe krijon atje ku është vendosur dhe ku ka krijuar familjen e saj. Romani “Keqkuptimi” (Misinterpretation) e paraqet atë si një autore, personazhi i së cilës është me origjinë shqiptare. Vetëm personazhi, historia dhe ngjarja përreth tij, mendoj unë, mjaftojnë për ta shqyrtuar dhe vlerësuar një vepër, jo origjina e autores. Sigurisht, përsëris veten këtu, edhe gjuha, sidomos gjuha.
Personazhi kryesor pra është një shqiptare, emigrante në Amerikë që punon në një kompani përkthimit për të ndihmuar të tjerë shqiptarë, njohës jo të mirë të anglishtes, në kryerjen e funksioneve të përditshme, sikurse është për shembull vizita te dentisti, seancat e terapisë apo proceset gjyqësore. Duket sikur asaj i pulson përherë ideja se është një e huaj dhe kjo tregohet nga vendimet që merr, mes të cilave, ndër më determinantet për ngjarjet që pasojnë, është ftimi në shtëpi i një tjetër emigranteje, pa letra ajo, dhe përfshirja e pakërkuar në jetën e saj, mbase për t’i dhënë kuptim jetës së vet.
Situata të ndryshme ku përfshihet edhe vizita e saj në Shqipëri tek e ëma, familjarët që ndryshojnë shumë prej njerëzve që ka përreth në Amerikë, një lloj malli e mëshire, kureshtjeje e droje se mos kureshtja e shpie në rizbulimin e ndonjë realiteti që është përpjekur shumë ta harrojë, krijojnë një atmosferë shumë të këndshme që e bën librin të të mbajë në tension për ngjarjen pasuese, pasi mundësitë janë të shumta dhe variojnë vetëm prej ndonjë ndryshimi sado të vogël në sjelljen e saj.
Në këtë roman, trajtohet njeriu bashkëkohor, mungesa e rrënjëve deri te frika prej tyre, pasi po të ekzistojnë, do t’ia pamundësojnë lëvizjen – një nevojë kjo e domosdoshme për të mbijetuar në shoqërinë e sotshme. Dhe me lëvizjen e filloj edhe bisedën me autoren, pasi them se linja e përgjithshme e romanit na bën të mendojmë për atë çka mund ta vendosi fatin e një njeriu. Mendoni ju, e pyes, se një prej arsyeve kryesore është zgjedhja ku jeton? Pastaj, vazhdom në tutje, nëse vendi ku njeriu lind është rastësi, pra nuk e ka në dorë, sa rastësi mund të jetë sot vendi ku jeton?
Zgjedhja ku jeton ka të bejë me fatin e njeriut ashtu si të gjitha zgjedhjet, madje dhe ato që duken të parëndësishme (si thotë shprehja: Nje flutur tund krahët në Brazil dhe shkakton një tornado në Texas), e fillon përgjigjen Xhoga. Unë jetoj në Shtetet e Bashkuara, ku, per një amerikan, ideja e emigracionit në një vend tjeter për shkaqe ekonomike nuk ekziston. Nëse ai shkon të jetojë në një vend tjetër është rastësi. Në roman, momenti kur shohim dy perspektiva të ndryshme, është kur Ana flet me kushurirën e përkthyeses dhe ajo e pyet atë pse nuk zgjodhi të jetonte në Çeki, sepse aty është më bukur.
Mua ndërkohë, gjatë leximit, më kujtohet shumë shpesh filmi i famshëm i Sofia Cappola-s, “Lost in translation”, më tepër titulli sesa përmbajtja e tij. Meqë personazhi kryesor është një përkthyes dhe vetë biseda jonë do të anojë edhe nga tematika të lidhura me këtë çështje, e pyes autoren se sa mund të humbasë në përkthim njeriu, ai që detyrohet të mendojë në një gjuhë e të shprehet në një tjetër?
Po, ndonjeherë mund të hasësh persona që kur flasin gjuhën mëmë, duken pothuajse persona të tjerë krahasuar me kur flasin anglisht apo një gjuhe tjetër. Në gjuhën e huaj janë më të mbyllur, më të rezervuar, nuk ndihen dhe aq të sigurtë në vetvete. Gjuha ndikon shumë në perceptimin e realitet dhe imazhin që arrin të krijosh.
Pa e hequr nga mendja debatin lidhur me përkatësinë e letërsisë së shkrimtarëve shqiptarë që shkruajnë në një gjuhë tjetër dhe një prej qasjeve që ai ndërmerr, atë se kur tematika është shqiptare, ajo e vendos edhe “kombësinë” e veprës, e pyes për përkthimin e tekstit… sa humbet teksti në përkthim? Sidomos kur flasim për romanin e saj që, ndonëse frymon shqip, prapëseprapë është shkruar në anglisht, nga ku edhe është përkthyer?
Është gjithmonë e veshtirë nga një gjuhë në tjetrën, dhe patjetër që diçka humbet, ndonjëherë është rrjedha e shkrimit në një paragraf, ose humori, ose dhe një fjalë qe nuk mund t’ia gjesh përkthimin tamam, përgjigjet ajo. Pastaj kujton Anne Carson-in që thotë “duke qëndruar në pragun e një fjale dhe duke parë hendekun.”
Dhe tani, pyetja që përmenda në fillim, si e quan ajo veten: një shkrimtare shqiptare apo shkrimtare amerikane? Ajo përgjigjet me një fjali të vetme:
Nëse libri do ishte shkruar në shqip ose nëse do të kisha shkruar libra të tjerë në shqip do të quhesha shkrimtare shqiptare, po libri është shkruar në anglisht dhe bën pjesë në letërsinë amerikane, kështu që dhe unë besoj se kategorizohem si shkrimtare amerikane.
Pyetjes për Booker Prize, i përgjigjet me shumë elegancë. Përpiqem t’ia vë në dukje faktin që tani, pas Booker-it, fati i veprës do të pësojë një kthesë, pasi ky nominim është në vetvete në gur kilometrik. Ndërkohë, si për t’i çelur udhë kësaj teme, paraprakisht e pyes, ndonëse e di përgjigjen, nëse vetë nominimi i ka ardhur i papritur.
Po, shumë papritur, fillon Ledia. Shtepitë botuese e fusin librin në konkurse për të marrë çmime të ndryshme. Si shkrimtare, nuk jam vënë gjithmonë në dijeni. Momenti kur informohem është nëse nominohem për një titull. Sikurse mund të ketë shumë çmime të cilët nuk kam fituar dhe nuk jam informuar. Lista e Bookerit ndriçon një dritë të fuqishme mbi disa libra dhe shkrimtarë. Eshtë hera e parë që ndodhem në këtë pozitë, kështu që nuk e di cili do të jetë fati i veprës. Tani jam edhe e angazhuar me një roman tjetër, mbi të cilin po punoj.
Një vëzhgim sipas të cilit rrethanat e jashtme e rivijëzojnë personazhin kryesir, ajo nuk e pranon.
Jo, thotë, nuk janë rrethanat që e rivijëzojnë personazhin kryesor në roman, por vendimet që merr dhe veprimet në ato rrethana. Shumë përkthyese në situatat që prezantohen në roman nuk do kishin vepruar si ajo, nuk do i kishin ftuar gratë kurde në shtëpi apo nuk do kishin shkuar të njiheshin me Rakanin dhe t’i vidhnin telefonin. Aty qëndron dhe interesi i lexuesit, cfarë po bën, pse po e bën, etj.
Unë ndërkohë, e pyes edhe për mënyrën se si e ndërtonte, në letërsi, raportin e rrëfimit të dy botëve, asaj të brendshmes dhe asaj së jashtmes. Për të, cila prej tyre është një lëndë letrare më estetike dhe më domethënëse? Ledia, si përgjigje, jep një vëzjgim estetik, lidhur me mënyrën se si ajo, si shkrimtare, i qaset letërsisë dhe procesit të shkrimit:
Letërsia që më intereson është ajo ku personazhet bëjnë zgjedhjet e veta. Ashtu arrijmë ta njohim botën e brendshme të tyre. Për mua, një letërsi është domethënese nëse ndihet si diçka e gjallë, sikur merr frymë, jo anemike.
“Keqkuptimi” i lë një hapësirë, jo të dedikuar veçan por të shpërndarë në tekst, edhe situatës së sotime socio-politike në Amerikë. Vendi, tejet i polarizuar pas fitores së Trump-it, nuk e fsheh në një krah gëzimin e në krahun tjetër, zemërimin prej rezultatit që prodhuan zgjedhjet e nëntorit të 2024. Ngjarjet e Ledias dhe gjithë personazhet e saj zënë vend në anën e të zemëruarve, të atyre që nuk e kuptojnë si ka mundësi që ndodhi kështu. Por ja që kështu është, ICE-ja ka ndërmarrë operacione të shpeshta kundër emigrantëve dhe american dream-i duket se po pëson një zbehje, një thyerje ose, mbase, një ngadalësim. Prandaj, edhe emigrimi në Amerikë është kthyer në një përvojë të zakonshme, larg ëndrrës amerikane të dikurshme dhe pikërisht kjo është fomra dhe mënyra se si ai trajtohet në roman. Personazhet e emigruar, mes të cilëve Lejla, Zani e të tjerë, janë gjithnjë qendër e një bote që përpiqet t’i tëhuajësojë, për t’i njësuar me vetveten, si realitet ku rëndësia dhe roli i individit vështrohen nga një pikë konsumizmi. Prandaj, më duket shumë interesante ta kutpj se si ka qenë për autoren përçimi i letrarizuar i këtij realiteti.
Po, kjo është e vërtetë, thotë ajo, por kujdeset të shtojë se kur filloj shkruaj nuk nisem kurrë nga konceptet ose idetë. E filloj nga një personazh, që në këtë rast ishte një përkthyese dhe marëdhenia e saj me të shoqin dhe merrem thjesht me situatën, me dialogun, sikurse thotë shkrimtarja Anne Lamott, “bird by bird”. Pastaj më vonë mund të dalloj që këto personazhe përfaqesojnë dy ide të ndryshme përsa i përket mënyres si i trajtojnë të tjerët, sa të hapur janë etj., dhe se këto ide janë duke u ndeshur me njëra-tjetrën, njëherë fiton njera, një herë tjetra. Unë të shkruarin e konsideroj si diçka instiktive dhe emocionale, idetë mund të vijnë me vonë. Madje ndodh që habitem me interpretimet që dëgjoj sado që janë shumë të sakta. Më pëlqen shprehja “janë gjithnjë qendër e një bote që përpiqet t’i tëhuajësojë, për t’i njësuar me vetveten”. Një përshkrim i saktë i jetës së emigrantëve.
Në mbyllje, pasi e falenderoj për kohën dhe e uroj sërish për nominimin, e pyes nëse ka menduar ndonjëherë të shkruaj në shqip si dhe, ta përkthejë vetë në shqip krijimtarinë e saj.
Në rast se do kisha mundësi të jetoja për disa vite në Shqipëri, po, do të më pëlqente. Por duke qënë mama me familjen në Neë York, është e vështirë. Kam qejf t’i kthehem dhe teatrit. Para se te merresha me romanin po shkruaja një dramë në anglisht, ndoshta mund ta bej dhe në shqip. Edhe skenaret më pëlqen t’i shkruaj. Nuk mendoj se përkthimi është dcicka që dua të bej. Ndoshta diçka nga shqipja në anglisht, mbase.

