More
    KreuLetërsiBibliotekë"More, po ç’të jetë ky njeri?", tregim nga Ylli Pango

    “More, po ç’të jetë ky njeri?”, tregim nga Ylli Pango

    …Kur asokohe të ndodhur brenda atij vet-rrethimi a rrethimi absurd të vendit nga brenda; ende të paditur e fare të palatuar, le më për lustër që nuk bëhej fjalë; bënim ca lloj biseda…e Ay ja këpuste kot më kot…fjala vjen ne bënim muhabet lulesh e ai na fliste për zhardhokë patatesh; e aty për aty ja shkrepte gazit e na zgërdhihej në turi…kur shihte surretërit tanë të habitur…

    …e kur mbetur ashtu si tuafë…cave nga ne, Ay na dukej budalla e cave ca si bir kurve…e as na shkonte ndër mend se ato fjali a ajo sjellje kishin lidhje me absurdin a realitetin distopik…a me letërsinë e këtij lloji ( ku merrnim ne vesh atëbotë nga keto)…

    …Kur më vonë ishim hapur si vaji në lakra e nuk dinim nga të shkonim a të kapeshim më parë, si të pafe që ishim…e rastiste që patëm lexuar edhe ndonjë copë Kafkë a Kamy, edhe pse të përkthyera keq…

    …atëhere edhe na shkoi ndër mend se ndofta ai që fliste aso kohe në dukje si roma për toma, me gjasë do kish lexuar “Procesin” e Kafkës a “Të Huajin” e Kamysë, shumë para nesh…që atëhere…

    …se dhe i jati diç ishte në nomenklaturë dhe ne e dinim se në duart e fëmijëve të nomenklaturës binte herë herë, si rastësisht, edhe ndonjë autor a libër asisoj……(kjo u pat përfolur kur një bir byroje pasi qe ulur në shkallë stadiumi për të ndjekur një ndeshje futbolli e rastësisht pat vënë poshtë bythe, më pas e pat harruar një librushkë të atillë…e ishte bërë problem deri lart në parti…por pat qëlluar vampiri me orë të mira e qe mbyllur çështja…por jo për tu harruar për fare…se i qe rikujtuar si mëkat shtesë të jatit të atij që pat vënë Kafkën nën bythë, e qe dërguar edhe ai me të shumtët, se në burg se në atë botë…)

    …Gjithsesi kur e pashë zgërdhitësin në mitingun e parë për liri e demokraci, pas hapjes së vetrrethimit, e e dëgjova duke  vetdeklaruar se i falte librezën me kursimet e veta, popullit demonstrues, ( e e tundte atë librezë në ajër mbi kokat e demonstruesve) mendova që Ay si bir i të atit, veç kafkian a Xhoisian s’ishte, e se nuk donte më shumë veçse, si edhe babai, ca si pushtet…aq më shumë tashmë, që dhe i ati, ndonëse dikur mik  e bashkëpunëtor i Vampirit, ndërruar jetë me kohën, mund të konsiderohej si i persekutuar…i diktaturës (sllogan dynjaja pra, e veç absurd a distopi nuk kish pasur aty)…

    …po kur pastaj, ky ish shoku ynë i klasës që na qeshte në turi, me baba dikur me pozitë e më pas dënuar, nuk mundi të çkëpusë aq copë sa ç’deshi, a sa shokët nga torta e pushtet-demokracisë, ( çështje konkurence mes vedi), ndonëse gojët e çakërryera që po ngoseshin ishin jo më pak tahmaqare se e tija…e jo më pak të të atij m. geni…

    …e fill pas kësaj ca si i zhgënjyer Ay, filloi të merrej me letra e me art( së paku ashtu i pretendonte ato që kërrente), atëhere…unë përsëri…si tip i lëkundur e që gënjehem lehtë, siç kam qenë, e kam mbetur.. si edhe gjithë turma ku bëj pjesë…sërish mendova se ai pat qenë më tepër i artit e letrave se sa i politikës… e me gjasë i pat lexuar Kafkën e Kamy-në si i artit, që atëhere…kur ne nuk dinim as nga binte “Procesi” e madje mund edhe ta imagjinonim  si ndonjë tekst anatomie…fokusuar kryesisht te Kafka e të përbrendshmet e saj…

    …por përsëri pastaj kur një ish shok i yni i klasës që në hibrido-demokraci, u bë kuadër i lartë në zyra sekrete, e pati rast të qëmtojë në dokumenta të fshehta të të shkuarës; na tregoi se pat qenë po ky shok, (Ay që na zgërdhihej si pa të keq), që e pat spiunuar e andaj edhe qe futur në burg ish shoku ynë tjetër i klasës Roni i Qashtër me shpirt artisti…thjesht pse lexonte pa të keq e molloiste pastaj me të literaturë dekadente( dhënë për tu lexuar nga Ay ) e përveç kësaj edhe pse kishin soditur së bashki në shtëpi të Ronit, edhe nja dy albume me piktura kubiste, impresioniste etj…

    …atëhere ne prapë pothuaj u ribindëm se ai e pat lexuar vërtet Kafkën që atëhere por me qëllime të ndryshme nga ç’ do ta kishim lexuar ne apo Roni i qashtër…e andaj kur na fuste ato fjalitë absurde në mes bidedash, me ç’dukej na provokonte edhe neve: në grup…e përpiqej të na peshkonte…por grepi pat kapur veç Ronin fatzi, kurse për ne të tjerët që rezultonte se nuk patëm lexuar gjë; qenë rezervuar ato zgërdhirjet e qeshjet tallëse me demek:”…e me kë merrem dhe unë me ca budallenj e injorantë të gjorë…që lëri më mirë të hanë përshesh me kos a tërvok si ata fshatarët e zonave të humbura të Dukagjinit…”

    …e pastaj kur u plakëm edhe ca dhe ndodhi që… se nga koha e re, se nga që filluam edhe ne të piqemi disi, pas të 50-ave( të paktën kështu menduam po ku i dihet), e u mblodhëm disa të mbetur prej nesh, si klasë, për një përvjetor kinse lavdie, e pasi pimë mirë e mirë që të na qartësoheshin idetë në kokë, aty ndaj të gdhirë na u soll ndër mend Ay( përsëri na u ndërkall në mes) dhe e mbyllëm natyrshëm me pyetjen drejtuar vetes si njeri tjetrit:

    “ More po ç’emër ti vëmë këtij njeriu?”…

    …e njëzëri së fundmi i dhamë karar: “po sigurisht komandant…prijës…” (… i të gjithave), dhe ashtu vërtet u bë…e bëmë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË