E vërteta dhe romani janë bashkë, aq sa e vërteta është roman dhe romani është i vërtetë, teksa fantazia e jetës me fantazinë e shkrimtarit pleksen për të dhënë një vepër kujtese, por letërsia e tillë është e gjithë, kujtesë e bukur, do të thosha.
Pashko R. Camaj, pas botimit të librit autobiografik Porosia e kullës nga “Onufri”, ku rrëfeu “jetën e tij nga fillimi e deri aty ku është sot, një doktor në shkencat shëndetësore dhe funksionar i rëndësishëm në shtetin e Nju-Jorkut”, siç shkruan në parathënie shkrimtari Besnik Mustafaj, siç duket ndjeu së brendshmi të rrëfejë tani për të tjerë, që janë si vetet tona të tjera veçanërisht në letra. Por më shumë se aq, të mbartë edhe “brengën” e tyre.
Ai i beson rrëfimit, të vërtetave që mbart si një kulturë që mbase mitikisht i erdhi si frymë dhe fjalë nga odat e burrave në kullat e malësorëve shqiptarë atje në Mal të Zi, nga lutjet e nënave, nga eposi i rapsodëve ballkanikë e deri edhe te metropoli amerikan që është plot me befasi dhe habira metamorfozash domethënëse, me lajme dhe art të madh.
Gjithsesi, autori ndjeu se i duhej tashmë rrëfimi nga Shqipëria, ku ai, edhe pse nuk ka jetuar atje, e ka në gjak, në psikikë si porosi, si fantazi dhe kronikë, qoftë edhe e pashkruar ajo, si dhembje dhe legjendë, si një kthim kolumbian për të zbuluar jo Amerikën, por dheun amë.
Nëse në veprën e mëparshme kujtimet e doktor Pashko R. Camajt u “lexuan si një roman”, tani ai sjell një “roman që do të lexohen si kujtime”, me retrospektivat e munguara.
Duket se më e rëndësishme për doktorin është rrëfimi, jo vetëm si një dëshirë, por edhe si një domosdoshmëri, si një dëshmi, duke e parë edhe si ndërgjegje, pastrim të saj edhe te personazhet, që të merret ajo forcë shpirtërore për të mos u përsëritur mëkatet dhe më lart akoma, si një pajtim hyjnor i vetveteve me qiellin. Kështu, për të ndihmuar jo vetëm me profesionin e vet si doktor i shëndetit publik, por edhe si shkrimtar, që, edhe pse nuk janë e njëjta gjë, ngjajnë a mbase janë. Dhe mënyrë e mirë, më sipërania shpirtërisht do të ishte një rrëfim i gjatë, tronditës, një roman tjetër.
Pastaj rafinaturat romanore, ashtu si stili, vijnë vetvetiu. Po a kërkohen a veç duhet t’i kesh? Po është edhe kujtesa mahnitëse e leximeve, por edhe arkivi digjital… Rëndësi ka lexuesi.
Dhe Pashko R. Camaj vazhdoi si më parë, shkroi në anglisht romanin When Eagles Cry, që në shqip e nxjerr prapë “Onufri”, me kujdesin dhe përkushtimin e themeluesit të saj, Bujar Hudhrit.
Një brengë në dy rrugë
Në romanin Brenga të Pashko R. Camajt janë dy rrëfime paralele… me një si hijezim përsipër, si të asaj pemës së gështenjës të vendlindjes së personazheve.
Janë dy shokë, djem të rinj që kujtonin se nuk do t’i ndante asgjë, por u ndanë aq dramatikisht, aq gjatë dhe aq larg, gati gjithë jetën dhe me fate të kundërta si realitetet e tyre – njëri që do të rrezikonte në arratinë drejt parajsës, në lirinë dhe mirëqenien jashtë dhe tjetri që do ta hidhnin në ferrin e burgjeve brenda.
Fati dhe fataliteti. Që njëri nga shokët arriti ta ndryshonte, ndërsa tjetrit ia ndryshuan pa rrugëdalje.
Paralele që s’e presin njëra-tjetrën, që s’e di pse, më kujtojnë shinat e trenit, të një treni ngjarjesh do të thosha, meqenëse po flasim për rrëfime letërsie, ku çuditërisht ndodh ndryshe, paralelet edhe bashkohen, i bashkon lokomotiva e guximshme e krijimit artistik – le ta vazhdojmë krahasimin – me vagonët që tërheq pas, me personazhe që hipin dhe zbresin nëpër stacione si në kapituj romanesh.
E di që doktor Pashko R. Camaj udhëton shumë me tren nëpër Nju-Jork për të shkuar në punë, sheh njerëz që lexojnë, ashtu si dhe veten dhe këtu do t’i ketë lindur ideja për një libër me udhëtime, me ikje, me rreziqe që jo pak ka kaluar edhe vetë, por edhe ka dëgjuar që edhe të tjerë kanë kaluar shumë e më shumë dhe më të rënda. Nga bashkatdhetarë, natyrisht. Sidomos me ato udhëtimet brenda vetes. Që të mos harrojmë. Pa kujtesë jo vetëm që s’është askush, por nuk ka as popull, as kohë. Duhet medoemos rrëfimi. Si shkencë dhe art… si roman.
Ashtu si edhe dashuria njerëzore. Që sa e vështirë ishte në Shqipërinë me dy diktatura të mëdha, atë komuniste dhe atë të varfërisë. Miqësitë e mëdha do të ishin të rralla, do të kishte të vërteta, por edhe të kollajthyeshme, të brishta dhe të ashpra dhe mashtruese ashtu si edhe vepronte realiteti që bëmë. Mjerisht, miqësitë do të kishin rëndesa politike. Dukej e pamundur miqësia e një të përndjekuri, e një familjeje të tillë, me një që ishte me përndjekësit, i një familjeje të atillë. Gjendej edhe poezi që i miqësonte të rinjtë, aq sa ajo nuk bëhej politikë e ditës apo nuk ndërhynte policia politike për t’i prishur, edhe me ndihmën e njërit nga miqtë.
Doktor Pashko R. Camaj zgjodhi të bëjë romanin e miqësisë së dy shokëve, të tëhollojë alternueshëm ndodhitë e mëpasshme të ndërprerjes brutale të saj. Dy bashkëfshatarëve nga një vend i Veriut tonë, Tonini nga familja e Mirakajve, e njohur për patriotizmin dhe persekutimin – z. Tonin Mirakaj është i vërtetë, jeton në Nju-Jork, ka moshë të thyer, autori e ka takuar – dhe tjetri është shoku i tij, Marku, i fantazuar i gjithë, që është si ata që vuajtën burgjeve politike të diktaturës si kundërshtarë, madje Marku i romanit nuk bëri ndonjë vepër penale politike, ai thjesht donte të mbetej mik dhe nuk mundi të merrte dot që në krye të herës formatin e përçudnuar të njeriut të ri që kërkonte Partia-shtet.
Në natën e fundit, që s’e dinin se do të ishte e tillë, kur dy miqtë ndahen, njëri i jep tjetrit një kryq. Jemi në kohën kur feja do të ndalohej me ligj, që do të prisheshin tempujt e besimit, kishat e xhamitë do të ktheheshin në kinema, në magazina e depo armësh për ushtrinë, kur klerikët do të burgoseshin apo edhe do të pushkatoheshin.
Duke i dhënë shokut kryqin si shenjë miqësie, besimi e qëndrese, ai, pa e ditur, sikur i ndolli edhe mundimet e Rrugës së Kryqit, Golgotën e së ardhmes. Ndërkaq, kishte nisur përçarja mes njerëzve, disa po shenjoheshin të ishin fatzinjtë e diktaturës dhe disa po paracaktoheshin të ishin si fatbardhët e diktaturës.
Përgjegjësia mbetej e gjithsecilit.
Ankth, entuziazëm, partizanë kur lufta kishte mbaruar, fitore, gjyqe mizore, kafkiane, vrasje, tmerre, spiunë të gjithçkaje, dhunime…
Komunistët na kanë vrarë çdo shpresë. Dhe jo vetëm për ne, por për gjysmën e këtij kontinenti. Dhe të jesh një Mirakaj me komunistë në pushtet, do të thotë të jesh i vdekur, – i thotë Toninit i ati para se të marrin udhën e arratisë.
Ndërsa Markut në burg një prift ortodoks, Petroja, që fshehurazi mbante edhe fletë të Biblës, do t’i thoshte: …të pranosh fatin tënd është shenjë force, jo dobësie. Është një rrugë që fillon duke pranuar se gjërat ndodhin, duam apo jo...
Ndërkaq, familja e Toninit mori guximin të sfidonte fatin, arratisen, u ikin kthetrave të tiranisë komuniste, jo vetëm kaq, marrin edhe fluturimin drejt ëndrrës amerikane. Një odise plot rreziqe, nga malet e Iballës, përmes kampeve të ftohta të refugjatëve në Jugosllavi e Itali dhe deri te dritat e Nju-Jorkut. Por edhe Marku me familjen pati guximin të qëndrojë dhe të përballojë të keqen në vend, sfida e tij është infernale.
Liria e Toninit nuk do të jetë e mjaftueshme, ajo ka brenda brengën, atë kompleks faji për ç’la pas mbas ikjes, një si hije të gështenjtë braktisjeje për mbijetesën. Ai s’e di që vëllai i tij i shpirtit, Marku, mbetet burgjeve edhe si ndëshkim i arratisjes së tij.
Rëndësi merr ndjenja, se çfarë ndien, ajo je. Kjo është vlera thelbësore e këtij romani, sipas meje.
Marku tashmë është heroi tragjik në ferrin e burgjeve famëkeqe të Burrelit dhe të Spaçit, në minierat ku trajtohen si skllevër. Megjithatë, historia e Markut nuk është vetëm histori vuajtjeje, por edhe e qëndresës njerëzore. Dinjiteti mund të ruhet edhe kur trupi shembet dhe se besnikëria ndaj një njeriu tjetër si ndaj vetes mund t’u mbijetojë dekadave të torturës. Po ai tjetri a ka faj? Ç’mund t’i bëhet kësaj brenge?! Që të vjen nga tjetri si vetja…
Më shumë se rrëfimin e dy rrugëve, më e rëndësishme është ndjesia që përftohet prej tyre – ndjesia që përjetojmë, e përsëris, është përcaktuese në një vepër letrare, kështu besoj – që edhe nëse nuk ka për qëllim zbërthimin psikologjikisht a estetikisht të saj etj., ajo kthehet mrekullisht në etikën e qëndrimeve dhe veprimeve, se në fund të fundit jemi më shumë ajo që bëjmë se ajo që themi.
Vepra e Pashko Camajt është qëndrim edhe i fuqishëm. Si shkrimtarí mund të them se përgjithësisht ka një si përzierje të stilit të një kronike me të folurën e njënjëshme të fatthënësit, plot me detaje romanore. Sa shumë çliruese janë në roman ato skenat epiloguese atje te pema e gështenjës së vendlindjes, ku dhe filluan, ngjashëm tani me imazhe të filmave hollivudianë.
T’i besojmë ndjenjës!
Ikjet dhe dënimet… Çështje morale me rëndësi
Nga koha që lamë, autorë të ndryshëm zgjedhin realitete të ndryshme për të shpalosur, ashtu siç shpalosim ne librat e tyre.
Ata që u sunduan nga realizmi socialist shohin më shumë triumfin e rendit, propagandimet e tij të bujshme, unitetin forcërisht, rreshtat dhe brohoritjet, statistikat e një progresi të dyshimtë, ekonomi që për t’u rritur rrënon një popull etj., duke shmangur kështu edhe progresin tjetër, atë të luftës së klasave, përçarjes kombëtare dhe të varfërisë dëshpëruese, të shumanshme, gjenerale.
Doktor Pashko R. Camaj nga Shqipëria që lamë, mes festës dhe makabritetit, zgjodhi, pra, jo rastësisht, të rrëfejë burgjet dhe ikjet, siç duket këto dhe mbeten si arritjet më të rëndësishme të asaj epoke.
Trajtimi dhe mënyra si i sheh, optika e tij, kanë jo vetëm largësinë kohore të nevojshme, po ashtu edhe atë gjeografike, që sigurojnë një paanshmëri, besohet, përveçse ai është shkrimtari, ndërgjegjja dhe përgjegjësia s’mund ta lënë mënjanës. Ai është me ata që përndiqeshin e vuajtën dhe jo me ata që përndiqnin e duan të shkaktojnë vuajtje edhe sot.
Kur flasim për burgjet politike, nuk duhet të nënkuptojmë vetëm njerëzit e burgosur, gjë që s’e durojnë dot të gjithë, por cilësinë e lirisë njerëzore të mohuar. Një qasje e ndjeshme ndaj asaj është rikthimi i historisë në empati, të imagjinosh dhembjen, frikën, lirinë, por edhe të tashmen si ëndërr e tyre. Dhe ta ndiesh si projekt tonin të përbashkët.
Psikologu i njohur i traumës, Viktor Frankl, vetë i burgosur në kampet naziste, shkruante: “Ai që ka një ‘pse’ për të jetuar mund të përballojë pothuajse çdo ‘si’.”
Nga përvojat e skajshme mund të kuptohet se ata mbajtën dinjitetin brenda një realiteti mizor. Dhe kjo i shërbeu dinjitetit të gjithë shoqërisë.
Ish-të burgosurit politikë, Marku i romanit me bashkëvuajtësit e tjerë, nuk janë vetëm viktima, por edhe kundërshtarë të së keqes së përbashkët, bartës të një historie të dhembshme, të një traume, shpesh të brishtë psikologjikisht. Kur shoqëria i gjykon vetëm si “të fortë” ose “heroikë”, apo me kahun tjetër cinik, akoma më cekët se “ashtu ishte koha, pse shkelën ligjet e saj” etj., kuptohet se nuk kanë kapur fare nga dhembja e tyre e brendshme, që është dhembja e njeriut.
“Për të kuptuar dikë, duhet të ecësh me këpucët e tij”, – kjo është Empatia e Platonit në një kuptim praktik.
Doktor Pashko R. Camaj ka veshur edhe çizmet stoike të të burgosurit, që me dhunë e detyruan të punonte në minierat e ferrit, por ka vënë mbi supe edhe flatrat drithëruese të atij që merr arratinë për t’i ikur së keqes.
Romani ka kujtesë. Dhe nuk duhen medoemos amnezia penale e as glorifikimi automatik.
Burgjet e Burrelit dhe të Spaçit, qelitë e akullta, mizoritë, revolta, shtypja, vrasjet në veprën e Pashko Camajt nuk janë vetëm dëshmi, por edhe akuza, edhe sfidë kundrejt asaj utopie që ushtroi dhunë duke vazhduar disi edhe sot dhe nga ata që shpërdorin fjalën. Jo vetëm shkrimtarë, por edhe shumë filozofë dhe teoricinë të politikës, p.sh., Hannah Arendt me Banalitetin e së keqes, na mësojnë se jo gjithmonë “e keqja” është monstruoze; shpesh ajo është e përditshme, e rutinës dhe kjo e bën gjykimin më kompleks.
Të gjykosh një njeri nuk është të urresh të kaluarën e tij, por të kuptosh rrethanat dhe psikologjinë e zgjedhjes që e sollën aty ku është… Po kështu dhe për një popull. Kështu duhet të ndodhë edhe me librin e historisë. Pse jo dhe me romanin…
Ngulmim te ndjeshmëria
Duhet të emocionohemi deri në magjepsje. Jo vetëm me veprat e artit. Po edhe si tek ato.
Romani i Pashko Camajt ka tension ndjeshmërie dhe duket se këtë kërkon të bëjë edhe te lexuesi. Te njeriu… Empati… dhe të kuptuarit se sa afër ose sa larg mund të ishe vetë nga zgjedhjet ekstreme të kohës.
Të kthyerit e gjykimit jo vetëm për dënim ose falje, por për ndjeshmëri, është edhe misioni i shkrimtarit.
Duke parë muret e burgjeve dhe në faqe romanesh, të ndiesh ende ftohtësinë dhe frikën, urinë dhe heshtjen, braktisjen nga njeriu etj., këto janë edhe kujtesa për atë që mund të na gjente, po të harrojmë. T’i ikësh së keqes, kthetrave të saj, duhet një arratisje… si akt, por edhe si akt artistik.
Të shumtë janë ata që arritën të iknin, të shpëtonin jetën nga diktatura dhe vetvetja që mund të bëhej nën diktaturë: i shtypur ose, më keq, shtypës.
Të ishe i lirë, i pakërcënuar, me mundësira pasurimi me punën tënde, nuk ishin të mundshme në dheun amë.
Në romanin e Pashko R. Camajt mendoj se është risi ndjenja ambivalente që na shkaktohet prej personazheve që ikën dhe që mbeten, një përzierje mes gëzimit për jetët e shpëtuara dhe pezmit për vuajtjet dhe padrejtësitë e vazhdueshme, edhe nga shkaku i njëri-tjetrit.
Të arratisurit politikë ndodhte të përjetonin në botën e lirë një si kompleks faji, atë të shëlbimit kur të tjerët masakroheshin në atdhe, ku të tjerët nuk lejoheshin ta ndienin, duke arritur deri aty sa të shihnin si fajtorë ata që i fusnin në burgun politik dhe jo ata që fusnin, faunën e sundimtarëve…
Prandaj edhe të ngujuarit forcërisht në burgun politik të atdheut kanë një si akuzë për të gjithë…
Mosndjeshmëria
I gjithë romani duket si një qortim dhe moshonepsje ndaj atyre që u mungon ndjeshmëria. Se ka nga ata që lexojnë vetëm veten e tyre, ashtu siç do të donin të ishte ajo dhe të tjerët përreth saj.
Fanatikët e rikthyer nga diktatura, që e dënojnë diktaturën, madje me atë pasionin që e deshën, çuditërisht, nuk mund të përballojnë historinë e vërtetë të atyre që vuajtën. As të veteve që i bënë ata të vuajnë. Çdo gjë e masin me një kompas imagjinar superior, duke besuar se askush nuk ka pësuar aq sa ata dhe asnjeri, po të ishte në rrethanat e tyre, nuk do të vepronte më drejt se ata.
Shpesh atë kompas e bëjnë penë. Mjeshtër të demokratizmit të letrës dhe të hipokrizisë morale. Në formën e tyre parake, si sekretarë e gardianë e spiunë i gjejmë edhe në roman. Ata mund të flasin për lirinë, por nuk durojnë të lirët dhe shpesh shpikin kundërhistori, sepse nuk u pëlqen që dikush tjetër mbart atë që ata nuk mund ta duronin dot.
Këta janë bërë kritikë përçudnues të vuajtjes së tjetrit, ekspertë të dhembjes që nuk e kanë përjetuar.
Konvertit të fanatizmit të dikurshëm i është shtuar aftësia e prapë për të gjykuar gjithçka dhe të mosndjerit të asgjëje, përveç kënaqësisë që kanë kur tregojnë superioritetin kinse moral mbi të tjerët.
Janë gati për të shpallur lirinë si ide të tyre ekskluzive.
Fanatikët e dikurshëm të diktaturës sot e gjykojnë vuajtjen si një spektakël televiziv, romani thjesht duhet të zbukuroje bibliotekën, pranojnë aq dhembje sa edhe Inteligjenca Artificiale.
Miqësia e zorshme me të persekutuarit u duhet tani persekutorëve jo si paqe, por që të kalohet sa më parë tek teprimi që, në fund të fundit, ta lënë rolin e zemërgjerëve, që ligësitë e vetes të gjitha, t’i hedhin jo në burgun e së dikurshmes, por tek ata që njohin dhe kanë qenë të burgosur, kështu ata shmangin vetveten e dikurshme.
Një zgjidhje në roman
A do të ishte zgjidhje shkëputja nga ndjenja apo thjesht të kuisje mbi brengën personale, siç edhe bëjnë duke ia hedhur tjetrit mëkatet e vetes, madje edhe me akuzën absurde për privatizim të burgut. Marku i romanit nuk mburret kurrë me vuajtjen e vet dhe burgu nuk është pronë e të burgosurit, por e atyre që e ndërtuan për të futur njerëz në burg dhe ata janë privatizuesit e tij ose ata që mendojnë: e ashtu duke e pasur burgun brenda mendjes dhe shpirtit të tyre.
Doktor Pashko R. Camaj zgjodhi të tregojë brengën e madhe të një populli, që edhe pse ai pati fatin të mos e jetojë, e përjeton atë si të veten, sepse ndien si njeri dhe shkrimtar. Dhe mban qëndrim. Ajo zbulohet te personazhet e tij.
Në fund, doktor Pashko R. Camaj na rrëfen takimin aq emocional midis ish-të burgosurit politik në Shqipëri dhe ish-të mërguarit politik, të lirë në Perëndim. Dy shokë të dikurshëm, palë të një kohe, të të njëjtit kah, sepse kahu tjetër janë sundimtarët dhe nostalgjikët e tyre sot.
Pala e të burgosurve pritet të flasë për vuajtjet dhe padrejtësitë shtetërore, humbjet, si mbetën pa rini, me fëmijët rrugëve të internimeve, sakrificat dhe fajtorët, ndërsa pala e të arratisurve duhet të tregojë shpëtimin, liritë, arritjet, pleqërinë e bardhë, fëmijët e shkolluar mirë, por edhe brengën, atë ndjenjën e pashprehur të fajit, të pasojave të rënda të atij largimi nga vetë historia që lanë pas.
Çfarë na tregon romani? Ç’kemi pas kësaj? Acarim apo mundësi dialogu të sinqertë? Rizbulime? Gjykim? Apo dhe respekt për të kaluarat e njëri-tjetrit? Të ndiesh, të kesh dhembjen e mirë…
Mendimtari dhe filozofi i psikikës, Carl Jung, thoshte: “Çfarë nuk shprehet brenda nesh, mundohet të shprehet jashtë.” Pra, vuajtjet dhe humbjet që mbajtën ata që mbetën brenda dhe çlirimi që përjetuan ata që u larguan, janë të dyja histori që kërkojnë njohje dhe shprehje, rrëfim, jo krahasime, por shmangie të zilisë. Siç duket, nuk është plotësisht më mirë ose plotësisht më keq të kesh qenë jashtë apo brenda. Çdo rrugë ka çmimin dhe dhembjen e vet.
Liria me brengë e njërit nuk e zhbën vuajtjen kryeneçe të tjetrit. Le të rrëfejnë secili me shpresën duke krijuar një kuptim të përbashkët për të kaluarën nga doli e tashmja që paraprin të ardhmen. Njohja dhe pranimi janë mënyra që të shpëtojmë vetvetet… Dhe të lexojmë patjetër.
Në fund të fundit, nuk ka pasur më mirë apo më keq – mund të thotë i paanshmi i ardhshëm – por rrugë të ndryshme. Dhe një brengë – pasuri e përbashkët. Që pranohen për të ndier një lloj paqeje të thellë, me adhurimin për guximin e të jetuarit, për durimin, zgjedhjet dhe vuajtjet, nga të cilat njeriu i fortë, njëherësh edhe i dobët, nxjerr edhe lumturinë.
Dhe romani sheh me syrin e zemrës, me një ndjesi të sinqertë përbashkuese.
Kur Marku imagjinar i shkruan Toninit real, mes tyre është “brenga” dhe ndjenja që ajo shkakton, por është dhe përgjigjja jonë: Nëse po e lexon këtë letër dhe më kujton, atëherë nuk ka qenë kot. Më kujtohet ajo natë kur më vure kryqin në dorë. E gjeta mënyrën për ta mbajtur me vete për gjithë këto vite, edhe në qeli, edhe nën tokë, atje ku s’kishte as Zot, as kohë. E kam ende… Dhe e përfundon letrën: Jam mirënjohës që ende di si duket qielli… Pikërisht si një poet. Shpik poetin brenda vetes dhe ke për të shpëtuar. Dhe përsiatja vazhdon: Nuk pata kurrë mundësinë të shihja e të jetoja veten që mund të isha. Kur ta vjedhin jetën kaq herët siç ma vodhën mua, mbart me vete dy fantazma: fantazmën e asaj që je dhe fantazmën e asaj që mund të ishe. Kam jetuar me to çdo ditë, në heshtje, vetëm. […] humbur në varre pa emër, në dosje që askujt s’i lejohej t’i lexonte…
Po është romani, më i sigurt se të gjitha. Ndërsaprifti, Petroja, sikur na thotë të gjithëve: Jo, ndjenja e dhembjes dhe kërkimi i fajit nuk të bën të dobët… Të bën njeri…
Gruaja e një bashkëvuajtësit tim në burgun e Spaçit, ku mes nesh kishim edhe Markun e romanit, gruaja e atij poetit që varën në Kukës, Havzi Nela, varja e fundit në perandorinë komuniste dhe do të nisnin ndryshimet… por edhe romani… ajo grua më kishte thënë njëherë se kur ne do të flisnim për dashurinë, atëherë do të ishim çliruar…
Te gështenja e vendlindjes Marku takon edhe Dritën, mësuesen e re. Të dy bien në dashuri. I bashkoi edhe dashuria për librat, por më shumë ndjenja e të qenit të huaj në vendin e tyre dhe akoma më shumë vetë mrekullia shëlbuese e dashurisë.
Të gjithë ndiejnë se historia duhet rrëfyer, sepse e kemi nga një histori, po edhe si një e vërtetë që mund dhe duhet të shërbejë si katarsis, e vërteta na bën të lirë, rrëfimi është dhe akt shprese, të pajtohemi me historinë.
Këtë bën ky roman… Na kërkon të jemi të ndjeshëm, qoftë edhe pa asnjë histori, se na e sjell. Historia jonë jemi ne.
Chicago, vjeshtë e tretë 2025


