More
    KreuLetërsiBibliotekë"Sadisti", tregim nga Andrin Kabashi

    “Sadisti”, tregim nga Andrin Kabashi

    Të martën mbrëma, Olivia po shihte një ëndërr të keqe. Ishte në shtratin e saj dhe nuk ndihej mirë. Rrotullohej sa në të majtë e sa në të djathtë, por ishte e kotë. Ëndrra duket se ishte një nga ato makthet të cilat e kaplonin tash e një kohë të gjatë Olivian. Nuk u desh shumë dhe ajo u zgjua. Ishte djersitur e tëra. Mezi merrte frymë nga dihatja e rëndë.

    Dhoma e saj ishte e errët. Ishte një dhomë tejet e zakonshme. Ishte e vogël dhe e ngushtë. Në pamje të parë të jepte mendimin si një dhomë e këndshme, por më vonë kuptoje se gjithmonë e më tepër ndiheshe i ngulfatur dhe disi i shtrënguar në gjoks. Bllokimi të zinte fytin si të të ngërthente një grusht i fortë, e që më pas vazhdonte poshtë, duke të të thyer brinjët për të të lënë pa frymë.

    Olivia ishte një vajzë e re. Ajo gjithmonë qëndronte në shoqërinë e Amelia Johnsonit. Ishin mikesha të vjetra. Asgjë nuk fshihnin nga njëra – tjetra, madje as lidhjet e tyre me të dashurit e rinj. Gjithçka ishte transparente. Herë pas here ndodhte që ato të ziheshin, por fundja ishin mikesha të mira, ashtu të paktën dukeshin. Ato qenë rritur së bashku qysh të vogla, deri sot, në vitin e fundit të gjimnazit. Diçka e pazakontë kish zënë fill mes tyre. Kohëve të fundit marrëdhëniet e tyre nuk ishin edhe aq të mira sa kishin qenë. Vërehej qartazi se Amelia Johnsoni kalonte më shumë kohë në shoqërinë e re të Jesica Millerit. Dukej se shoqëria mes asaj dhe Olivia Harrisit, thjeshtë ishte harruar dhe nuk e di në mund ta quaj se ajo “ngjallej” nga vetëm një përshëndetje e thjeshtë. Kjo situatë po e dërrmonte tej mase Olivian. Ato ditë ishin të zymta për të. Gjithnjë e më tepër qëndronte e mbyllur në dhomën e saj të errët. Nuk donte që ndonjë t’i afrohej, mendonte se edhe ata do ta tradhtonin, njëlloj si qe tradhtuar më parë.

    Ditët kalonin të zymta, të errëta dhe të thata. Fytyra e Olivias kish ndryshuar ngjyrë tash e një kohë të gjatë. Qëndronte e zverdhur gjithmonë. Buzët i kishte të purpurta dhe vende – vende me copëza trombi, nga gjaku që i rridhte prej buzëve të çara. Ishte sfilitur e tëra. Tërë ditën qëndronte në dhomën e saj të errët e shtrirë mbi shtrat duke menduar gjëra nga më të ndryshmet, e duke u ndjerë gjithmonë keq e më keq. Dikush mund të thotë se kjo nuk është asgjë, se gjithmonë miqtë shkojnë e vinë, por jo Olivia, e cila qe tejet e lidhur me mikeshën e saj të fëmijërisë.

    Dhoma ishte e qetë, nuk dëgjohej zë së gjalli; qetësinë e prishi vibrimi i celularit mobil të Olivias. Ishte një mesazh nga një i panjohur. Një nga këto mesazhet e aplikacioneve të dashurisë, apo siç njihen ndryshe “Online dating”. Fillimisht ajo vetëm mënjanoi celularin matanë, por ai gjithnjë e më tepër vazhdonte të vibronte. Kishin ardhur një seri mesazhesh dashurie nga një djalosh i quajtur Tom; Tomas Wilson. Në atë moment, Olivia u ngrit, dhe fytyra nisi t’i merrte tjetër trajtë. Filloi të buzëqeshte dhe u ndje mirë pasi që tashmë dikush qe interesuar për të dhe donte që të kalonte kohë së bashku.

    Ajo ndjente dashuri, mirësi dhe kënaqësi nga mesazhet që Tomi i dërgonte çdo ditë. Kjo filloi të bëhej e përditshme dhe një kënaqësi e vazhdueshme. Është paksa e çuditshme se si të rinjtë sot flasin me të tjerët, me ditë të tëra pa u ndalur një çast, edhe pse kurrë në jetë nuk janë takuar fizikisht me personin në fjalë.

    Kishte kaluar një javë e stër ngarkuar me biseda të ndryshme mes tyre, ku në krye të saj, Tomsoni i kish kërkuar Olivias të takoheshin në parkun e qytetit gjatë mesnatës. Natyrisht, Olivia kish pranuar pa një pa dy, dhe mezi e mbante veten nga emocionet që kishte për momentin e takimit.

    Në këtë kohë të vitit mbrëmjet vinin shpejt. Ishte vetëm fillimi i Janarit. Gjithçka ishte gati. Olivia Harris kishte emocione. Do takonte për herë të parë djalin, i cili tash e një kohë i kishte rënë në kokë. Olivia Harris ishte e vetme në park. Edhe pak sa nuk qe bërë mesnata. As ajo vet nuk e dinte se përse Tomas Wilson kishte lënë një takim kaq të çuditshëm. Ishte mesnatë, nuk qe ndonjë kohë adekuate për takim të parë, por ai qe arsyetuar me pretekstin se ishte shumë i turpshëm, dhe se nuk donte që dikush t’i shihte së bashku në park, duke penguar, sipas tij, përhapjen e fjalëve dhe dënglave nga më të ndryshmet që do mund të sajoheshin.

    Ajo vendosi të ulej në një ulëse aty diku, në park. Një fletushkë nga këto të reklamave kishte qenë aty afër. Mori fletushkën dhe pastroi stolin me të. Ajo priti. Priti për një kohë të gjatë. Murrlani kish zënë të frynte së tepërmi këtë periudhë të vitit, bënte ftohtë i madh, por Olivia Harris priti. Vendosi që t’i bënte ballë tërë asaj furtune, vetëm e vetëm që të takonte Tomas Wilsonin. Kishte kaluar thuajse gjysmë ore dhe askush nuk qe paraqitur në park. As edhe një njeri i gjallë. Disa të lehura qensh u dëgjuan matanë dhe dukeshin sikur ata po vinin në drejtim të saj, sakaq, Olivia Harris vendosi të ngrihej e të kthehej në shtëpi. Vendosi kufjet në vesh dhe u nis kokulur duke shpejtuar paksa hapat, nga frika se mos vallë qentë endacak do ta sulmonin.

    Kaloi një copë here dhe tashmë të lehurat e qenve nuk dëgjoheshin më.

    Kishte kaluar mesnata dhe nuk dukej asnjë shenjë nga Tomasi. Olivia nxori celularin dhe i nisi një mesazh duke i treguar se ajo kish kohë që e priste, por ajo që mori ishte vetëm një typing…  i cili më pas u zhduk, dhe asgjë më shumë.

    Olivia u dëshpërua rëndë. Mendoi me vete se ai vetëm qe tallur me të dhe asgjë më shumë. Sa kish filluar të mendonte se dikush me të vërtetë e donte dhe nuk do e linte për dikë tjetër, pa se kjo i doli dardhë me bisht. Ajo vetëm uli kokën dhe u nisë drejtë shtëpisë, me lot në sy.

    Në rrugë e sipër, asaj iu duk se dikush ishte prapa saj. Ishte thjeshtë një hije, ajo se çka Olivia vërente. Hoqi njërën kufje, ktheu kokën prapa, por nuk ishte askush. Ajo vështroi mirë e mirë në të gjitha anët, por askush nuk qe me të. Sakaq ajo vendosi kufjen në vesh dhe vazhdoi rrugën pa e lodhur fort mendjen.

    Diku afro pesë minuta më vonë, hija të cilën Olivia Harris mendoi se e pa prapa saj, tashmë iu shfaq për kundruall. Olivia Harris u zverdh në fytyrë dhe filloi të dridhej. Kundruall saj gjendej një burrë i veshur me një fustan të gjerë e të zi, i cili ishte i zgjebosur dhe i vinte gjer të gjunjët e tij, të cilët ishin tejet të rrudhur dhe të nxirë nga plagët.

    Olivia Harris u spraps dhe filloi të vrapoi në drejtimin e kundërt. Çdo gjë i dukej e njohur, çdo gjë i dukej e parë diku! Ajo vetëm vraponte. Dihaste fortë dhe vraponte, gjersa burri i panjohur me fustan të zi, e ndiqte nga pas. Vrapimi bëhej gjithmonë e më i vështirë kur para vetes kishte rrugët e akullta në të cilat rrëshqisje e nuk mund të ecje.

    Pylli ishte fare afër parkut. Vetëm një barrierë e lehtë i ndante ata të dy. Olivia Harris mendoi se ndoshta do të ishte zgjidhja më e lehtë që t’i ikte burrit-grua nga duart, po qe se ajo do fshihej në pyll.

    Ajo vetëm vraponte. Dihaste fortë dhe vraponte, gjersa burri i panjohur me fustan të zi, e ndiqte nga pas. Ndonëse ajo u fut thellë në pyll, burri me fustan të zi vazhdonte ta ndiqte nga pas.

    Ajo vraponte dhe mezi merrte frymë.

    Për një çast, asaj iu kujtua se të njëjtën skenë kishte parë tash e disa net në makthet e saja.

    “Kjo nuk është e mundur!” – mendoi me vete Olivia Harris gjersa ajo vraponte drejt një peme të trashë, duke shpresuar se i panjohuri nuk do ta shihte, po qe se ajo do fshihej aty. Me drojë dhe dridhje trupi, vendosi kokën jashtë trupit të pemës, për të parë se mos vallë i çmenduri burrë-grua tashmë ish larguar.

    Asgjë nuk shihej. Gjithçka ishte e qetë. Madje as të lehurat e qenve nuk dëgjoheshin. Ajo mori frymë thellë dhe e nxori atë, duke u kthyer me shpinë nga pema, për të parë se burri me fustan të zi ishte prapa saj. Ai e kapi për fyti dhe e shtyu drejt trupit të pemës.

    Ai qeshte. Ishte një buzëqeshje e uritur. Ishte djallëzore dhe e çuditshme. Ishte e frikshme!

    Duke qeshur me të madhe ai filloi të grushtonte mbi fytyrën e Olivia Harris. Grushtonte me gjithë forcën e tij. Grushtonte dhe qeshte gjersa fytyra e Olivia Harris ishte përgjakur e tëra mbi dëborën e bardhë e të pastër.

    Në pyll nuk dëgjohej asnjë zhurmë tjetër pos së qeshurës së burrit me fustan të zi dhe goditjeve që ai i jepte Olivia Harrisit.

    *

    Sakaq në park, shumë më larg pyllit të dendur, dëgjohej zëri i një gruaje plakë që thërriste qenushin e saj të humbur. Ajo bërtiste me sa fuqi që kishte. Endej nëpër park duke thirrur e kërkuar për të dashurin e saj, Coco. Në sy i ra një fletushkë e cila qe hedhur në rrugë. E mori dhe e lexoi. Frymëmarrja e saj ishte e thellë dhe e prerë. Ajo se çka shkruhej në letër e frikësoi tej mase.

    Fletushka në fjalë ishte një afishe në të cilën shkruhej: KUJDES! Nëse shihni këtë person, lajmëroni policinë! Ai është i rrezikshëm për të gjithë. Kënaqësinë e tij, e gjen në vuajtjet dhe vdekjet e të tjerëve. Kini kujdes! Nëse shihni këtë person, lajmëroni policinë!

    9. 2020 – Prishtinë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË