More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ndjekje të thinjura", poezi nga Azgan Berbati

    “Ndjekje të thinjura”, poezi nga Azgan Berbati

    IKJE TË PAKTHYEME

    Një shi i lashtë mbërrin dhe rrëzohet mbi vdekjen e lumit,
    Tërë shirat qajnë rrëzimin dhe vdekjen;
    Rikthimet e pamundura i qan një grua
    Mbi lumin që det s’do bëhet kurrë!


    HESHTJE E PËRBOTSHME

    Ra heshtja mbi botë
    Si një pezaul i qëllimshëm,
    Drita u zbeh, u bë e ftohtë
    Për çdo të munguar, e çdo të pranishëm.

    Disa thurën bejte;
    Të çmendurit u panë dhe qeshën,
    Disa numëronin vdekje
    …vdekje thanë; dhe heshtën!


    KUJTESË

    Çeli kumbulla dhe këtë vit,
    Ndoshta kishte çelur pranvera e s’e dinim
    Të gjitha lulet; ishin ditët e një viti
    Të largët, oh sa të largët,
    Që kumbulla deshi t’a sillte sërish
    …dhe njerëzit kurrë s’e kuptuan
    Vitin e largët, lulet e ditëve
    Kumbullën e vërtetë…
    Një jetë të tërë, nën hijen e kajsisë.


    LUFTË DHE IDENTITET

    Asnjë trim s’e ka dëgjuar këngën e vet
    Kurrë!
    Mbas lufte dalin plot të tillë
    Dhe bëhen “Ti” pa e ditur.
    -E nëse lind një tjetër luftë,
    Askush më nuk bëhet Ti
    As si Ti!


    SEKONDA I LINDI TË GJITHË
    (Edhe Kohën)

    Dhe sekonda aq e vogël
    Lindi shekuj të tërë,
    Andrra sa dy herë vetja,
    Dhimbje, tragjedi, vdekje
    Njerëz që e mendojnë veten:
    “oh sa t’mdhenj”.

    Edhe dashuritë, lumturitë, e t’mirat, sekonda i lind, i rrit
    Krejt jetën,
    Sekonda
    e para dhe e fundit n’gjithçka.


    ***

    I donte fort kafshët;

    Më fliste përherë për një kaproll të vogël
    Që kurrë nuk u rrit.
    Ndoshta i fliste fëmijëria.

    Për një kalë që kurrë të zonë në pritë s’e lëshoi, po as gra mbi të kurrë nuk udhëtuan.
    Ndoshta i flisnin plagët e shpirtit, ngjarjet.

    Më fliste për pëllumbin “e pabesë”
    Për korbin e gjarpërin.
    Ndoshta flisnin mitet, vitet, kujtimet, hallet.

    Më fliste gjithmonë për një qen;
    Legjendar besnik që kurrë qen s’e quajti!
    Mbi të gjitha i fliste dashuria.

    Më fliste dikur gjyshi im,
    Më flisnin bjeshkët me radhë,
    edhe sot më flet gjyshi
    …ndonëse më rrallë!


    NDJEKJE TË THINJURA

    Ti do të ikësh
    Si një mërzi e pashprehur,
    Duke ma trembur nga krahët lumturinë
    Siç trembet shpirti i një zogu në duart e fëmijës.

    Ti do të bëhesh vjeshtë,
    Që unë të vij fill pas teje
    E të bëhem dimër,
    Të ngrij ikjet tua,
    Dhe kur të bëhemi bashk
    T’i ndjellim plakjen njëri-tjetrit
    Me pleq prej bore.

    Ti do të bëhesh vjeshtë,
    Që unë të thinjem pas teje.


    KËNGA QË S’U KËNDUA

    Rrëzohet perëndimi nën qiell,
    Tërë shikimet rrëzohen mbas tij,
    Si një vjeshtë e papritur,
    Si një shpirt i trazuar,
    Dhe unë këndoj pa zë shpeshherë
    Për një shpirt, a mos ringjallet.
    (A ka bota shpirt, vdekje a ka !?)
    Edhe shirat këndojnë balada,
    Këngë e vjetër kthimesh…

    O perëndim, më vjen të këndoj
    Por, zëri im s’po del…


    FËMIJËRIA

    Nuk janë këto shira të reja,
    I kam parë diku
    Një ditë të hershme,
    i ndieja si sot.

    Kështu më vjen shpeshherë
    E vogla ime prej shiu,
    Dhe ikën nëpër dekada,
    Si troku i kalit të bardhë
    Me frikën që s’kthehet më!

    Unë e di;
    E vogla ime prej shiu do të vijë sërish
    Mbi trokun e kalit të bardhë,
    Përtej xhamit përlotur me të mirën time;
    Fëmijëri.


    MALL

    Tani që dita u zgjat,
    Ikëm nga shkurti i dimërt,
    I dimërt dhe pa dëborë.

    Rrugët e vendlindjes më ngjajnë,
    Si pleq të kërrusur malli,
    Që kërkojnë një fëmijë të humbur dikur,
    Të rritur para kohe.

    Tërë mallet e botës kalojnë andej
    Për një dëborë të vjetër,
    Për një pranverë të bardhë,
    Për një fëmijëri të shkuar!

    Tërë mallet e botës,
    Mbi rrugët plot moshë,
    Enden pa u shuar!…


    PËRGJËRIM

    Në verat e mia plot bjeshkë
    Luajnë fëmijët me mall,
    Kujtimet…

    Tërë kafshët e egra më kujtohen,
    Madje edhe njerëzit
    Kur vrisnin veten në syrin e tyre,
    (Dhe mendonin që kafshën vranë!)
    Por amanet faleni
    Përshpirtjen e kaprollit për besën tuaj!
    Dhe veten keni falur
    Në emrin e pafajësisë së tij!

    …përgjërohet nga larg, një fëmijë gjahtari.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË