More
    KreuTeatërTeuta Dhima: “15 ditë prilli” nga faqet e librit në skenën e...

    Teuta Dhima: “15 ditë prilli” nga faqet e librit në skenën e teatrit

    Një bashkëudhëtim i suksesshëm i autores Anisa Markarian dhe regjisores Driada Dervishi

    Të jetosh në një qytet me regjisoren Driada Dervishi, ka të mirat e veta, ku ndër të tjera, edhe kënaqësia e komunikimit dhe takimi për një kafe me të. Po përmbyllnim një  “kafe diskutimesh” dhe po përshëndeteshim, kur më tha: “Do të vë në skenë, 15 ditë prilli. E përgëzova, dhe kur secila u nis për në udhën e vet, unë timen e përshkova duke menduar se Driada kishte marrë mbi supe një punë të vështirë. Romani “15 ditë prilli” i autores Anisa Markarian ka një temë shumë të fuqishme, dhe shtrirje të gjerë të rrëfimit që sjell me vete edhe një numër të madh personazhesh dhe si rezultat edhe konfliktesh. Romani rrëfen ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht.

    Ende pa filluar shfaqja, kur spektatorët po kërkonin të zinin vendet, dy prej aktorëve në gjysmë errësirë, kishin filluar interpretimin. Ishin zhytur në botën e karaktereve të tyre dhe dukeshin të qetë edhe pse të gjithë e dimë që emocioni brenda tyre, ka pjesën e vet. 

     Filloi

    Bashkë me shfaqjen edhe pyetjet brenda meje:

    “Si do t’i ketë ndërtuar skenat?” Si do ta ketë realizuar kthimin nga një rrëfim i vazhdueshëm në roman, në  skena të veçanta të cilat duhet të vijnë  të qarta për spektatorin dhe mbi të gjitha,  secila prej tyre të përmbajë një zhvillim dramatik? 

    Në përgjigjen e këtyre pyetjeve arrita në fundin e shfaqjes, por emocionet që ndjeva që në dialogët e parë, treguan se gjërat ishin në udhën e drejtë.

    Detyra e vështirë e përcaktimit të konflikteve kryesorë dhe atyre personazheve që janë esencialë për rrëfimin, është kryer me sukses nga regjisorja Driada Dervishi, duke i hapur udhën shndërrimit të përshkrimeve, monologëve të brendshëm në veprime dramatike.

    Shfaqja do të përmblidhte gjithçka do të ndodhte në 15 ditë përgatitjesh për festimin e 85-vjetorit të udhëheqësit të shquar. 15 ditë që për nga intensiteti i ngjarjeve duken si vite të gjata e të ngarkuara. 12 aktorë do të sillen brenda skenës së teatrit dhe aty do të ndodhë gjithçka. Ja pra një tjetër vështirësi për t’u përballuar nga regjisorja: përshtatja e kohës dhe e hapësirës. Dihet që në teatër ndryshimet e vendndodhjes janë të kufizuara, prandaj duhet zgjedhur një strukturë e qartë skenike. Një skenë që të jetë në gjendje të përmbledhë gjithçka ndodh: aty busti i të përndriturit që shkëputet pjesë-pjesë, aty salla e mbledhjeve dhe shinat që e përshkojnë skenën mes për mes, po aty. “Foleja e heronjve” e gjitha aty, me të gjitha nëndarjet e saj: zyrën e doktorit, infermieren dhe heronjtë. Ata që përgatiteshin njëri pas tjetrit për fjalimin e fundit dhe donin partinë më shumë se gjithçka tjetër. 

    Po aty, edhe salla e bibliotekës ku zhvillohet takimi me shkrimtarin e njohur, të cilit i drejtohet një pyetje e pazakontë nga studentja e cila më pas do të kthehet në një armike, vetëm e vetëm se vuri re që në rrëfimin e shkrimtarit të madh, mungonte dashuria.

    Ku t’i kishin gjetur ato karrige prej druri  që qarkullonin po të njëjta në të gjitha shtëpitë shqiptare?! Pa harruar veprat e udhëheqësit të shquar të cilat të hedhura në erë, jo pak herë u bënë mjete luftimi mes personazheve; apo të grisura fletë më fletë dhe të hedhura në zjarrin e improvizuar në skenë. Dekori tërësisht i  përshtatur dhe në harmoni me konceptin e regjisores dhe mbi të gjitha, mendoj se e ka ndihmuar  publikun të futej në botën e shfaqjes. Pjesa e hekurudhës që përshkon mes për mes skenën ështe realizuar mjeshtërisht nga Beqo Nanaj. Hekurudha në vetvete simbolizon përparimin, lidhjet mundësitë, zhvillimin, kalimin e shoqërisë nga një fazë në një tjetër. Po a funksionon hekurudha te ne? Një pyetje retorike kjo që nuk kërkon përgjigje, por është një ftesë për reflektim.

    Koncepti regjisorial i skenografisë së “15 ditë prilli” shkon përtej realitetit fizik të asaj çfarë shohim. Urimi i shkruar në formën e parrullës, busti i udhëheqësit në mesin e skenës, shkallët e larta që shërbejnë për pastrimet, altorpalanti i madh nga ku gjëmojnë lajmet etj, kthehen në simbole të cilat komunikojnë ide, ndjenja. 

    Për vetë tematikën e shfaqjes skena kërkonte pak zymtësi dhe menaxhimi i ndriçimit në momente kyçe, bëri që skenografia të marrë dritën e duhur, duke u përshtatur me çdo skenë. Realizimi i kësaj shfqjeje mendoj se ka qenë një sfidë më vete. Një skenografi e ndërlikuar që duhet të bëhej shtrat për disa skena, secila me peripecitë e veta (më vijnë ndërmend heronjtë në fole, që lëviznin me mbajtëset e serumeve dhe mbaheshin pas tyre, duke pyetur njëri-tjetrin për copat e munguara të byrekut, apo tuneli i Urthit që mendoj se është një gjetje e arritur skenografike). Ajo dukej sikur nuk kishte si qëllim të vetin vetëm të na kujtonte historinë, por ta mbështeste atë dhe të sillte emocion te publiku. 

    Muzika ka efektin e saj në sjelljen e një shfaqjeje në skenë, ndihmon në thellimin e emocioneve dhe krijimin e atmosferës së duhur. Kompozitorja Rona Castrioti dhe koreografja Valentina Myteveli, ishin në harmoni me narrativën, këndvështimin regjisorial të Dervishit dhe lëvizjet skenike të aktorëve. Vargjet e famshme “Ndër ara fabrika kantiere, vlon puna dhe kënga ushton” i vinin për shtat motivimit muzikor i cili ishte karakteristik për kohën kur zhvillohen ngjarjet dhe ku kënga në vetvete nuk kishte funksionin parësor atë argëtues, por përdorej si një mjet propagandistik. 

    Me të vërtetë që janë 12 aktorë, por romani ka një shtrirje shumë të gjerë dhe një numër të konsiderueshëm personazhesh. Sigurisht që janë përzgjedhur personazhet më të spikatura, por përsëri, janë 12 aktorë… Edhe kësaj nyjeje ia ka gjetur zgjidhjen regjisorja.

    Kur mbaroi njëra skenë dhe filloi tjetra kuptova që aktorët do të bënin jo vetëm nga një rol, por disa. “Multi-roling” do të sillte në skenë më shumë personazhe se ç’ishin aktorë. 

    Nga ana artistike kjo gjë, krijon kontrastet e veta dhe e thellon interpretimin e aktorëve dhe nga ana e këndvështrimit, përforcon mesazhin e veprës dhe e vesh me simbolikë.

    Multi-roling (ose shumëfishimi i roleve) kërkon aftësi të veçanta nga aktorët, ku para së gjithash duhet të spikasë diferencimi mes roleve. Aktori duhet të krijojë ndryshime të dallueshme para së gjithash në zë, i cili e lidh drejtëpërdrejtë me publikun, në gjuhën trupore, pasi çdo personazh ka qëndrimin, gjestet dhe mbi të gjitha mënyrën e të folurit. 

    Kalimet nga njëra skenë në tjetrën, ishin aq të shpejta sa pyetja: “Kur u zhveshën, kur u veshën këta aktorë?”, lindi natyrshëm. 

    Por ato që i ndanë rolet e personazheve njëri nga tjetri ishin edhe kostumet, përdorimi i tyre në mënyrë kreative. Kostumografja e kësaj shfaqjeje, Desantila Lika, ka arritur që përmes ndryshimeve  në veshje, aksesorëve dhe objekteve që mund të mbajnë në duar, të ndihmojnë  spektatorin të identifikojë ndërrimin e roleve. Secili nga personazhet, ka një pamje fizike e cila u krijua falë punës së grimieres Adelina Gjojdeshi. Transformimet e aktorëve për të sjellë shumësinë e roleve të tyre ishin të suksesshme dhe grimi në përputhje të plotë me vizionin artistik dhe mesazhin që synon të përcjellë drama.

    Duartrokitjet e mia i dhurova  në sallën e teatrit, por sot dua t’i dërgoj një tjetër duartrokitje vlerësimi aktorëve që morën pjesë në këtë shfaqje duke filluar me të madhen Yllka Mujo e cila erdhi në: Narratorja, Penelopi Kola, Gita, Pastruese Ylberja; Hervin Çuli në: Doktori dhe Vladi; Alesia Xhemalaj në: Ida, Lejla dhe Pastruese; Romir Zalla në: Vilsoni, Sekretari i partisë, Petro, Dekani, Drejtori i burgut; Amos Zaharia në: Niku, Spiro, Pastrues, Braho, Student; Suela Bako në: Burbuqe, Kryeinfermierja, Pastruese, Studente; Mimoza Marjanaku në: Fitore, Korrespondetja, Pastruese, Studente, Krinsathi; Xhuliano Brisku në: Fiqiriu, Gazetar, Punonjësi, Maksi, Student; Adelina Muça në: Roza, Përgjegjësja, Studente, Gazetare; Aleksandër Seitaj në: Teo, Artur, Estref Koburja, Pastrues; Sanie Hoti në: Mimia, Jorgjica, Fshatarja, Drejtoresha e jetimores; Jaho Guma në: Miti, Student, Grimiori, Pastrues. 

    Një punë e jashtëzakonshme kjo e aktorëve tanë, një sfidë më vete për t’u përballuar jo vetëm nga ana fizike, por edhe nga ajo psikologjike. ( Më vjen ndërmend dalja e korrespondentes nga tuneli në Urth dhe ushtari që intervistohet…) 

    Shumë emocione në një kohë shumë të shkurtër. Psikologjia e roleve është mbajtur nën kontroll në një mënyrë të shkëlqyer nga të gjithë aktorët. Ata në të njëjtën kohë kanë dëshmuar një kujtesë për t’u admiruar pasi një personazh nuk ka vetëm zërin për të ndërruar dhe idiolektin, por edhe mënyrën se si ecën, si reagon. (Nuk më hiqet nga mendja Mimoza Marjanaku në rolin e motrës së heroit: shikimi i saj i përhumbur, flokët, mimika e fytyrës, lëvizja e kokës që shpesh herë ishte në të kundërt me atë të trupit, apo Sanije Hoti, fshatarja me erëzat në duar dhe dy dorezat e kuqe të  bijve binjakë, të cilat i mbante në gji…)

    Aktorët, pa asnjë dallim, u treguan mjeshtër të transformimit dhe arritën që spektatori  të harrojë se po sheh të njëjtin person, në role të ndryshme. Në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, ata kaluan me sukses një sfidë shumë të madhe duke demostruar aftësitë e tyre të admirueshme në artin impenjativ të aktrimit, edhe pse kjo erdhi në kushte jo maksimale, pasi teatri po restaurohet.

    Por, ajo që ma do mendja nuk i ka shpëtuar syrit të spektatorëve është që: aktoret Mimoza Marjanaku dhe Suela Bako, në rolet e tyre treguan se  kanë arritur në nivele të larta pjekurie dhe kjo si rezultat i përvojës së gjatë, reflektimit të vazhdueshëm mbi rolet dhe mënyrën e interpretimit; po ashtu Adelina Muça, Amos Zaharia dhe Jaho Guma, dëshmuan një rritje profesionale duke përsosur interpretimin e personazheve të ndryshme, jo vetëm duke i përvetësuar, por edhe duke i interpretuar ato me thellësi.

    Aktori Amos Zaharia, të cilin  jemi mësuar ta shohim në role komedie ku shpesh është ndihmuar nga ngarkesat e humorit dhe ritmeve të shpejta, në këtë dramë pati mundësinë të paraqitej me disa role ku dëshmoi një qasje më të thellë dhe diti të zgjedhë me kujdes ritmin e performancës së tij, duke treguar aftësi  për të shprehur emocione të ndryshme.

    Aktorja Alesia Xhemalaj padyshim ka pasur rolin e saj më të bukur në dramën “15 ditë prilli”, atë të studentes Ida, (njëri ndër tre rolet e saj në këtë dramë). Ky rol ishte konceptuar bukur që në gjenezë: aktorja ndryshe nga aktorët e tjerë, del nga publiku dhe drejton pyetjen e saj “gjëmëmadhe”. Ndërsa momenti kur ajo kupton se kufomat mbi të cilat bëhej praktika mësimore e studentëve të mjekësisë ishin ato të dy binjakëve për të cilat fshatarja që shet erëza nuk ka asnjë lajm, përbën edhe pikën kulmore të kësaj drame, pikë ku shpërthejnë të gjitha tensionet të cilat janë ngritur gjatë zhvillimit të saj. Pikërisht ky moment ishte më i fuqishmi, më emocionali dhe më dramatiku.

    Miksimi i  aktorëve të trupës së Teatrit “A. Moisiu” me aktorë të tjerë, krijoi një dinamikë të pasur. Përvoja e aktorëve të njohur si Yllka Mujo,Hervin Çuli dhe Romir Zalla, solli stabilitet dhe siguri në sallë, ndërsa aktorët më të rinj sollën vitalitetin e tyre plot natyrshmëri.

    Por ajo që e analizoi tekstin, e përshtati atë për dramë, duke vendosur si do të realizohet dhe do të vendoset në skenë, është regjisorja Driada Dervishi. Ishte ajo që përzgjodhi aktorët, i veshi ata me role, vendosi stilin dhe rrjedhën e interpretimit. Përmes vizionit të saj, romani “15 ditë prilli” i autores Anisa Markarian, mori jetë në skenë dhe përcolli mesazhe te publiku. Kjo shfaqje erdhi me një stil realist dhe simbolik duke sjellë një mesazh të fuqishëm për të gjithë publikun, duke e kthyer këtë dramë në një dëshmi historike. Një dramatizim i bazuar në momente kyçe të historisë, atë të rënies së diktaturës dhe lindjes së demokracisë, shërbejnë si dëshmi e përvojave të cilat kanë formësuar fatin e një kombi.

    Romani i autores Anisa Markarian së pari dhe më pas drama, reflektojnë realitetin shoqëror dhe politik dhe marrin përsipër të sjellin efektet e këtij realiteti mbi njerëzit e zakonshëm. Romani “15 ditë prilli” dhe drama po me të njëjtin titull, nuk vijnë thjesht si rrëfime artistike dhe vënie në skenë, ato vijnë si rojtarë të kujtesës. Secili prej nesh, duke lexuar faqe nga libri, apo duke parë skena nga drama, mund të reflektojë për të shkuarën dhe për atë që ka me të vërtetë rëndësi në formimin e identitetit të një populli.

    Një roman që është futur në bibliotekë, një dramë që do të arkivohet në arkivin e Teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe që së bashku do të bëhen arkiv i dhimbjeve, disfatave dhe fitoreve kolektive. Përgëzime nga zemra autores Anisa Markarian që është krijuesja e këtij romani, dhe që u bë baza e veprës skenike të cilën e solli në jetë regjisorja Driada Dervishi e cila me shpirtin e saj artistik dhe punën e palodhur ngriti ura komunikimi me autoren, aktorët, skenografin dhe kompozitoren duke krijuar një vizion të unifikuar. Nëse do të shprehja poetikisht bashkëpunimin e tyre, do ta quaja: vallëzim muzash”.  Autorja dhe regjisorja në këtë bashkëpunim janë si dy muza që vallëzojnë bashkë në një dialog krijues, ku njëra i drejtohet artit me fjalën e saj dhe tjetra me lëvizje, tinguj, objekte dhe simbole. Autorja, ka hedhur hapin e parë me fjalën e shkruar ndër faqe libri, me gjuhën e kulluar dhe plot neologjizma sqimatare. Ajo ka ndezur  shkëndijën e frymëzimit, ndërsa tjetra e ndjek dhe e përshtat atë në ritmin e skenës duke i dhënë jetë për publikun. Është një vallëzim që kërkon harmoni, por edhe improvizim ku të dyja duhet të mbështesin njëra- tjetrën për të krijuar një shfaqje të bukur dhe të paharrueshme për publikun. 

    Duartrokitje për aktorët të cilët aq natyrshëm mishëruan personazhet dhe sollën aq bukur dramën përmes lojës së tyre skenike. Duartrokitje që nuk pritën fundin e shfaqjes por shoqëruan batutat kulmore të personazheve si: Gjatë  monologut të Hervin Çulit në personazhin e doktorit, pas batutës : ne ketë vend askush nuk jeton dot pa qetësues; Te monologu i Yllka Mujos në fund: po ju cfarë do të kishit bërë? Apo, në pikën kulmore të dramës, skena kur Alesia Xhemal thotë : Shpresoj nuk je ti që po i vret këta të rinj; Kur  hidhet litari për varjen e Nikut te batuta: për 40 vjet do hyjmë në evropë, por kur të hymë,  Evropa nuk do jetë më; dhe përgjatë plaçkitjes, Për ty atdhe.

    Kjo dramë e mrekullueshme do të vihet edhe në skenën e Teatrit Kombëtar në datat: 20, 21, 22, 23 dhe në datën 29 mars në Krujë.

    Për ta përmbyllur shkrimin tim që mban brenda tij  emocionet, së pari një lexueseje dhe më pas një spektatoreje, po sjell  vargjet e shkëputura nga krijimi më i ri i autorit Met Dervishi që titullohet “Premiera e teatrit tonë” ku ai shprehet:

    “Por teatri nuk është mall konsumi, prandaj rron. Dhe ne njerëzit e kulturës e dimë mirë se teatri është i regjisë, dramaturgjisë, aktorit dhe publikut. Dhe një teatër i mbështetur nga publiku RRON OR RRON!”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË