Misteret e vrasjeve të Agatha Christie-t kanë magjepsur audiencat për më shumë se një shekull, por, 50 vjet pas vdekjes së saj, ajo mbetet një enigmë. Një intervistë e rrallë e BBC-së nga viti 1955 , zbulon disa nga sekretet e një shkrimtareje që ishte po aq komplekse sa edhe subjektet e saj.
Greg McKevitt
Dame Agatha Christie ishte mjeshtre në fshehjen para syve të të gjithëve. Ajo paraqitej si një zonjë e moshuar e dashur, me pallto gëzofi, që i pëlqente kopshtaria, ushqimi i mirë, familja dhe qentë, por pas asaj pamjeje të ngrohtë ajo kënaqej duke thurur histori bestseller me helmime, tradhti dhe gjak. Dhe ajo jepte pak të dhëna për mekanizmat e brendshëm të mendjes së saj gjeniale. Christie ishte jashtëzakonisht e turpshme, por në vitin 1955 u bind të jepte një intervistë të rrallë në apartamentin e saj në Londër për një profil radiofonik të BBC-së. Në të, ajo zbuloi se si një fëmijëri jokonvencionale i ndezi imagjinatën, pse shkrimi i dramave ishte më i lehtë se shkrimi i romaneve dhe si mund ta përfundonte një libër për tre muaj.
E lindur si Agatha Miller në një familje të pasur në vitin 1890, ajo u arsimua kryesisht në shtëpi. Kur u pyet pse iu përkushtua shkrimit, Christie tha: “Unë ia atribuoj gjithçka faktit se nuk kam pasur kurrë ndonjë arsimim. Ndoshta duhet ta sqaroj këtë duke pranuar se më vonë shkova në shkollë në Paris kur isha 16 vjeç ose aty rrotull. Por deri atëherë, përveçse më ishte mësuar pak aritmetikë, nuk kisha pasur pothuajse asnjë mësim fare.”
Christie e përshkroi fëmijërinë e saj si “mrekullisht të plogët”, por kishte një oreks të pangopur për lexim. “E gjeta veten duke trilluar histori dhe duke luajtur role të ndryshme, dhe nuk ka asgjë si mërzia që të shtyjë të shkruash. Kështu që, kur isha 16 ose 17 vjeç, kisha shkruar mjaft tregime të shkurtra dhe një roman të gjatë e të mërzitshëm.” Ajo tha se e përfundoi shkrimin e romanit të saj të parë të botuar në moshën 21-vjeçare. Pas disa refuzimeve, Vrasje enigmatike në Stails u botua në vitin 1920, duke prezantuar krijimin e saj më të famshëm, Hercule Poirot.
Metoda e vrasjes me helm që ajo zgjodhi për tregimin vinte drejtpërdrejt nga përvoja e saj personale gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndërsa bashkëshorti i saj i parë, Archie Christie, ishte i dërguar në Francë, ajo punoi në frontin e brendshëm si infermiere vullnetare në një spital për ushtarët e plagosur. Ajo u bë asistente në farmacinë e spitalit, gjë që i dha njohuri për barnat dhe helmet. Në tregimet e saj, helmi përdoret në 41 vrasje, tentativa vrasjeje dhe vetëvrasje.
Formula tipike e Christie-t fillon me një rreth të ngushtë të dyshuarish nga e njëjta botë shoqërore dhe një vrasje që gjeneron pista, të cilat çojnë drejt e në përballjen kulmore. Në qendër është një detektiv privat, si Poirot ose Miss Marple, i cili e zbërthen misterin dhe ua zbulon të vërtetën të gjithëve në një skenë finale dramatike. Kjo strukturë, e njohur por pafundësisht e përshtatshme, është pjesë e asaj që e bën veprën e Christie-t kaq të qëndrueshme në kohë.
Në vitin 1926, ajo botoi Vrasja e Roxher Akrojdit, një libër që e forcoi reputacionin e saj profesional, edhe pse jeta e saj personale po shpërbëhej atë vit. Nëna e saj e dashur vdiq dhe Archie pranoi se ishte dashuruar me një grua tjetër. Ai kërkoi divorc. Duke u përballur me pikëllimin dhe bllokimin krijues, vetë Christie u bë subjekt i një misteri. Në një natë të ftohtë dhjetori, makina e saj e aksidentuar u gjet në një vend të shkretë panoramik në Surrey, e balancuar rrezikshëm mbi një gurore gëlqerore. Policia gjeti pallton e saj prej gëzofi dhe lejen e drejtimit në makinë, por nuk kishte asnjë shenjë të saj.
U nis një nga kërkimet më të mëdha ndonjëherë në Britani për një person të zhdukur. Historia kishte të gjitha elementet e një sensacioni tabloidësh: romancierja e famshme e krimit që ishte zhdukur duke lënë pas një varg gjurmësh joshëse, e bija shtatëvjeçare e lënë pas dhe bashkëshorti simpatik i përfshirë me një të dashur më të re. Madje u përfshi edhe autori i Sherlock Holmes-it, Sir Arthur Conan Doyle, i cili punësoi një medium për t’u lidhur me Agathën përmes njërës prej dorezave të saj.
Udhëtime në Lindjen e Mesme
Dhjetë ditë më vonë, ajo u zbulua 230 milje larg vendit të aksidentit, në një hotel në Harrogate, North Yorkshire. Teoritë u shumuan: a ishte zhdukja e saj rezultat i humbjes së kujtesës, një përpjekje e llogaritur për ta vënë në siklet bashkëshortin, apo madje një marifet publicitar? Christie zgjodhi të mos e sqaronte misterin në autobiografinë e saj, duke shkruar vetëm: “Pra, pas sëmundjes, erdhën trishtimi, dëshpërimi dhe thyerja e zemrës. Nuk ka nevojë të zgjatemi për këtë.”
Ajo ishte po aq e drejtpërdrejtë edhe për sekretet e stilit të saj të punës, duke i thënë BBC-së në vitin 1955: “E vërteta zhgënjyese është se nuk kam ndonjë metodë të veçantë. I shtyp vetë dorëshkrimet e mia në një makinë shkrimi të vjetër e besnike që e kam prej vitesh, dhe më duket i dobishëm diktafoni për tregime të shkurtra ose për riformulimin e një akti të një drame, por jo për punën më të ndërlikuar të ndërtimit të një romani.”
Në vitin 1930, Christie u martua me Max Mallowan-in, një arkeolog 14 vjet më të ri se ajo, gjashtë muaj pasi e kishte takuar gjatë një udhëtimi në Irak. Me pasionin e përbashkët për kulturat e lashta, udhëtimet e çiftit në Lindjen e Mesme frymëzuan tregime si Vdekje në Nil, i botuar për herë të parë në vitin 1937. Lumturia e saj e sapogjetur dukej se pati një ndikim të thellë në punën e saj: gjatë nëntë viteve pasuese, ajo do të shkruante 17 romane të plota.
Për Christie-n, kënaqësia kryesore e shkrimit vinte nga krijimi i subjekteve të saj të zgjuara. Ajo tha: “Mendoj se puna e vërtetë bëhet duke menduar zhvillimin e historisë suaj dhe duke u shqetësuar për të derisa të marrë formën e duhur. Kjo mund të marrë mjaft kohë. Pastaj, kur i keni të gjitha materialet gati, si të thuash, gjithçka që mbetet është të përpiqeni të gjeni kohë për ta shkruar. Tre muaj më duken një kohë krejt e arsyeshme për të përfunduar një libër, nëse mund t’i përkushtohesh plotësisht.”
Në profilin radiofonik të vitit 1955, impresario i teatrit Sir Peter Saunders, i cili prodhoi shfaqjen e saj me sukses të jashtëzakonshëm The Mousetrap, tha se Christie kishte një dhunti të jashtëzakonshme për të krijuar në mendje skena dhe histori të plota. “Njëherë i thashë: ‘Si po shkon shfaqja e re?’ ‘Ka mbaruar,’ më tha ajo. Por kur e pyeta nëse mund ta lexoja, ajo u përgjigj kaq çarmatosëse: ‘Oh, nuk e kam shkruar ende.’ Nga këndvështrimi i saj, shfaqja nga fillimi deri në fund ishte e menduar deri në detajin e fundit. Shkrimi i saj ishte thjesht një akt pune fizike.”
Këtë pikëpamje e mbështeti edhe themeluesi i Penguin Books, Sir Allan Lane, i cili tha se gjatë 25 viteve miqësi të ngushtë nuk kishte dëgjuar asnjëherë “klikimin e makinës së saj të shkrimit… pavarësisht sasisë dhe cilësisë mahnitëse që ajo prodhonte vazhdimisht”. Ai tha se, qoftë duke organizuar punën e përditshme të kampit në një ekspeditë në shkretëtirën mesopotamiane apo duke bërë punë dore në mbrëmje, “ndërsa bënte të gjitha këto gjëra të shumta, ndonjë shfaqje ose roman i ri i Agatha Christie-t po merrte formë në mendjen e saj”.
Ndërsa Christie besonte se një libër mund të përfundohej për tre muaj, ajo thoshte se dramat “është më mirë të shkruhen shpejt”. Në kohën e profilit të BBC-së të vitit 1955 për Christie-n, tri nga shfaqjet e saj po luheshin në West End të Londrës. The Mousetrap tashmë po thyente rekorde arkëtimesh, vetëm tre vjet pas premierës së saj. Shfaqja nisi si një dramë radiofonike e BBC-së me titull Three Blind Mice, e transmetuar në vitin 1947 si pjesë e një mbrëmjeje programore që festonte 80-vjetorin e Mbretëreshës Mary.
Sipas Christie-t, shkrimi i dramave ishte “shumë më argëtues se shkrimi i librave”. Ajo tha: “Nuk ke pse të shqetësohesh për përshkrime të gjata vendesh dhe njerëzish, apo për të vendosur se si ta shpërndash materialin. Dhe duhet të shkruash mjaft shpejt për të ruajtur gjendjen dhe për ta mbajtur dialogun të rrjedhë natyrshëm.”
Shfaqja me jetëgjatësinë më të madhe në Mbretërinë e Bashkuar
Në vitin 1973, Christie mori pjesë në festimin e 21-vjetorit të The Mousetrap në Hotel Savoy të Londrës. I pranishëm ishte edhe protagonisti i saj i parë, Richard Attenborough, i cili parashikoi se ajo “mund të vazhdojë edhe 21 vjet të tjerë”. Ai shtoi: “Nuk do ta vija në të njëjtën kategori me Katedralen e Shën Palit, por sigurisht amerikanët vendosin se gjëja që duhet bërë nëse vijnë në Londër është të shkojnë të shohin The Mousetrap.” Pasi u bë shfaqja me shfaqjen më të gjatë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1957, e vetmja gjë që mund ta ndalte ishte pandemia e Covid-it në vitin 2020. Në mars 2025, ajo festoi shfaqjen e saj të 30.000-të dhe vazhdon ende të luhet sot.
Attenborough u intervistua gjithashtu në profilin e BBC-së të vitit 1955, ku tha se Christie ishte “pothuajse personi i fundit në botë që do ta mendoje ndonjëherë në lidhje me krimin, dhunën apo diçka që të ngrin gjakun ose dramatike”. Duke përmbledhur misterin e saj të qëndrueshëm, ai tha: “Thjesht nuk e kuptonim dot faktin se kjo zonjë kaq e qetë, e saktë dhe dinjitoze mund të na bënte të na rrëqethej mishi dhe të magjepste njerëz në mbarë botën me mjeshtërinë e saj të suspansës dhe dhuntinë për të krijuar në skenë dhe në ekran një atmosferë të tillë terrori.”
Ndërsa intervista e Christie-t për BBC-në na jep një vështrim magjepsës mbi metodat e saj të shkrimit – mungesën e një teknike të ngurtë, mbështetjen te imagjinata, kënaqësinë e ndërtimit të subjekteve – enigma e vetë gruas vazhdon të jetojë.
Përkthimi © ExLibris




