(Mbi librin studimor të artit me titull: “Historia e novelës grafike dhe karikaturës shqiptare”, i autorit Dr. Oltsen Gripshi)
Librat e artit janë tërheqës. Ata janë të bukur. Ata janë plot të papritura, pasi figura e veprës së artit apo ilustrimet siç tentojmë t`i quajmë të çojnë në mjedise të ndryshme, që askurr më parë nuk keni qenë, si dhe brendia e teksteve të bënë të lundrosh në mjediset e ideve të pafundme. Në libraritë e kudondodhura në botë ato janë të vendosura në një seksion më vete. Ata janë libra të shtrenjtë, sepse prodhimi i tyre kushton dhe kostoja përcaktohet nga skuadra që punon për të organizuar një libër të tillë. Dhe skuadra ka në përbërjen e saj dhjetëra specialistë, ku kryeson krijimtaria e artistit. Nëse njëri prej tyre mungon libri mbetet i parealizuar. Sëbashku punojnë studiuesit dhe historianët e artit; redaktorët dhe korektorët si njohësit e mrekullueshëm të gjuhës, fotografët dhe teknicienët dizajner, të cilët duket se luajnë me formatet dhe mënyrat kompozicionale të çdo faqeje të librit të artit; letra, specialistët e ngjyrave, ata të makinavet të shtypit dhe duarartët e qepjes së fashikujve prekin të parët magjinë e librit të artit. Libra të tillë shtypen me mijëra, por sasia e titujve të tyre është e pakët.
Një nga më të fundit është “Historia e novelës shqiptare dhe karikaturës shqiptare”. Ai është një libër studimor shumë i mirë dhe absolutisht i vlefshëm dhe i domosdoshëm për studimet shqiptaredhe ato të huaja mbi zhanrin e novelës grafike dhe karikaturës të realizuara nga artistë shqiptarë dhe të huaj, si dhe nga artistë të huaj, novelat grafike dhe karikaturat e të cilëve kanë subjekte dhe personazhe shqiptare. Ky është një libër i parë i këtij lloji, ku janë përfshirë thuajse të gjitha novelat grafike. Dy cilësitë e lartëpërmendura venë në dukje dhe rëndësinë e librit. Së pari libri “Historia e novelës grafike dhe karikaturës shqiptare” është një libër i suksesseshëm studimor. Suksesin e tij e kanë siguruar:
Puna e madhe e kërkimeve në arkiva e biblioteka, punë e cila ka kërkuar kohë fizike të gjatë, hulumtime vit pas viti mbi revista, gazeta e libra, lexime dhe mbajtje shënimesh intensive mbi faktet e gjetura në organe botuese.
Puna e madhe në grumbullimin e sistemimin e novelave grafike dhe karikaturave, fakteve historike, estetike, ideologjike dhe politike që kanë bërë të mundur të krijohen veprat e artit që përfshijnë këto dy gjini, titujve të tyre, imazheve dhe artistëve që i kanë krijuar.
Puna e madhe në gjurmimin e fakteve paralele, që lidhen me datat historike, ngjarjet dhe fenomenet historike, me politikën, ideologjinë dhe kulturën e periudhave të ndryshme, që shtrihen gjatë periudhës nga fundi i shekullit XIX deri në vitin 2014. Kjo është periudha mbi të cilën autori ka gjurmuar në brendësi të fakteve të rënditura brenda saj.
Libri studimor “Historia e novelës grafike dhe karikaturës shqiptare” është shumë i rëndësishëm pasi subjekti i tij është shterues mbi zhanret e novelës grafike dhe karikaturës, që do të thotë se studiuesi ka përfshirë pothuajse të gjithë dokumentacionin faktik si në imazhe ashtu dhe në tekste që lidhen me novelën grafike dhe thuajse me karikaturën. Përpos metodës didaktike, tradicionale të radhitjes së fakteve dhe ngjajeve, metodës së përshkrimit, asaj të vlerësimit, në shumë raste gjejmë të përdorur metodën e krahasimit, metodë shumë tërheqëse në studimet mbi veprën e artit dhe botkuptimit të artistëvet.
Subjekti i këtij libri është shumë i kuptueshëm sepse është ndërtuar në 7 krerë, që bëhen të ditur nga titujt, të cilët lidhen me përmbajtjen kryesore të çdo njërit prej tyre. Në brendësi të krerëve shtjellohen në mënyrë të qartë dhjetëra segmente historike që lidhen me imazhin e krijuar, mesazhin që ai transmeton dhe qëllimin pse janë realizuar. Gjithashtu janë evidentuar artistët krijues në periudha të ndryshme dhe mbi të gjitha autori ka mbajtur qëndrim kritik, vlerësues dhe estetik mbi kohën historike, mbi personazhet dhe ngjarjet historike, që trajtohen në secilën novelë grafike dhe karikaturë. Vështrimi mbi produktin studimor të krerëve zbulon se:
Në kreun e parë i është dhënë vend njohjes me karakteristikave të novelës grafike. Në kreun e dytë, autori shteron tërësinë e mendimeve të tij mbi metodologjinë që përdoret për të krijuar novelën grafike, mbi gjuhën specifike dhe rregullat e “gramatikës” së imazhit dhe tekstit, dy elemente bazë të zhvillimit të tyre. Në kreun e tretë zë vend historia e novelës grafike botërore, kryesisht në SHBA dhe Europë si dhe lindja e përcaktimeve si: comics, fumetto, dessin anime, karikatur, dibujos animados, të cilat të gjitha përkthehen në terminologjinë: novela grafike, e cila e shënoi lindjen e saj me 5 maj 1895 në SHBA. Në Kreun e katërt zhvillohet një temë përtej se interesante, e cila i përket novelës grafike dhe karikaturës së huaj, që nis nga fundi i shekullit XIX e vijoi përgjatë gjithë shekullit XX. Ato janë realizuar të gjitha nga autorë të huaj. Në qendër të subjekteve të tyre janë ngjarje që lidhen me Shqipërinë, shqiptarët, periudhën e mbretit Zog I, Nënë Tereza, Aleksandri i Madh, Gjergj Kastrioti dhe përshkrime të mrekullueshme të jetës, zakoneve, kostumeve dhe bukurisë tipologjike të shtatit trupor të shqiptarëve.
Kreu i pestë është kreu më i gjatë, pasi trajtohen të gjitha problematikat mbi novelën grafike dhe karikaturën të zhvilluara në Shqipëri gjatë gjithë shekullit XX. Është një nga pjesët më domethënëse të këtij libri studimor, pasi e vendos në linjë historike si zhvillimin estetik e artistik të formës dhe personazheve të këtyre gjinive ashtu dhe metodën e realizmit socialist, i cili në një mënyrë apo në një tjetër i përdori si nolevën grafike ashtu dhe karikaturën për interes të propagandës ideologjike dhe edukimit komunist të fëmijëve, rinisë dhe popullsisë shqiptare. Autori në këtë pjesë arrin të zbërthejë thelbin e këtij përdorimi duke u shprehur qartë për rolin dhe funksionin e revistave Yllka, Fatosi, Pionieri, Hosteni, Ylli etj,. Ai sjell datat e sakta të botimeve të tyre, emra të artistëve që kontribuan ethshëm, si dhe përshkrime mbi çdo novelë grafike apo karikaturë, duke u shprehur edhe mbi arritjet estetike për secilën prej tyre. Autori mban qëndrim korrekt ndaj personalitetit dhe krijimtarisë së çdo artisti dhe zbulon se artistët më në zë të pikturës, skulpturës dhe kinematografisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX kanë qenë edhe artistët më në zë të krijimit të novelave grafike dhe karikaturave.
Në mesin e gjithë prurjeve të këtij kreu është me shumë interes qëndrimi i autorit në ato novela, ku bëhet një referim paralel mbi marrëdhënien ideologjike të veprimtarisë së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti dhe Enver Hoxhës, ku ky i fundit ndërtoi në mënyrë të nëndheshme kultin e individit përmes sistemit hoxhist, siç autori e cilëson periudhën komuniste të zhvillimit në Shqipëri. Ai shkruan në faqen 309 se: “…Përfaqësimi i Skënderbeut dhe Enver Hoxhës në novelat grafike dhe ilustrimet për fëmijë…, gjatë regjimit komunist nuk ishte thjesht një akt artistik, por një akt i pastër propagandistik politik. E kjo do të thotë se Skënderbeu u rikonceptua si pararendës ideologjik i udhëheqjes komuniste, ndërsa Enver Hoxha u përjetësua si figura qendrore e historisë së re të Shqipërisë”. Në kreun e gjashtë studiuesi përqëndrohet tek funksioni edukativ, artistik, ideologjik dhe kulturor i revistave shqiptare për fëmijë e të rritur, te të cilat zejnë vend të dukshëm novela grafike dhe karikatura. Në përmbajtjen e këtij kreu zbulon qartësisht se si të gjitha materialet si ato grafike të imazheve realiste e figurative ashtu dhe gjuha e teksteve synonin formimin masiv ideologjik komunist të brezit të ri. Kreu i shtatë i përket novelave grafike shqiptare të pas viteve `90. Autori i jep rëndësi publikimit dhe vlerësimit të përpjekjeve të artistëve të rinj, të cilët janë të shumtë dhe trajtojnë novelën grafike si përmes ekzekutimeve krijuese manuale me forma tradicionale ashtu dhe përmes përdorimit të çelsave të teknilogjisë. Ai vë në dukje se artistët e sotëm e të rinj, që trajtojnë novelën grafike dhe karikaturën, kanë shfaqur kërkesa krejt të reja si në imazhe dhe në subjekte apo tekste, duke sjellë në kujtesë se pas viteve `90 gjithçka ka ndryshuar, pasi ato kanë në qëllimin e tyre edukimin me fenomenet më të shquara tradicionale, me evidentimin e çasteve më kryesore të historisë dhe me botkuptimin e ri njerëzor mbi lirinë dhe të drejtat e njeriut.
Në segmente të librit të artit “Historia e novelës grafike dhe karikaturës shqiptare” ka shumë ide të tjera dhe mendime të pasura, vlerësime për artistët, fakte historike mbi besimin fetar, mbi rolin agresiv të pushtetit hoxhist ndaj këtij besimi, mbi deformimin e njeriut nën moton e krijimit të njeriut të ri, mbi estetizimin modern të formës tek karikatura, e shumë të tjera, të cilat shpresoj t`i zbuloni edhe ju duke e lexuar dhe shfletuar me kërshëri librin mbi novelën grafike dhe karikaturën shqiptare.
Janar 2026


