Libri poetik “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” është vepra më e re që flet për jetën dhe kodet shpirtërore e jetësore të shkrimtarit Visar Zhiti. Një libër, ku jeta sfidon vdekjen! Nga pikëpamja tipologjike, libri që në rrënjën e tij, sot në ardhjen e këtij botimi, në rrugëtimin e tij përfaqëson aktin e fisnikërisë së Visarit, dëshminë tronditëse të tij, ku edhe në kushte shnjerëzore e anarmole, poeti gjeti forca për ta qëndisur poezinë me dinjitet, vlerë e rrezatim.
Libri “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” e ka një rrugëtim dhe ky udhëtim ishte i vështirë… (Edhe vetë ky udhëtim ishte pjese e biografisë së autorit). Më parë ishte i fsheshur, ishte moskomunikues (komunikonte vetëm me poetin, me shpirtin e tij), pastaj i munguar për letërsinë shqipe, mund të kishte fatin e humbjes, të rrëmbimit, të vdekjes e të djegies; në fund libri poetik doli i dritësuar (pra i botuar). Për problematikat dhe veçoritë poetike që sjell, plotëson e thellon më tej portretin e krijimtarisë së autorit, njëkohësisht është një pasuri e vyer për letërsinë shqipe, veçanërisht poezinë shqipe për këtë dimension të munguar që duhet të përbëjë një optikë të re studimi për studiuesit dhe kritikën letrare.
Libri i poetit Visar Zhiti na paraqet një realiteti të pazakontë e trishtues, me shumë rrafshe e botë panjohësie e rrathë ferri. Kjo është arsyeja që është i domosdoshëm për t’u njohur, sepse pasuron të vërtetat reale, jetësore e poetike në kulturën shqiptare. Pasqyron një epokë, dhe kjo është arsyeja që libri në vetvete është një enciklopedi.
Me Autorin e këtij libri të çmueshëm kam një njohje prej afro 50 vjetësh. Edhe në këto caste për Visarin më vërshojnë kujtime pafund… Unë isha student në vitin e parë, ai ishte student në vitin e tretë. Ishim në një rreth letrar të Universitetit (atëhere Instituti i Lartë Pedagogjik), të Klubit të rinisë “Heronjtë e Vigut”. Më pas, pas ca vitesh ai ishte mësues në Kukës, më pas, pas ca vitesh unë erdha mësues në Kukës. Ai ishte në një zonë të thellë të këtij rrethi, ashtu siç isha edhe unë në Buzëmadhe, më larg se Visari. Dhe kujtimet, qoftë edhe në heshtje vazhdojnë e vazhdojnë, përsëri, ta thonë fjalën e tyre…
Krijimtaria e Visarit reflekton në shumë plane. Në mënyrë të veçantë poezia, e cila që në concept, frymëmarrje, vështrim, strukturë, figuracion, pra, që në zanafillë përmbysi kanonet e realizmit socialist. U bë “problematike” poezia e tij e guximshme. Nuk donin të pranonin konceptin e poezisë së Visarit, mënyrën e shikimit realist të tij, nëntekstin e tij poetik, marrëdhëniet me të përditshmen, me kohën dhe me guximin dhe me lirinë e shumëëndërruar që aspironte dhe që e mbarte poezia e tij. Poezia e Visarit kishte një domethënie e poetikë që sfidonte kohën ogurzezë dhe i hapte udhë shpirtit të lirë dhe lirisë së munguar dhe të shumë dëshiruar… Kjo ishte arsyeja që në jetë shumë ëndrra ia vranë, por jo të gjitha. Nuk mundën dot t’ia vrasin shpirtin e Lirinë e vargun e poezisë.
Këto ishin përshtypjet e para që më rajvizoheshin para syve të mi, teksa lexoja me vëmendje librin “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” të mikut tim të çmuar, Visar, dorëshkrime të shtrenjta të cilat folenë së pari, mes netëve të zeza, e kanë ndërtuar në 11 fletore. 11 fletoret me shenjtërinë e tyre janë një kapitull i rëndësishëm i jetës dhe i kauzës së poetit Zhiti, kauzë që nuk u tjetërsua, u bë e shtrenjtë dhe vazhdimisht fitoi hapësira, e kohë pas kohe edhe sot e në vazhdim, ajo gjithashtu fiton ridimensionime lirie e flet me gjuhë lirie.
Duke njohur poezinë e Visarit dhe ato të 11 fletoreve, po përmend disa karakteristika të poetit, dhe risitë e tij që sjell jo vetëm në këtë libër por edhe në poezinë shqipe.
Së pari, Koha dhe vendi ku u shkruan, errësira dhe egërsia kishin ngritur mbretërinë famëkeqe të vdekjes. Përmes kësaj dramatike dhe tragjedie shekspiriane, tek autori ndriçonin parreshtur: frymëzimi, shpirti i lirë dhe liria e shumëdashuruar; jeta, shpirti dhe ëndrra.
Së dyti, dëshmia poetike që po linte, ishin pjesë e testamentit të poetit, që nuk po ia linte vetes, por Atdheut, të sotmes e të nesërmes, brezave të ardhshëm, etj. Dëshmi e një kohe të egër dhe të çmendur me një pasqyrim realist. Me vargjet e tij plot kontraste, ai sfidonte kohën ekzistuese.
Së treti, edhe në atë ditë e jetë të përditshme neverie e të humbur, e të pagjallë; Visari gjalljen e tij e jetonte dhe e përjetonte me vargjet e tij brilantë, si: ““Në majë të këmbëve, mbi dyshekun e vjetër / Në frengji zgjatem me mundim Sizifi, / Se dua të shoh pakëz jetën / Nga një e çarë xhami si e çarë shpirti.” (“Pak qytet”, f. 54)
Së katërti, figura e Nënës është e pranishme në shumë poezi të autorit. Është një marrëdhënie e pasqyruar me një alkimi të përjetshme. Tonet e tij të buta, drithëruese, që i japin madhështi figurës së nënës e çojnë atë deri në piedestalin e adhurimit.
Po citoj një poezi mrekullidhënëse si shumë poezi të kësaj natyre në këtë libër fondamental:
“Në një vitrinë të bardhë
Pashë imazhin e borës së parë.
Dhe bleva një palë dorashka
Për nënën time
Në qytetin e vogël
dhe të largët.
(Për duart e nënave nuk mjaftojnë as hapsirat
Unë dhe diellin, po të mundja,
Do ja çoja si varsë.)
Atë ditë më arrestuan.
Asgjë nuk i dërgova.
Në duart e mia – pranga,
Në të gjitha vitrinat;
Në të gjitha borërat.
Ç’u bënë dorashkat?
Ku humbën, s’e di.
Ndoshta i shqyen ekspertët a ndoshta i flakën
Bota e zhveshur mbërthi.
Oh, si do jenë mavijosur duart e nënës!
Çojini asaj
Qyrkun magjik të përrallave!
Zgjidhini
Më të mirin, më të madhin e mangallave!
Mbi komodinë
Pranë shtratit
Vërini reflektorin modern!
Ajo,
po nuk u lirova unë,
ftohtë do të ketë përherë.
(Dorashkat e nënës, f. 42-43)
Së pesti, do të ndalem tek shpirti i poetit, edhe kur është i padukshëm është i dukshëm. Në çdo poezi ka vënë shpirtin e tij, pra janë poezi shpirti, të një shpirti delikat, nazik, human, njerëzor… shpirt i një poeti të vërtetë, që jetonte në një ferr dantesk. Te kjo poezi që do citoj, shihen qartë: raportet etike dhe estetike, të mënyrës së ndërtimit dhe kompozicionit të poezisë, krahasimet e befta edhe fëminore, dhimbja, loti, plaga, errësira, rrezja e dritës e drita e shpirtit …
“Një flutur
me krahë të mëdhenj
erdhi nga dritarja dhe qëndroi mbi jastëkun tim
si qëndismë.
Gjithë ato ngjyra fërgëllonjëse
Më solli me flatrat.
Të isha fëmijë
Do vizatojë fëmininë.
Po pse m’u duk si pullë poste,
Apo nga që më kanë ndaluar korespondencën?
( ***, F. 517)
Në përfundim, poezia e Visar Zhitit, krahas dramës dhe përjetimit dramatik, është një dëshmi autentike me vlera artistike jo vetëm ku u krijuan, por njëherazi edhe të një komunikimi me botën e jashtme, ku sistemi i instaluar padrejtësisht ia kishte privuar.
Visar Zhiti ishte dhe mbetet një karakter fisnik. Fisnikëria rrezaton edhe në këtë libër të çmueshëm, ku gëlojnë impulse jete dhe dashurie. Impulse jete dhe dashurie që në përditësinë e jetës mungonin, por në këtë libër rrezatonin fuqishëm, për të mos vdekur. Ishin vargje që i jetonte Liria.
Shkodër, maj, 2022