NJERIU VITRUVIAN
… O Anthropos! – Ç’është Njeriu Vitruvian (?) – Zeusi është algoritmi mbi tërë zotat paganë – i njëjti Kryezot është “Hadi dhe Dionisi”, siç thotë Herakliu i Errët i Efesit, – një mëngjes të vitit 1851, – tregon Baudelaire-i.- Parisi u zgjua me mankthin e Revolucionit, – dhe ja ndodhi, që në një gosti në përkujtimin të Revolucionit të shkurtit 1848, – një intelektual i ri propozoi një dolli për Hyun Pan, – “Por ç’lidhje ka Hyu Pan me Revolucionin e pyeti Baudelaire-i – duke shtuar “nuk është e vërtetë se Hyu Pan nuk ka vdekur?” – intelektuali i ri ju përgjigj “Hyu Pan e bën Revolucionin, ai është Revolucioni, – Baudelaire i këmbënguli: “mendoja se Hyu Pan ka vdekur, – ishte dëgjuar një zë i fortë mbi Mesdhe dhe se ky zë misterioz, – që kumbonte prej Kolonave të Herkulit, deri në brigjet e Azisë, – duke i thënë Botës së Vjetër se “Pani ka vdekur” – por intelektuali i ri tha: “është një zë që vrapon, fluturon, – jo, Hyu Pan mbijeton ende, vazhdon t’i mbajë nga qielli sytë me dhembshuri të çuditshme” – ndoshta shëmbëlltyra metaforike e Hyut Pan është edhe Njeriu Vitruvian (?) – Markus Vitruvias, lindur në vitin 80 para Krishtit, qe një inxhinier romak i specializuar për ndërtimin e makinerive luftarake, – ai qe edhe arkitekt, – vepra e tij më e rëndësishme është libri i shkruari “De architectura” – në një manastir në Zvicër humanisti Poggio Bracciolini e gjeti një kopje në latinisht të veprës së Vitruvit dhe e bëri të njohur në Firence – Leonardo Da Vinçi e kishte rilexuar me admirim Vitruvin dhe kuptoi marrëdhënien midis mikrokozmosit të njeriut me makrokozmosin e botës, – “të gjithë artet dhe të gjitha rregullat e botës rrjedhin nga trupi njerëzor, – i krijuar me përsosmëri dhe dimensione harmonike” – trupi i botës është analogji, metaforë e tërë botës, – projektimi i tempujve varet nga simetria (shkruan Vitruvi) – gjatësia e këmbës është një e gjashta e gjatësisë së trupit, – parakrahu është sa një e katra dhe gjerësia e gjoksit është sa një e katra – këto përmasa merreshin parasysh nga skulptorët e antikitetit – teksa trupi i njeriut krijon një kontur rrethor, por n ë të njëjtën kohë, në të njëjtën mënyrë mund të nxirret edhe një katror – rrethi dhe katrori harmonizohet, – Leonardo Da Vinçi e vizatoi Njeriun Vitruvian, – një trup mashkulli, – ku kërthiza e njeriut është në mënyrë të përpiktë në qendër të rrethit dhe organet gjenitale janë në qendër të katrorit – Leonardo Da Vinçi qe 38 vjeç kur e bëri Njeriun Vitruvian, – studiuesit mendojnë se fytyra është një vetëportret i artistit – “çdo piktor pikturon veten” – brenda katrorit dhe rrethit shohim esencën e Leonardo Da Vinçit dhe esencën e vetes tonë, në qendër të ndërlidhjes së tokësores me kozmiken – Luca Pacioli si kryematikan e lavdëron Leonardon, – e quan “geniu arkitekt, imagjinar, shpikës” – në kështjellën Sforca – Leonardo në 9 shkurt 1488 lexoi librin e tij për Pikturën, të quajtur Paragone, – në këtë traktat ai flet për një “Kreativitet të Kombinuar” – si dhe për lojën midis Vrojtimit dhe Teorisë – ndërkohë në studimet e tij matematikore, – Leonardo bëri një dallim midis sasive numerike, të cilat përfshijnë njësi të pandryshueshme dhe njësi të papjestueshme, dhe sasive të vazhdueshme të llojit që gjendet në gjeometri, ku përfshihen përmasat dhe shkallët, të cilat janë pjesëtueshme pafundësisht, – “midis Dritës dhe Errësirës gjenden variacione të pafundme, sepse sasia e tyre është e vazhdueshme” – “piktura bazohet mbi