More
    KreuMuzikëSi u bë valsi kaq i rëndësishëm në muzikën klasike?

    Si u bë valsi kaq i rëndësishëm në muzikën klasike?

    Nga origjina e tij si kërcim i fshatarëve e deri te shndërrimi në një mani të vërtetë muzikore.

    Nga Maureen Buja

    përktheu Jola Tasellari

    Pasi kadrili e humbi popullaritetin, valsi pushtoi rrufeshëm skenën europiane të vallëzimit. Emërtimi vjen nga gjermanishtja (walzen) dhe ka kuptimin të rrotullohesh. Kjo lëvizje rrotulluese ishte karakteristika kryesore e kërcimit. Megjithatë, nga të gjitha vallëzimet që kemi diskutuar, valsi me siguri është ai që tashmë njihni: e dini si ta mbani parterin apo partneren dhe nëse i keni të paqarta hapat, e dini që kërcehet në tre masa: një-dy-tre, një-dy-tre…

    Valsi nisi si vallëzim i fshatarësisë së kohës, i përshkruar për herë të parë me një lloj horrori në fund të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, si vallëzim ku partnerët qëndronin aq afër, saqë fytyrat u prekeshin me njëra-tjetrën. Kjo afërsi ishte një nga polemikat e tij. Në Vjenën e shekullit të tetëmbëdhjetë, nga vallëzim shërbëtorësh dhe fshatarësh, valsi u bë vallëzim i shtresave më të larta. Në Angli u bë i njohur në vitin 1791, por deri në fillimet e shekullit të nëntëmbëdhjetë nuk ishte dhe aq popullor.

    Aty ku minueti[1] njihej për madhështinë, valsi konsiderohej më i thjeshtë dhe më pak i sofistikuar, veçori të cilat ndikuan në përhapjen e tij. Në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, revistat e modës në Berlin raportonin se “valsi dhe vetëm valsi është tashmë aq në modë, saqë ballo asgjë tjetër nuk vërehet; vetëm mundesh të kërcesh vals dhe gjithçka është rregull.

    Ata që e kundërshtuan valsin veçuan dy faktorë: shpejtësinë e tij, bazuar në të dhëna mjekësore se ky kërcim dëmtonte shëndetin, për shkak të shpejtësisë me të cilën kërcimtarët rrotulloheshin nëpër sallë. Gjithashtu, mbi baza morale kundërshtuan afërsinë fizike që valltarët kishin me njëri-tjetrin. Një mjeshtër vallëzimi, i cili shkroi në vitin 1816 në mbrojtje të valsit, tha se nxit vitalitetin dhe ekstazën shpirtërore.

    Si pjesë të serisë me skicime mbi rreziqet e alkoolit, karikaturisti britanik, George Cruikshank, e paraqiti rrezikun e kërcimeve si valsi, sipas ilustrimit më poshtë nga “The Drunkard’s Children”:

    Ndonëse Mozart kurrë nuk kompozoi vals, ai shkroi muzikë në ritëm tresh, të cilave mandej u jepeshin tituj më tradicionalë, si për shembull ländler[2] apo Deutscher. Shpesh kur publikoheshin në shtete të tjera, këto kompozime riemërtoheshin si valse nga publikuesit vendas. Beethoven i shkroi variantet e tij të Diabelit[3] sipas valsit që ky i fundit i kishte dërguar. Nuk pati asnjë kompozitor që mirëfilli krijoi muzikë valsesh, derisa Schubert e bëri në koleksionin e tij 36 Originaltänze (36 kërcime origjinale), D. 365 (Op. 9), i njohur edhe si ‘Valset e para’.

    Kjo ishte muzika ideale për shtëpinë; valse të thjeshta në piano, të cilat luheshin ndërkohë që motrat dhe vëllezërit kërcenin dhe praktikonin përpara se të shfaqeshin në publik.

    Mandej ishte Weber ai që e nxori valsin nga salloni i shtëpisë në sallën e koncerteve me kompozimin e tij për piano, Aufforderung zum Tanz. Kompozimi u publikua në vitin 1819 dhe shpejt kaloi nga luajtja në piano, në duart e orkestrës së Hektor Berlioz-it.


    [1]  Vallëzim i aristokracisë së kohës, mjaft popullor kryesisht në Francën e shekullit të XVII-të.

    [2]  Vallëzim tradicional gjermano-austriak.

    [3]  Tridhjetë e tre variante valsi të kompozuara nga Beethoven, i frymëzuar nga puna e kompozitorit Anton Diabelli.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË