More
    KreuArte pamoreTë krijosh mbi një kohë, pezull

    Të krijosh mbi një kohë, pezull

    Nga Ilir Kaso

    Universiteti i Arteve dhe Fakulteti i Arteve të Bukura organizon aktivitetin kulturor me titull “Proçes”. Ky aktivitet ndërthur proçesin krijues me atë pedagogjik dhe shkencor, duke mundësuar simpoziume, punëtori dhe biseda të hapura mbi çështje të artit dhe pedagogjisë.

    Plotësisht të vetëdijshëm se natyra e vërtetë e kohës mbetet një mister i padepërtueshëm, revista Life do të ripublikonte në mars të vitit 2012, një përzgjedhje fotografish të mrekullueshme të Gjon Milit duke i përshkruar si fotografi me një teknikë të shkëlqyer, të mbushura me momente, çaste dhe sekuenca që ofrojnë një koment të gjallë mbi marrëdhënien që rrëshqet mes njerëzve të thjeshtë dhe atyre të përkohshëm – ndoshta edhe të përjetshëm.
    Në rastin më të mirë, fotografitë stroboskopike të Gjon Milit jo vetëm na rikujtojnë vizionin e Blake, por gjithashtu lartësojnë, me një sy të mprehtë, mrekullinë e realitetit të qenieve të ndjeshme që lëvizin përmes kohës dhe hapësirës.
    Ky artikull flet për një seri fotografish që fotografi me origjinë shqiptare Gjon Mili shkrepi kur vizitoi Picasson në jug të Francës në vitin 1949. Propozimi i Milit ishte të pozonte për një seri fotografish ku artistit i duhej të vizatonte në ajër duke përdorur një ndriçues elektrik në vend të mjeteve tradicionale. Picasso ishte gjithmonë i gatshëm të ndërronte metodë, nga format e larmishme tradicionale të artit, te eksperimentet më të guximshme për krijimin e figurave me materiale dhe forma nga më të paimagjinueshmet. I frymëzuar nga imazhi hipnotik i fotografisë eksperimentale të Milit, Picasso projektoi tridhjetë vizatime centaurësh, demash, profilesh greke dhe firmën e tij gjithashtu. Kjo seri fotografish është realizuar nëpërmjet një teknologjie që mundëson dokumentimin e subjektit nëpërmjet dritës elektronike dhe një instrumenti të quajtur Stroboskop i cili bën që objektet në lëvizje ciklike të shfaqen të ngadaltë ose të pa lëvizshëm. Duke ndërthurur aftësinë teknike me atë artistike, Mili dokumenton brendësinë e procesit krijues të veprës ku subjekti zhvillohet nëpërmjet një veprimi pa fillim dhe pa mbarim. Ky proces krijues ndërtohet në një kohë që rri pezull, “stehende Zeit,” është nocioni që përdor Heidegger për veprimtari që zhvillohen në kohë, por që nuk përfundojnë, kjo bën që vepra të ndihet më tepër si një udhëtim se një produkt i përfunduar ose përfundimtar. Nisur pikërisht nga ky nocion, vendosa të zgjedh fjalën “proces” për ndërtimin e kësaj ekspozite duke menduar se procesi krijues është element thelbësor në veprimtarinë artistike të secilit prej nesh. Jam i sigurt që kjo temë nuk do të pengojë në krijimtarinë e asnjërit prej nesh, aq më tepër kur mendoj se sa e domosdoshme ka për të qenë në radhë të parë për studentët tanë.
    Më lejoni të marr parasysh faktin se përtej krijimtarisë sonë, kemi zgjedhur gjithashtu të jemi edukatorë në një institucion ku në përgjithësi edukimi i artit bazohet në tipe të caktuara të diturisë ose në një mjeshtëri të caktuar, që hamendësohet të transmetohet nga një gjeneratë në tjetrën. Roli i akademive para-avangardiste të artit ishte mjaft i mirëpërcaktuar. Atëherë kishin të bënin me kriterin e mirëthemeluar të mjeshtërisë teknike – në pikturë, skulpturë dhe media të tjera – që mund t’u mësohej studentëve të artit. Sot shkollat e artit kthehen pjesërisht te ky kuptim i edukimit të artit – veçanërisht në fushën e mjeteve të reja të komunikimit. Vërtet, fotografia, filmi, videoja, arti dixhital e me radhë kërkojnë aftësi të caktuara teknike që shkollat e artit mund t’i mësojnë. Por natyrisht, që arti nuk mund të thjeshtohet te shuma e aftësive teknike. Pra lind pyetja: çfarë lloj dijeje dhe mjeshtërie transmetohet nga shkollat bashkëkohore të artit sot? Kjo pyetje, siç e dimë të gjithë, prodhon shumë konfuzion. Ja pse tashmë ne e shohim rishfaqjen e diskursit mbi artin si një formë të diturisë – një diskurs që bëhet i pashmangshëm kur flasim për procesin krijues në art. Ndaj propozoj ta kthejmë hapësirën e ekspozimit në një hapësirë eksplorimi ku të mund të ndihet procesi krijues i veprës më tepër se përkufizimi final i saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË