More
    KreuLetërsiBibliotekë"Shtëpia e tjetërkujt", tregim nga Besa Kalaja

    “Shtëpia e tjetërkujt”, tregim nga Besa Kalaja

    Mu kujtua që nëpër shtëpi kishin mbetur të shpërndara disa gjëra të qiraxhiut të mëparshëm. Më pati premtuar që do të më telefononte dhe do të vinte t’i merrte ato, por as pas dhjetë ditësh që isha vendosur, ai nuk ishte bërë i gjallë.

    Gjërat ishin shumë personale, pasta dhëmbësh, kremra, shamponë, të brendshme. Pothuaj të gjitha i kisha gjetur në dollapët e banjës. Nuk më kishte treguar nëse i kishte harruar apo i kishte lënë me qëllim, e për këtë arsye kisha një konsideratë e ende nuk ia kisha hedhur në plehra.

    Kur e kuptova që asgjë nuk po më përmbushte më, u shtriva sërish. Nuk di si ktheva vështrimin, por nga dritarja mbrapa pashë se po ma bënte me dorë ish qiraxhiu. Më tha se kishte ardhur para tri orësh, por pasi e kishte parë që po flija nuk kishte dashur të më shqetësonte.

    Hyri krejt shkujdesur në shtëpi dhe më tha që nuk e kishte kuptuar se si njeriu mund të mbulohej me batanije në pik të verës. Më pyeti ngadalë se mos më kishte zënë gripi dhe kisha ethe.

    Shqetësimi im nuk ishte i njëjtë me të tijin. E pyeta se ku kishte ndenjur për ato tri orë, pasi brenda tyre unë kisha dalë në oborr dy herë dhe nuk kisha parë asgjë.

    Më tha që falë dritareve të dhomës që ishin deri në tokë, ai kishte mundur të vërente çdo lëvizje timen, që prej çastit kur isha ulur para televizorit, pastaj kur isha mbuluar dhe kisha provuar të fle e deri kur kisha hapur frigoriferin.

    I hodhi një vështrim të hollësishëm dhomës duke parë me ngulm rreth e rrotull dhe ma bëri me dije se nuk po i pëlqente aspak që e kisha ndryshuar renditjen e orendive. Megjithatë, më tha ai, mund të më shërbente një kafe dhe u nis drejt kuzhinës, sikur të ishte në shtëpinë e vet. E ndjeva dhembjen e kokës tek po më kthehej prapë me të njëjtin intensitet, ndaj nuk mu durua dhe i shkova mbrapa në kuzhinë. I thashë se nuk më pihej kafe e që gjërat e tij ia kisha bërë gati, mund t’i merrte dhe të shkonte. Ma afroi dorën te faqja, pastaj te flokët dhe po më tërhiqte drejt vetes. Kjo është kafja më e mirë që ke mundur të pish deri tani, më tha me një ton të sigurt e që nuk linte asnjë vend për diskutim.

    -Duhet të dish një gjë, se askush nuk di ta bëjë kafen më mirë se unë, më tha.

    Largoi dorën prej flokëve të mi dhe e pashë tek shkonte drejt dhomës së ditës me kafet në duar. U ul në kolltuk.

    Eja ulu këtu, ma bëri me dorë, duke më treguar vendin që më kishte lënë afër vetës. Nuk shkova, i ktheva shpinën dhe dola në oborr për të marrë ajër të pastër pasi ashiqare kisha nevojë për të. Në fund të oborrit, vërejta një trup ftoni, gjysma e të cilit ishte tharë e gjysma tjetër ende kishte fruta. Shkova drejt ftonit mora dy copë, njërën prej tyre po e kafshoja me shumë kënaqësi. Nuk kishte pemë tjetër që e doja më shumë.

    Ktheva kokën dhe pash ish- qiraxhiun tek ma bënte me dorë sikur donte të më thoshte që të hyja brenda se kafja po më ftohej. I thashë se nuk e doja kafen e as atë brenda shtëpisë sime. “Shtëpinë time”, po e theksoja që t’ia bëja me dije se ajo ishte e imja tashmë. Më mori për dore, u mundova t’i largohem, por nuk po më lëshonte. Ma vuri prapë dorën në faqe. Ma mori kokën, ma afroi drejt kokës së tij dhe po më tregonte se sa bukur kishte rregulluar shtëpinë tonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË