More
    KreuLetërsiBibliotekëYlli Pango: Miss-i i komisar Kastanjit 

    Ylli Pango: Miss-i i komisar Kastanjit 

    (Tregtore)
    (bazuar në copra të vërtetash mbledhur në një)…

    …Atë vit Miss Atdheu, u zgjodh sipas modelit presidencial. Me kompromis shumëpalësh. Për të shpëtuar nga sherret e ndërhyrësve të shumtë apo edhe nga inati i atyre që e meritonin. As mish e as peshk. E pazëshme. Me pak tru (në fakt ky qe një kualitet i kërkuar kahershëm, spikatur që në themelim të atij ceremoniali). Fituesja u zgjodh me kast të ishte edhe nga një fshat i largët i provincës së tipit “Ku-Bi-Kjo?”

    “Si ‘kallup’, t’merrte n’qaf”, do thoshin tironcit, “Po edhe të tjerat nuk binin poshtë. Pa hyrë në zhbirilime. Se po t’ia hyje atyne e gojëve të këqia, shumica e gocave ishin të sajume. Të bome. Grim. Silikon. Me taka t’larta e me brekë t’vogla që e tregonin pulpë-kofshën të lartë…

    …“Mos na luani mendsh” ua pat prerë anëtari i jurisë, Blend Korroziu, thashethemexhinjve që komentonin me ligësi sajesat… “Edhe po të jenë ashtu, na leni o vlla të kënoqemi i çik’. Le t’i shohim si të bukura. Lene o vlla t’na rrejë mendja, si t’i dojë qejfi”… 

    Shumica e jurisë, ishin në një mendje në favor të iluzionit të bukurisë. Sidomos n’ato kohëra moderne. Me ndihmën e sajesës, imazhit gjithfarësh, iluzioni-sajesa, kish kohë që e pat vënë përfund bukurinë. Aq sa rralle ndodhnin ato rastet kur ndonjë nga gocat që paraqiteshin në konkurrim, për aktore filmash porno, deklaronte se e kishte gjoksin të sajin. 

    “Janë gjinjtë tuaj? Prej vërteti?” pyesnin ekspertët përzgjedhës të mahnitur, duke mos u besuar ende as syve…e as prekjes

    …Përderisa dhe qumështi bëhej kryesisht prej pluhuri, ky koncept duhet të jetë shtrirë me gjasë edhe deri në familjen e lopëve..

    Pastaj jo rrallë në kohërat si gjithmonë moderne në raport me ato paraardhëse, burrëria e sotme, jo rrallë, bën dashuri dhe me silikon. A ka provë më të fortë se kjo? Edhe vetë Ronaldo e ka gruan të silikonuar. Lëre pastaj, që siç e ka parë mbarë bota sport-e-femër-dashëse, pak kohë para se  ai ta kish njohur, e para se ajo të kish qenë një shitëse dyqani mode, ishte fare e pabukur. Pastaj aty ke dyqoni, ku e pa ai, e ra në sevda, edhe u sajua.

    …Po le ta lemë Ronaldon e Georginën Rodriguez e …le të vijmë te goca jonë miss. Pasi u shpall e vuri kurorë me bukurinë, ajo e bë më e heshtur. Ashtu i patën thënë. “Kujdes, se po fole, rastis e dalin dhe bretkosa nga goja…” Me të drejtë. Një i ditur, thotë:

    “Ka heshtje që flasin shumë. Ka dhe që nuk thonë asgjë.”

    Asaj i thanë të tentonte rolin e parë.

    Ca ditë e dyndën me intervista e dalje televizive, miklime e përkëdheli, derisa arriti pika kulmore. I thanë se nga matanë-deti do të vinte Komisar Kastanji, d.m.th aktori i madh që kish luajtur serialin me komisar e me mafiozë, që mbërtheu botën tonë mbarë, para ekraneve. Do vinte me zgjedhë një gocë-shqype. Për një rol në filmin që tashmë do e xhironte vetë si regjisor…E sigurisht miss/i do i prezantohej si kandidate e parë…

    … Juria pat dalë ta priste komisarin në aeroport. Miss-in për dinjitet e ekzotikë bashkë, e vunë të priste në shtëpinë e kulturës së fshat-lindjes. E grimuan me shumë kujdes.

    Ai nuk erdhi. Shkak ishte bërë avioni…Vonuar…prishur..?! Nuk dihet

    … Pastaj në një pritje të dytë, u tha se  ai ishte i zënë me një xhirim…

    …E teksa po e prisnin me durim në një datë  të tretë (…ai erdhi…e u magjeps vërtet prej saj…e përqafoi miss-in me dashuri e brenda orës i propozoi martesë, pasi e siguroi që me gruan në Itali do të divorcohej sapo të kthehej. Brenda muajit. Ai i ra edhe në këmbë, e i puthi fundin e fustanit duke ja shtrënguar fort grusht, ndër gishta….”, …)

    …e asaj i doli gjumi e llahtarisur se në vijim, në ëndërr kish parë që fustani u gris në duar të komisarit e asaj i duhej të paguante qimet e kokës te dyqani i Amit, ku e kish marrë me qira, veç për një xhiro…

    …Pra pas kësaj ëndrre rezultoi se ai nuk kish ardhur as herës së tretë por pritej në një datë të afërt…

    “Uf më morrsh të keqen”, tha miss-i, natyrisht jo publikisht, “unë të të pres më ty…”

    …Komisar Kastanji u la me sms një pritje disi të papërcaktuar, pa fund, pritësve të vetposhtëruar …Çdo muaji, çdo të premte, ata duhet ta prisnin në aeroport…Në njerën prej të premteve, ai ndofta do të zbriste “pa tjetër”, në “vendin e gocave më të bukura në botë”, siç i mikloi ai në mesazhin e vet vendasit… që e besonin këtë edhe pa mesazhin…

    …Miss-i u vu të priste përsëri te shtëpia e kulturës…po duke ju betuar vetes, se kjo do të ishte vërtet hera e fundit…d.m.th herët e fundit… d.m.th. me premtimin se nuk do kishte më herë-ra të fundit. 

    …Ajo do ish ndjerë jo vetëm e poshtëruar por keq e më keq çdo ditë, po qe se nuk do ngushëllohej disi, tek nisën paskëtaj ta përmendnin në media pothuaj çdo ditë e natë. Flisnin e komentonin pritjen e saj të gjatë. Miss-in vetë. Gjendjen e shpirtit të saj. Tashmë e emërtonin me një emër të ri: Miss-i i komisar Kastanjit. Kjo ndodhi pasi që, dikush nga pisputhët e palo-mediave, guxoi të ironizonte duke e pyetur nëse “ishte mërzitë ndopak tuj pritë…e edhe sa do duronte…” …E ajo ia dha turinjve:

    “Kush je ti more i paedukatë, me kë flet ti kshu… mër legen… jam missi i komisar Kastanjit unë”. ..E kësisoj një nga ato bretkosat për të cilat e kishin paralajmëruar në fillim, i kishte kërcyer pa dashur nga goja…I mbeti emri miss-i i komisar Kastanjit

    …Tregojnë se miss-i i komisar Kastanjit, e priti Komisarin e saj, po aq sa e priti kurbetliun e saj… në bregdet të Himarës, edhe vajza e valëve e bardit himariot Neço Muka, E ndofta më gjatë…Thuhet se edhe miss-it iu ngrit këngë për këtë pritje: “Qani moj ju miss-e qani; prisni t’u mbrrijë Kastanji…”

    …Gjithsesi mos humbni durimin, sepse rrëfehet se në këtë ndodhi ka patur edhe një skenë prekëse. Ka ngjarë ditën kur miss-i së fundmi e “takoi” Komisar Kastanjin…

    …Ndodhi pak a shumë atë herë kur edhe tanët, zunë të hanë me “pirun floriri”. Vendi ishte bërë së fundmi anëtar kontinenti e quhej së fundmi se ishte në Europë e jo në ndonjë kontinent tjetër të panjohur larg.

     …Miss-i tashmë ishte bërë gjyshe e komisari në vend të tij, ishte pajisur me shkop pleqnie.

    …Ai pat ardhur të kalonte ca kohë a me gjasë edhe të  ngryste ditët buzë Jonit, në një shtëpi a apartament të vogël blerë a marrë me qira në Sarandipity… E miss-i kish rastisur të vinte po aty, për ca ditë pushimi, me djalin, nusen e djalit e me mbesën 17 vjeçare si “hyll”. 

    …U gjendën përballë papritmas, në një muzg shtatori, në bulevardin “Dielli që pjek”. Kalimtarët ishin rralluar së bashku me turistët që shkuan e vanë bashkë me sezonin…Ai me bastunin e ajo me mbeskën që e mbante gjyshen për krahu…Ajo e njohu menjëherë nga mustaqet ndonëse të zbardhura, e ja bëri zemra tak. Ai, që s’e pat njohur kurrë, u hodhi të dyjave një sy rrëshqitas (me gjasë më shimë mbesës),e bëri tutje…Dukej që nuk i dallonte mirë fytyrat, se i rrudhte qepallat kur rrekej të shihte…

    “Është ai, është ai… që të kam tregu historinë kur u bëra miss të keqen nona…Komisar Kastanji..” i tha miss-i i vjetër mbesës…

    “ Aman mi nona, për kët plakushin paske vujt kaq kohë mi t’keqen? A thu se osht ndonji sheik! Ky qeka i marum…e mezi paska pare, me ardhe edhe deri n’Sarandipity…Le qi nuk e kuptoj, pse mi nona…aq zorr ishte qi n’ven se me prit’,t’ kishe me morë aeroplonin e për nji ore me i shku ke shpia n’Itali…Me e da dhe prej grus po deshe….  Unë për vete kisha për ta bo. Ça kishin me m’bo mi nona, m’merrshin t’keqen…pastaj shtoi:

    … “Nje mi’ nona, ku osht Roma…A thu se osht Roma,Dubai…le qe dhe Dubai ja ku osht…Shoqet e mia…edhe m…kon hongër për pare…Po ky i joti a kishte lek? Si ka qen athere?Apo cop cop…”

    …Goca e nonës na ishte trashëgimtare e drejtpërdrejtë e bukurisë së gjyshes. Dardha pat rënë nën dardhë. Dizdemona, siç quhej, u pat zgjedhë edhe më e bukra e gjimnazit me konkurs. (Kishte marre pjesë edhe në spektaklin “Përpihemi”. Kishte kryer me guxim marrëdhënie publikisht me një pjesëmarrës garip në spektaklin Big Father. Cilësohej e ardhme e madhe… e botës skenike…”missi aq e dashur për publikun…” e më tej…

    Askush të mos dyshojë, e lodhet të na pyesë, ne a veten, se si kish mundësi e kish pasur kohë e aq e re t’i bënte këto te gjitha. Ishte koha kur “të gjitha i bëjnë të gjitha”…Madje ajo do konkurronte edhe per Miss Atdheu. At’vit, për zgjedhjen e miss-it do vendoste një juri nga Arabistani. Kryetari thuhej se ishte sheik, bir sheiku. Organizatorët e juria do i prisnin vajzat tona atje. Nami i bukurisë së tyre kish marrë prej kohe dhënë rërave të mbarë vendeve Arabe…

    Miss-i gjyshe, diç kish dëgjuar për vajzat që shkonin andej e trajtimin që ju bënin sheiket arabë. Filloi me e këshillu mbesën:

    “Kujdes të keqen se kushedi… andej… kam dëgju për gjana t’pista…porta potty…a si i thojn’, nuk di a e thashë mirë…”

    “Ha ha” qeshi goca e nonës, “Ça do m’gjej mi nona. Ça i ka gjetë gjithë ato që kan shku e jan kthy andej me parë… M… ju kanë hongër… 

    “Siii?.. Kush? Kush ja ka hanger m…Kujt? Kush? Gocave? Apo gocat?…

    …Dizdemona u shqy në gaz.

    (Porta potty…” sipas legjendave të atyre kohëve…përfaqësonte një kabinë portative me oturak tualeti

    …Në mënyrë diskrete a në daçi metaforike, me “porta potty”,  aso-këso kohe, nënkuptohej edhe vajza portative me gojën e saj drejtuar për Arabistan.

    (ndalohet leximi për njerëz me ndjeshmëri të lartë morale a imagjinatë të ndezur masturbatore…)

    (duhej thënë që në krye)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË