Nga Sadik Bejko
Për aktorin Ndrek Luca (1927-1995), Artist i Popullit, kam shumë për të thënë. Me atë jam njohur drejtpërsëdrejti në Gjirokastër, më 1987. Ndreka hyri me shumë nxitim në jetën time, hyri fare papritmas. Mendoj se kjo ishte natyra e tij. Kur diçka i duhej, ai pa shumë prita apo lakadredha, i sulej asaj gjëje fluturimthi dhe nuk ndalej sa ta merrte.
Ishte viti 1987, 75-vjetori i Pavarësisë. Punoja si libretist i teatrit në Gjirokastër. Gjatë verës së atij viti shkrova një dramë dhe e futa në teatër për sezonin e vjeshtës. Drama u bënte jehonë viteve në prag të Pavarësisë. Ngjarjet vendoseshin në Veriun e Shqipërisë. Nga drejtuesit e teatrit u mendua që Ndrek Luca mund të ishte aktori i rolit kryesor të kësaj drame. U bënë bisedat për ta sjellë Ndrekën me shërbim në Gjirokastër. Iu dërgua teksti i dramës. Ai pranoi. Ngjarja shkoi, për të thënë “po”-në përfundimtare, deri te drejtuesit kryesorë të partisë dhe të pushtetit në rreth. U pranua. Ndreka ishte njeri i futur dhe sapo erdhi, i takoi ata dhe që të gjitha figurat kryesore të jetës së qytetit. Teatri filloi nga puna dhe mua m’u hoq një barrë nga supet. Libretisti është si furnitori: unë e kisha furnizuar “ndërmarrjen” me ushqim. Mulliri po bluante. Tani mund t’i jepja vetes pak pushim. Por nuk qe e thënë. Një pasdite vonë Ndreka më troket te dera e shtëpisë. Nuk njiheshim fare. Dhe që kur kishte ardhur në teatër, i kisha qëndruar disi larg. Habia ishte se ai po kërkonte mbështetjen time si libretist dhe si autor i dramës. Donte që t’i dilja krah në atë që kishte ndër mend të bënte. Dramën e kishte lexuar, kishte vërejtje të ndreqshme, por nuk kishte ardhur tek unë për të më dhënë vërejtjet për tekstin a rolin e tij, si roli kryesor i pjesës. Kishte biseduar më vete me disa nga aktorët dhe kishte marrë miratimin e tyre. Halli ishte se nuk ia mbushte syrin regjisori i teatrit. Dhe donte që regjisori i shfaqjes të ishte ai, Ndrek Luca. Po përmbyste platformën e shfaqjes, punën e tjetrit, ndarjen e roleve… të gjitha.
E mbështeta, për sa më takonte mua. Si autor, më pëlqente që regjisor dhe aktor kryesor të ishte Ndrek Luca. Ishte fat për çdo autor. Për të tjerat, kishte punë me teatrin, me shefat, deri me të mëdhenjtë e rrethit që e kishin miratuar ardhjen e tij në teatrin e Gjirokastrës.
Për çudi, Ndreka ia arriti që të jetë regjisori dhe aktori kryesor i dramës. Mori në dorën e tij teatrin. Në ecje e sipër gjatë punës që bëjnë aktorët në tavolinë, dilnin vërejtje për dialogun a për skena që mund të detajoheshin më mirë apo të shkurtoheshin.
Vënia në skenë e dramës u shty deri në muajt e parë të vitit 1988. Ndreka ishte një karakter shpërthyes dhe të merrte para si një lumë me dallgë. Aktorët i kishte bërë me krahë. Teatri, vënia në skenë e një drame, do dashuri, përkushtim, është një makineri e rëndë në veprim. Ndërsa mjedisi, klima në teatër ishte e përçarë. Me Ndrekën, kundër Ndrekës… Nga të pakënaqurit shkruheshin letra fshehtas. Letra në Komitet, në Ministri, në… Personaliteti prej dukagjinasi i Ndrekës i theu të gjitha pengesat dhe shfaqja u realizua.
Dhe ajo po ndiqej për natë nga publiku. Ndrek Luca i dha sukses teatrit të Gjirokastrës me vënien në skenë të dramës Paqe e përgjakur. Në shtypin e kohës, në gazetat “Zëri i Populit”, “Zëri e rinisë”, kjo ngjarje u pasqyrua… nga vlera e shfaqjes dhe sigurisht, nga emri i Ndrekës. Drama u shfaq mbi 20 herë në Gjirokastër, pastaj dhe në Tiranë, në skenën e Teatrit Popullor. Në shfaqjen e parë në Teatrin Popullor erdhi Foto Çami, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Ministria e Kulturës na pa me sy pak shtrembër. Nuk i vumë rëndësi.
Ne ishim lart në qiell se na u dha leja të jepnim shfaqje në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Ndreka fliste dhe për një turne në shumë rrethe të Veriut. Ai gëzonte që shfaqja po na shkonte mbarë. Na pritën personalitete politike të rrethit Shkodër. Këtu Ndreka ishte si në shtëpinë e tij.
Por… papritur, “me urdhër nga lart” u ndërpre dhënia e shfaqjeve. Pak si me erë e me thëllim po mbaronte dhe mblesëria e teatrit të Gjirokastrës me Ndrek Lucën. Atij iu tha prerë se shfaqja do të pezullohej deri në një urdhër të dytë. Nuk kishte më punë në Gjirokastër.
Drama kaq e pati, u ndalua, nuk u shfaq më. Kurrë. U kthyem në Gjirokastër. Atje, në vend që të na lavdëronin, na prisnin mbledhje, linçime, ndëshkime. Ne “ndrekistët” u shpallëm të padëshiruar. Kishim shkelur etikën. Kishim mbështetur Ndrekën, duke iu kundërvënë regjisorit të teatrit, të emëruarit zyrtarisht. Mbledhjet ishin pak të gjata, të egra në fjalë dhe vazhduan disa ditë. Kishte hidhësi, tundje këmbësh e kërcëllimë dhëmbësh, që të trembnin. Flitej për heqje nga puna, për dërgime në prodhim… Mbledhje edhe në sallën e Komitetit të Partisë së rrethit në prani të Sekretarit të Parë. Aty m’u drodhën gjunjët. Një aktor i ri, I. Lluri, më dha mësime se si ta kontrolloj (si aktorët në rol) frymëmarrjen e ankthshme.
Çfarë po ndodhte? Çfarë kishim bërë? Ndrekën, siç e sollën, po me një urdhër e larguan. Pse duhet të ishim përgjegjës ne që ndenjëm afër të tij, kur po punonim për dramën? Shefat mund ta ndërprisnin bashkëpunimin me Ndrekën nëse nuk do t’i pranonin kushtet e tij. Pse nuk e ndërprenë? Pra, etikën e kishim thyer bashkë me shefat. Por, arsyet ishin të tjera dhe kurrë nuk u thanë hapur. Një aktor, pas një mbledhjeje dërrmuese, tha: “Ore, kjo drama kot e kishte me Pavarësinë. Ajo flet për kohën e sotme.” “Po… kjo ishte loja”, – do të ishte përgjigjur Ndrek Luca. Drama nuk ishte pëlqyer “lart”, për shkak të mesazheve që përcillte: një “paqe e përgjakur” me vrasje dhe me njerëz të uritur, asaj kohe nuk i përshtatej (siç!).
Mua më zbuan nga teatri. Por monizmit më 1988 ishin duke i rënë dhëmbët. Me ndërhyrjen e miqve të mi, pas një muaji më rikthyen në arsim. Shumë aktorë të teatrit, të rinjtë në moshë e profesion, morën vërejtje, heqje nga pozicioni i mëparshëm. Nuk dua të përmend emra, as të të ndëshkuarve, as të atyre që na hidheshin në fyt ne, fajtorëve.
Flamur Çani, kryetari i atëhershëm i rrethit Gjirokastër, në kujtimet e tij (vëllimi i tretë) ka shkruar emrin e një regjisori gjirokastrit, i cili me lot në sy i kishte kërkuar që mua, libretistin e teatrit, të më burgosnin. Veç shtetit edhe ne, artistët, ia kemi nxjerrë sytë njëri-tjetrit. Pas rreth një viti e gjysmë në botë… më pas edhe te ne… ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi… erdhi demokracia…
Mbeta me një respekt të pafund për Ndrekën… Në ato pak muaj u bëmë miq… U njohëm dhe familjarisht. Ai ishte një njeri i veçantë, një antikomunist i bindur. Që atëherë fliste “kundër”, por fliste për njerëz që të dridhej buza po t’i përflisje, apo t’i mallkoje ashtu siç shkumëzonte e gjëmonte Ndreka kundër tyre…