More
    KreuMuzikëVasil S. Tole: Roza Eshkenazi, mbretëresha e “rebetikos” dhe lidhja e saj...

    Vasil S. Tole: Roza Eshkenazi, mbretëresha e “rebetikos” dhe lidhja e saj me shqiptarët

    “Kënga çame” e kënduar nga Roza Eshkenazi dhe disqet e publikuara nga BALKAN PHONOGRAPH RECORD-USA të drejtuara nga Ajdin Leskoviku, dokumente unike të historisë sonë muzikore.

    I. Këngëtarja greke me origjinë hebreje Roza Eshkenazi (1895-1980) është tashmë një fenomen muzikor botërisht i njohur, emri i së cilës lidhet me interpretimin e muzikës urbane të qyteteve greke e turke, që kulmon me stilin muzikor  të quajtur “rebetiko”, i cili prej vitit 2017 është edhe pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s. 

    Sipas UNESCO-s rebetikoja është një dukuri muzikore dhe kulturore e lidhur drejtpërdrejt me këngën dhe vallen e përhapur fillimisht ndër shtresat urbane të qyteteve. Këngët rebetiko sot përbëjnë referenca të paçmueshme për zakonet dhe traditat e një mënyre të caktuar jetese.

    Roza ka interpretuar rreth 350 këngë, (ndër to 300 këngë në disqe për COLUMBIA dhe HMV), disa thonë më shumë, e disa më pak, por ajo që është e rëndësishme është fakti që ajo i ka vënë vulën stilit “rebetiko”, ashtu si e madhja Ella Fitzgerald stilit Jazz në muzikë.

    Sipas Charles King, këngët e Rozës ishin kolona zanore e një bote në të cilën njerëzit kishin lindur e jetuar në mjerim, ishte një version egjenian i bluzit, i kënduar në greqisht dhe turqisht.

    Repertori i saj përfshinte këngë popullore, sidomos nga Greqia, Smirna (Izmir), Armenia, Izraeli, dhe të traditës sefardike në Spanjë etj. Në repertorin e saj janë edhe disa këngë të trashëgimisë muzikore epirote dhe çame.  Një ndër to është kënga çame “U mbush Parnasi plot me re”, siç shkruhet në diskun përkatës. Edhe pse kënga nuk është kënduar në shqip, promovimi prej Roza Eshkenazit i traditës çame është jo vetëm një shkollë interpretimi e kësaj muzike, por dhe një nderim që i bëhet kësas trashëgimie brenda korpusit të këngëve që ajo ka kënduar. Në këtë mënyrë, kontributi i saj i bashkohet atij të kompozitorit Nikos Skalkotas (1904- 1948), që ka shkruar vallen “Tsamiko”, nr. 21 nga vepra “36 valle greke” për orkestër, apo “Tsamiko” të Christos Leontis (1940-2023) etj.

    Teksti më poshtë:

    U mbush Parnasi plot me re

    Në fshatra bën shtrëngatë.

    Ti, moj Dhjamandë, ku po shkon

    vetëm në këtë natë?

    Po shkoj të gjej ujët që s’vdes

    ilaç pavdekësi

    T’ia jap atij që kam sevda,

    që vdekja mos t’i vijë

    Συννέφιασε ο Παρνασσός

    Βρέχει στα καμποχώρια

    Και σύ Διαμάντω νύχτωσες

    Που πάς αυτή την ώρα

    Πάω γι’ αθάνατο νερό

    Γι’ αθάνατο βοτάνι

    Να δώσω της αγάπης μου

    Ποτέ να μην πεθάνει

    Tipike për melodinë e kësaj kënge që vjen nga tradita çame në muzikë është thjeshtësia melodike modale e ndërtuar mbi 5-6 nota, me një tingull nëntonik, marrëdhënia mes solistes dhe korrit, kjo një formë antifonike arkaike, e ngjashme me vallet shkodrane të shtregullave etj.

    II. Referuar biografisë zyrtare të Roza Eshkenazit, në vitin 1955 regjistroi rreth 40 këngë në Stamboll me shqiptarin Ayden (Ajdin) Leskovikun.

    Asllani, vëllai i Selim Leskovikut, klarinetistit të shquar të sazeve të Shqipërisë së Jugut, në USA, përgjatë viteve 1940-1950 me shtëpitë e tij diakografike MI RE RECORD dhe BALKAN PHONOGRAPH RECORDS punoi me një rrjet të gjerë muziktarësh shqiptarë, greke, armenë, bullgarë e turqishtfolës në Nju Jork dhe promovoi regjistrime të bëra si në vend dhe jashtë, veçanërisht në Stamboll, duke përfshirë këtu një shfaqje të shkëlqyer të Rosa Eskenazi dhe Udi Hrant. Edhe pse tregu i muzikës shqiptare ishte një treg i vogël, Ajdini promovoi disqe me muzikë popullore të regjistruara në Nju Jork dhe Tiranë, për bashkatdhetarët e tij.

    Siç shohim në foton e diskut me titull “Këngë dhe valle greke” të interpretuara nga Roza Eskenazi, ajo qendron në qendër të orkestrës. Në të majtë të fotos, më këmbë është Ajdin Leskoviku dhe personi me violinë është Sabri Fehimi, vëllai i kryekëngëtares Hafize Leskoviku. Është një foto historike me plot kuptimin e fjalës, ku gjenden së bashku mjeshtrat e muzikës ballkanike ng Shqipëria, Greqia, Turqia, Armenia etje. Ky disk i financuar dhe promovuar nga Ajdin Leskoviku përmban këto këngë e valle:

    Krahu A

    1. EJA QË TË RRIMË BASHKË – çifteteli

    2.            AMANE ÇIFTETELI ALLA / STIL STAMBOLLI

    3.            KALOI MESI I NATËS – Kalamatiano

    4. SA HERË MË KE GËNJYER – Kalamatiano

    5.            BAM BUM MITRUA – Kalamatiano

    6.            MINORE IZMIRI

    Krahu B

    1.            THUAJA S’KE Ç’HUMBET – Çifteteli e shtruar

    2.            ATHINUSHE – E shtruar

    3.            HANËMKAT E BUKURA – Çifteteli

    4.            MARIKA NË ATHINË – Karsilama

    5.            S’DUA TË MË MARRËSH NUSE – LËRMË – Zejbeke

    6.            SADO TË RËNDA QOFSHIN PRANGAT – Zejbeke

    Këto sa shkruam, janë vetëm një hyrje e thjeshtë në kuptimin e larmisë kulturore të muzikës ballkanike pas hyrjes së veglave të temperuara evropiane në muzikën popullore të vendeve të caktuara. Mbetet akoma shumë për të hulumtuar në repertorin e gjerë të Roza Eshkenazit për të parë të tjera përkitje mes kulturave tona, e akoma më tepër hulumtime kërkon veprimtaria unike e Ajdin Asllan Leskovikut dhe e kompanisë së tij Balkan Phonograph Records.

    Veprimtaria e Roza Eshkenazit vijon të ngjall kureshtje në çdo kohë. Në vitin 2008, regjisori Roy Sher realizoi dokumentarin My Sweet Canary, një bashkëprodhim ndërkombëtar që ndjek tre muzikantë nga Greqia, Turqia dhe Izraeli në kërkim të historisë së Rozës. Filmi doli në pranverën e vitit 2011.

    Historia shqiptare e Rozës është më e reja syresh!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË