Përzgjodhi e përktheu: Arb Elo
Shumëkush do të ketë dëgjuar a lexuar për klubin 27, radhën e trishtë të artistëve njëzeteshtatë vjeçarë që kanë ndërruar jetë në këtë moshë kaq të re. Ndonëse më të njohurit ndër ta janë emra nga bota e muzikës rok: Brian Jones, Janis Joplin, Jim Morrison, Jimmy Hendrix, etj., – deri te anëtarët më të fundit: Kurt Cobain dhe Amy Winehouse – , kjo listë morbide përmban edhe emra nga piktura, letërsia e të tjera arte.
Në këtë listë gjendet edhe emri i Georg Traklit, jeta e të cilit, përsa i përket përdorimit ekscesiv të drogës nuk u lë asgjë mangut emrave të lartpërmendur; shkaku i vdekjes po ashtu: mbidozë kokaine.
Në vjeshtën e vitit 1914, pas një beteje në kuadrin e Luftës së Parë Botërore në Grodek, në të cilën forcat austriake pësuan shumë humbje, Traklit iu desh – si farmacist ushtrie në rangun e një togeri, pa ndihmën e ndonjë mjeku – të kujdesej për 90 të plagosur rëndë, të cilët ishin strehuar, për mungesë kushtesh të tjera, në një hambar. Meqë nuk kishte as medikamente atypari e as nuk mund t’u ndihte njëfarësoj, ai ishte i dënuar kështu të mbetej vetëm një vëzhgues pasiv.
“Klithmat nga dhimbjet, – shkruan një biograf, – vdekjet shpesh të lemerishme ia tendosin edhe më gjendjen shpirtërore, që ishte edhe pa këto vetiu e brishtë. Përkundruall dikush qëllon veten në kokë me një pisqollë dhe Traklit i duhet të shohë se si trutë e copëtuar varen nëpër muret e hambarit.”
Trakli kishte përshkruar shpesh pamje e atmosfera të tilla dëshpërimi e asgjësimi dhe, – si pakkush nga poetët, – i kishte njohur vetë nga afër përjetime të tilla qysh më parë, mirëpo realiteti, shpërfaqja e tyre faktike në jetë, shemb edhe ndarjen e fundit e të hollë mes vizioneve të tij të kaosit dhe vërtetësisë së këtij të fundit në këtë botë.
I çmeritur ai rend përjashta. Por “Para hambarit tunden nëpër pemë dezertorët e varur. – vijon biografi, – “Kupa mbushet; në mbrëmje poeti ngrihet papritur mendjeçartur në mes të shokëve të armëve dhe rreket t’ia heqë vetes me revolverin e brezit. Ia heqin armën nga dora. Ai vjen përsëri në vete, qetësohet dhe i kthehet shërbimit.”
Dy javë më vonë ia del sidoqoftë të ndërrojë jetë me një mbidozë kokaine në rrethana të paqarta,
1.
Vepra e Traklit përbëhet vetëm nga njëqind e ca poezi, tri-katër pjesë për teatër, që pjesërisht kanë humbur, dhe pak letra, në më të shumtën e tyre të padatuara.
Nuk gjendet tek ai asgjë nga ato që e bëjnë interesant një lirik për publikun; as nuk ka patur – si Rilke-ja, për shembull, – ndonjë letërkëmbim me njerëz të shquar apo me influencë dhe as nuk ka rënë në sy për skandale private, – si poeti Dylan Thomas, fjala vjen.
“Ana e jashtme e jetës së tij nuk ngjall interes, ai duket sikur çon rutinën e një jete të mërzitshme të një qytetari çfarëdo”, – shkruan i njëjti biograf. Natyrisht që kjo vlen vetëm për përshtypjen që do të kishte atëbotë ndokush që do ta kishte njohur Traklin vetëm për fytyrë. Sepse, në të vërtetë, jeta e poetit nuk është aspak e mërzitshme për shkak të normalitetit, ndonëse ngjan si e tillë së jashtmi: vepra dhe ekzistenca e tij njerëzore u nënshtrohen tërheqjes së autorit dhe prirjes kah marramendja dhe vetëshkatërrimi.
Georg Trakli, lindur më 1887 si fëmija i katërt i një tregtari hekurishtesh nga Salzburg-u – ai kishte tri motra dhe dy vëllezër – përshfaq sidoqoftë të gjitha simptomat, në kuptimin qytetar e shoqëror të fjalës, të një njeriu të pazellshëm, të një bjerrakotasi.
Kur kishte qenë fëmijë, kishte dashur një herë të ndalonte kuajt e lidhur të një karroce në revan, duke u dalë këtyre përpara me krahë të hapur. Diçka të ngjashme do të bënte ca më vonë me një tren: në të dyja rastet e tërhoqën në çastin e fundit të rriturit. Në moshën tetë vjeçare kishte rënë një herë aq në të thella, sa gjatë një shëtitjeje u fut në ecje e sipër në një pellg, pa e vënë re vetë këtë. Vetëm me zor e shtynte veten për në shkollë, që iu desh ta linte pastaj për rezultate të pamjaftueshme. Në dëftesë lexohet: gjuha gjermanishte: “Mjaftueshëm. Nota: kaluese.”
Edhe në zanatin e farmacistit, që do të provonte ca më vonë, sipas të dhënave të shefit të vet, nuk është se shquhej fort për profesionalizëm.
“Trakli dhe unë qemë asokohe dy heretikë të jetës qytetare”, – shprehej Oskar Kokoshka për kohën përpara Luftës së Parë Botërore, kur kishte patur miqësi me poetin. Fakt është sidoqoftë që Trakli nuk ishte konsoliduar asnjëherë në zanatin e tij si farmacist ku mbante gradën e magisterit.
Një vend pune në spitalin e garnizonit të Insbrukut e la pa u mbushur gjysma e vitit, ngase e shqetësonte aq shumë komunikimi me njerëzit, sa në një paradite të vetme i ish dashur një herë të ndërronte gjashtë këmisha, aq kishte djersitur nga zori.
Me pesëmbëdhjetë nisi të shkruante poezi, shtatëmbëdhjetë vjeçar pjesë teatrale. Më 1906 – nëntëmbëdhjetë vjeçar tashmë – iu vunë në skenë dy njëaktësha – “Dita e të vdekurve” dhe “Fata Morgana” – në Stadttheater-in e Salzburg-ut, prej të cilëve sot ekzistojnë vetëm afishet e programit. Tekstet i ka asgjësuar – në unanimitet me kritikët e teatrit atëbotë për vlerën e tyre – vetë autori.
Ka fort të ngjarë që prej tij të mos ishte botuar në të gjallë asnjë varg, nëse këto nuk do t’i kishin rënë në dorë një miku, Erhard Buhbekut, që u bë më vonë drejtor i Burgtheater-it të Vjenës. “Me këtë rast”, i shkruan Trakli mes të tjerash Buhbekut, “po të nis një poezi të vogël! Me lutjen: (poezia është gati qesharake – por kjo nuk ngre fort peshë) ki mirësinë t’ia dërgosh ndonjë gazete – meqë unë vetë nuk do të bëhem kurrë mbarë për këtë. Pullën po ta fus në zarf.” Dhe: “Adresoje gjithçka në adresën tënde – vëri, nëse është e mundur, ndonjë emër tjetër e jo timin! Mbi të gjitha, mbaje këtë për vete e mos e përflit me kënd.”
Kishte frikë dhe panik nga kontaktet me gjindjen, që i dukej se kishte për shtysë çmendurinë dhe fiksimet. Përgjegjësia më e vogël që i duhej të mbante vetë e bënte të humbte pusullën menjëherë. Kur Ludvig von Ficker-i, botuesi i revistës “Feneri”, ku qenë publikuar më të shumtat e poezive të tij, i pati siguruar nga një fond artistësh 20.000 krone dhe ndodhej me të në bankë për të tërhequr shumën, poetin e zuri paniku dhe ia mbathi me vrap përjashta.
“Do të doja të mbështillesha i tëri dhe të ikja i padukshëm tjetërkund”, i shkruan ai Buhbekut. “Jo, punët e mia nuk më interesojnë në të vërtetë fare.”
Në paraqitje, siç e përshkruajnë miqtë, Trakli nuk të linte përshtypjen e dikujt që ka marrë arratinë nga bota: shpatullgjerë, me duar të fuqishme dhe një fytyrë mjaft të shëmtuar. E përçmonte lumturinë, sikurse edhe poetët që i jepeshin përshkrimeve të natyrës, por jo pijen. Dhe jo vetëm atë.
Për të marrë arratinë nga kjo botë Trakli kishte mjete shumë më të efektshme se alkooli. Katërmbëdhjetë vjeçar akoma e kishte zakon që cigaret – që i pinte rresht – t’i ngjyente në një tretësirë opiumi. Më vonë mbante gjithnjë me vete një shishkë me kloroform, me të cilën topitej shëtitjeve deri në humbje të vetëdijes. Nganjëherë e gjenin jashtë gjysmë të ngrirë nga i ftohti dhe u duhej ta sillnin në shtëpi në një gjendje të tillë.
Farmacist siç ish, kishte edhe mundësinë që t’i përmirësonte këto teknika. Shumë shpejt nisi të marrë doza aq të mëdha opiatesh, sa nuk merrej vesh në do të vinte më në vete kur i binte të fikët.
Këto përjetime do ta kenë bërë lirikun ndoshta t’i dukej dashuria për jetën e bashkëkohësve dhe moskokëçarja e tyre si çmenduri. Akte të vogla të shëmtuara e të përditshme – dhënia shpirt e një qeni, shkelja e ndonjë buburreci – e dëshpëronin fort: me sa duket, ai i projektonte të tilla vrasje në miniaturë në siparin e madh historik të kohës, siç shkruante qysh në vitin 1913:
“Njerëzim radhitur para grykash zjarri,
Rënie daullesh, balle luftëtarësh të errët,
Hapa mes gjakmjegulle; tringëllon hekur i zi,
Dëshpërim, natë në tru të trishtë, të brengët…”
Nga ata pak njerëz me të cilën poeti mbante marrëdhënie më shumë se sipërfaqësore, një nga edhe më të paktat femra mes tyre – me siguri e vetmja grua që ai ka dashur vërtet – ishte motra e tij më e vogël, Margarete, e cila u vetëvra vetëm tre vjet pas vdekjes së tij. Ka biografë e interpretë që flasin për një marrëdhënie incestuoze mes tyre, megjithatë nuk duket të ketë prova dhe dëshmi të qarta për këtë tezë. Kështu, të paktën, pohohet në një biografi nga më të fundit për Traklin të vitit 2014.
Grete, siç quhej shkurt e motra, përshfaqet në disa pamje në poezinë e Traklit, – si “murgeshë”, si “e huaj”, edhe si një nga pinjollet e “rodit të errët të mallkuar“ – thuajse gjithmonë si personifikim i fajit. Shkruhet shumëkund edhe që poeti paskësh flirtuar një kohë me mendimin e një vetëvrasjeje të përbashkët, për të shlyer kësisoj fajin gjithashtu të përbashkët. Mirëpo këto janë hipoteza të pabazuara në fakte. Sidoqoftë punët nuk erdhën derimë aty, pasi me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore Trakli u rekrutua.
Dhe se sa të drejtë kishte patur, kur bënte kujdes e kishte frikë nga kontakti me botën, e tregojnë më së miri rrethanat që shpunë në vdekjen e tij të parakohshme. (Mbase edhe hamendësimet e kritikëve dhe studiuesve të tij për incestin pa prova, do të shtonte përkthyesi i këtyre radhëve, por kjo nuk do të ngrinte më peshë sot e kësaj dite, kur tërë të përfolurit, – poeti, shumica e kritikëve, siç edhe më të shumtët e studiuesve,- nuk gjallojnë më, pak rëndësi ka në u paskësh ardhur fundi i pashmangshëm për shkaqe natyrore apo njerëzore.)
Trakli çon pra në vitet para luftës një jetë në dukje qytetare, i pëlqen ta kalojë kohën në kafene me kameradët e vet (ku pihet nganjëherë përtej masës), viziton bordelet e Zalcburgut, ndërkohë që për incestin e përfolur në literaturën e dorës së dytë me motrën Grete nuk sillen prova.
2.
Ky talent i hershëm u rrit në të frikshmin “ambjent shtëpiak të mirënjohur”, për të cilin bëjnë fjalë shumë përshkrime letrare në mbarim të shekullit të vjetër e në fillimin e të riut, atij të njëzetit – mjedise të pafjala dhe të zbrazura nga dashuria. Kjo nuk e pengonte njerëzinë asokohe të pohonte që një martesë me shumë fëmijë qenkësh “e bekuar”; ndërkohë e ëma murosej pothuajse në heshtje në një strehim të mobiluar në mënyrë groteske: ajo mblidhte me një tërbim të vërtetë prej blerësje antikuitete që i donte dhe i ruante më fort se fëmijët.
Si përhitje e zbehtë, e flashkët fanitet ajo – shumë rrallë – në poezitë e të birit. Ndërkohë që ky paskësh qenë në vërtetë nxënës i lexuar dhe fliste frengjishten, të mësuar prej guvernantes franceze që kujdesej për fëmijët, meqë e ëma ishte dhe ajo e varur nga droga: “ngrënëse opiumi” e quan ai diku.
Rembonë – njërin nga “ndikimet“ – e njihte nga përkthimet, po ashtu lexonte Meterlinkun, Georgen, Niçen, Bodlerin, Vërlenin. Ishte po ky, Remboja dhe ideja e tij mbi “ngjyrat e shkronjave“ dhe ajo e “halucination des mots“, që e kishin prekur më Traklin më shumë. Kryefjala është kjo: halucinacioni. Dihet që Remboja i çonte shpesh netët në ferrin e drogës, ndërkohë që Trakli kishte eksperimentuar qysh herët me “helmet”. Ka mbetur një letër e hershme e tij për mikun Buhbek, ku poeti “i rrëfehet” që ka gjetur strehë “për fat të keq sërish te kloroformi. Efekti qe i frikshëm.”
“Gjurmët e pakta jetësore të Traklit”, – shkruan biografi i fundit i tij, – “shumohen në një dëshmi me intensitete të ndryshme, që shfaqen edhe atëherë, kur ai është i pavendosur, kur vegjeton i trullosur ditët apo vuan zhvendosjet e ndërsjellta të nervozitetit me mërzinë. Ai përjeton gjithçka në mënyrë intensive, të ardhurit në majë të hundës dhe neverinë (shpesh për veten), përjeton të bukurën në të shëmtuarën dhe të neveritshmen në të bukurën.“
Droga tjetër e poetit është gjuha. Misteri i lirikës së këtij njeriu, i cili nuk kupton unin e vet dhe nuk kupton botën gjithashtu, është i ndryrë me rigorizitet. Bashkëkohësit e tij, shumë prej tyre gjenialë, – emra si Hans Arp, Jakob van Hoddis, Georg Heym, Kurt Schwitters, Gottfried Benn, Albert Ehrenstein, Max Herrmann-Neisse, etj., – ishin moshatarë me të, një vit më pak a më shumë. Nuk është vërtetuar gjithashtu, nëse Else Lasker-Schyleri paskësh qenë e dashura e tij për pak kohë. Ekzistonte pra ndërkohë modernizmi i hershëm.
Në sprovën e tij “Gjuha në poezi”, me nëntitull: Një udhërrëfim në vendin e poezisë së Georg Traklit, – Martin Heidegger-i shkruan mes të tjerash: “Çdo poet i madh vjershëron prej një vjershe të vetme. Madhështia e tij matet me sa ia del ky të fitojë besimin e kësaj të premtuare të vetme, sa mundet ky ta ruajë të pastër fjalën e dhënë vjershëruese. Vjersha e një poeti mbetet e pathënë. Asnjë nga vjershat e tij, edhe të tëra tok, nuk e thonë dot të tërë atë vjershë të premtuar. Prapëseprapë, çdo vjershë flet nga tërësia e asaj të premtuare të vetme dhe thotë çdo herë po atë.”
Mirëpo ky lirik mori një shteg të vetmuar, kumbimin e asaj çapitjeje e ndryu në vargje të një bukurie të frikshme. Ernst Bloch-u dhe Walter Benjamin-i kanë fiksuar në “Protokollë për përvoja me drogë” se ku duhej të mbaronte ai shteg: “Nis të marrë trajtë një udhë e dëbortë që të shpie përjashta, drejt dehjes, e kjo udhë është vdekja.”
Një nga metaforat më të shpeshta në veprën e Traklit janë tingujt e kambanave. Më 25 tetor, 1914, Kurt Volfi merr në telegram nga fronti: „do të më dhuronit gëzim të madh, në do më dërgonit një ekzemplar të librt tim të ri “sebastiani në ëndërr“. dergjem i sëmurë në spitalin e garnizonit të këtushëm në krakov. georg trakl.”
Nuk ishte e thënë ta merrte këtë vëllim në duar.
“Grodek” titullohet vjersha e tij e fundit, pas betejës afër Grodekut më 13 tetor 1914.
Në atë spital i sëmuri ishte sjellë më 8 tetor “për të vëzhguar gjëndjen e tij mendore“. Një shënim mjekësor konstaton: “nuk është i pirë, por ka marrë shumë kokainë… gjithashtu dëgjon shumë tinguj kambanash… pacienti pohon se rrjedh nga një kardinal dhe se në të ardhmen do të bëhet një zotëri i madh.“ Së fundmi njëfarë Dr. Haveli ateston më 4 nëntor 1914 “vetëvrasje me kokainë”. Vdekja ka ndodhur më 3 nëntor, në ora 21.
Zotëri i madh? Ishte bërë poet i madh. Një nga më të mëdhenjtë. Leximi i tij i fundit ishin poezitë e shkruesit barok të hymneve Johann Christian Günther. Vjersha e këtij “Mendime për shlyerjen e mëkateve“ mbyllet me vargun: “Shpesh një vdekje për të qenë është jetëshkrimi më i mirë nga të tërë“.