More
    KreuHistoriProf. Dr. Irakli Koçollari: Manol Blesi, një luftëtar dhe poet i shquar...

    Prof. Dr. Irakli Koçollari: Manol Blesi, një luftëtar dhe poet i shquar shqiptar dhe katër poemat e tij të panjohura

    PËRPJEKJE PËR TA PËRVETËSUAR APO TJETËRSUAR IDENTITETIN E TIJ NACIONAL

    Nuk do tepronim të thoshim se – ndoshta është rast unik në historinë e mesjetës europiane që – një luftëtar aktiv dhe i pranishëm në shumë fronte, luftëra dhe beteja të përgjakshme europiane të ishte njëkohësisht edhe një poet i shquar dhe krijues i palodhur.

    Në fillimet e vitit 1500 ai botoi tre poema në një prej qendrave më të rëndësishme të civilizimit dhe rilindjes europiane, në Venecia. Për shumë kohë historianë apo kritikë arti të vendeve të ndryshme kanë bërë përpjekje për të përvetësuar apo tjetërsuar identitetin nacional të tij. Shumë nga ata janë munduar të gjenin “argumente” apo “prova” se ky luftëtar i çuditshëm, por edhe poet dhe kronist betejash mund te ishte grek apo Italian!!!

    Sigurisht, ishte fama dhe krijimtaria e tij mbresëlënëse që pati tërhequr këta “kërkues”, ta merrnin këtë thesar për të shtuar pasuritë e intelektualizmit të tyre historik, të krenoheshin me të dhe krijimtarinë e tij. Por, ishte njëkohësisht edhe heshtja apo mosnjohja e kërkuesve tanë për të njohur dhe identifikuar këtë pjellë të gjakut dhe gjuhës arbërore, që kishte rritur orekset e të huajve “për ta bërë të tyren një mjeshtër të shpatës dhe të penës”. 

    Por, ky njeri, ky luftëtar i njohur nëpër shumë fronte luftërash të Europës, ky krijues i talentuar i katër poemave me mjaft vlerë historike dhe letrare, duket qartë se nuk u la shteg falsifikatorëve dhe “hulumtuesve” të etur për lavdi nacionale të abuzojnë me identitetin e tij arbëror!

    Populli ynë thotë: “Për të mbyllur gojët e liga”, luftëtari-poet la një gur të rëndë prove të patjetërsueshëm dhe mbi të një epigrafi që motet nuk do ta gërryenin apo shuanin dot. Në njërën prej poemave të tij ai la mesazhin e tij në formën e një testamenti identitar nacional, për vete dhe për bashkëluftëtarët e formacionit të tij, me të cilët luftonte krah për krah. Madje, njërën prej katër poemave të shkruara nga dora e tij, ai e ka titulluar:

    “Barzeletta de quatro compagni Strathioti de Albania….. capo di loro Manoli Blesi da Napoli di Romania”

    “Rrëfenja e katër shokëve stratiotëve nga Shqipëria… dhe komandanti i tyre Manoli Blesi nga Nafplio e Peloponezit”

    Dhe vargu i parë i kësaj poeme fillon me eksklamacionin:

    Nu la semo de Albania

    (Ne jemi nga Shqipëria)

                                                                                       ……..

                                                                                       ……..(1)

    Pas këtij deklarimi – kush do të mund të tjetërsonte identitetin e këtij luftëtari – poet? Kush do të mund të zhbënte fjalët e kësaj thirrjeje krenare?  Kush do të mund ta fshinte nga arkivat dhe botimet fjalët e këtij shqiptari që bën këtë vetëpohim?, Kush mund të manipulonte autografin “Albanezi”, që ai e shkruante dhe e botonte për tua treguar pa droje, publikisht, të tjerëve se kush ishte gjuha dhe gjaku i tij?, Vështirë se do gjendej një falsifikator që të manipulonte provën kokëfortë, sepse që në vargun e parë të poemës, poeti u bërtiste bashkëkohësve dhe shekujve që do të vinin: “Nu la semo de Albania” – “Ne jemi nga Shqipëria”!

    MANOL BLESI…

    … kështu quhet autori i katër poemave që kemi gjetur. Kështu quhet ky stratiot, luftëtari i njohur i shumë betejave në frontet e Italisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Vendet e Ulta (Paese Basi), Lituanisë dhe gjer në Ishullin Britanik.

    Sa nga burimet arkivore historike, (2), aq edhe nga ato shënimet që fuftëtari dhe poeti, Manol Blesi ka lënë për veten e tij, mësojmë se ai ose pati lindur ose kishte shkuar i mitur me familjen e tij në rrugët e emigrimit nga Arbëria në Nafplio të Peloponezit aty nga fundi i shekullit të XV. (3)

    Nga burime të shumta arkivore, venecjane, napolitane, osmane, etj., mësojmë se të paktën prej fillimit të shekullit të XIV, ky qytet bregdetar në jugun e Moresë (Peloponezit) dhe e gjithë krahina rreth tij banohej masivisht nga “katune” shqiptare. (4) I tillë ishte edhe qyteti i Nafplios, ku u vendos familja Blesi. Ky qytet bregdetar prej gati dy shekujsh ishte nën zotërimin e Venecjanëve, të cilët, përmes fondeve të dokumentacionit të administratës së tyre, na bën me dije për praninë dominuese të popullsisë shqiptare në këto anë. (5). Por, nuk do të kalonte gjatë dhe aty nga fundi i shekullit të XV, repartet e ushtrisë osmane do suleshin, për të shtënë nën forcën e përgjakur të shpatës territoret e Peloponezit.

    Për të mbrojtur zotërimet e tyre dhe qytetet porte, që venecjanët kishin në brigjet e Peloponezit, kërkuan ndihmën dhe mobilizuan shqiptarët për të përballuar kërcënimin barbar Osman. (6)

    QËNDRESA SHQIPTARE NË BETEJAT E PELOPONEZIT

    Shqiptarët gjer atëherë ishin njohur kudo nëpër Europë, nga kancelaritë e saj dhe frontet e luftërave, për kurajën dhe aftësitë e tyre të veçanta luftarake. Dhe pikërisht në fundin e shekullit të XV, shqiptarët në Peloponez formuan repartet e tyre të para të “Stratiotëve”, njësi luftarake të cilat do vepronin jo vetëm në territoret greke kundër hordhive osmane, por rruga e tyre do të ishte shumë më e gjatë dhe e largët. (7)

    “Stratiotët” shqiptarë do të kërkoheshin për aftësitë dhe fuqinë e tyre decisive luftarake në aleanca ushtarake nga pothuaj të gjitha mbretëritë europiane. Alfonsi i Napolit, Luigji i XII i Francës, Perandori Maksimilian i Gjermanisë, Senati Venedikas, Duka i Milanos, Republika Gjenoveze, Mbreti i Spanjës, etj., të gjithë do të kërkonin me insistim, kush e kush të kishte një repart prej 200, 300 apo 500 “stratioti-albanezi” – kalorës, që do të habisnin dhe tmerronin kundërshtarët në frontet e luftërave europiane. (8)

    PUSHTIMI OSMAN I PELOPONEZIT DHE EMIGRIMET E STRATIOTËVE SHQIPTARË

    Mbas një rezistence të gjatë dhe të përgjakshme antiosmane, aty rreth viteve 1470 qëndresa e arbërorëve të Peloponezit, të cilët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë të këtyre anëve, u godit rëndë mbas një marrëveshjeje që venecjanët nënshkruan me Perandorinë Osmane. Në vitin 1478 dy palët nënshkruan “Marrëveshjen e Paqes”, sipas së cilës, venecjanët do t’i dorëzonin një numër qytetesh forcave turke dhe do të detyronin forcat e kryengritësve, “stratiotëve“ shqiptarë të tërhiqeshin nga luftërat dhe rezistenca kundër forcave turke.(9)

    Askush nga kryengritësit “stratioti-albanezi” nuk pranoi të hedhë armët dhe pjesa me e madhe e tyre ose vazhdoi rrugën e rezistencës së përgjakshme, ose u detyrua së bashku me familjet e tyre të emigrojë, drejt perëndimit, në Sicili, në Mbretërinë e Napolit, në Kalabri, në Venecja dhe gjetkë.  (10)

    Këta kryengritës, duke u larguar nga Moreja (Peloponezi), merrnin me vete dhimbjen, mallin dhe nostalgjinë për këtë vend, ku kishin luftuar, derdhur gjak dhe kishin lënë varret e të parëve. Ishin pikërisht “stratiotët”- shqiptarë ata që shkonin në rrugën e tyre të mërgimit duke kënduar këngën e krijuar nga vetë ata, të mbushur me mall:

    Moj e bukura More

    Si të lashë

    E më s’të pashë…

    Atje kam unë zonjën mëmë

    Atje kam unë timë atë

    Atje kam unë tim vëlla                (11)

    Një nga këta mërgimtarë që largohej me dhimbje nga qyteti i tij i lindjes, Nafplio, ku kaloi vitet e tij të fëmijërisë, kur territoret greke ranë në duart e përgjakura të pushtuesve osmanë, ishte edhe “Stratioti” arbëror Manol Blesi. Dokumentet e shumta të Arkivave Venedikase flasin për të dhe formacionin e stratiotëve të tij, fillimisht në Republikën e Venedikut, ku ai ofroi shërbimet si ushtarak profesionist dhe mandej për betejat që ai zhvilloi nëpër frontet e Europës. (12) Por, njoftime më të hollësishme për betejat e zhvilluara nëpër Europë, formacionet e stratiotëve shqiptarë me të cilët ai ishte njohur apo kishte luftuar krah për krah, emrat, identiteti i tyre, karakterin, vështirësitë e udhëtimeve të gjatë, kurajën e tyre në luftime, qytetet, fshatrat, shtigjet, lumenjtë vitet dhe stinët e vështira me të cilat ishin përballur na i ofron vetë Manol Blesi përmes vargjeve të poemave të tij. 

    KATËR POEMAT E PANJOHURA TË MANOL BLESIT

    Të paktën gjer më tani ne kemi mundur të gjejmë katër poema, jo vetëm të shkruara, por edhe të botuara prej këtij luftëtari poet. Fatkeqësisht, asnjë prej tyre nuk ruhet në bibliotekat apo fondet e arkivave tona. Meqë ne kemi në duar kopjet e të katër poemave, do themi nga dy fjalë për secilën nga ato, dhe vlerat unike që ato mbartin.

    Poema e parë titullohet:

    “I fatti e le prodezze di Manoli Blessi strathioto…”

    “Ngjarjet dhe bëmat e stratiotit Manoli Blesit …”, (13)

    Ajo është botuar më 1561 (MDLXI), në Venecia. Poema është shkruar në dialektin e italishtes venetishte dhe përshkruan jetën dhe bëmat e vetë poetit – stratiot Manol Blesi. Botimi ka 104 faqe. Çdo faqe ka tetë strofa, pra e tërë botimi ka afërsisht 830 strofa. Çdo strofë ruan përgjithësisht rimën ”a”- “b”;  “a”-“b”, ndërsa dy vargjet e fundit të çdo strofe ruajnë rimën “a” – “a”. (14)

    Poema flet në vetë të parë, për botën dhe udhën e gjatë të mundimshme, por dhe kurajoze të stratiotëve, fatet dhe përpjekjet e tyre për të luftuar dhe mbijetuar në Europën e ngarkuar me konflikte të përgjakshme, me aleanca, pushtime, shtegtimet nëpër rrugë dhe vende të largëta, popuj e mbretëri të tjera dhe për t’u kthyer prej andej fitimtarë.

    *   *   *

    Poema e dytë titullohet:

    “Manoli Blessi nella totta dell’ armata de Sulltan Selim, ultimo re de Turchi.”

    “Manol Blesi në shkatërrimin e armatës së Sulltan Selimit, mbreti i fundit i Turqve” (15)

    Strofat e kësaj poeme janë me nga gjashtë vargje dhe në fund të gjashtë vargjeve ka një varg të shtatë, i cili përsëritet ritmikisht në çdo fund strofe, tek e gjithë poema. Ajo ka në të gjitha rastet të njëjtën përmbajtje “O stratiotë trima”. Ky poemth i botuar ka gjithsej dymbëdhjetë faqe dhe secila faqe ka katër strofa. Cdo varg është tetë rroksh dhe ruan rimën “a” – “b”, “a” – “b”. (16)

    Kopja e kësaj poeme ruhej në një Universitet periferik të Londrës, “School of Oriental & African Studies – London”, që kurrkujt nuk mund ti shkonte në mëndje se atje mund të gjendej një poemë e shkruar nga një poet arbëror i mesjetës, i viteve 1500. (17)

    Poema zë fill me një parathënie të vetë poetit, përmes të cilës i drejtohet Shkëlqesisë së tij Senatorit, Liksandro Condari dhe i rrëfen atij përmes vargjeve të poemës të gjitha përpjekjet dhe betejat e bëra nga ai me repartet tij të stratiotëve për shkatërrimin e armadave turke. (18) Rrugëtimi i reparteve të tij të stratiotëve arbërorë zë fill nga Venecja dhe ngjitet, në ndjekje të trupave osmane drejt veriut, drejt Hungarisë dhe Austrisë duke bërë kërdinë mbi jeniçerët osmanë.

    Poema e tretë titullohet:

    “Barzeletta de quattro compagni Strathiotti de Albania, …. …Capo di loro Manoli Blesi da Napoli di Romania”

    “Rrëfenja e katër shokëve stratiotëve nga Shqipëria…dhe komandanti i tyre Manoli Blesi nga Nafplio e Peloponezit” (19)

    Sipas një shënimi të shkruar në fund të poemës mësojmë se poeti e ka përfunduar shkrimin e tij më 1572, dhe menjëherë pas kësaj është çuar për botim po këtë vit në tipografitë e Venecjas. Poema ka 158 strofa, të gjitha nëntë rrokshe. Ato ndjekin rimën “a – b”, “a – b”. (20)

    Qysh në vargjet e para të poemës, poeti përcjell urrejtjen dhe vendosmërinë e tij dhe shokëve të tij të armëve për të luftuar kudo që ti jepen hapësirat, kundër pushtuesve turq, të cilët kanë detyruar atë dhe shumë familje stratiotësh shqiptarë të marrin rrugërt e largëta dhe të mundimshme të emigrimit. Por, ai tregon gjithashtu se fatet e kohëve i kanë çuar këta luftëtarë të papërkulur edhe më tej, në fronte betejash të largëta. Poema në rrugëtimin e saj përshkruan dhe pasqyron betejat e zhvilluara nga Blesi dhe stratiotëve arbërorë kundër turqve por dhe më tej akoma.

    Poema, në thelb, është edhe një rrëfim biografik që i tregon lexuesit edhe një herë qytetin e largët ku kaloi fëmijërinë poeti, – Nafplion e Moresë (Peloponezit). Mandej vargjet përshkruajnë me hollësi betejat nëpër Europë me shokët e tij stratiotë, në Moldavi, Prusi, Lituani, Moskë, Poloni, Varshavë, Gjermani, Frankfurt, Nuremberg, Vendet e Ulta, Venecja, Trevizo, etj. Poema na ofron skena dhe peisazhe të gjalla të maleve, pyjeve, grykave, lumejve dhe vendeve ku kalojnë, marshojnë apo ndeshen forcat e stratiotëve shqiptarë.  (21)

    Botimi ka një parathënie hyrëse të vetë autorit, Manol Blesi, përmes së cilës ai i drejtohet Kancelarit të Madh venedikas, Francesko Otoban, që i kujton se rrugëtimi i stratiotëve të lavdishëm dhe i vetë kësaj poeme është një nderim edhe për vetë Republikën e Venedikun.  (22)

    Poema e katërt titullohet:

    “La presa di Nikosia”

    “Marrja e Nikosias”. (23)

    Kjo poemë është shkruar dhe përfunduar nga autori më 1 Shtator të vitit 1570. Sikundër edhe tre poemat e mësipërme edhe kjo është e shkruar në italishten venetishte të kohës. Poema ka rreth 220 strofa. Vargu i saj ruan përgjithësisht nëntë rrokshin dhe rimën “a – b”, “a – b”. (24)

    Kopja unike e saj ruhet në Londër. (25)

    Poema flet për ngjarjet që përfshinë Qipron në mesin e shekullit të XVI, kur ushtritë osmane filluan sulmet për pushtimin e ishullit. Sikundër dihet, ato kohë, venecjanët kishin në zotërim disa fortesa dhe qytete bregdetare të atij vendi. Duke vlerësuar se forcat e garnizoneve të tyre nuk do të përballonin dot fuqinë numeroze goditëse të ushtrive turke, kërkuan prej Republikës së Venedikut forca të tjera shtesë mbështetëse. Me atë rast Senati Venedikas dërgoi në Qipro një forcë me reparte stratiotësh arbërorë (albanezi), të cilët u vendosën në fortesat bregdetare të këtij vendi. Pa kaluar gjatë, ata u ndeshën në mënyrë të suksesshme me forcat osmane, duke lënë kështu gjurmë të dukshme në historinë e Qipros. Arkivat venecjane kanë një numër të madh informacionesh për betejat e stratiotëve shqiptarë në ato anë. Fatkeqësisht, ende kronikat e beteja dhe prania e shqiptarëve në ato anë është e panjohur dhe e pa hulumtuar nga historiografia e jonë.(26)

    Pikërisht këto ngjarje përshkruan edhe Manoli Blesi në poemën e tij të titulluar “Marja e Nikosias”. Poema – kronikë duket fare qartë se konfirmon ngjarjet e atyre betejave, të cilat na i sjellin në mënyrë simetrike edhe raportet dhe kronikat ushtarake venecjane, të cilat ruhen në Arkivat e këtij qyteti. (27)

    Në nder të shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tij stratiotëve shqiptarë, poeti Manol Blesi, ka renditur edhe një numër strofash ku i citon ata me emra apo mbiemra. Këto mbiemra ne i gjejmë edhe sot e kësaj dite në Shqipëri, tek arbëreshët në Itali apo tek arvanitët në Greqi. Vargjet e përkthyera i ofrojmë si më poshtë:

    …….

    Ku është tash Klementi i madh

    Komandant i gjith ushtrisë

    Po dhe Gjerbësi trim mbi trima

    Që i dha drithmën Turqisë

    Po ku janë Gjini, Frashina

    Të maskuar luftë përherë

    O Stratiotë trima të ndjerë

    Ku është Shtino dhe Kanaci

    Meksi, Lopsi dhe Barbati

    Po Andruc mustaqegjati

    Petro Bua dhe Stamati

    Aq të shpejtë që kush si kapi

    Nëpër shtigje ballë përherë

    O stratiotë trima të ndjerë

    ….. (28)

    Kjo krijimtari e madhe letrare e shkruar në trajtën e vargut poetik – kronikë historike, është një pasuri e madhe dhe me vlera për fondin e kulturës tonë kombëtare. Ajo na ofron edhe një herë një brumë të patjetërsueshëm material të krijimtarisë tonë letrare të lëvruar qysh në kohën e Rilindjes të madhe Europiane. Këto gjetje shtojnë edhe më tej numurin e krijuesve arbërorë të mesjetës, duke na kujtuar se poezia në vecanti dhe krijimtaria letrare në përgjithësi ka një traditë shumë më të pasur nga ajo që kemi njohur gjer më tani, të hershme, permanente, madje të begatë, sa asnjë nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe më gjerë. Për këto arsye kemi të drejtën të mendojmë se të tjera thesare, të panjohura, të trashëgimisë tonë kulturore, do të gjejmë në të ardhmen.

    V. O. Mbiemri i poetit “Blesi”, prej arvanitëve në Greqi spjegohet me fjalën shqipe “Blej”, pra “ai që blen” = “blesi”. Në shqipen standarde përdoret “blerësi”!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË