More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXhevat Syla: Përzgjedhje me përkushtim dhe dashuri

    Xhevat Syla: Përzgjedhje me përkushtim dhe dashuri

    Xhahid Bushati, “Ku frymojnë ëndrrat fëminore – antologji poetike, 58 poetë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj”, botoi Mediaprint, Tiranë, 2025

    Xhahid Bushati, pas shumë librave me poezi dhe me përralla për fëmijë, por edhe pas shumë lirikave për të rritur që herë pas here i publikon në fejsbuk, e sidomos pas librave studimorë për letërsinë për fëmijë, por edhe librave të tjerë monografikë, e pasuroi opusin e vet, por edhe të letërsisë sonë në përgjithësi, edhe me një libër të vlefshëm, i cili do të duhej të bëhej pronë e më shumë lexuesve si një thesar i veçantë. Fjala është për antologjinë e poezisë shqipe për fëmijë e të rinj, me titull simpatik dhe intrigues “Ku frymojnë ëndrrat fëminore”, botuar para pak kohe nga Shtëpia botuese Mediaprint në Tiranë,

    E paralajmëruar më parë nga autori, kjo antologji zgjoi kureshtjen e lexuesve dhe të atyre që merren me krijimtarinë letrare për fëmijë e të rinj në radhë të parë për faktin se ajo pritej nga një shkrimtar i dëshmuar për vlera të mirëfillta letrare për fëmijë, sidomos në poezi dhe në shkrimin e përrallës, por edhe për kontributin e veçantë në fushën e studimit të letërsisë sonë për fëmijë dhe jo vetëm të asaj. Xhahid Bushati është autor i shumë përmbledhjeve me poezi për fëmijë dhe i përmbledhjeve me përralla, por edhe autor i disa librave studimorë në fushën e krijimtarisë letrare për fëmijë; është i nderuar me disa çmime të shumta letrare dhe aktualisht është njëri prej autoriteteve të çmuara në fushën e krijimit dhe të mendimit për letërsinë tonë për fëmijë dhe të rinj. Përvç kësaj, Xhahid Bushatit duhet  përmendur dhe duhet  t’i jemi falënderues si opinion lexues, por edhe si kulturë kombëtare në përgjithësi edhe për disa libra të tjerë me të cilët ai shpalos shpirtin e vendlindjes së vet Shkodrës nëpër vite, nëpërmjet shkrimeve për shumë figura të shquara të fushës së letërsisë, aktrimit, muzikës, të artit në përgjithësi, madje jo vetëm të këtyre fushave, por edhe institucioneve siç është teatri, si dhe shkrimeve për të shquar të tjerë që kanë lënë gjurmë në jetën tonë kulturore, shkencore etj.

    Puna në sajimin e një antologjie të krijimeve letrare, qoftë në prozë apo në poezi, është me shumë përgjegjësi, ngase ajo mund të ketë mirëkuptime, por edhe keqkuptime nga lexuesit e veçmas nga krijuesit letrarë, meqë iu ofrohet shijeve dhe pritjeve të ndryshme. Kjo do të ketë qenë aq më e vështirë për antologjinë e poezisë shqipe për fëmijë e të rinj, meqë në këtë fushë, që nga fillimet e deri sot, kemi një armatë të tërë krijuesish të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të çmueshëm.

    Autorit me njohje dhe me përgatitje çfarë ka Xhahid Bushati është vështirë t’i shpëtojnë të pavërejtshme vlerat e njëmendta. Kjo ishte pritja e parë që do ta ketë pasur lexuesi nga antologjia e poezisë shqipe për fëmijë e të rinj, hartuar nga ai. Ai këtu fokusohet në krijimtarinë tonë poetike moderne për fëmijë dhe të rinj. Përfshin autorë të njohur për përkushtimin e tyre dhe për rezultatet në krijimitari, duke filluar nga brezi i parë i shkrimtarëve, të cilët e çuan më tej atë që ishte nisur nga rilindësit, si Qamil Guranjaku, Spiro Çomora, Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha, Bekim Harxhi, Anton Çetta etj., e deri te brezi shumë i frytshëm i shkrimtarëve, si Bedri Dedja, Odhise Grillo, Vehbi Kikaj, Xhevat Beqaraj, Ismail Kadare, Rifat Kukaj, Dritëro Agolli, Adelina Mamaqi, Agim Deva, Ymer Elshani etj). Përzgjedhja e autorëve dhe poezive që bën Xhahid Bushati për antologjinë e tij kalon nëpër një sitë shumë të shpeshtë, të mëndafshtë do të thoshim. Nga ajo rrodhën  58  poetë me vlerat e tyre poetike. Në këtë mënyrë, autori Bushati lan një borxh ndaj krijimeve që i ka pëlqyer dhe i ka regjistruar në mbamendjen e tij gjatë leximeve. Këtu janë përshirë shkrimtarët që shquhen në krijimtarinë poetike, përkatësisht ata të cilët krijimtaria poetike i bën të njohur në letërsinë për fëmijë, tek të cilët poezia dominon si lloj më i suksesshëm letrar i tyre, pavarësisht se ndonjëri do të ketë shkruar me sukses edhe tregimin, romanin apo dramën. Për këtë arsye në këtë antologji ndoshta mund të mungojë ndonjë emër i njohur në letërsinë tonë për fëmijë për shkakun se, sipas vlerësimit të autorit, do të jetë i më njohur në një lloj tjetër të krijimtarisë letrare për fëmijë e të rinj. Me këtë problem jam ballafaqur edhe vetë gjatë sajimit të një antologjie pak më ndryshe të poezisë shqipe për fëmijë e të rinj (Kuvendim poetik, 2010), për çka janë dhënë disa sqarime të nevojshme që në parathënie.

     Ajo që bie në sy posaçërisht për të mirë është se autori i kësaj antologjie vëren dhe përzgjedh poezi vërtet antologjike të autorëve të përfshirë. Ndërton dhe respekton një koncept unik për të gjithë autorët, duke dhënë shënime biobibliografike për ta dhe duke përzgjedhur një krijim poetik nga secili. Shënimet biobliografike jepen përafërsisht në vëllim të njëjtë, sipas një skeme të caktuar. Ndërsa ajo që posaçërisht bie në sy për të mirë dhe është më e rëndësishmja, është përzgjegja e suksesshme e vlerave që prezantohen këtu.

    Në veshin e ballinës së përgatitur bukur artistikisht autori jep një poezi të Odhise Grillos, e cila përseritet prapë në antologji, mirëpo këtu jepet që në fillim të librit, si një krijim përfaqësues i llojit të krijimit letrar. Ndërkaq në veshin e shpinës së kopertinës jepet një fragment – sintezë e autorit, ku thuhet: “Antologjia poetike përfshin 58 krijues shqiptarë të cilët, me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë në fushën e poezisë shqipe për fëmijë dhe të rinj. Gjeografia e kësaj antologjie përfshin autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia  Gjermania, SHBA-ja etj.  Kjo antologji, krahas karakterit njohës, shpërfaq kontributet e çmuara të krijuesve shqiptarë, ku shumë prej tyre iu kushtuan posaçërisht poezisë shqipe për fëmijë e të rinj. Nuk mund të mohohet kurrsesi vlera e poetëve që erdhën nga poezia për të rritur dhe plotësuan e dritësuan më tej portretin e letërsisë shqipe dhe të kësaj antologjie.”

     Përveç shumë autorëve të njohur, të cilët janë të pakapërcyeshëm në sajimin e çfarëdo antologjie të poezisë sonë për fëmijë e të rinj, bie në sy, po ashtu, edhe një qasje e përgjegjshme edhe ndaj disa emrave e vlerave të cilat nuk na ka rënë shumë të përmenden kohës së fundit, por që i takojnë poezisë sonë për fëmijë. Të gjendet në këtë përzgjedhje edhe emri i Drago Siliqit, ta zëmë, për shumëkë mund të ishte e papritur, meqë ai ka kohë që ka shkuar në amshim në mënyrë tragjike dhe nuk është përmendur aq shumë së paku si krijues për fëmijë, por kjo nuk i ka shpëtuar njohësit të shkelqyeshëm dhe përcjellësit të vëmendshëm të zhvillimit të poezisë sonë për fëmijë, Xhahid Bushatit. Madje, kur shihet  me çfarë poezie  prezantohet ai këtu, lexuesi s’ka si të mos e pëlqejë këtë përzgjedhje. Ngjashëm, befasi e këndshme, del të jetë edhe prezantimi i Toni Papuçiut, pastaj edhe i Ledia Ikonomit Bostic, e cila pas disa kontributeve në letërsinë për fëmijë, ka kohë që jeton në Perëndim dhe nuk është përmendur aq shumë nga kolegët shkrimtarë, as nga kritikët studiuesit e letërsisë për fëmijë. Edhe pse lexuesi i vëmendshëm do të ketë informacionin për fatin dy shkrimtarëve të përmendur dhe si rrjedhojë edhe për krijimtarinë e tyre të këputur herët, kur sheh me çfarë krijimesh përfaqësohen ata, gjithsesi do ta admirojë autorin dhe do ta plëlqejë përzgjedhjen. Kështu lexuesi do ta vërtetojë edhe më mirë qasjen dhe njohjen e mirë të lëndës nga autori, i cili këtu na del një arkivist i vlerave të cilat nuk harrohen nga lexuesi i vëmendshëm, sado që duhet të mirëkuptohet edhe subjektiviteti i tij si hartues i kësaj antologjie. Ai bën përzgjedhjen edhe të autorëve, edhe të krijimeve poetike,  përcakton vëllimin e antologjisë, duke i marrur të gjitha përgjegjësitë, bazuar para së gjithash në njohjet dhe vlerësimet që ka. E, Xhehaid Bushati, edhe me këtë libër, si edhe me libra të tjerë studimorë i jep një kontribut të veçantë mendimit kritik dhe studimor për letërsinë për fëmijë e të rinj. Edhe këtë, si edhe shumë shkrime të tjera të kësaj fushe, ai i shkruan me kompetencë, me përkushtim dhe dashuri,

    Këtë antologji e bën edhe më të pëlqyeshme edhe përgatitja artistike jashtëzakonisht bukur, si dhe shtypi cilësor, për çka meriton mirënjohje dhe lëvdatë të posaçme Shtëpia botuese “Mediaprint”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË