Teksti i romanit të shkrimtarit Zija Çela mund të na ofrojë një shumësi leximesh. Ai mund të lexohet thjesht si histori, si fabul e drejtpërdrejtë, pa nënkuptime, që i thotë gjërat në rrafshin e tyre horizontal, të dukshëm. Ai mund të lexohet në aspektin moral dhe etik, që evidenton dhe dënon veprimet e ulta të njeriut, burokracinë që zvarrit pambarimisht qeniet e pambrojtura njerëzore, të cilët nuk gjejnë asnjëherë zgjidhje për problemet e tyre. Mund të lexohet si një analogji me realitetin, për arsye të shumë shenjave tekstuale, të dukshme dhe të nënkuptuara, të cilat na orientojnë tek ky rrafsh leximi, por, mbi të gjitha, romani mund të lexohet si një alegori e përbotshme dhe e përhershme, përtej kufijve kohorë dhe hapësinorë, duke i tejkaluar muret e ngurta dhe krahasimet e çalëta.
Romanin “Banka e Ankesave” e kanë përafruar me “Pallatin e ëndrrave” të shkrimtarit Ismail Kadare. Në dukje, disa ngjashmëri ekzistojnë, por kjo vepër shfaqet krejt origjinale dhe e pakrahasueshme, për arsye jo vetëm të formës letrare mbi të cilën mbruhet, por edhe të materies jetësore që end përmbajtjen. Nëse Kadare ka meritën e madhe që guxoi dhe shkroi në diktaturë për dhunën dhe tjetërsimin e individit, Zija Çela, falë talentit dhe aftësisë së tij krijuese, ka arritur të zbulojë, thuajse, të njëjtën dhunë në demokraci, ndonëse e fshehur pas një dukjeje hipokrite.
I ngritur mbi figurën e alegorisë, “Banka e Ankesave” është pasqyra ku mund të shohim vetveten, realitetin tonë të përditshëm, marrëzinë e çdo lloj pushteti, i cili ngrihet mbi hallkat e mekanizmit njerëzor, duke i vënë të gjithë në funksion të një makinerie të përbindshme, që gllabëron ingranazhet për të ushqyer jetëgjatësinë e vetes. Që në titull, “Banka e Ankesave”, kemi përdorim të metaforës, që fsheh një kuptim semantik mbi bazë krahasimi. Banka është institucion financiar, që ka të drejtën të emetojë kartmonedha, të japë kredi apo të bëjë veprime me monedha vendase apo të huaja, por që nuk mund ta bëjë një gjë të tillë me ankesat, të cilat mund të bëhen me shkresë a me fjalë, që mund t’i drejtohen një organi zyrtar për të shprehur kundërshtimin për një veprim të padrejtë a të paligjshëm të një njeriu apo të një institucioni. Përshkrimi i këtij institucioni, ndërtimi dhe funksionimi i tij, nuk janë të zakonshëm. Kemi shembëlltyrën e një ‘Tabir saraji’ modern, i cili është po aq i kontrolluar dhe i interesuar për të ditur çdo ankesë të popullit, veçse jo në një sistem të mbyllur diktatorial. Apo, edhe më keq akoma, duke i kontrolluar dhe shantazhuar institcionet e tjera, duke shpikur dhe vetëshkruar ankesa të paqena ndaj tyre për t’i mbajtur nën presion. Banka e Ankesave (BA) është një institucion i pangjashëm me të tjerët dhe është ngritur rreth njëzet vjet më parë, – thuhet në vepër. Vox Populus është shumë i rëndësishëm për pushtetin, por ai është kaotik dhe kakofonik, ndaj duhet një institucion ku të kanalizohet dhe të përqëndrohet. Për këtë arsye, është Banka ajo që hyn në dialog me shtetin. Sipas natyrës që ka përmbajtja e ankesave, krahas nivelit të pushtetit, përcaktohet edhe zyra që mund të zgjidhë ankesën ose ta kthejë pa përgjigje. Në të njëjtën kohë, qytetari njoftohet se nga do të priste përgjigjen. Asnjë qytetar nuk mund të ankohej kundër vetë Bankës së Ankesave. Institucioni është ndërtuar në bazë të seksioneve: nga Seksioni i Depozitave Postare, që regjistron letrat, kalohet në Seksionin e Seleksionimit, të cilët i marrin ankesat dhe i seleksionojnë në Të Vlefshme apo Të Pavlefshme. Të parat kalohen në Seksionin e Kualifikimit, ndërsa të dytat në Seksionin e Arkivit, i cili nga ana e vet ka dy nënseksione: Mirëmbajtjen dhe Restaurimin e Dokumenteve. Në institucion, edhe pse i paregjistruar, ekziston edhe Seksioni i Skribëve, shkruesit anonimë që përdoren nga kreu i pushtetit apo i institucionit të Bankës së Ankesave për të goditur kundërshtarët. Gjithashtu, ekziston edhe Seksioni i Digjitalizimit të Dokumenteve Arkivore (SDDA) dhe mekanizma më të vegjël, që ndihmojnë në mirëfunksionimin e Bankës së Ankesave, si Skuadra e Kontrolleve, që identifikon armiqtë e pushtetit, militantët që përdoren si vegla nga opozita, opinionistët e kamufluar si qytetarë me ndërgjegje kritike, atentatorët e mundshëm të liderëve etj.; Dhoma e Relaksit, “mjedisi çudibërës ku e dije si hyje, por nuk mund ta dije si dilje”; Inspektoriati i Terrenit, që kishin për detyrë të verifikonin nëse letërshkruesit ishin gjallë apo kishin ndërruar jetë; Forcat e Mbrojtjes së Bankës etj. Në drejtimin e Bankës së Ankesave qëndron Apostol Zamarini, në pozicionin e Superiorit. Ai është zëvendësdrejtor, por me kompetenca drejtori përderisa institucioni nuk e ka Drejtorin e Përgjithshëm dhe nuk dihet në ekziston apo është Kryeministri hija që e drejton. Zoti Zamarini është tipiku i burokratit dhe karriera në institucion ndërtohet vetëm nëse ai ka besim ndaj punonjësit. Paradoksi dhe ironia qëndron në atë se, ndërsa ka gjithë këto mekanizma dhe organizma për funksionimin e Bankës së Ankesave, njerëzit nuk gjejnë zgjidhje dhe nuk marrin kurrë përgjigje. Ata përballen me vonesa për të shqyrtuar ankesat e tyre me vite të tëra, madje shumicës i vjen radha për t’iu shqyrtuar ankesa vetëm pasi kanë ndërruar jetë. Kemi të bëjmë me një sistem burokratik të kotë dhe të dështuar, pavarësisht dukjes, i cili nuk funksionon për zgjidhjen e halleve të qytetarëve, por për ta vështirësuar edhe më shumë jetën e tyre, sepse nuk ndërtohen mbi thelbin e problematikës, por mbi formën e dukjes së gjërave. Viron Merkos, personazhit që merret në shqyrtim nga rrëfyesi Dorian Kasmi, i cili është Shef i Seksionit të Kualifikimit, njëkohësisht edhe protagonisti kryesor nga sytë e të cilit rrëfehet ngjarja, mund t’i vijë radha e ankesës së tij për shtatë vjet, ndërkohë që mjekët i kanë dhënë jo më shumë se katër vite jetë, për shkak të sëmundjes së kancerit. Zyrtarit të Bankës së Ankesave, që i ka ardhur për shqyrtim qytetari, pasi ka kaluar një kohë të gjatë pritjeje dhe zyrë më zyrë deri tek ai, i duhet të futet në bashkëbisedim, të dialogojë me ankuesin dhe t’i kërkojë që të marrë një letër nga mjeku, sipas së cilës të vërtetohet se nuk i ka ngelur shumë jetë në dispozicion. Në mënyrë që nga shtatë vjet ta çojë në shtatë muaj afatin e përgjigjes. Vetëm kështu, institucioni i Bankës së Ankesave mund të vihet në lëvizje dhe ta shqyrtojë ankesën e tij. Nëpërmjet një ironie të hollë që shkon deri në sarkazëm therrëse, shkrimtari-mjeshtër ndërton një lojë sarkastike që nxjerr në pah paaftësinë e një sistemi të tërë, që nuk shërben për atë për të cilën është ndërtuar, por për propagandë dhe për pi-ar manipulativ dhe jo të vërtetë.
Romani “Banka e Ankesave” fillon me personazhin e Zamarinit, i cili kërkon ta mbajë botën nëpërmjet globit në duart e tij, duke e përfshirë dhe duke dashur të tregojë ambicien dhe lakminë e pakufishme, dhe përfundon me lotin që “të kujton një glob, çfarë tmerri po të shkojë kot”.Njeriu, sado që të mundohet dhe të përpiqet, nuk duhet të harrojë asnjëherë destinacionin e fundit. Siç evidenton me të drejtë shkrimtari Rudolf Marku, “është sekreti hyjnor i vuajtjes së qenies njerëzore, me globin e vërtetë jo vetëm të planetit Tokë, por të vetë Universit tonë”. Përtej ironisë dhe sarkazmës, faqeve të veprës pluskon si pa u ndjerë një humanizëm i gjallë njerëzor, një dashuri, përkujdesje dhe një kujtesë për njeriun, gjë që vërteton edhe më shumë se ky tekst është në udhën e letërsisë së madhe.
Përreth 25 shekuj më parë, Platoni do t’i dëbonte poetët nga “Republika” e tij. Përjashtim do të bënin ata që do të viheshin në shërbim të pushtetit dhe do ta glorifikonin. Fatmirësisht, pushteti i sotëm, në dallim nga paranoja çmendurake e atij të para nëntëdhjetës, që kërkonte të kontrollonte edhe ëndrrat e pavetëdijshme, nuk lexon, kështu që nuk hatërmbetet me shkrimtarët.