perspektivën, – perspektiva nuk është gjë tjetër veçse një njohje e plotë mbi funksionimin e syrit” – për pikturën, shënon Leonardo, – me madhësi sa një mur, kërkon një përzierje të perspektivës natyrore dhe “perspektivën artificiale”, – ai vizatoi një diagramë dhe e shpjegoi kështu: “në perspektivën artificiale, kur objektet e përmasave të pabarabarta vendosen në distanca të ndryshme, – më i vogli është më pranë syrit sesa më i madhi” – duhet të zvogëlosh mprehtësinë e kontureve të atyre objekteve në raport me distancën e atyre në rritje nga syri i spektatorit – pjesët, që janë afër në plan të parë duhen përfunduar në një mënyrë të qartë dhe të guximshme, por ato në distancë duhet të mbeten të papërfunduara dhe të parregullta në konturet e tyre, – për shkak se të gjitha gjërat bëhen më të vogla kur janë larg, detajet e imta të tyre zhduken plotësisht, e më pas edhe detajet më të mëdha nisin dhe zhduken, – në një largësi të madhe edhe konturet e formave janë të padallueshme. Vazari, biografi, thotë se Leonardo është nga ata “që kanë natyrë gjeniale – ndonjëherë arrijnë më shumë, kur punojnë pak” – mendja e tyre është e mbushur me idetë dhe përsosmëritë e tyre, të cilat konkretizohen në kryevepra, – Keneth Clark e quajti “Darkën e Fundit” të Leonardo Da Vinçit si “guri i themelit për artin europian” – në këtë pikturë Leonardo përdori “perspektivën e manipuluar” – ah, Njeriu Vitruvian, – Davidi kundër Goliatit, – Guliveri i Swiftit mbi botën, me optikë të përmbysur, të liliputëve, – Njeriu Univers, – vetë Padre Nostro i Mikelanxhelos, që i zgjat gishtin Adamit poshtë tij – ah , prekja e këtij gishti nuk ndodhi asnjëherë, – është një lëvizje drejt prekjes mrekullibërjes, por që mbetet pezull, nuk realizohet, është një mungesë në të Ardhmen, vetëm një përfytyrim, – jo një realitet, – Erst Bloh: “e Vërteta mbart me qenien e saj madje dhe të paqenën e rrok krejt mundësinë e një qenie thuajse utopike” – është e njohur thënia e Aristotelit se Poeti rrëfen të Mundshmen, jo të Vërtetën, – ai për ta përforcuar këtë e jep si shembull statujën e Mytis-it, – njeriu, që qe shkaktar i vdekjes së Mytis-it, duke e shikuar statujën, – befas e pësoi – se u sulmua nga statuja dhe u vra dhe vetë, – kjo statujë është padyshim dhe Njeriu Vitruvian, – në Art e Vërtetë bëhet e Vërtetë kur e kapërcen të Vërtetën, – Artin e Krijon Pamundësia, – Artin s’e gjen dot tek të rënit të tullës nga dora e muratorit, por tek mbetja e saj pezull në ajër, – dmth tek Mrekullia…
DIELLI NUK LËVIZ
-… “Il Sole no si move” (“Dielli nuk lëviz”) këto fjalë të Leonardo Da Vinçit janë të shkruara me shkronja jashtëzakonisht të mëdha, në krye, në të majtë, të një prej faqeve të shënimeve, e cila është mbushur me skica gjeometrike, ushtrime matematikore, – një prerje e tërthortë e trurit, një vizatim i rrugës urinare të një mashkulli dhe zhgarravinat e një luftëtari plak, – kjo thënie këlthitëse, madhështore është dekada më herët se Kopernikut dhe Galileut, – kur e shkroi këtë frazë ishte viti 1510, – studimet mbi gjeologjinë e kishin bërë të ndryshonte mendje mbi vendin që zë planti i Tokës në sistemin Diellor, – “Toka nuk është një qendër të orbitës së Diellit dhe as në qendër të universit” – Gjon Pagëzori, – i pikturuar nga Leonardoja, – e ka dorën e djathtë me gishtin tregues të drejtuar nga qielli, duke treguar Gjithçka dhe Asgjë që është Absolutja, ose Transcendentalja, – duke nënkuptuar se Dielli nuk lëviz rreth Tokës, por e Kundërta – Amen!
PADUKSHMËRIA SI DUKSHMËRI
… Ç’mendon Historia, Historia (?) – pse Arthur Rimbaud në vend të së Mundshmes e vendos “Kërkimin dhe nxjerrjen në shesh të së Panjohurës” (?) – Artisti është një Lajmëtar, – pse piktori Paul Klee telajon e pikturës e mbush me dy shkronja dhe me një pjesë të Hënës (?) – Pierre Bule beson në Pambarueshmërinë e veprave të artit – a nuk ndodh kështu me Mona Lizën (?) – Kavafi: “poezitë në të shumtën e herëve janë errësirë dhe kësisoj mund t’i përshtaten ndjenjave dhe gjendjeve të tjera”, – Abraham Molls termat si imazh, parabola, simulimi, metafora, simboli etj., i sheh si një ëndërr të antikitetit latin, – ai ndalet më tepër tek parabola, të cilën mund ta quajmë si rikrijim, ringjallje të së qënës, – në një farë mënyre ripërtëritje dhe fshehje e së Vërtetës, ose një e Vërtetë më e vogël, në miniaturë, – a nuk është edhe Mona Liza një parabolë (?) – Hoze Ortega Gaset: “njeriu përbëhet nga ajo që ai ka dhe nga ajo që ai humbet” – pse Keneth Clark – e ka quajtur Leonardon “mendja me kuriozitetin më të pakapërcyeshëm të historisë” – Giogio Vasari: “Ndodh që në mënyrë mbinatyrore, një personi të vetëm i dhurohet me bollëk nga qielli bukuri, hir, talent aq i madh, sa çdo vepër e tij është hyjnore dhe çdo që bën vjen jo nga arti njerëzor” – Steve Jobs e arriti kulmin e shitjeve të shpikjeve të tij përmes një imazhi të shenjave rrugore, ku tregonte ndërthurjen e arteve liberale me teknologjinë, – Leonardo Da Vinçi ishte heroi i tij – “Ai e shikonte bukurinë ne art ashtu dhe në inxhinieri – thonte Jobs – dhe aftësia e tij për t’i kombinuar të dyja ishte ajo që e bënte atë një gjeni” – Leonardo “fëmijë i paligjshëm” (!) – edhe Petrarka, Bokaçio, – Lorenco Xhilberti, – Filipo Lipi, Leon Batista Alberti ishin gjithashtu “fëmijë të paligjshëm, jashtë martese” – Leonardo i paraprin metodës shkencore e cila do të zhvillohej një shekull më vonë me Galileun dhe Bekonin, – ç’do të thotë të jesh “paraprijës” (?) – Leonardo hyri në një shpellë, – aty të ngulur në muret gurore të shpellës ai zbuloi fosilet e një balene dhe shkroi për të: “O, ti instrument, dikur i gjallë dhe madhështor i natyrës, fuqia jote ishte e pakrahasueshme” , – vërtetë në Toskanë në shtresat gjeologjike janë gjetur shumë fosile balenash, – ai shton “ah, koha, grabitqare e shpejtë e të gjitha gjërave, sa mbretër, sa kombe ke rrënuar dhe sa ndryshime shtetesh dhe rrethanash kanë ndodhur që nga koha kur ky peshk vigan dhe i magjishëm u shua” – si kureshtja ashtu dhe frikërat e tija do të shpreheshin në artin që Leonardo krijonte, si me përshkrimin e Shën Jeronimit ilir, të zhytur në agoni të plotë pranë grykës së një shpelle, ashtu dhe me vizatimet dhe përshkrimet e tij për “një përmbytje të madhe apokaliptike” – si mund të paralajmërosh “homo europaeus” – roli i kërkimit nuk është as të hyjnizojë, as të zhgënjejë – Gëte: “kur i kthehemi Historisë, dallojmë një dritë të re, – dalëngadalë kuptojmë përparësinë që kemi, – sepse kemi pasur paraardhës të shquar, ndikimi i të cilëve ka përshkruar kohërat, duke ardhur deri tek ne, – kështu dhe ne nga ana jonë bindemi se e kemi për detyrë të ndikojmë të Ardhmen me bëmat tona dhe në këtë mënyrë të bashkohemi në Të njëjtin Udhëtim të Lumtur me të tjerët” – nëse, në paraqitjen e saj estetike gnosa që mbështetet vetëm në artet pamore, tek letërsia dhe tek muzika, vuan prej mungesës, ose pamjaftueshmërisë së një shkence elementare të formave në formimin psikik të personalitetit, ajo mund të ketë pasoja shkatërrimtare, sidomos kur bëhet fjalë për “njeriun problematik”,- ta kërkosh lirinë në sferën e estetikës pa njohur strukturat e estetikës së parregullt të problematikës do të thotë – të marrësh parasysh shumë rreziqe, – në këndvështrimin shpirtëror, do të thotë t’u përshtatesh në mënyrë të pavetëdijshme proceseve thjeshtëzuese të një shoqërie të teknicizuar, – si pasojë, duke hulumtuar në mënyrë të vullnetshme ndërgjegjen në një çast meditimi, do të ndodhë që mos e konceptosh idealin e parregullt me aq forcë sa mund ta dëshirosh – kështu për atë, që dëshiron të kuptojë qartë shpirtin problematik të Europës, nxjerrja në dritë “e të pavetëdijshmes” prej historisë së nëndheshme të shpirtit europian, bëhet një ngjarje që hap një udhë drejt lirisë individuale – drejt një dialogu shumë më të drejtpërdrejtë me atë që mund të shprehet me numërorë, – në Oviedo Asturia,gjendet kisha Shën Salvator, që është ndërtuar nga princi Silo, – guri funeror i ktitorit të kësaj kishe mban një mbishkrim që ngjan me një kod të fshehtë, – duke u nisur prej mesit drejt katër cepave shprehja “Silo princeps fecit” mund të lexohet në 45760 mënyra, ahere Mona Liza e bërë (dmth fecit) nga Leonardo në sa mënyra mund të artikulohet me sy dhe me imagjinatë (?) – a nuk është një “Carmen labyrintheum” (?) – përcaktimet e germave me anë të ngjyrave i gjejmë edhe në disa sekte sekrete dhe të lashta të Tibetit – ahere si t’i kthejmë ngjyrat e Mona Lizës në germa tekstesh të pafundme të librave arketipalë platonianë (qiellorë) (?) – Novalis: “Kuptimi i fshehur është mençuria e enigmës, apo arti për të fshehur thelbin nën vetitë e tij” – poemat homerike janë tunika gjuhësore e Zotit, Zotit, – a është Mona Liza “një cocktail verbal” (?) – kur pikturon sfondin është pak tronditëse, pasi bimët janë kundërta me ç’ka bërë Leonardo në vizatimet e artit botanik në ditaret e tij, – botanisti John Grimshaw shprehet “lulet nuk janë të vërteta, ato janë sajesa të çuditshme, p.sh. zymbyla të shpikur nga fantazia” – e njëjta mospërputhje gjendet edhe në gjeologjinë – shkëmbinjtë e pikturuar nga Leonardo janë sintetikë, të ftohtë, me pamje groteske, – dihet prirja e Leonardos për “përzierjet gjinore”, – për natyrën e mitizuar hermafrodite, – ai e pikturon kryeengjëllin Gabriel me fytyrë vajzore, – ai është i vetmi që bën kalimin nga stili fiorentin në stilin milanez, – për të është shumë gabim të flasësh për gjërat e kësaj bote në mënyrë absolute dhe pa dallim, apo, si të thuash, duke ndjekur rregullin, sepse pothuaj të gjitha dallohen dhe bëjnë përjashtim për nga larmia e rrethanave, prandaj nuk mund të vlerësohen me të njëjtën masë dhe këto dallime dhe përjashtime nuk gjenden të shkruara nëpër libra, por nevoja na mëson maturinë – tek gjithçka është pesha e të rastësishmes, – paraqitja figurative varet jo nga imitimi apo iluzioni, por nga ngulitja – pothuajse çdo pikturë mund të paraqesë gati gjithçka – që do të thotë një pikturë e dhënë dhe objekti ka një sistem paraqitjeje, – një plan bashkëlidhjeje – nën të cilin piktura paraqet objektin – nëse paraqitja është një çështje zgjedhjeje, dhe korrektësia një çështje informacioni – realizimi është çështje zakoni – piktura fetare tregon fuqinë e plotë ontologjike të pikturës – sepse është krejt e vërtetë për shfaqjen e hyjnisë që ajo i fiton vetitë e saj pikturike – vetëm përmes fjalës dhe pikturës, – padyshim thotë Hans-Georg Gadameri një pikturë nuk është kopje e një qenie të kopjuar, por është në lidhje të ngushtë ontologjike me atë që kopjohet, – në artin budist gjëja e fundit që pikturohet janë sytë – kjo është netra pinkama (“ceremonia e syve”) – kur artisti pikturon sytë – ahere është përfunduar krejt piktura dhe zotërohet nga kozmikja – legjitimohet statusi i përjetësisë së pakthyeshme me të artit piktorik – ah, Invisibilia per Visibilia – (“Padukshmëria si Dukshmëri”)
Ç’THA VDEKJA?
… Ç’tha Vdekja, Vdekja? – Gjymtyrët skeletikë s’e prekin Leonardon, – futen tek Mona Liza si në boshllëk, në Hiç, në shurdhëri, në antimaterje, – ç’tha Vdekja, Vdekja? – Jam e Gjithëmonëshmja, e Pafundmja – përballë Mona Lizës s’arrij ta mohoj, as ta nënvleftësoj egërsisht, – përballë Mona Lizës, me humbet identiteti tmerrues, i tmerrshëm, – s’kam identitet, – pse tha James Joyce se për librat e tij duhej“ideal reader affected by an ideal insomnia”? – kriza në pikturë është njësoj si kriza në gjuhë dhe ndërsjellta të dyja krizat janë kriza të mendimit, – Jorge Luis Borges e kapërceu ndërtekstualitetin për t’i paraprirë hipertekstualitetit, – kush i përdor kulturat universale si gurët e lojës së shahut? – Ç’shkruan Dimitri Mereshkovski për Leonardo Da Vinçin? – një science fiction? – si mund të jem unë maksimalist kur Borgesi është minimalist? – Mona Liza s’është minimaliste! – Misteri e shumëfishon vetveten, – për asnjë të vërtetë tjetër nuk ishte aq i bindur Shpirti i Mesjetar sesa për fjalët e Shën Palit “Videmus nunc per speculum in aenigmate, tunc facte ad faciem” – Shpirti Mesjetar s’e ka harruar kurrë se do të ishte absurde çfarëdo gjë qoftë, nëse kuptimi i saj do të kufizohej tek funksioni i saj i atypëratyshëm dhe tek forma e saj si dukuri, dhe se të tëra gjërat nderen në një shtrirje të madhe, deri në botën e përtejme, – ah, George Steiner: “unë vetë dua të jem një endacak, – jetoj sipas devizës të Baal Shem Tovit, – rabin i madh në shekullin XVIII: “e Vërteta është gjithmonë në mërgim” – Kush e ka kërkuar të folurën adamike? – nëse Georg Filip Hardorferi në shekullin XVII pati pohuar se Adami s’mund të fliste veçse gjermanisht, – ahere ç’gjuhë amtare ka kështu Mona Liza? – apo është ajo që di misteriozisht “gjuhën adamike” – pse filozofi Hajdeger thonte se mund të filozofohet vetëm në gjermanisht, (shtonte edhe në greqisht)? – të kuptosh gjuhët njerëzore të papërsosura dhe në të njëjtën kohë të afta të realizojnë atë përsosmëri të epërme, që është Poezia, kjo përbën të vetmin përfundim të çdo kërkimi të papërsosmërisë, – Kulla e Babelit nuk është një rastësi, – jetojmë në Kullën e Babelit që nga Zanafilla, – dialogu i parë mes Zotit dhe Adamit ndoshta është bërë në Finegonian – vetëm duke u rikthyer në Kullën e Babelit, duke pranuar të vetmen mundësi tonën, mund të gjejmë paqen dhe të përballojmë fatin e racës njerëzore, – ah, Mona Liza që flet (në të vërtetë nuk flet,) në Fineganian linguistikë, – jetojnë të gjithë brenda “Book of Kells”, – ose në “Finnegans Wake”, – në një strukturë, që nuk ka as qendër, as periferi, – pse Joyce i ri pyeti kur ishte student në kolegjin katolik se a do të kishte vlerë pagëzimi, nëse bëhej, me një mineral (?) – me çfarë ujë të shenjtë (konvencionalisht) u pagëzua vallë Mona Liza (?) – ah, epifania e një Gjithësie pa Bing Beng dhe pa Demiurg, – ah, Simboli është një epifani me mbretër Magë, – që s’dinë nga vijnë, ku shkojnë, dhe kë kanë ardhur të adhurojnë, – shpella e Betlehemit është e zbrazët, ose e zënë prej një objekti enigmatik: një thikë, një kuti e zezë, një kupolë kristali me dëborën që bije mbi Shën Marinë e Oropës, ose të një cope letre të grisur të orarit të trenave në një stacion që s’egziston asgjëkundi, – megjithatë flakëron, të paktën për ata (dmth për ne) që pranojnë “Ftesën e Jothelbësores, – pse në poemën “Waste Land” të Eliotit shkruhet: “pashë një që e njihja dhe e ndala, duke e thirrur Stejston (?) – pse Elioti dhe Stejtsoni kanë qenë të njohur (?) – pse Stejtsoni kish mbjellë në kopësht një kufomë që mbas ca kohësh kishte nisur të lulëzojë (?) – shpesh mënyra simbolike shfaq një logjikë të vetën të hekurt, megjithëse paranoike dhe simboli është i vrazhdë, gjeometrik dhe i rëndë si stela lapidar i galaktikës që shfaqet në sekuencat e filmit “Odisea në hapësirë” i Kumbrikut, – Çdo ligjërim përdor mënyrën simbolike, që çdo thënie të jetë e ndërtuar sipas izotopisë të së pathënës, – është herezia bashkëkohëse e dekonstruksionit, sipas së cilës një tekst (ose një pikturë si Mona Liza) thotë gjithmonë diçka të ndryshme, nga ajo që duket se thotë, e cila vepron sikur ndonjë hyjni, ose një pavetëdije e ligë të na bënte të flisnim vetëm dhe gjithmonë me kuptime të dyta, kuptime të shumëfishta, të infinitshme, dhe gjithë ç’themi të ishte pa thelb, sepse thelbësorja e ligjërimit (pikturimit) qendron diku tjetër, tek simbolikja, që shpesh s’e përfillim, – kështu thekson Umberto Eco, – xhevahiri simbolik, që duhej të të përndriste në terr dhe të na verbonte befas (mundësisht shumë më rrallë) është bërë një gjarpërushe neoni, që përshkron indin e çdo arti – nder i tepërt, – ah, jo të gjithëve u shfaqen zotat me qartësi të plotë – enargeis – thotë Odiseu, – enargeis – është terminus technicus për epifaninë hyjnore, mbiemër që mbart në vetvete shkëlqimin e së bardhës, – argois, por që në fund tregon një “qartësi” të pastër, të padiskutueshme, – ajo “qartësi” që u trashëgua nga Poezia dhe ndoshta, thotë Roberto Calasso “e dallon nga çdo formë tjetër arti” – ah, çdo Art, që refuzon të ecë përpara vëllazërisht me Shkencën dhe Filozofinë është një Art Vrasës dhe Vetëvrasës, – armik u shpreh Kirshneri (Athanasius Kircher) se “do të hap para syve tuaj Mbretërinë Shumëformëshe të Morfeut Hiereoglofik, Teatrin Pantomorf të Natyrës, të shpalosur nën perden alegorike të një kuptimi okult” (?) – Çdo vepër arti, – jo vetëm ti Mona Liza -, është një kremtim simbolesh, -, pajë ikonologjike të bëra prej imazhesh, që duken haptas se janë figura ëndërrash – kufoma të vërteta, të mirëfillta ikonike, – Parajsë e një psikoanalisti (- përshëndetje Frojd!) që s’ka për qëllim të lexojë në mënyrë shteruese Komentarin e tyre Fabulesk, onirik, plot premtime eliksiresh të koleksionistëve të Absolutes, – por nocioni ynë për Simbolin radikalizohet, – simboli refuzon të zbulojë absoluten e feve, por veç absoluten e Poezisë, – ah, Simboli, i helmuar sot nga Kultura bakteriale e Dyshimit dhe e Komploteve, – shkruhet vetëm për një Lexues, që s’është shuma e lexuesve, – i palumtur dhe i dëshpëruar është ai që nuk i drejtohet një Lexuesi të së Ardhmes!
QIELL I RI DHE TOKË E RE
– … më kujtohet Novalis përsëri: tek e folura dhe tek e shkruara ndodh diçka e çmendur: bisedë e vërtetë është një lojë e pastër fjalësh, – duhet të çuditemi vetëm nëse njerëzit besojnë se dinë të flasin si duhet për gjërat – pikërisht atë që ka të veçantë gjuha: kujdesin ndaj vetvetes, – të gjithë e shpërfillin, – prandaj ajo është një mister kaq i mrekullueshëm dhe kaq i frutshëm deri në atë pikë, sa, nëse ndonjëri flet sa për të folur, shpreh të vërtetat më origjinale dhe të pabesueshme, – por nëse do të flasë për diçka të përcaktuar, gjuha tekanjoze shpesh i bën të thonë gjëra më qesharake dhe të shrregullta, – prej këtij buron edhe urrejtja që kanë disa njerëz seriozë ndaj gjuhës – sikur të mund të bëhej e kuptueshme për njerëzit se me gjuhën gjërat janë si me formulat matematikore – të cilat përbëjnë një botë më vete – luajnë vetëm me veten e tyre, nuk shprehin gjë tjetër veçse natyrën e tyre të jashtëzakonshme dhe pikërisht për këtë janë kaq shprehëse – pikërisht për këtë ato reflektojnë loja e çuditshme e lidhjes së gjërave, – veç nëpërmjet lirisë së tyre ato janë artikulime të natyrës dhe vetëm në lëvizjet e tyre të lira manifestohet shpirti i botës dhe bën me to një masë delikate dhe një profil të gjërave, – por në ç’raport poliform është e folura dhe gjuha me Mona Lizën si emër dhe mbiemër i linguistikës (?) – oh Niçe, Niçe: “ç’është metafora? – një ushtri e lëvizshme metaforash!” – instinkti themelor i njeriut është instikti për të formuar metaforat, – Niçe, Niçe i jep artit një cilësi të lartë gnosologjike, – ku njohuria dhe simulimi nuk janë më antagoniste, por bashkëpunim, – vetëm me vdekjen, ve në dukje Karl Rahner, pushon status viatoris i njeriut, – realja shfaqet si mundësi e papërcaktueshme, pre e kolapseve kuantike të befasishme, që zhdukin disa pjesë prej saj, të përpira, të përthithura në vorbullën hapësirë – kohë, mullinj të vdekshmërisë së të gjitha gjërave, por dhe të lindjes së paparashikueshme të jetës së re, – udhëtimi në hapësirë është edhe udhëtim në kohë (dhe kundër kohës) – ne jemi kohë e ngjizur, – jo vetëm një individ, por edhe një vend është kohë e ngjizur, – kohë shumëfishe – “pse po sillemi këtyre anëve me kalë? – e pyet flamurmbajtësi markezin, që ecën përkrah tij në baladën e famshme të Rilkes, – “Për t’u rikthyer rishtas”, i përgjigjet ai,” – ne largohem, ikim, mërgohemi nga Mona Liza – vetëm e vetëm për t’u rikthyer… – jeta – kur nuk është vuajtje – është lojë, – universi është një farsë e mendjes, – apo mendja është farsa e universit, – çfarë është syri (?) – organ i sipërfaqshmërisë së përjetshme – kërkim i proporcionit, teksa frika e mungesës së proporcionit përcakton babëzinë e tij për konture të vëzhguara, dmth arkitekturë e zbukuruar sipas Imannencës, – pikturë e brendshme dhe peizazh, – pa sugjestionimit në largësinë të pambritëshme, – muzikë e hijeshisë së pranueshme dhe e ritmit të matur, po aq sa edhe e shprehjes së proporcionit, e mohimit të pafundësisë, – shija është bukuri e peshuar, edukuar përmes stërhollimit kategorik – stili është arkitektura e mendimit – e mendjes, – s’duhet të kemi për kulturën entuziazmin e lehtë dhe të ndryshueshëm të injorantëve – sepse gëzon të gjitha përparësitë e irealitetit, – e duam natyrën por jo dhe aq peizazhin e humanizuar nga njerëzit e shtëpisë – sublimja është kategori e muzikës – (Mona Liza vetëm sublime nuk është) – kush nuk është tronditur nga pafundësia e tij rreme (?) – Leonardo Da Vinçit është mjeshtër i detajit – një arnues i hollë i fragmentit, – të jesh sipërfaqësor në stil është më “e vështirë” se të jesh i thellë, – kultura është nuancë, thellësi, intensitet – mungesa e së ardhmes është substanca e së tashmes, – ndjeshmëria rritet si bimë, – dekadenca është e kundërta e epokës së madhështisë: është ritransformimi i miteve në koncepte – shterimi shpirtëror çon në mumifikimin e një kulture – ç’është një qytetërim (?) – një roje grifon i dritës që të mos shuhet – një peizazh i Mone-së – që e shteron poezinë e dukshme – e përmbush këtë gjë, – një frymëzim pa mëgojza është Mona Liza – leximi i poezisë dhe meditimi për Mona Lizën janë Arti i Deshifrimit, – efektet estetike nuk kanë gjithmonë një rezultante, – ah, miti pagan i Pandorës, – gruaja e parë e gjinisë njerëzore, – perënditë i dhanë dhurata: Atena i dha mençurinë, Hermesi i dha gojëtarinë, Apoloni talentin për muzikë dhe për vargje poetike, – Epimeten, i vëllai i Prometeut, – u martua me Pandorën e mrekullueshme, – por në shtëpinë e Epimetent ishte një Kuti e Mbyllur e Zeusit, – që s’duhej ta hapte askush, – a nuk kemi këtu Arketipin Jahovian – e Mollës së Ndaluar – të frutit ,-që kush e shijonte fitonte të tëra dituritë (?) – tabuja e Kutisë së Mbyllur – qe një mallkim, frikë ndaj Zeusit totalitar, tiran, – Pandora u bë kurioze, – kurioziteti është formë e Lirisë dhe Njohurisë – e hapi Kutinë e Mbyllur – prej saj dolën gjithë të këqijat dhe mjerimet që do ta hidhëronin gjininë njerëzore – a nuk qe ky Mëkati Fillestar dhe i dëbimit të Evës dhe Adamit nga Kopshti i Edenit (?) – a nuk vazhdon akoma padrejtësisht Mallkimi brutal i gabuar, hakmarrje psikopatike, e padrejtë (?) – “u dënua” barbarisht, idiotësisht më tepër Pandora – më e bukura dhe më fisnikja sa tërë zotat sëbashku madje edhe mbi Zeusin, se sa Prometeu i cili e sfidoi Zeusin, – a nuk ngjan miti i Pandorës me vetë Mona Lizën enigmatike, – a nuk e sfidoi me Mona Lizën Leonardo Da Vinçi tërë krishterimin dhe vetë Mëkatin Fillestar, – për ta rikthyer Evën dhe Adamin përsëri në Kopshtin e Edenit (?) – a nuk ishte Pandora gruaja me bukuri më të jashtëzakonshme – a nuk është amshuar Mona Liza pikërisht nga bukuria e saj e jashtëzakonshme (?) – Bukuria i përballet me sukses rebelimit ndaj zotave të të tëra feve, – që janë forma të nënshkrimit dhe të skllavërisë shpirtërore, – ah, Pandora Mona Lizë – ah, Mona Liza Pandora – ah, Pandora si Liria në barrikadë e Delakruasë, – Rebelimi i Njerëzimit, – për një Qiell të Ri dhe një Tokë të Re…
EPIFANIA E ZGJIMIT TË BUKUROSHES SË FJETUR
– … pse E. H. Gombrich shpalli (si Sibilia e Kumes): “art në vetvete në të vërtetë nuk ka, – ka vetëm artistë” (?) – a nuk është njëlloj si të thuash “nuk ka artistë, ka vetëm art” (?) – kështu Xhoto (Giotto) pikturon një matronë me krye me njërën dorë dhe pergamenë në tjetrën, – shihet qartë se pikturë afresku ngjason me veprat e skulptorëve gotikë, por piktura nuk është statujë, – por është e vërtetë se piktura të lë përshtypjen e një statuje, – aty shohim rakursin e krahëve, modelimin e fytyrës dhe të qafës, hijet e thella të palëve të drapërisë, – diçka e tillë nuk është bërë prej mijëra vitesh, – Xhoto kështu kishte zbuluar (rizbuluar) artin e krijimit të iluzionit të thellësisë në një sipërfaqe të rrafshtë, – për Xhoton ky zbulim (rizbulim) nuk ishte mjet për hir të mjetit, por një risi, që i mundësoi të ndryshojë tërë konceptin (konceptualitetin) e Pikturës, – në vend që të përdorte teknikën e ilustrimit me piktura, ai arriti të krijojë iluzionin se kjo histori e shenjtë po ndodhte (live) përpara syve tanë – por Piktura për Xhoton, nuk është aspak zëvendësim i fjalës së shkruar, – ? është një paralele, ndërsa Piktura Universi i Dytë, – nëse Xhoto është bashkëkohës i poetit të madh Dante, – i cili e përmend atë tek “Komedia Hyjnore” Simon Martini është miku i Petrarkës, poeti më i madh italian i brezit pasardhës, – mes piktorëve italianë enigmatik dhe i papërballueshëm u shfaq “fëmija i paligjshëm” Leonardo Da Vinçi, – me alergji ndaj njohurive libreske të dijetarëve sikurse më vonë Shekspiri “dinte pak (ose aspak) latinisht dhe pak (ose aspak) greqisht” – ndoshta kujtojnë “Ëndrrën e një nate vere” të Shekspirit dhe rolet që ai u jep Sharrës marangoz, Ngordhalaqit rrobaqepës, Turirit kazanxhi, ahere mund të kuptojmë sfondin e muzgëtuar e kësaj lufte të jetës – Aristoteli kishte kodifikuar snobizmin e lashtësisë klasike, e cila artet i ndante në “arte që pajtoheshin me një shkollim të edukimit liberal” – të ashtuquajturit “Arte Liberale, (si gramatika, logjika, retorika, gjeometria,) dhe atyre punëve e pasioneve që përfshinin punën me dorë, të cilat ishin “fizike”, – prandaj dhe “shërbyese” dhe kësisoj në nivelin e dinjitetit të një fisniku, – por ambicia e pakufishme e Leonardo Da Vinçit ishte të provonte se Piktura është Art Liberal – ndonëse punohej me dorë, – por qe edhe ndryshe nga puna me dorë e të shkruarit të Poezisë, – Kjo nënkupton edhe shpesh se Leonardo mbiquhet, titullohet si “shpikës, ingjiner” dhe nuk ngriti asnjëherë një punishte pikture ku të mblidhte dhe dishepuj artistë, – askush nuk ka qenë më i duruar në vëzhgimin dhe imitimin e natyrës si Van Eyck, – por Leonardo pikturon mistikën e pamjeve, – pra është një Metafizikant i Madh, – Leonardo si në përrallën e famshme që i ka ngrirë gjestet, lëvizjet, pozicionet e njerëzve dhe drurëve në Çastin e Bukuroshes së Fjetur në pritje të epifanisë së kthimit (rikthimit) të të tëra lëvizjeve, të çgurëzimit universal, e krijoi mes nesh Mona Lizën, – pra një Kips të Bukuroshes së Fjetur, – një klonim të tjetërsojtë, – tërë komentuesit e zellshëm dhe rutinorë presin një zgjim nga gjumi magjik, por janë përherë në mes – në moszgjim dhe në një Ardhmëri Zgjimore – padyshim ka dhe shpirtra të këqij mbi vetë Mona Lizën, – a nuk qe dikur Derrida një shpirt i keq në funeralin e Marksit (?) – kyçi i postmodernes është se ekzistojnë dy “të tashme”, – një është “e tashmja” fantazmë një realitet virtual, – simulacrum, – tekno-mediatik, që e bën të “tashmen” tjetër “reale” të duket si pa kufi, që ikën, e pakapshme, – dhe ky dematerializim i reales është një Bibël Postmoderne, – jo më kot para vdekjes (në 1984) Foncault bëri thirrje për një rikthim (ridimensionim) të Iluminizmit, – për një filozofi të “Rrëfimeve të Mëdha” të Njerëzimit, – për një Terapi Homeopotike, – kjo do të thotë se Mona Liza është dhe mbetet Grifoni Mbrojtës i “Rrëfimeve të Mëdha” – nëse do të humbasin:, “Rrëfimet e Mëdha” s’do të ketë në jetë të jetëve as Mona Lizë… oh, Derrida, Derrida, – nuk është korrekt supozimi se gjithçka e arsyetuar është gjithmonë universale, pa kohë, dhe e qëndrueshme, – çdo kuptim, ose identitet (përfshirë dhe tonin) është i përkohshëm dhe relativ, – sepse nuk është asnjëherë shterrues, – gjithmonë mund të gjurmohet prapa, – deri tek një rrjet i mëparshëm i dallimeve, por edhe para natyrisht, gati në pafundësi, ose në “shkallën zero” të kuptimit – ky është dekonstruvizmi – ku i qërohen si një qepe shtresat e kuptimeve të mbivendosura, – kjo është hullia e një strategjie të zbulimit të kuptimshmërive të fshehura, – tekstet (ose dhe veprat e artit) nuk janë asnjëherë unitare, por përfshijnë burime, që shkojnë shpesh edhe kundër shprehjeve por dhe synimeve të autorëve (artistëve) të tyre – kuptimi përfshin identitetin, – (çka është ai) dhe dallimin (çka nuk është) dhe prandaj është vazhdimisht duke u “deferred” – Derrida e shpiku këtë fjalë për këtë proces, duke kombinuar dallimin (difference) dhe shtyrjen (deferred), – shtyj, largoj, veçoj), – Derrida është përpjekur të nxjerrë përfitime pozitive nga dështimi delizionues i meta-gjuhës strukturaliste, – duke vepruar kështu Derrida e la veten të hapur ndaj akuzave për relativizëm dhe irracionalizëm…