Përktheu nga origjinali greqisht: Niko Kacalidha
ELENA
Me pikën e parë të shiut e vrarë mbeti vera
U lagën fjalët që kishn lindur vezullime yjesh
Gjithë fjalët që Ty të kishin të vetmin përkushtim!
Për ku do t’i shtrijmë duart tona tani që koha fare
nuk na përfill
Për ku do t’i hedhim sytë tanë tani që linjat e largëta
u fundosen midis reve
Tani që u mbyllën qepallat e tua mbi visoret tona
Dhe jemi – sikut të ketë hyrë mjergulla brenda nesh-
Të vetëm krejt të vetëm rrethuar nga vegimet e tua
të vdekura.
Me ballin mbi xham përgjojmë dhimbjen e re
S’ është vdekja që do të na flakë përdhe gjersa Ti rron
Gjersa ekziston gjetkë një erë të të jetojë fundekrye
Të të vesh nga afër siç të vesh nga larg shpresa jonë
Gjersa ekziston gjetkë
Një luginë e bleruar tej buzëqeshjes tënde gjer në diell
Duke i thënë tërë besim se do të ritakohemi përsëri
Jo nuk është vdekja që do t’i përballemi ne
Por një bulëz e vogël prej shiut të vjeshtës
Një ndjenjë e vagëlluar
Kundërmimi i dheut të njomë brenda shpirtrave tanë
Që sa venë dhe largohen
Dhe nëse dora jote nuk është brenda dorës sonë
Dhe nëse nuk rrjedh gjaku ynë në venat e ëndrrave
të tua
Drita në qiellin e dëlirë
Dhe muzika e padukshme brenda nesh o! udhëtare
Melankolike për gjithë ato që na mbajnë ende në botë
Është ajri i lagësht çasti i vjeshtës, ndarja
Mbështetja e hidhur e bërrylit mbi kujtimin
Që duket kur nata vjen të na ndajë nga drita
Pas dritares katrore që vështron drejt pikëllimit
Që nuk shikon asgjë
Sepse u shndrua sakaq muzikë e padukshme flakë
Në tymtar trokitje e sahatit të madh të murit
Sepse u bë sakaq poezi me vargun tjetër jehonë paralele
Me shiun lotë dhe fjalë
Fjalë jo si të tjerat dhe ato me: Ty të vetmin përkushtim.
GJUMASHJA
Përhapet zëri erës rrëqethëse, dhe ti dihat midis drurëve
Të saj të padukshme
Është e verdhë çdo faqje e gjumit tënd dhe me të lëvizur
Gishtat e tua një flakë shpërndahet
Brenda teje me ca gjurma rrëmbyer diellit. Dhe mbarë
Flladitet bota e vegimeve
Dhe e nesërmja nxjerr gjirin e saj lakuriq të shenjuar
Prej yllit të virgjër
Që ngrys vështrimin kur shkon të shterojë një copë qiell
O mos durofshë më qerpikëve
O mos lëvizësh më gëmushave të gjumit
E di cila lutje ndez gishtave vajin vigjilues portikëve të
Agullimit
Cilit zbulim të vesuar i fëshfërin përmes pritjes
Kujtimi të cilin e ka pushtuar bari
Atje ku shpreson bota. Atje ku njeriu nuk dëshiron gjë
Tjetër veç se të jetë njëri
I vetëm dhe pa asnjë Fat me vete!
EVA
Leshohesh dallgës në heshtje
Që shkreton shpirtin tim të banuar
Një korrije pranë zjarrit
Bast i erërave të natës
Një çapitje hijeje në bregun e Kimeras
Një dhomë
Dhomë njerëzish të thjeshtë
Një enigmë
Larë e nderur në syrin që magjeps
Në vështrimin tënd
A në lartësinë e diellit të tij
Gjithë jeta ime mblidhet një fjalë
Gjithë bota baltë dhe ujë
Dhe gjithë flakrat e gishtave të mi
Dhunojnë buzët e ditës
Presin kokën tënde
Në buzët e ditës
Përballë vetmisë së ëndrrës.
ODË PËR SANTORININ
Dole prej rropullive të gjëmimit
Duke u rrëqethur mes reve të penduara
Gur i hidhur, i sprovuar, kryelart
Kërkove kryemjeshtër diellin
Për të përballur bashkë vezullimin e frikshëm
Për t’u shtrirë në det me një kumbim kryqëzate
E zgjuar prej detit, kryelart
Ngrite një krahëror të larmë
Shkëmbi nga frymëzimi i jugës
Që të vijëzojë atje rropullitë e saj dhimbja
Që të vijëzojë atje rropullitë e saj shpresa
Me zjarr me llavë me tym
Me fjalë që afrojnë pafundësinë
Linde zërin e ditës
Ngrite lart
Eterit të trendafiltë e të gjelbër
Kambanat që u bie mendja e lartësuar
Duke himnizuar zogjtë në dritën e mesgushtit
Bri trandje dallgësh,bri brenga shkumash
Përmes falënderimeve të gjumit
Kur nata endej shkretëtirave të yjeve
Duke kërkuar dëshminë e agullimit,
Ndjeve gëzimin e lindjes
Kërceve e para në mes të botës
E purpurtë dole mes valësh
Dërgove gjer tej horizonteve të kaltër
Bekimin e rrritur pagjumësisë së detit
Të ledhatoje flokët në pesë të mëngjesit.
Mbretereshë pulsesh e flatrash të Egjeut
Gjete me fjalë që afrojnë pafundësinë
Me zjarr me llavë me tym
Përvijimet e mëdha të fatit tënd
Tani para teje shpaloset drejtësia
Malet e murrme notojnë shkëndijimit
Dëshirat farkëtojnë krateret e tyre
Në truallin e munduar të zemrës
Dhe nga sfilitja e shpresës tokë e re gatitet
Që të ecë atje me shqiponja e flamuj
Një mëngjes mbushur me ylbere
Fisi që gjallëron ëndrrat
Fisi që këndon në prehrin e diellit
O vajzë e zemërimit të pamatë
Që del lakuriqe nga deti
Hapi portikët vezulluese të njeriut
Të kundërmojë vendi nga shëndeti
Në mijra ngyjra të buthtojë ndjenja
Të shtrijë krahët për fluturim gjerë e gjatë
Dhe të fryjë nga të gjitha anët liria.
Ndriçoje mes predikimit të erës
Bukurinë e re dhe të përjetshme
Kur dielli i orës tre të mesditës ngrihet
Plot kaltërsi duke luajtur harmonikën e Krijimit.
MARINA E SHKËMBINJVE
Ke një shije furtune në buzë-Po ku endeshe
Gjithë ditën ëndërrimit të ashpër të gurit dhe detit
Një erë shqiponjëmbajtëse i zhveshi lakuriq kodrat
Zhveshi dëshirën tënde gjer në eshtër
Dhe bebëzat e syve të tua morën stafetën e Kimerës
Duke ravijëzuar me shkumë kujtesën!
Ku është e përpjeta e njohur e shtatorit të vogël
Në dheun e kuq që lodroje duke soditur tatëpjetës
Bathoret e thella të vajzave të tjera
Cepat ku mikeshat e tua linin tufat e rozmarinave
-Po ku endeshe
Gjithë natën ëndërrimit të ashpër të gurit dhe detit
Të thoshja t’i numëroje ujit të zhveshur ditët vezulluese
Shtrirë në kurriz t’i gëzoheshe agullimit të sendëve
Apo të bridhje sërish fushave të gjëra
me një tërfil drite në gjoksin tënd heroinë jambi.
Ke një shije furtune në buzë
Dhe një fuastan të kuq si gjaku
Thellë mes prarimit të verës
Dhe aromës së zymbylëve- Po ku endeshe
Duke zbritur anëdeteve, gjinjve me guralecat
Ishte atje një bar i ftohtë i njelmët deti
Por një ndjenjë njerëzore përgjakej në thellësi
Dhe hapje me habi duart duke thënë emrin e tij
Duke u ngjitur butësisht kthjellinës së thellësive
Ku vezullonte ylli yt i detit.
Dëgjo, fjala është urtësia e mbrame
Dhe koha skulptore zemërake e njerëzve
Dhe dielli qëndron nga lart përbindësh shprese
Dhe ti pranë tij shtrëngon një dashuri
Duke patur një shije të hidhur furtune në buzë.
S‘ ke pse llogaritë kaltëroshe gjer në palcë tjetër verë
Që të ndryshojnë rrjedhen lumenjtë
Dhe të të kthejnë prapë te ama e tyre
Që të puthësh përsëri qershi të tjerë
Apo të shkosh shaluar mistrallit.
Ngurosur shkëmbinjve pa të djeshme e të nesërme
Në rreziqe shkëmbinjsh me krehjen e stuhisë
Do t’i lësh lamtumirën enigmes tënde.
MOSHË E KUJTESËS KALTËRORE
Ullishta dhe vreshta deri tutje në det
Sandale të kuqe peshkatarësh më tutje deri në kujtesë
Këllëfe të arta gushti në gjumin e mesditës
Tërë leshterikë e guaska. Dhe ajo barkë
E blertë e sapo dalë që lexon ende ujrave paqesore
Të gjirit Ka Zoti
Kaluan vitet gjethe e guraleca
Kujtoj vocrrakët, marinarët që iknin
Duke lyer velat si zemrën e tyre
Këndonin katër anët e horizontit
Me murlanë në krahërorë pikturuar.
Ç’ kërkoja ndërsa mbrite e nxirrë nga lindja e diellit
Me moshën e detit në sy
Dhe me shëndetin e diellit në trup – çfarë kërkoja
Thellë në shpellat detare mes hapësirës së ëndrrave
Ku shkumonte ndjenjat e saj stuhia
E panjohur dhe e kaltër duke gdhendur mbi gjoksin tim
Emblemën e saj detare
Me rërën gishtërinjve mbyllja gishtërinjtë
Me rërën syve shtrëngoja gishtërinjtë
Ishte brenga-
Mbaj mend ishte prill kur ndjeva për herë të parë peshën
Tënde njerëzore
Trupin tënd njerëzor baltë dhe mëkat
Ashtu si ditën tonë të parë në tokë
Festoheshin amarilidat- Po mbaj mend pate dhimbje
Ishte një kafshim i thellë në buzë
Thonj ngulur thellë në lëkurë atje ku përvijohet përherë
Koha
Të lashë atëherë
Dhe një dihatje kumbuese ngrinte lart shtëpitë e bardha
Ndijimet e bardha të sapolara
Në qiellin që ndrinte me një buzëqeshje
Tani do të kem me vete një katruvë uji jetëdhënës
Do të kem një formë të lirisë së erës që shkundullon
Dhe ato duart e tua ku do të vuajë dashuria
Dhe atë guaskën tënde ku do të jehojë Egjeu.
MELANKOLI E EGJEUT
Ç’pleksje shpirti gjireve të mbasditës!
Ç’bunacë zërave të anëdetit të largët!
Qyqja mes kurorës së drurëve
Dhe çasti mistik i darkës së peshkatarëve
Dhe deti që luan me fizarmonikë
Brengën e largët të gruas
Bukuroshe që zbuloi gjinjtë
Kur kujtesa u fut në foletë
Dhe jargavanët stërpikën me flakë perendimin!
Me sandallin dhe velat e Shënmërisë
Ikën me përcjelljen e erërave
Dashnorët e mërgimit të zambakëve
Por nata si gurgullonte këtu gjumin
Me flokë të kulluara grykave të përndritura
Apo ranishtave të mëdha të bardha
Dhe me shpatën e artë të Orionit
Ç’u përhap duke vërshuar përpjetë
Pluhuri prej ëndrrave vajzërore
Që kundërmonin borzilok e mjedër!
Udhëkryqëve ku ndaloi magjistarja e vjetër
Duke përveluar me trumëz erërat
Hijet shtathedhura çapiteshin ngadal
Me një shtamb ujë të nemitur në duar
Me lehtësi sikur hynin në Parajsë
Dhe nga lutja e bulkthave që shkumoi fushat
Ia bëhen bukuroshët me lëkurë hëne
Për të vallëzuar lëmit të mesnatës…
O shenja që kaloni përmes thellësisë
Së ujit që mban një pasqyrë
Shtatë zambakëza që llamburisni
Kur të kthehet serish shpata e Orionit
Do të gjejë bukë të varfër poshtë kandilit
Por shpirt s’ do të gjejë nën prushin e yjeve
Do të gjejë duar të mëdha degëzuar pafundësisë
leshtërikë shkretanë krijesa të vogla të bregut
Vite korale të gjelbër
O koral i gjelbër-cili orakull stuhie të pa
Duke ndaluar dritën në lindjen e ditës
dritën në lindjen e dy syve të botës!
LINDJA E DITËS
Kur dita rritet prej kërcellit të saj dhe shpalosë gjithë
ngyjrat mbi dhe
Kur nga zëri në gojë thyhet stalagmiti
Kur dielli të notojë në një fushë të pakorrur si lumë
Dhe të vrapojë larg një velë bareshë vocrrake erërash
Gjithnjë uniforma jote është uniformë ishulli është
Mulliri që rrotullon së prapthi vitet
Vitet që jetove dhe pamjet e tyre i gjej të vuajnë në krahërorin tim
Një kajsi përkulet mbi tjetrën dhe balta rrëzohet nga krahët e ujit të sapozgjuar
Grerëza mbi trupin e qumështores shtrin flatrat e saj
Pastaj befas fluturon dhe humbet duke zukatur
Dhe nga bulëza mbi gjeth dhe nga gjethi mbi statujë
Sa shkon gjithmonë e më tepër shndërrohet koha
Merr sendët që na shtyjmë të të kujtojmë dhe gjithnjë
e më tepër i bën pjesë të fisit me dashurinë time
Po ajo dëshirë tirret përsëri
Gjithë trungu i drurit të diellit të zemrës së mirë digjet
Kështu të shoh ende në rrezen e ditës së përjetshme
Tek përgjon pulsin e anëdetit
Lindja asgjë nuk paska ndryshuar nga hareja jote
Lije një nuse të madhe shkume stolisje duke u ngjitur
Shkundje kryet e tua të lara si me sapun nga bukuria mëngjesore
Kthjelltësia zgjeronte sytë e tua
Nuk qe enigmë që të mos shuhej që të mos bëhej tym në gojë eoli
Ndryshoje stinët me duart e tua
Duke hedhur borëra dhe shira, lule, dete
Dhe dita ndahej nga trupi yt, ngjitej,çelej,bekim i madh mbi lulediejt
Ç’di tani gjinkalla nga historia që le pas,çfarë di bulkthi
Kambana e fshatit që përhapet në erë
Vemja,krokulli,iriqi i detit, alfëza e ujit
Mirjada gojë thërrasin dhe të ftojnë
Eja pra t’i jetojmë ngjyrat nga fillimi
Të zbulojmë dhuratat e ishullit të zbuluar
Kupola të trëndafilta e të kaltra do të ringjallin ndjenjen
E fortë si krahëror ndjenja gati për të fluturuar
Eja pra të shtrojmë dritën
Të flemë dritën e kaltër në shkallët e gurta të gushtit
Ti e di çdo shtegtim u hapet pëllumbave
Gjithë bota mbështetet në det e në tokë
Do të kapim renë do të dalim prej gjemës së kohës
Nga ana tjetër e fatkeqësisë
Do të lozim diellin ndër gishtat tona
Rrethinave të zemrës së hapur
Do të shohim se si rilindë bota.
SHEGA E ÇMENDUR
Pikëpyetje mëngjesore
dëfrim a perdre haleine
Në këto oborre bardhëllore ku fryn juga
E fërshëllen kamarave me qemerë, thomëni është shega e çmendur
Që shpërthen në dritë duke shpërndarë buzëqeshjen e saj pjalmore
Me zemërata e pëshpërima erërash, thomëni është shega e çmendur
Që rrëqeth me gjethnajat mitare agullimin
Duke shpalosur përpjetë gjithë ngjyrat me drithërima triumfi?
Kur fushave vajzat lakuriqe të sapo zgjuara
Korrin me duart e tyre bjonde tërfilin
Duke dalë skajeve të gjumit, thomëni është shega e çmendur
Që mbush e çlirët me drita kanistrat e brishta
Që nginj me cicërima emrat e tyre, thomëni është shega e çmendur
Që përleshet me vranësirën e botës?
Ditën kur stoliset nga zilia me shtatë palë flatra
Duke lidhur brez diellin e amshuar me mijra ylbere vërbuese,
Thomëni është shega e çmendur
Që rrëmben një jele me njëqind fshikullime në vrapin e saj
Herë e trishtuar e herë grindavece, thomëni është shega e çmendur
Që thërret shpresën e re tek po lind?
Thomëni,është shega e çmendur që njatjeton largësive
Duke valëvitur një shami gjethesh prej zjarri të vesuar
Një det i mbarsur gati për të pjellë me njëmijë e një anije
Me dallgë që njëmijë e një herë nisin dhe shtegtojnë
Brigjeve virgjërore,thomëni është shega e çmendur
Që dredh direkët dhe kërcëllijnë në eterin e kthjellët?
Lartësive me biskun e kaltër që përflakët dhe kremton
Kryelart, plot rreziqe, thomëni është shega e çmendur
Që çan me dritë mespërmes botës stuhitë e demonit
Që shtrin tejetej jakën, varëse të verdhëllemë të ditës
Të shumëqendisur kudo me këngë,thomëni është shega
E çmendur që me ngut shkopsit të mendafshtat e ditës?
Kombinezoneve të fillimprillit dhe gjinkallave të mesgushtit,
Thomëni,ajo që lodron,ajo që buthton,ajo që magjeps
Duke shkundur prej frikës terret e zeza të liga të saj
Duke lëshuar në gjinjtë e diellit zogjtë dehës, thomëni ajo që
Shtrin flatrat në krahërorin e sendeve,
Në krahërorin e ëndrrave tona të thella,është shega e çmendur?
me zogjtë puplorë
të verdhëremë të bigëzuar dhe diejt.
të vockël ratifikon rishtazi ligjshmërinë e së Pashpresuarës.