More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVasil Vasili: Krijuesen e tregimeve të Esmeraldës nuk e njeh askush

    Vasil Vasili: Krijuesen e tregimeve të Esmeraldës nuk e njeh askush

    Askush nuk e di si u ngjiz estetikisht. Nuk ka prindër që t’ia tregojnë. Akti gjinor estetik ka ndodhur para lindjes së tij. Ka qenë fara e prindërve dhe rastësia që i ka siguruar lindjen estetike. Dhe përsëri, misteri është i fshehur në natyrën e krijimit. Natyra të jep krijimin, por nuk të shpjegon misterin. Mund të ngushëllohesh duke gjetur një rast të ngjashëm në gjerdanin e brezave të tu, por përsëri do të marrësh prej tyre një ide të vagullt. Ajo me të cilën kemi lindur, na krijon, vetëm shpërfaqja dhe futja në ujërat e rrethanave kanë një kuptim të plotë krijimi.

    Krijuesi, në thellësi… të njeriut, është gjithnjë më i ndriçuar se njeriu. Është më i ndriçuar dhe më i plotë se ai punon me tre mekanizma: me logjikën, me misterin që përgatit krijimin dhe me mekanizmin e figurave. Është një bashkëjetesë jo pa probleme. Shpesh, njeriu ndien se ka në përdorim vetëm logjikën dhe pret t’i vijë krijimi. Ai i nënshtrohet pa kushte krijuesit vetëm në çastin e krijimit. Jashtë rrethanave krijuese, njeriu e shpërfill krijuesin me egoizëm, sepse paraqet veten. Sa më pak trysni ushtrohet mbi krijuesin nga njeriu, aq më artist është njeriu në jetë dhe aq më shumë art lind. Sekreti i krijuesve të mëdhenj qëndron në daljen nga rrethanat shtypëse të vetes dhe të shoqërisë.

    Po ta këqyrësh psikikën e Alda Taçe Shpatës, që gjallon në tregimet e saj të shkurtra, do të ndiesh se ajo ngulmon të rikrijohet, por në hapësira të ngushta. Askush nga jashtë nuk ia ka diktuar asaj të rikrijohet në këto hapësira dhe jo në të tjera. Rikrijimi dhe përsëritja janë mekanizmi i jetës, por nuk e shohim përsëritjen, se na del përpara jeta pandërprerë. Rikrijimi është lëvizja e brendshme e njeriut drejt njohjes së vetes.

    Masa ideale e hapësirave ku e vendos personazhin Alda, nuk është më e madhe se një dhomë me perde që hapen e mbyllen vazhdimisht për t’u futur afshi i jetës. Gjithkush mund të thotë se e këqyrim natyrën me sytë e psikikës sonë. Dhe në art i njëjti mekanizëm punon.

    Gjithçka e fortë që na ndodh, është një kujtesë e përsëritur në trajta të ndryshme. Por nuk është vetëm e ndodhura e rastit, është edhe përfytyrimi (e parandodhura) e regjistruar si embrion në psikikë. Shpesh, kësaj i themi talent.

    Dhomat… e personazheve të Aldës kanë lidhje me psikikën e saj, me siguri. Ajo nuk e ndien veten të sigurt në hapësira. Psikika ia dikton dekorin dhe vendndodhjen e personazheve.

    Dhomat i kanë mundësitë edhe për dritë…, edhe për errësirë…, për lirikë dhe për ekzistencë. Alda do pjesën e dendësuar të hapësirave. Një Dhomë e tillë i ka të gjitha. Edhe personazhet plotësuese. Asaj mund t’ia hapësh derën dhe personazhet mund të shohin ç’bëhet jashtë, por mund ta këqyrin hapësirën si një gjë jo domosdoshmërisht të nevojshme. Mund të gjejnë diku, në prag, një personazh cytës. Ai mund të ketë qenë në inventarin e Dhomës, por ka dalë përkohësisht. Dhoma Artistike e Aldës i ngjan një teatri shëtitës, me dekorin e lehtë në shpinë. Të gjitha kujtimet kthehen te shtëpia e fëmijërisë, atje ku kemi pasur dhomën tonë parakrijuese.

    Pse ndodh që kujtimet… kthehen…? Sepse ne i kthejmë natyrës atë që na ka dhënë pa qëllim dhe me të cilën kemi ngritur përfytyrimet. Është një sjellje etike e brendshme e njeriut ndaj natyrës. Ky është një shpjegim i nisur nga e përgjithshmja e njerëzve. Alda ka edhe të veçantën e saj. Ajo ëndërron si lirike dhe ëndrrën e do edhe me logjikë. Kështu është proza e saj. Lirikën e do të lindë nga vetja dhe logjikën e kërkon nga Personazhi Plotësues. Kështu krijohet konflikti lirik i tregimit që ushqehet nga ekzistenca. Të gjitha tregimet e Aldës përshkohen nga ky konflikt.

    Nëse tregimet, në bashkëlidhje me njëri-tjetrin, do t’i nënshtroheshin një shestimi tjetër artistik, libri do të dilte roman liriko-ekzistencial, edhe me ngjyrime nga një etikë e dëlirë, dhe koha do të zinte më shumë vend si e pranishme. Do të shtohej sfondi social dhe përsiatjet etiko-filozofike. E, megjithatë, ajo ka krijuar një personazh të dallueshëm duke u nisur nga vetja, femrën në kushtet e provincës. E dallueshmja e tij vjen nga brendësia e mendimeve dhe e gjendjeve dhe më pak nga veprimet. Ky është një personazh tipik femëror i dalë nga një shkrimtare femër.

    Rrethanat psikike dhe etike janë më të rëndësishme dhe përbëjnë rrjedhën e rrëfimit. Ato janë reflektim, ato shpërfaqen jo për arsye shoqërore, por nga trysnia shoqërore për të plotësuar botën e brendshme që i njeh shoqërisë fuqinë për ta tjetërsuar personazhin e saj.

    Gjithë fuqia artistike e Aldës shprehet në grishjen që i bën personazhit për ta kthyer përsëri në Dhomën e saj Artistike. Ajo tregohet idealiste. Dikur ata janë mirëkuptuar, por, sapo personazhi doli jashtë Dhomës, ajo ndjeu se e humbi. Ai tani është një tjetër personazh që do punë të rikthehet në rolin e mëparshëm. Të dalësh jashtë… është edhe një lloj humbjeje.

    Personazhi i Aldës që udhëheq rrëfimin, është gjithnjë femër, pavarësisht në ç’plan e vendos. Vendi ideal i këtij personazhi është dhomë shpirtërore që këqyr qytetin provincial. Qyteti mund të jetë në një çip rruge, në një ballkon, një hyrje në kat të shtatë, një stacion treni. Shpesh, qyteti është një subjekt i madh që paragjykon, por personazhi gjithnjë është në kërkim të dhomës së tij. Do që ta plotësojë edhe duke i hequr qytetit personazhet nga errësira e tij, madje, duke i hequr, është një trill sa njerëzor aq dhe femëror. Alda ia bashkëngjit estetikës heqjen. Plotësimin e tregimit edhe nëpërmjet heqjes e bën me trille.

    Ajo më shumë se personazhin plotësues josh veten duke e shndërruar pa ndërprerje Personazhin Vete dhe atë Plotësues. Personazhet e Dhomës së saj duken sikur rilindin nga shpirtrat e tyre. Gjendja e tyre është në kapërcyell, është një plazmë e pangurtësuar.

    Personazhi nuk mund të jetë më i lirë se hapësira e lirisë së metodës artistike të krijuesit.

    Ligjërimin ia thadron poetika. Metoda nuk është më pak e ndikuar nga poetika, është fantastike. Ka kalime të shpejta dhe të befta të gjendjeve rrëfimore.

    Prozës tradicionale, nga ky ligjërim dhe nga kjo metodë, do t’i mekej fryma.

    Alda nuk del dot nga psikika (estetika) e saj, me të cilën ka krijuar Dhomën e tregimit. Në një dhomë, dendësia është më e këqyrur. Planet janë më të afërta. Marrëdhëniet më të ngushta. Të gjitha këto janë cilësi të mjaftueshme për një dramë lirko-ekzistenciale.

    Asnjëherë nuk e dimë me përpikëri se çfarë zgjedhim. Ajo që zgjedhim, është shija jonë ideale. Në art, edhe kur thirret e rëndomta në lojë, në mendje, gjithnjë dikton idealja. Arti është loja midis të rëndomtës dhe ideales. Të dyja gjendjet janë të barabarta, veç synimi e kapërcen të rëndomtën.

    Një dhomë është më e shenjtë për një femër sesa për një mashkull. Mashkulli e ndien veten të sigurt në hapësira. Një femër njësohet me një dhomë me ajër të dendësuar aromatik dhe me ngjyra të forta. Ajo e kthen vetvetishëm dhomën e krijuar me mendim në dhomë shpirtërore të saj. Femra banon, më së shumti, në këtë dhomë.

    Femra përherë kërkon të plotësohet nëpërmjet trilleve. Trillet e saj kërkojnë një tokë të pëlleshme me amzën e saj dhe të mashkullit.

    Jemi futur në botën femërore. Diçka e dukshme, vezulluese dhe e pakuptueshme, por krejtësisht e arsyeshme. Arsyen ia ka mëkuar natyra që e krijoi.

    Jashtë Dhomës, në prag, ka një personazh që ka dalë nga dhoma, dikur. Kjo është një pikë ku personazhet e Aldës fillojnë ecjen në kahet e tyre. Por dikur…, më shumë, është një kohë shpirtërore. Ai duhet të futet medoemos brenda. Por një femër nuk është një mundësi e pakufizuar. Ajo është një dëshirë përballë një pasqyre që është vendosur jashtë, te pragu ku fillon një jetë e ashpër.

    Jashtë… ka ligje të tjera që e kanë përpunuar… atë që ka dalë jashtë derës.

    Alda ka mbështjellë rreth trilleve estetikën, përpara gjinisë ka vendosur mbrojtjen duke e përforcuar me personazh. Ai rri gjithmonë te pragu, po aq edhe brenda saj. Personazhi te pragu dhe ai brenda saj vetëm sa kanë vendndodhje të ndryshme. Ata janë të këmbyeshëm dhe të bashkuar për të krijuar rrëfimin. Nuk është e nevojshme të thuhet se personazhet lëvizin si në ëndërr, se ata lëvizin në një poetikë dhe në një qytet provincial. Me tregimet e saj, Alda e ka tejkaluar. Ajo e këqyr këtë qytet si personazh. Ajo vetë është në një qytet ideal.

    Personazhet e Aldës vuajnë sëmundjet e provincës që janë si mola për njeriun. Krijuesja është moderne, por ajo e këqyr qytetin provincial sikur ai të ishte pacienti i saj artistik. Para këtij pacienti, ajo monologon dhe rrallë e nxjerr monologun jashtë. Ndërkohë, në përshkrimin e sëmundjes së personazhit është edhe diagnoza etike.

    Alda ka sjellë botëvështrimin e saj për botën e provincës. Ai është etik. Përveçse e këqyr personazhin si të ishte pacienti i saj, ajo provokon provincën me botëvështrimin e saj. Botëvështrimi i saj në tregim është në shtratin e rrëfimit, po është një shtrat i parehatshëm për personazhin e provincës. Ai shtrat ka shumë dritë për personazhin. Po. Ajo do që t’i nxjerrë në dritë të plotë personazhet, por ato janë provincialë, që fshehin diçka gjithnjë. Nuk ka ardhur koha e tyre për të mos fshehur asgjë. Kjo është një lloj biografie e personazheve.

    Shtrati i rrëfimit nuk përputhet plotësisht me rrëfimin, ai është një rrëfim i brendshëm i rrëfimit, që ka kaluar, së pari, nëpër krijuesin i cili e ndërton si shtrat për rrëfimin. Në tregimet e Aldës, shtrati i rrëfimit i projekton personazhet, pastaj i fut në rrëfim. Jo se ky projektim ka kohë të ndarë nga krijimi, ai është pjesë e pandashme e rrëfimit, gjatë rrëfimit, por ai është i këqyrur në lexim. Ai mban shijen artistike të krijuesit, me të gjithë përbërësit, ndriçon me dritën vetjake personazhet, me atë sasi që ai mendon se duhet t’u japë. Në shtrat është baza e stilit. Shtrati është laboratori. Ai ka lidhje të drejtpërdrejta me psikikën krijuese, është estetika e psikikës.

    Krijuesi është gjithnjë me më shumë dritë se njeriu që e mbart. Ai është shtrati i rrëfimit të njeriut. Njeriu përngjan me rrëfimin që ecën, por që ka nevojë të jetë në një shtrat. Ai e disiplinon rrëfimin dhe i jep ato karakteristika që duhet të ketë sipas një gjedhe estetike. Krijuesit dallohen, para së gjithash, nga shtrati i rrëfimit, i cili rri si dhënës nën rrëfim, por e kontrollon rrëfimin gjer në sipërfaqe. Ai është vetëdija artistike e krijuesit që përpunon të gjithë përbërësit e rrëfimit. Alda ka shtratin e saj të rrëfimit, i cili është shumë veprues.

    Jo të gjithë që shkruajnë prozë, kanë shtrat rrëfimor, madje pak e kanë atë. Shumicës nuk i shkon ndërmend që ai duhet të jetë, që rrëfimi të bëhet tregim.

    Personazhet e Aldës nuk kanë të kaluar historike. E kaluara e tyre është largësia e personazhit nga shtrati me dritë i tregimit që shfaqet në rrëfim. Ajo është një e kaluar që ka marrëdhënie brenda personazhit, jo jashtë tij, një e kaluar që krijohet si largësi nga një mospërputhje etike e shtratit të rrëfimit me personazhin. Provincë është gjithë bota, pavarësisht se ku zhvillohet jeta. Në provincë dhe jashtë saj janë të paktët që jetojnë jashtë provincës. Alda është e vetmja tregimtare që nuk e ka futur në tregim të kaluarën historike. Asaj i ka mjaftuar vetja në jetën sot. Kjo është prozë e sinqertë, pa shtysa të tjera të jashtme. Kjo është një prozë psikologjike që thërret etikën si rregullator dhe filozofinë letrare që i buron nga shtrati rrëfimor, por ajo zhvillohet në qenie, si pjesë e qenies, e historisë së qenies, jo e historisë. E këqyrur kështu, ajo është një metafizikë e mbuluar nga rrëfimi.

    Krijuesja, brenda Aldës, përfytyron dhe përfytyrimet i mbivendos mbi përfytyrime, në një gjerdan rrëfimor. Ajo shkatërron një përfytyrim të shkëlqyer për të ngritur një përfytyrim tjetër, po me të njëjtën lëndë, por me gjendje të ndryshme. Me hullinë e përfytyrimeve ndërrohen edhe kohët rrëfimore.

    Pjesë nga parathënia

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË