More
    KreuLetërsiBibliotekëRobert Frost: Ndaloj nën drurë një mbrëmje me dëborë

    Robert Frost: Ndaloj nën drurë një mbrëmje me dëborë

    Përktheu nga origjinali Roland Gjoza

    VENDE TË SHKRETA

    Bie borë dhe nata bie shpejt, o sa shpejt
    Në një fushë që e kam ndërmend prej të shkuarës
    Dhe toka mbulohet me një lëmim të çuditshëm, pothuajse krejt
    Me pak kashtë dhe barishte që shfaqen nga fundet
     
    Dhe pyjet e rrethojnë si gjënë e tyre të çmuar
    Në strofulla janë mbyllur kafshët dhe s’ndihen
    Mua s’më takon gjë, se jam një shpirt i munguar
    Po kam vetminë fillikate, këtë mik pa vetëdije
     
    Dhe vetmia siç janë të gjitha vetmitë
    Do të jetë më fillikate kur të mbetet më pak
    Dhe bardhesia e zbrazët e borës mbuluar me natë
    Nuk ka gojë për të më shprehur diçka
     
    Fusha dhe pyjet nuk mund të më trembin kurrsesi
    As yjet- ku thonë se nuk ekziston jeta
    I kam ngjitur me shtëpinë, brenda duan të më hyjnë
    Për të më trembur, vendet e mia të shkreta.


    PAH DËBORE

    Mënyra se si një korb
    Shkundi mbi mua
    Pah dëbore
    Nga një pemë helmuese
    Ma ndryshoi krejt humorin
    E hidhëroi zemrën time
    Por sa herë e kujtoj
    Më rëndon si një pendim


    MBYLL DRITARET

    Mbyll dritaret tani dhe fushave u jap qetësi
    Dhe drurët, nëse duan, në heshtje le të lëkunden
    Asnjë zog s’këndon, ndonëse i shoh që fluturojnë
    Qofshin humbjet e mia këto
     
    Do të kalojë kohë gjersa kënetat të zgjohen
    Dhe unë të shfaqem më herët se zogu i parë
    Mbyll dritaret tani që të mos dëgjoj erën
    Ndonëse shikoj gjithë lëvizjet e saj.


    NJË BUJK ME PLUG

    Një bujk me plug, kërkojnë ata, borën të plugojë
    Por për të mbjellë s’kanë se ç’t’i thonë
    Veç prej hidhërimit mund ta vënë në lojë;
    Shkëmb dhe gurë mbill tani në borë!


    FAMILJA E TRËNDAFILIT

    Trëndafili është një trëndafil
    Dhe gjithmonë ka qenë një trëndafil
    Por teoria vazhdon përsëri
    Se dhe molla është një trëndafil
    Dhe dardha është, po ashtu
    Dhe kumbulla, besoj unë
    Vetëm dashnorët e dinë
    Çfarë mund të jetë sërish një trëndafil
    Ti, natyrisht, je një trëndafil
    Dhe gjithmonë ke qenë një trëndafil


    XIXËLLONJAT NË KOPSHT

    Në qiellin e lartë të natës yje të pafundmë ndriçojnë
    Poshtë në kopsht fluturojnë xixëllonja që i imitojnë
    Natyrisht, ato nuk e kanë madhështinë e tyre planetare
    ( por kanë një zemër që yjet e vërtetë s’e kanë )
    Në fillim ngjashmëria me yjet është shumë e madhe
    Por zgjat fare pak, se më pas kuptohet ç’janë.


    NJË ZOG I VOGËL

    Kam dashur që një zog i vogël të  mos vinte këtu
    Të mos këndonte te dritaret e mia nga mëngjesi në muzg
     
    Kam përplasur duart te dera që brenda të mos futej
    Kur më dukej se me durimin tim ai po luante
     
    Ndoshta një pjesë të fajit e kam pasur dhe unë
    Zogu nuk ishte fajtor që kënga e tij çelësin kishte humbur
     
    Dhe sigurisht duhet të kishte diçka që nuk shkonte
    Në përpjekjet e mia për të ndalur këngën e zogut të vogël


    AJO ËSHTË SI NJË TENDË MËNDAFSHI

    Ajo është si një tendë mendafshi në fushë
    Në mesditën me diell kur fryn flladi i verës.
    Vesa thahet dhe gjithë litarët rrinë të tendosur
    Lëkundjet e saj të lehta janë aq shumë joshëse
    Dhe shtylla prej dru kedri që e mban
    Është si kulmi që në këmbë mban parajsën.
    Dhe tregon fuqinë e shpirtit të saj
    Nuk varet prej asnjë nyjeje të vetme
    S’lidhet prej askujt, por ka një lidhje të lirë
    Një lidhje të pafundme të mëndafshit dhe mendimit
    Për çdo gjë në tokë, kompas që rrotullohet
    Pak duke u tendosur, finoshe grish
    Dhe në kapriçiot e ajrit të verës
    Bie pre e skllavërisë më të vogël krejt e vetëdijshme. 


    AS LARG AS NË THELLËSI

    Plot njerëz kalojnë në ranishte
    në një drejtim shohin të gjithë
    tokës i kanë kthyer shpinën
    sodisin detin çdo ditë
     
    Dhe për sa kohë një anije
    humb dhe shfaqet sërish
    në ujërat vezullimhollë si qelq
    refleksi i një pulëbardhe shndrit
     
    Toka ndryshon gjithsesi
    por ata i besojnë, natyrisht
    valës që vjen në breg pa pushim
    dhe nuk ia ndajnë sytë.
     
    Ata nuk shohin dot larg
    por as në thellësi nuk shohin dot
    dhe kur vjen koha ta vrasin pak
    kjo kurrsesi nuk ndodh


    MOSDASHJE

    Jashtë isha, në fusha e pyje
    dhe sërish te muret jam kthyer
    kam parë nga kodrat ku jam ngjitur
    botën rreth e rrotull, pastaj kam zbritur
    tani nga autostrada shkoj drejt shtëpisë
    ja dhe kjo ditë mori fund
     
    Gjethet pa frymë mbi tokë shtrirë
    lisi mban ende ca gjethe
    dhe ato po bien një nga një
    zvarriten, kërcasin, krisen
    mbi dëborën që ka zënë ngricë
    ndërsa njerëzia fle
     
    Dhe gjethet e vdekura bashkë kanë vdekur
    duken si të përqafuara, s’ndihen më
    dhe aster i fundit, fillikat, është zhdukur
    magji e lules së lajthisë është mekur
    zemra ende në ngasje për të kërkuar
    dhe këmbët sikur bëjnë zë; për ku?
     
    Por a ka ndodhur që në zemrën e njeriut
    të mos ketë patur një mosdashje të fshehtë
    për t’u shkuar pas ligjeve të jetës
    për t’iu dorëzuar me shumë hir arsyes
    me një nënshtrim fisnik të pranojë  fundin
    e një dashurie apo e një stine?


    NJË COPË TOKË ME DËBORË TË VJETËR

    Diku një copë tokë me dëborë të vjetër
    Dhe të vjen diçka në përfytyrim
    Sikur i ka dërguar shiu një letër
    Të shkojë e të bëjë pak pushim
     
    Pika të zeza zgjyre shoh aty- këtu
    Si shkrime të vogla përhapur mbi dëborë
    Lajme të një kohe që i kam harruar
    Nëse një ditë rastis dhe i lexoj


    HANIBALI

    Dhe ishte shkaku i një beteje të humbur
    Apo e një kauze që e zhgënjeu shumë rëndë
    Ajo që tregoi me kalimin e kohës gabimin e fshehur
    Që erdhi prej lotëve fisnikë dhe këngës 
     


    UNË KAM NJOHUR NATËN

    Unë kam njohur natën
    Unë kam dalë në shi dhe jam kthyer në shi
    Unë kam kaluar përtej dritave të fundit të qytetit
     
    Unë kam shkelur në udhët e tij më të trishtuara
    Unë e kam lënë pas policin në përleshjet e tij
    S’kam patur forcë të arsyetoj, po vetëm kam ulur sytë
     
    I kam ndalur hapat, rrija dhe mbaja vesh
    Nga larg vinte një ulërimë e ndërprerë
    Herë nga shtëpitë, herë nga një yrt tjetër
     
    Por jo për të më thënë kthehu apo lamtumirë
    Tutje diku në një lartësi të pamatshme
    Një orë ndriçonte kundrejt qiellit
     
    Ajo tregonte se koha nuk ishte as e gabuar as e drejtë
    Unë kam njohur natën


    NDALOJ NËN DRURË NJË MBRËMJE ME DËBORË

    I njoh këta drurë, këtë fshat dimëror
    Shtëpia e tij është shtegut që humb
    S’ka si ta dijë që kam ndalur këtu
    Dhe shoh pemët mbuluar me dëborë
     
    Kali im i vogël shfryn, ankon paprerë
    Se nuk sheh këtej rrotull ndonjë fermë
    Midis drurëve dhe liqenit të ngrirë
    Bie mbrëmja më e errët e vitit
     
    M’i hiqni pajimet dhe zilkat t’i tund
    Pse rrimë në një vend e s’shkulemi?
    Një tjetër zilkë midis drurëve, me kumb
    Është era që ndërkaq platitet e humb
     
    Drurët kaq të bukur, errësirë, terr
    Por unë kam premtuar të shkoj atje tej
    Dhe kam ende rrugë përpara se të fle
    Dhe kam ende rrugë përpara se të fle


    RRUGA QË S’MORA

    Dy rrugë ndahen në pyllin ngjyrë okër
    Sa keq që s’mund t’i marr të dyja në një kohë
    Dhe jam vetëm një, rri dhe vras mendjen
    Kjo e para më afër apo më larg të nxjerr
    Ndërsa kalon gjarpërueshëm nën drurët gjetherënës
     
    Pastaj shoh tjetrën, më e shkurtër më duket
    Ndoshta është më mirë të marr këtë rrugë
    E veshur e gjitha me një bar të bukur
    Kaloj nëpër të e se ndiej çfarë humb
    Se edhe tjetra është veshur me bar gjithashtu
     
    Këtë mëngjes të dyja njëlloj më duken
    Gjethet e pashkelura, të zeza në blu
    Oh, një tjetër ditë do të marr të parën
    S’di ç’rrugë më çon më shpejt dhe më mirë
    Dyshime të mos kem kur të kthehem sërish
     
    Dhe flas me vete duke psherëtirë
    Kjo kështu ka ndodhur edhe herë të tjera
    Dy rrugë ndahen dhe unë s’di ç’të zgjedh
    Ja, marr njërën, po a zgjodha mirë
    Jam dilemë e marrë e çdo diference

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË