More
    KreuOpinion"Moisiu në bisedë" nga Stefan Cvajg

    “Moisiu në bisedë” nga Stefan Cvajg

    Tashmë kjo, siç përkrah ai ndonjërin, – shkëndijë drite në syrin e errët, hijeshi në çdo gjest të trupit melodioz, gjithnjë ende i ri për shkak të zjarrit komunikues – tashmë ky të bën për vete. Ndonjë fjalë e thotë ai për përshëndetje, një “Gëzohem” ose “Më në fund po shihemi sërish një herë”, por më parë se buza të formojë një gjë të tillë, me tonin grykor të vetëm e megjithatë dridhës, prej kohësh fjala është thënë tashmë nëpërmjet dorës së zgjatur përzemërsisht, nëpërmjet kësaj buzëqeshjeje të mirë të hapur shpengueshëm lart në sytë shprehës dhe njëkohësisht, poshtë në buzën e gjallë djaloshare: jugor, jugor i pashërueshëm, ai sjell gjithmonë me vete, për të mos ngrirë, diellin e atdheut të tij. Ai duhet të ketë ngrohtësi, ngrohtësinë e njerëzve dhe ndjenjave, shokëve, miqve, shokëve të ngushtë, grave. Eshkë për zjarrin e tij gjithmonë të gatshëm, për të qenë ai vetë i vërtetë: atij do t’ia marrë frymën ngurtësia, atë do ta vrasë mërzia. Pas disa minutash ai e përkul ashpër një fjalë te një çengel, për të ngacmuar ndonjërin si banderileroja demin, sepse ai ka nevojë që njerëzit rreth vetes t’i gjallërojë, në diskutime të jenë pasionantë, të nxitur për zgjim, ai do ngrohtësi, zjarr apo të paktën fishekzjarr. Jo, asnjë e mirë indiferente apo e keqe mbi teatrin dhe aktorët, ky zanat i gjallëruar, jo: diskutim, diskutim mbi çështjet shpirtërore, politike, vendimet që përfshijnë tërë njerëzimin, tërë kohën. Qenie salamandrike, e cila ndihet mirë vetëm në nxehtësi, në të ndjerin e ngrohjes tokësore, ai në teatër, ashtu si në dhomën më private, krijon në fillim atmosferën e shqetësimit shpirtëror, gatishmërinë e duhur të nervave dhe tani vetëm, kur fjalët përplasen nxehtësisht kundër njëra-tjetrës, ai vetë hidhet në sferën e mundshme vetëm për të. Pastaj ai fillon të flasë, të tregojë, të sqarojë dhe zëri përkëdhel veten, rrotullohet poshtë e lart shkallëve si një mace duke luajtur me lëmshin e saj, mendimin e zhvilluar në oktavat që ngjiten dhe bien muzikalisht përgjatë tërë shkallës së instrumentit tingëllues të fytit; nganjëherë me një qepallë mbyllin sytë për ta ndier ligjërimin e tij vetëm si muzikë, pastaj sërish ndonjëri joshet nga loja e hirit të trupit të tij, kureshtar për të parë në mënyrë të pandërgjegjshme ritmiken e lëvizjes shoqëruese dhe për të shijuar ekstazën e tij si çast i përsosur nga pikëpamja plastike. Dhe pikërisht më shumë nga kureshtja sesa nga bindja atij i hedhin papritmas ashpër ndonjë trung kundërshtimi në rrugë, vetëm që pastaj të shohin edhe inatin e tij në mënyrë alegorike, hedhja përpjetë e beftë nga kolltuku, vetullat që mblidhen fort midis syve, për të dëgjuar se sa krejtësisht metalik bëhet ky zë nën mbulesën muzikore, shumë i mprehtë, prerës, një thikë e hekurt. Por tashmë ai ka vënë re se atë vetëm donin ta joshnin me kundërshtim arbitrar, jashtë nga vetja dhe brenda më thellë në nxehtësi – që e goditën më furishëm për të shtendosur tërë regjistrin dhe ai, i cili jeton në lojë, buzëqesh hareshëm dhe në mënyrë djaloshare dhe duhet të të hapet zemra, kur e sheh atë të buzëqeshë kështu, krejt pa vetëkënaqësi, jo për veten, por për të tjerët, kështu siç flet ai për të tjerët, ai që dhuron pareshtur, ai që kumton përjetësisht. Atë nuk mund ta përfytyrosh të nxehur, të mbyllur, jo: gjithmonë vetëm duke luajtur, duke buruar, duke u shkapërdarë. Si rrjedhojë, mëson, bashkë me të, çdo herë sërish diçka nga më esencialja e botës në një orë që fluturon shpejt: për të qëndruar i ri nëpërmjet përkushtimit dhe për të mos u lodhur falë dëshirës gjithnjë të njëjtë për pasionin gjithmonë të ri.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË