More
    KreuOpinionRudolf Marku: Grotesku i diskutimeve për antologjinë e poezisë shqipe

    Rudolf Marku: Grotesku i diskutimeve për antologjinë e poezisë shqipe

    1.

    Që kur u botua Antologjia e Poezisë Moderne Shqipe, në shtypin shqiptar dhe mediat sociale, janë shfaqur dhe postuar me dhjetëra shkrime dhe reagime që karakterizohen nga një nervozizëm i habitshëm, nga një gjuhë emocionale sharjesh dhe anatemizmash, që veç debatit për letërsinë, dhe sidomos atij për poezinë, nuk do t’i shkonte. Dhe këtu nuk kam parasysh reagimet e njerëzve anonimë, apo shkrime të çastit të ca njerëzve të çastit; është trishtim kur lexon shkrime akademikësh me tituj profesorë dhe doktorë shkencash, të cilët nuk mund t’i dallosh prej shkrimeve të njerëzve të rrugëve, nga standardi i gjuhës me të cilën janë shkruar, me inatin që mbartin, me mungesën e elegancës dhe sofistikimit të së shprehurit, pa llogaritur mungesën e argumenteve profesionale në debatin ku duan të marrin pjesë.

    Duket se rruga drejt qytetërimit – siç pohon trishtueshëm dhe karakteri i tregimit ‘‘Një natë me hënë” i Ismail Kadaresë, është një rrugë ende shumë e gjatë në hapësirat iliriko-dardane dhe pellazgjike të viseve tona!

    Kam qenë i vetëdijshëm, se, në çastin kur mora përsipër të hartoja një Antologji të Poezisë, kisha pranuar dhe barrën që të përballoja dhe reagimet e pasbotimit të këtij libri. Sepse debati për një Antologji në fakt nuk është diçka e re… Në vitet ’60, në ShBA kemi atë debat pasionant që u quajt më vonë me termin – Luftë e Antologjive. Në pasthënien e Antologjisë së botuar, është shkruar se nuk ka mjerim me të madh se një Antologji e botuar, që nuk ndiqet më pas nga kritika dhe kundërshtí të çfarëdolloji. Nga kundërshtí, vërejtje dhe mospranime, por jo nga sharje! 

    Mendoj se mënyra brutale e reagimit ndaj Antologjisë, ka ardhur ngase shoqëria mbarëshqiptare është, për shumë arsye jo fort të vështira për t’u kuptuar, një shoqëri e mbipolitizuar, dhe duke qenë e tillë, ajo operon me mjetet e politikës, me psiken e saj dhe me gjuhën dhe termat e saj. Kjo shpjegon përse dhe vetë në shkrimet e akademikëve a kryetarëve të Akademive a të profesor doktorëve të kritikës letrare nuk mund të gjesh, në këtë debatin tonë, asnjë term a koncept letrar a estetik! Por vetëm sharje. Ajo që të çudit është këmbëngulja arrogante e artikullshkruesve për të thënë se si duhej të qe Antologjia! Se si duhej hartuar! Dhe cilët autorë nuk duhet të kishin qenë dhe cilët autorë duhej të kishin qenë!!!! A nuk duket një arrogancë më keq se ajo e kohërave më të errëta të njerëzimit dhënia e imponuar e modelit për një libër të botuar? A nuk e kuptojnë këta akademikë, studiues, kritikë, ambiciozë karrieristë, krijues dështakë, dallimin mes bërjes së vërejtjeve dhe urdhëresave se si duhej të ishte bërë libri që ata përgojojnë? A nuk u shkon ndërmend se çdo autor, edhe ai më fillestari, do t’u thoshte këtyre arrogantëve- Po pse nuk e hartoni ju vetë këtë libër, kur tashmë atë e paskeni të gatshëm në kokat tuaja të ndritshme? Askush nuk ju pengon të botoni Antologjitë tuaja! 

    Njëri nga këta doktorë të shumtë që hynë në këtë debat, krahas Dr. Ali Aliut, Dr. Mehmet Krajës, Dr. Agim Vincës, Dr. Sokol Çungës, është dhe ai, të cilit gazeta ExLibris, në numrin e fundit, dhe gazeta Nacional, i kanë dhënë plot dy faqe për të shpalosur decibaon e vet, një farë Dr. D. Çaça, artikulli i të cilit më kujtoi një bisedë fort të këndshme të Don Kishotit me Sançon. Ky i fundit e shtyn bisedën rreth pikturës. Dhe në bisedë e sipër i kujton tinzotit të Mançes një mënxyrë që e paska pllakosur sot Spanjën. Janë shfaqur ca piktorë aq të këqij, sa kur ata bëjnë një pikturë a një vizatim të zakonshëm, e quajnë të nevojshme që të shënojnë poshtë se çfarë është. P.sh., sqaron më tej Sanço, nëse piktori ka përfunduar pikturën e një libri, i duhet të shkruaj poshtë tablosë, si diçiturë Ky është një libër, sepse pa këtë diçiturë shikuesit mund ta ngatërronin e ta merrnin librin për një lakër!

    Në rastin tonë, paralelizmit të bisedës së artikullshkruesve tanë me diçituren, poshtë tablosë, do t’i shkonte të ishte titulli Doktor i Shkencave. Dhe me të drejtë, sepse pa këtë titull sqarues, lexuesin e gjorë kushedi se ku mund ta kishte degdisur fantazia e vet, duke vrarë mendjen dhe duke e imagjinuar profesionin e artikullshkruesit, pasi ta kishte lexuar artikullin e tij! 

    Në rastin tonë, paralelizmit të bisedës së artikullshkruesve tanë me diçituren, poshtë tabllosë, do t’i shkonte të ishte titulli- Doktor i Shkencave. Dhe me të drejtë, sepse pa këtë titull sqarues, lexuesin e gjorë kushedi se ku mund ta kishte degdisur fantazia e vet, duke vrarë mendjen dhe duke e imagjinuar profesionin e artikullshkruesit, pasi ta kishte lexuar artikullin e tij! 

    Titulli Doktor , që shihet përherë e më shumë si titull sqarues i identitetit të artikullshkruesve tanë, ma kujtoi këshillën e Sanços së urtë, thjeshtë dhe për një koincidencë tjetër, sepse ky artikullshkrues, Dr Çaça, paska studiuar në Universitetin e Laknasit (fshat që e ka marr emrin nga –Lakër– ngase fshati është i njohur për prodhimin e laknave), dhe ka doktoratuar po në Universitetin e lavdishëm të Laknasit! Nuk kam asgjë kundër Universitetit të nderuar të Laknasit. Aq më tepër se vetë shkencëtari nuk qenka nga Laknasi, gjë që prapë nuk ia ulë as dhe një grimë të vetme lavdinë doktoriale, sepse studiuesi i shquar, edhe pse nuk qenka nga Laknasi, është nga fshati Synet i Kavajës, i cili paska dhe bibliotekën më të madhe në zonat përreth, deri në Babrukë!

    Artikulli i këtij shkencëtari është shkrimi kritik i tipit – Magazinë Popullore- një grumbullim pa inventar, fjalësh dhe dijesh gjysmake, lloji tipik i shkrimeve që shfaqen në Fb a në rrjetet e tjera sociale, ku autorëve u lejohet të thonë çdo gjë të papërgjegjshme, të paverifikuar, çdo copëz cut & paste të konglomeritizuar së bashku në një çorbë laknas-esese, të quajtur artikull kritik ! Dhe të vjen keq që artikuj të këtij niveli gjejnë vend në faqen e një gazete si ExLibris, një shpërblim jo fort reciprok që vetë Gazeta u jep lexuesve të saj seriozë, të cilët kanë filluar ta besojnë prej kohësh ExLibris si një gazetë serioze dhe të respektuar. Më thonë se është pikërisht doktori i Laknasit, i cili pasi boton te ExLibris shkrimin e vet, paska bërë dhe nja tre orë kurs për të mësuar anglishten me një profesor ambulant të quajtur Shuaip, -dhe këtë herë, i pajisur dhe me njohurit fresh të Anglishtes, e ri-boton po atë shkrim te Gazeta Nacional, (datë 1 Maj 2023), duke i shtuar titullit të një jave më parë dhe “vetëm për Shqipninë Londineze”. Me pak fjalë, mjeshtri i Laknasit, me një ironi brilante, na thotë se kjo Antologji është e denjë vetëm për “Shqipninë londineze” – çka nënkupton se për Laknasin dhe Synetin jo dhe jo!  

    Në këtë debat, në favorin e dinjitetit të kritikëve të mëparshëm të Antologjisë, siç dhe parashikohej, shkëlqen dhe pjesëmarrja e studiuesit të njohur të letërsisë, arteve, metafizikës dhe kinematografisë, zoti Dem Metalia, një djalosh kurrë i munguar në debatet e ngrohta të të gjitha problemeve të shoqërisë shqiptare. Pinjolli i një punonjësi të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, një magazinier i depove të dikurshme të Kinostudios, i metamorfizuar në mënxyrën më kafkianeske, në një Newyorkes larës te xhamave të makinave , ky djalosh, mjeshtër i trashëgimisë gjenetike të psikoanalizës policore, dëshmon se ai vetë paska një sy tepër të prehtë për ta dalluar lehtësisht poezinë jo patriotike! 

    Një doktor tjetër, këtë rrallë, Dr. Muharrem Jakupi, shkruan me seriozitetin më të madh, se në hartimin e Antologjisë së Poezisë Moderne Shqipe, duhej të qe zbatuar Kriteri Territorial, një term që të bën të besosh se kritiku kësaj here është dhe një njohës mjeshtër i labirinteve të Kadastrave, në mos është dhe një oficer i taktikave të mësymjeve territoriale! Ndërsa Doktori i hapësirave Maqedoni e Veriut- Kosovë- Shqipëri, i cili është vetë studiues i letërsisë, poet dhe hartues Antologjish, jo pak i njohura Dr Agim Vinca, shkruan se Antologjia meriton as më shumë e as më pak se sa asgjësim total!

    Ajo që më çudit është se si Dr. Agim Vinca, një dishepull i njohur i doktorit tjetër, Dr. Aliut në katror (shih Hylli Dritës) – viti 1997, një patriot tepër luftarak, zbutet dhe squllet bash atëherë kur duhej të tregohej trim dhe patriot…Para disa vitesh të mira, kur kremtohej dhe 50 vjetori i Festivalit prestigjioz të Poezisë në Strugë, (atë vit vetë Kryetari i Komunës së Strugës ishte shqiptar),u ftuan mbi 100 poetë nga e gjithë bota, mes tyre dhe beatnik i famshëm Allen Ginsberg. Kishte dhe shumë poetë, kritikë, studiues, gazetarë dhe Doktorë shqiptarë, mes tyre dhe Dr. Ali Aliu dhe poeti Doktorial Agim Vinca!

    Natyrisht maqedonasit e shfrytëzuan rastin për ta kthyer takimin prestigjioz ndërkombëtar në një manifestim të nacionalizmit maqedonas. “Ishte si manifestimi në Munich-un e nazistëve të sapo ardhur në pushtet- shkruan më vonë Jigelles Jouanard, ish drejtore e Qendrës së Librit të Montpellier, Francë- kudo flamuj maqedonas dhe kudo banda muzikore maqedonase luajtur nga burra me kostume kombëtare. Dhe britma zëlarta për lavdinë e Maqedonisë,, I vetmi që protestoi për manipulimin e Takimit Ndërkombëtar të Poezisë për qëllime propagandistike të nacionalizmit maqedonas ishte Francezja Jigelles Jounard. Dhe ironia më e madhe është se më të zellshmit për ta kundërshtuar protestën e vetmuar të Jigelles Jounard ishin, sipas kujtimeve të Francezes fisnike, vetë poetët pjesëmarrës shqiptar të Maqedonisë (së Veriut, natyrisht).

    Dhe janë po të njëjtët poetë dhe studiues të heshtur deri në retiçencë në Strugën që përshkruan Jounard, të cilët shfaqen me një shpirt luftarak guerilas tani, kundër Antologjisë së Poezisë Moderne Shqipe të hartuar nga Rudolf Marku.

    2.

    Akuzat se Antologjia është hartuar duke injoruar krijuesit e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi vazhdon të jetë dhe akuza më serioze, sepse është një akuzë për një tradhti ndaj Atdheut të dashur – një mospërfillje e tmerrshme ndaj trojeve tona etnike, ndaj kulturës atdhetare, ndaj asaj që studiuesja serioze, zonjusha Klara Kodra, e quan me kujdes identitet kombëtar ose dhe ngjyrë shqiptare.

    Zelli patriotik për ta mbrojtur mbarëpërfaqësimin e krijimtarisë poetike Shqipe, të Hënën që shkoi, krijoi dhe një incident jo fort të këndshëm. Gazeta Nacional, madje vetë Botuesi i saj, Mujo Buçpapaj, me qëllimin që të tërhiqte vëmendjen e lexuesve ën demaskimin e Antologjisë së Poezisë Moderne Shqipe, botoi në faqen e parë lajmin sensacional se “në një kohë kur Antologjia e Poezisë Moderne Shqipe përjashton poetët shqiptar të Kosovës, Maqedonisë dhe të Malit të Zi, një Antologji Greke boton poezinë shqiptare duke përfshirë dhe poetët e Kosovës dhe të Maqedonisë!…”, duke sqaruar më poshtë lexuesit se Miqtë e revistës letrare greke Anti përfshinë në një antologji poetët shqiptarë…

    Një spekulim i bërë qëllimshëm për të prekur patriotët shqiptar dhe për të shumëfishuar fajin e antipatriotit Rudolf Marku. Në fakt, ajo që paraqitet si botim i bërë nga miqtë e revistës greke Anti, është një botim shqiptar, i bërë në Greqi, dhe jo i përzgjedhur nga miqtë grekë, sa kohë që ne dimë se Ymer Çiraku, Dalan Shapllo dhe Alfred Uçi, redaktorët zyrtarë të caktuar nga Shqipëria për të përzgjedhur poezitë Shqipe të këtij libri, nuk janë ende grekë! Dhe diçka tjetër: përveç Ymer Çirakut, dy të tjerët e përzgjedhurit dhe të të hartimit të kësaj Antologjie poetiko-patriotike, botuar nga miqtë grekë, studiuesi i Estetikes, Uçi, dhe zhdanovisti i njohur Shapllo, nuk duken si njerëzit më të përshtatshëm për të krijuar një Antologji të Poezisë bashkëkohore Shqipe. Dhe është e çuditshme se si kjo nuk ka shqetësuar asnjërin prej luftëtarëve që merr pjesë në sharjet e Antologjisë së botuar prej meje, provë se preokupimi i asnjërit prej tyre nuk është preokupim letrar apo dhe estetik!

    Antologjia e miqve grek është botuar në Majin e Vitit 2006! Pse kjo zhvarrosje e kësaj Antologjie tani, Antologji e cila nuk ka patur as dhe impaktin më të vogël për ta promovuar poezinë më të bukur Shqipe para lexuesve të Ballkanit, edhe pse ka qenë e investuar posaçërisht me fondet e Komunitetit Europian për këtë qëllim? Sa shkrime të thella dhe profesionale shkruar prej shkrimtarëve dhe studiuesve të huaj u botuan në shtypin serioz grek dhe Ballkanas për poezinë shqiptare me rastin e botimit të kësaj Antologjie, në një kohë kur çdo libër i botuar i Kadaresë në gjuhë të huaj është pritur dhe vazhdon të pritet me recensione dhe book review, shkruar nga personalitet më të larta të letërsisë në botë? Në Angli mund të botosh të përkthyer nja 4 a 5 Antologji të poezisë Shqipe njëherësh, siç bën dhe studiuesi i përkushtuar Fatmir Terziu, po të kesh pare për të paguar, por kjo nuk do të thoshte se këto Antologji u botuan nga miqtë anglezë të poezisë shqipe!

    Puna nuk është të botosh në Greqi, Itali, Angli a në Burkina Faso, ose dhe të botosh në vendin tënd një Antologji, se sa impakti emocional i krijimeve artistike tek lexuesit e huaj a të vendit, përmes vlerave tronditëse të shkrimësisë letrare, gjuhës, mjeteve shprehëse dhe formës. Dhe vetëm një letërsi dinjitoze, larg nga falsitetet deklarative dhe pseudo patriotike, do të ishte dhe kontributi më i madh patriotik për të promovuar jo vetëm letërsinë Shqipe, por dhe vetë shpirtin e kombit tonë dhe të kulturës tonë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË