More
    KreuLetërsiShënime mbi libraZhuljeta Grabocka: Mrekullia e shkrimit “Mëria e Zanave” të Grigor Banushit

    Zhuljeta Grabocka: Mrekullia e shkrimit “Mëria e Zanave” të Grigor Banushit

    Në romanet e botuar kohët e fundit ndihet prirja për të trajtuar temat e ditës. Njëkohshmëria e autorit me lexuesin dhe aktualizimi artistik i tij është përgjegjësi dhe dialogim estetik e qytetar. Romani, si gjini e gjatë e prozës, vihet në funksion të fatit njerëzor, universializuar si shumësi e ndjeshmërive instiktive e kulturore. Me përgjegjësinë e një prozatori të afirmuar Grigor Banushi në romanin e tij të tretë “Mëria e Zanave” vjen me sfidën e kronikës rreth ngjarjeve të jashtëzakonshme në përditshmërinë e hetimeve të një specialisti të kualifikuar në fushën e zbulimit të krimit, komisar Marin Kurtit. Në ecurinë e hulumtimeve të tij, autori materializon fabulat: si “Humbja e mistershme e jetës” dhe detyrimi i organeve shtetërore për të hetuar mbi të vërtetën e fajtorët. Përjetimi dhe fatkeqësia si ndjesi individuale dhe fatalitet njerëzor. “Vdekja si proçes jetik e mister konfiktesh njerëzore”. Romani i tij nuk bie në kurthin e një rrëfimi policor. Grigor Banushi anashkalon dhe hollësitë e një romani psikologjik. Vepra mishëron sigurinë e tij për t’u përfshirë në aktualitet me një prozë të mirëfilltë e të arrirë artistike.

    Një ngjarje e bujshme, siç ishte humbja e tre turistëve të huaj në Alpet e Shqipërisë, sjell natyrshëm ndërkombëtarizimi e vështrimit të çështjes. Shkrimtari i zbërthen personazhet e veprës në realitetin e kohës së zbulimit të krimit. Koha reale, një mujore e ngjarjes, ndërthurret me kohët e narracionit në vepër. Ajo sjell veçoritë e një epoke historike më se pesëdhjetëvjeçare në lidhje me ndikimin e saj në fatin e individit. Prozatori mjeshtërisht plazmon këndvështrimin historik të virtyteve dhe tjetërsimin e njeriut, si nocion kombëtar dhe jo vetëm kaq. Bota, vendi ku lind e vdes njeriu, është kudo njëlloj.

     Kur dhimbja trondit themelet e shpirtit, shoqëria kupton se solidarizimi me të, në emër të paqes sociale e lumturisë njerëzore është detyrë. Asnjëherë s’është vonë për t’i mbyllur e lehtësuar sado pak plagët e krimit. Plagë, që trokasin përditë në derën e vjetër të kontinentit plak. Realiteti shqiptar është pjesë e tij me veçoritë gjeopolietnike. Meritë e autorit është vërtetësia e dhënies së kësaj drame. Jo vetëm në dekadën e parë të shekullit të XXI, por edhe më thellë në kohë. Humbja e Irena Bradovskës, njërës prej turistëve, thellon tragjizmin e kalvarit të vuajtjeve e të persekutimit të familjes së saj, nga diktatura më egër e kohës së Luftës së Ftohtë. Nëna e saj, Olga ishte bijë e inxhinier Viron Konjari. Maria, gjyshja, studentja polake e dashuruar me të erdhi të realizonte ëndrrën e lumturisë së saj. Por si shumë të huaj s’u shpëtuan dënimeve e persekutimeve të regjimit komunist. Kujtimet e familjarëve e kishin shtyrë vajzën e re, violinisten e talentuar të vinte në tokën e rrënjëve, me miqtë e saj artistë, Oto e Markus. “Në zhdukjen pa gjurmë” ajo ç’ka kishte mbetur në celuloidin e aparatit të tyre ishte madhështia e njeriut në gjirin e natyrës. Pamjet e mrekullueshme apelonin për paqe dhe harmoni universiale.

    Realiteti dhe imagjinata

    Në një pulze gjigant, komisari Marin kishte rindërtuar ngjarjen e turistëve duke filluar nga aeroporti i Tiranës deri në skajet më veriore të vendit, rrëzë apo majë maleve. Autori i lokalizon veprimet në emërtime toponimike mitike si: Zojmirë e Rrashi i Egër, Liqeni i Zanave, Malet Trueme, Qafa e Hardhuckave, Gropa e Dreqit, Hani i Shegës etj. Këto emërtime të denjë për një dekor shekspirian nuk mund të mos krijonin një figurë stoike e tragjike sa ajo e Sadik Dushit të rënuar familisht. Nuk mund të ishte askush tjetër, simbol i vënies së drejtësisë, në një realitet të përçudnuar patriakal, veçse momunenti i gjallë i Martës me xhubletën e saj njëqindvjeçare. Tërësia e episodeve përfshin një periudhë njëqind vjeçare. Tërësia e episodeve luhatet natyrshëm sa në realitetin e ngjarjeve të jashtëzakonshme tek legjendarizimi e tyre. Por lexuesi përjeton dhe realizimin e drejtpërdrejtë të personazheve të tjerë femërorë Almës, Haikes, Metildës, Borës pesëmbëdhjetë vjeçare po aq bindshëm sa dhe miklohet me sensin e masës në dhënien e dimensionin “Zanë”. Realiteti e imagjinata ndërthurren në dhënien bardhë e zi të jetës. E bardha i “fanepset” Marinit në errësirën e mungesës së dritës së të vërtetës në gjumin e trazuar si opsion i absurditeti sizifian. Pamundësia e një rezultati konkret në hetime vjen i mirëpritur në shprehjen e modernitet të një proze që endën rrëfimin në hullinë e eposit të lashtë.

    Deheroizimi i personazhit

    Marin Kurti është personazhi kryesor i veprës. Prej tij rrjedhin të gjitha linjat e subjektit. Formimi dhe përvoja e tij, që prezantohet në faqet e para të romanit duhet të sillni një pritshmëri tjetër për lexuesin. Mos suksesi i tij në hetim është “kurthi” ku autori kërkon ta fusë “heroin”. Përshkrimi artistik i dyzimeve është gjetja kompozicionale, që mban në këmbë rrëfimin emocionues dhe kalimin e suspansit nga një kapitull tek tjetrit. Natyshmëria e personalitetit të tij është e prekshme, njerëzore. “Lektisja torturuese” nëpër ëndrra krijon mundësinë eklipsuese të komisarit “hero”. Autori zhbiron në psikikën e tij “gruan zanë” në të dy gjëndjet e qënies njerëzore, të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme. Prej këtej botëkuptimi mitik e pagan i Sadushit bëhet faktor ngushëllues për fatin e shituar nga Zanat të familjarëve të tij. Jeta e njeriut shpaloset e merr kuptim e lidhur ngushtë me natyrën e Alpeve të veriut. Madhështia e ashpërsia e tyre fshehin misterin e fatalitetit i cilit jo rrallë herë tingëllon legjendarizues. Pasuria gjuhësore e dialektit të kësaj treve përcjell “ëmbëlsinë” e përjetimit fisnik të dallgëve ku i përplas fati i egër personazhet. Individualizimi gjuhësor bëhet në përputhje me moshën e kulturën e tyre. Në dialogë, përshkrime e monologë ajo rrjedh lakonike e plot ngjyrime. Shkrimtari është njohës i thellë i konstitucionit shpirtëror të tyre. Njeriu malësor ka kodet morale shekullore, që i dëshmon me veprime edhe sot. Këto përshkrime alternohen me fatin e njeriut të kohëve moderne përmes realizmit magjik. Por autori nuk e kthen këtë vështrim në parim drejtues estetik. Pasqyrimi realist i ngjarjeve në Hanin e Shegës, në faqet e fundit të romanit, është fataliteti i vetgjyqësisë, prej së cilës vuajmë shumë familje shqiptare. Shuarja e jetës së Martës së Thive paralajmëron rënien e domosdoshme të perdeve të këtyre skenave makabre. Kapja e shekullit prej moshës së saj është himn i shenjtërisë dhe paprekshmërisë së jetës së njeriut.

    Ardhja e hijeve të bardha

    Tisi legjendarizues i prezencës së vajzës “Zanë”, pleks një gërshet të bukur rrëfimi. Dilemat e hulumtimit të hetimit prej komisarit Martin nga fillimi deri në fund të romanit vuajnë nga mos realizimi. Prezenca e vajzës në grupin e të humburve dhe vajzave të jetës së tij private, i jep rrëfimit thyerje e mundësi këndvështrimesh analogjike. Thellësia epike e zbulimit të gjurmëve të krimit, të çojnë tek burimin i konflikteve të hershme të eposit legjendar e protoganistëve të tij. Zana, si forcë madhore, justifikon paftësinë e njeriut për të shpjeguar shkakun e akteve fatale. Njeriu mitik pajtohet me to, ndërsa krijuesi modern i përdor si truk artistik. Në këtë trend në roman huazohet përshkrimi i “bardhë” i qënies “Zanë” e paindividualizuar. Por që godet në përjetimin e përditshëm si individualizim p.sh i hijeve apo kofshëve të bardha. Autori e njeh mirë eposin dhe ndërton lehtësisht lidhjet ndërtekstore. Atij nuk i intereson himnizimi e figurës së “Zanës”, por krijimi i kontrasit dhe përfitimi i përjetimit emocional të situatave të jashtëzakohshme. Lexuesi i kualifikuar bën indiferencën midis artit popullor e shkrimit të kultivuar.

     Në roman ka faqe të mrekullueshme të bukurisë së Alpeve, liqeneve me bukuri të rrallë, të rrethuar nga kurora e blertë e pyjeve. Në këtë amfiteatër gjigant luhet arti i përjetshëm sa kombëtar aq edhe universal. Kombësia e turistëve i shërben autorit për të dhënë analogjinë e hershme mitike. Me simotrat e tjera në kulturat e popujve të ndryshëm ato pavdeksojnë qëllimin universial të fatit njerëzor. Aty, ku ai është i kërcënuar në ekzistencën e tij. Episodet e shumta tragjike të romanit i japin vlerë jetës. Ato janë pjesë e natyrës dehumanizuese të njeriut, përjetësimi artistik ka qënë dhe mbetet pjesë e objektit të artit. Romani ”Mëria e Zanave” është arritje cilësore jo vetëm e autorit, por edhe e letërsisë bashkëkohore. E denjë për nga vlerat artistike për t’i qëndruar në krah edhe veprave të mrekullueshme lirike të traditës siç është “Mrizi i Zanave”.

    Vallja e Zanave

    Gratë “zana” të vdekura dhe të gjalla.

    Fragment…

    “Çdo natë Irena kërcente vallen e hijeve të bardha që e niste Aishja e mbytur në Drin e vazhdonte Haike e fshehur në subkoshencën e tij, e çonte më tej Alma, që nuk mbushte vetëm ëndrra, por edhe netët e tij pa gjumë…pastaj Irena Bradovska, që ndiqte shoqet në atë valle të përjetshme…kohët e fundit e mbyllte vallen plaka Marë, që vallëzonte ngadalë dhe në shumicën e herës gjendej në qendër të valles, jo mbi këmbë, por mbi piedestalin e saj xhubletë. Nganjëherë hynte në valle edhe Bora pesëmbëdhjetëvjeçare me tërë bukurinë e saj, si vetë dëbora nën dritën e hënës. Në këtë rast Marini ishte pak i turbullt.

     Shfaqja e saj ishte e paqartë. Ishte në anën e femrave të gjalla, apo të atyre të vdekura? I tingëllonte si një ogur i zi. Irena i shfaqej më shumë nga të gjitha, në vallen e ëndrrave të tij, herë në pyll, herë mbi sipërfaqen e liqenit. Zanat vallzonin të lehta sikur fluturonin mbi ujë e këmbët e tyre nuk lageshin kurrë. Nganjëherë vallëzonin në fund të liqenit duke u kthyer në nimfa apo sirena dhe nga gojët e tyre të bukura në vend të fluskave të ajrit lëshonin lule shumëngjyrëshe.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË