Përtej Antologjisë poetike “Katërdhetë e nandë shpirtën në nji” të Ernest Markut
1.
Në botën e librave, nuk ka tekste më të diskutuara dhe më të diskutueshme se sa Antologjitë poetike, mbasi në to ka kaq shumë elementë pjesmarrës, kaq shumë trafik dëshirash dhe paragjykimesh, sa i bëjnë këto diskutime shpesh më të flakta seç duhet.
Në Antologjitë e poezive të kombeve të ndryshme debati kufizohet disi, dhe shkon deri në natyrën e përkthyesve, në diskutimin e cilësisë nëse janë poetët përkthyes më të vërtetë dhe më korrektë me përkthimin, (se sa përkthyesit klasik që s’janë krijues), apo edhe gjykohet edhe se si përkthyesit poetë përzgjedhin të sjellin në shqip nëpërmjet antologjive krijimet e sivëllezërve të tyre, (të ngjashëmve të tyre, homologëve që kanë), ndër kombe të tjera.
Tjetërsoj ndodh në Antologjitë kombëtare, apo dhe të kasteve të pjesëshme që përzgjidhen të jenë nëpër këto përmbledhje, herë tematike, herë zonale, herë me një argument festiv apo të dala nga aktivitete poetike, apo dhe të mbledhur nën një argument letrar.
Pikërisht tek këto të fundit merr zjarr diskutimi, gjykimet dhe paragjykimet, lihen menjëanë studiuesit si dhe më sqimatarët, dhe situatën e marrin në dorë të gjithë njëherësh, futen në lojë të talentuarit dhe entuziastët, mediokrit dhe të heshturit, qejfprishurit dhe hatërmbetësit, tifozët dhe fansat, inatçorët që fshihen pas emrave të munguar për të nxjerrë dufin dhe mllefin e tyre, se përse nuk janë vetë të përfshirë. Të gjithë i kap ekzaltimi i të qënit më i miri.
Por ka dhe një fashë të heshturish dhe të përmbajturish, që, (edhe nëse nuk janë përfshirë në ndonjë Antologji), e përcjellin me qetësi këtë mungesë, duke besuar shumë te poezitë e bukura që kanë, që nesër a pasnesër do ta gjejnë shtegun e botimit.
Përzgjedhësit dhe hartuesit e Antologjive patjetër që bëjnë një punë të madhe selektive, mundohen të jenë sa më të saktë, (dhe të drejtë), të përpiktë dhe korrektë, dhe aspirojnë të përmbajnë emocionet dhe të frenojnë raportet miqësore. Por si në çdo iniciativë relative, jo rrallë dhe në Antologjitë më të mira, bie në sy, herë sendimenti për ndonjë poet mesatar, herë herë regjisrti i leximit të përzgjedhësit nuk është kolauduar saktë, (gjë që sjellë poezitë mesatare edhe të krijuesve të njohur), dhe nganjëherë dallohen që larg hateret dhe inatet, prirjet emocionale.
2.
Në shqip janë përkthyer Antologji të poezisë, nga kombe të ndryshme, (poezia turke, japoneze, gjermane, ruse, greke, franceze, spanjolle, italiane etj.), me shumë regjistra përkthimi. Ndër to ka përkthyes shumë të mirë, poetë përkthyes, përkthyes që s’janë poetë, përkthime të poezive nga gjuhë të ndërmjetme dhe jo origjinale, njohës të mirë të gjuhës së huaj teknike, (por jo njohës të elegancës dhe brishtësisë së poezi), studiues jo të gjërë të historisë së letërsive të kombeve, (që kështu e ngushtojnë përzgjedhjen brenda dijes dhe njohjes së tyre). Gjithë këto mjeshtra gjuhësh, aq sa i kanë bërë nder lexuesit dhe bibliotekës shqiptare me tërë këtë volum poezishë, patjetër që dhe i kanë bërë dëmet dhe zullumet e tyre.
Kujtoj që Antologjia poetike e rusëve është përkthyer nga njohësit më të mirë të rusisshtes, linguistë dhe poetë të shkolluar atje, (Vedat Kokona, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Jorgo Bllaci). Madje mbaj mend që në këtë Antologji është ndjekur dhe një praktikë, që disa herë poezi të njëjta përktheheshin nga poetë të ndryshëm, secili në variantin e vet. “Shalli i zi” i Pushkinit ka plot gjashtë alternativa përkthimi. Ndryshe ndodh te Antologjia me poezi turke. Atje pjesa më e madhe e poezive është marrë nga gjuhë të tjera, të ndërmjetme. Ataol Berhamogllu, Bedretin Xhomert, Fazëll Hysny Dagllargja, Nazim Hikmet, etj. janë kthyer në shqip nga poetë që nuk e njihnin gjuhën turke, por zotronin ose rusishten ose italishte. Dhe kjo lloj praktike nuk ka ndodhur rrallë.
Në antologjitë botrore shpesh njohim jo vetëm profile shkrimtarësh. Por kemi mundësi të bëjmë dallueshmërinë e përkthyesve dhe cilësisë së tyre të përkthimit.
Biblioteka e shqipes ka në fondin e saj shumë antologji dinjitoze të përkthyesve seriozë, pra e ka atë pyllin e dendur të poezisë së huaj. Ka Antologjitë e poezive ruso-sovjetike me përkthyes Agolli, Qiriazi, Bllaci, Ziko, Siliqi; franceze me Kokonën, Shvarcin, Zhejin, Andrean; anglo amerikane që nga Noli, Kokona, Luarasi, Shllaku, Rudolf Marku, italiane Koliqi, Shllaku, Gjeçi; greke Kolevica, Ziko, Varfi; gjermane Kokona, Klosi, Kolevica; spanjolle Shvarc, spanjolle moderne Bashkim Shehu, latino amerikane Moikom Zeqo; bullgare Xhaxhiu; polake Mazllum Sanea; arabe Shaban Sinani; kuvajtiane Kujtim Morina etj.
3.
Kritika tradicionale dhe teoricienët klasikë të poezisë, kur ka ardhur puna për të gjykuar artin e vargut dhe për ta marrë në analizë poezinë, kanë thirrur në ndihmë patjetër katërshen e famshme të antikitetit. Pra atëherë kur bëhet fjala për gjykimin e poezisë, për vlerësimin dhe seleksionimin përzgjedhës të saj, për teorikën e letërsisë, akademikët dhe studiuesit tradicionalistë të saj kanë rënë dakort që, mjetet me të cilat duhet vlerësuar arti poetik gjenden në katër libra të shenjtëruar sipas tyre: “Poetika” e Aristotelit (përkthyer nga Sotir Papristo), “E madhërishmja” e Longinit (përkthyer nga Vinçens Marku), “Arti poetik” i Horacit (përkthyer nga Engjëll Sedaj), si dhe “Arti poetik” (përkthyer nga Vinçens Marku). Madje në Amerikë kam gjetur shumë botime, ku këto katër tituj përmblidheshin në një vepër të vetme, të lidhur të katërt bashkë.
Por jashtë kësaj metodike, (duke i lënë këto kolosë në shenjtërinë e tyre), shumëkush ka dalë prej rregullit klasik, duke prodhuar secili mjetet e veta, duke u mbështetur në shijet përsonale, në regjistrin e tij të leximit, në vlerësimin hierarkik të korpusit të librave të cilët çdonjëri ka lexuar, në prirjet përsonale për të ndjekur rryma, shkolla, teori e kahje letrare. Dhe pikërisht atje, tek ajo lloj letërsie që ne pëlqejmë, patjetër që ne kemi deklaruar patenten e shijeve tona, aftësinë gjykuese, sqimën estetike përsonale.
Antologjitë janë patjetër kolanat më konkrete dhe të përqëndruara, ku lexuesi dallon menjëherë profilin e përzgjedhësit dhe përpiluesit të tyre. Gjykimi ndaj poezisë përherë ka ndryshuar marzh, dhe ne kemi parë teori, qasje, mjete letrare dhe estetike nga më të ndryshmet. Jo vetëm në analizat, në studimet, në opinionet, por edhe në klasifikimet, në skedimin e autorëve dhe në grupimet antologjike, dallohen menjëherë shijet e përzgjedhësve, profili i tyre i të lexuarit letërsi, përdorimi përsonal i mjeteve te gjykimit, aftësitë selektive dhe krahasuese që këto përpilues Antologjishë kanë.
4.
Unë i kam shumë për zemër Antologjitë. Madje Shtëpia Botuese MUZGU ka botuar 20 Antologji, ku dy të fundit janë “Për një puthje u shemb Troja” (me poezi dashurie nga disa prej poetëve më të mirë tanët), si dhe Antologjinë “Në raft të librave kërkomë”, me poezitë më të bukura të 91 poetëve tanë të përiudhës së re, të cilët nuk janë më në mes nesh.
I pëlqej Antologjitë sepse në to gjendet letërsi e përqëndruar, dhe ke aty autorë cilësorë të mbledhur së bashku, që në një farë mënyre aty ata edhe ballafaqohen me njëri tjetrin brenda po të njëjtit libër. Te Antologjitë lexuesi dallon jo vetëm një kast të gjërë autorësh, por ky lexues shquan menjëherë edhe profilin e përzgjedhësit apo përpiluesit të tyre, ku dallohen patjetër dhe shijet e përzgjedhësit, statura e tij e të lexuarit letërsi, përdorimi përsonal i mjeteve të gjykimit, aftësitë selektive dhe krahasuese që përzgjedhësi ka.
5.
Dhe ja ku jemi tek Antologjia më e re, dhe ndër më të bukurat e letërsisë poetike aktive të sotme shqipe, “Katërdhetë e nandë shpirtën në nji”, mbledhur e përzgjedhur nga shkrimtari dhe studiuesi Ernest Marku, i cili qysh në krye të herës, tek parathënia, ai vendos monoklin përsonale të mënyrës se si i ka shikuar dhe i ka mbledhur poezitë, cili ka qenë kriteri i tij vetjak, shija selektive, trajta e përqasjes se teksteve poetike tek ndërgjegja letrare e këtij përpiluesi dhe përzgjedhësi teksti. Dhe vërtetë me këtë përmbledhje i ka bërë një shërbim shumë të mirë letërsisë sonë të vargut.
Ernest Marku na thotë se, kjo Antologji është bërë si “ia kënda atij”. Pra, ai pozicionohet që në fillim në komoditetin autoreferencial, duke e mbyllur me elegancë dhe finesë dhe pa kurrëfarë arrogance portën e diskutimt dhe gjykimit të Antologjisë si dhe përzgjedhjes së poezive sipas tij. Ernest Marku pra është garanti i këtyre 49 poezive, ndërmjetësi serioz mes autorëve dhe lexueseve. Dhe patjetër, që, qysh në fillim unë i kam besuar kësaj Antologjie, duke njohur Nestin si krijues, duke lexuar seriozitetin e studimeve të tij, duke qenë i prezantuar me shijet e tij të leximit, me gamën e njohjes së poezisë së sotme aktive që ky përzgjedhës ka.
6.
Emrat e autorëve të përfshirë në këtë tekst letrar janë garanti më i mirë që kjo Antologji të jetë shumë serioze dhe po kaq e admirueshme.
Poeti Alban Bala sjell në këtë Antologji një tekst të shkëlqyer, fin dhe elegant të distancës, kujtesës, nostalgjisë dhe mallit, dhe të gjitha këto të rrezikuara nga misteri i harrimit. E veçanta Albina Gjergji ka në poezinë e saj një “triko metafizike”, një triko të dimensionit filozofik, që rrin në trup “Si dimni ynë i ngushtë, / Në natën e huej”. Eshtë në Antologji dhe një poezi e Elida Rrustës që luan mrekullisht me ekstravagancën, me skutat e fshehta të ndërgjegjes së njeriut, atje ku është e vërteta dhe poezia bashkë, “E s’mujshe me dalë prej shpije, / Se tash ishe burrë i puthun.”. Elona Culiq vjen me poezinë më të bukur për trupin, këtë shenjtëri të gruas (“që trupi mundet me u ba turp”). E ky trup i hijshëm që trand botën “asht kufini jonë, / që ndanë skllavërinë nga liria,” “është amaneti që ndanë vdekjen nga jeta, është stuhia, poezia dhe gjuha, shtëpia, trupi asht shkaku dhe fundi, asht amaneti. Kjo poezi është një himn monumental, pjedestali ku trupi i gruas është vetë dinjiteti, ndërgjegja dhe koshienca e saj. Entela Tabaku luan me kohën filozofike, luan me stadin zanafillor duke e kthyer kohën mbrapsh, (nga ashklat e barkave të hedhura në ranë që i ndez flakë, në të vërtetë lexuesi kronologjikisht ndjen zjarrin si puna e parë e botës dhe mbas tij vijnë varkat e çdo gjë tjetër). Adem Xheladini përfaqësohet me poezinë “Shpresa e vuejtun”, me të cilën ka sjellë atë zërin e kujtesës së herëshme që vjen si ndërgjegje, herë e thellë, herë si kujtim dhe mall, me tone zanafillore. I mirënjohuri Alfons Zeneli ka në poezinë e tij dëshirën e fortë për të zgjuar mungesën, për të shpallur gjithë atë mall dhe ndjenjë, një klithje e heshtur dhe e përkorë e brendshme. Ka aty dhe metafizikë, aty është dilema dhe pikëpyetja e madhe mbi jetën, vdekjen dhe përjetësinë, ku Fonsi me mjeshtri ka bashkuar logjikën me intuitën mistike. Arbana Arba nënvizon lojën filozofike dhe të dimensionit “Unë ngatem për te ti”, dhe pastaj përdor si mjete ekstremet sugjestive “Lum i shkalluem”, “T’shterruna prej djegsinës”, “Trandje të pa ndigjueme”, dhe si përroi psiqik, autorja tashmë e thotë se “Ajo po ngatet si një rrapllimë përmbytjeje, të një lumi që s’njeh më as shtrat as brigje”. Impresionante mjetet dhe imazhet që përdor, Mendimi dhe ndërgjegja futen në filozofi, dhe kjo poezi bëhet mjet për të kërkuar kuptimin e egzistencës. Eshtë gjithë vezullim në Antologji dhe poezia e Bruna Përvathit. Së pari dua të them se Bruna tashmë nuk e ka gegnishten vetëm si një mjet letrar, por e ka thelbësisht si ndërgjegje të thellë krijuese, matricë dhe nukël të letërsisë që bën. Vjeshta e saj në këtë antologji është ndër më të bukurat tekste. Në gjithë atë atmosferë delikate e magjepsëse të vjeshtës, me ato shira të tejdukshëm, me kokrrat e shegës dhe ftonjtë, dhe zogjtë e shtegtimit, Bruna ka një varg që e hedh në mes të peisazhit “Ti e din se unë nuk di me vallzu”, varg që duket se nuk ka lidhje fare me atë organikë të pozisë. Bruna bën një gjest ekstravagant, të guximshëm, që rrallë herë e kemi parë të ndodhë në poezinë shqipe. Eshtë sfiduese kjo mënyrë. Poetë të mëdhenj e provojnë një truk të till, si piktorët që në një telajo krejt kompakte, fusin një penelatë apo një spatul me një ngjyrë përndezëse për ta tonifikuar të gjithë tabllonë. Bruna Përvathi përdor natyrën e brendshme përsonale, duke e kthyer dhe zhvendosur peisazhin dhe duke e transformuar shpirtin në terren simbolik. Nuk kishte si të mos qe i talentuari Dan Ibrahimi në këtë libër. Poezia e tij më ka pëlqyer shumë. Ajo është poezi e thellë por edhe e pa komplikuar, ka raportet harmonike mes koshiencës dhe inkoshencës, ka gjendje paranormale, ka instiktin dhe aksin qiell tokë, ka destinin e njeriut dhe kromozomin bazik të tij. Të gjitha të sajdisura me art. Eshtë nga ato lloj poezishë ku përdoren simbole të fshehta për të krijuar një realitet tjetër të dyfishtë, të dukshëm dhe të nënkuptuar. Ndërsa Dori Camaj ka në këtë Antologji një poezi egzistenciale. Ka një creschendo, (rritje nga të tre introduktet e poezisë, që fillojnë me “Nuk kam nji pullë” për shpirtin, për zemrën. Tonet rriten nga vargu në varg si në një uverturë. Kjo është poezi ekzistenciale ku përballet me ankthin, vetminë, boshin dhe absurdin e jetës, duke e vendosur individin, në këtë rast “unin” poetik përballë botës. Gabriela Mujaj, kjo poete e talentuar dhe ekcentrike, me poezinë e saj ballafaqon, përqas, valencat përsonale të vetes, me dënimet (që janë bekime nga Zoti), për të na dhënë një dimension real të vetes së saj. Mendimi dhe ndjeshmëria, dashnia dhe djenja që bekohet me poezi. Duket si një poezi hermetike, që ndërton kuptime të mbyllura dhe të ngjeshura dhe dendura, ku lexuesi duhet të depërtojë përmes shtresave simbolike. Por kjo gjithësesi është një poezi shumë komunikative me ndërgjegjen e lexuesit, me substancat e tij karakteriale. Hekuran Koka ka shumë shenjtëri në poezinë Nevruz. Qyshë në vargun e parë, atje ku vendoset teatri i narrativës poetike, ky djalë i talentuar shkruan “A e mbanë mend dashni”. Këtu nuk kemi të bëjmë me dashurinë e kufizuar, por këtu ndjehet se poeti i drejtohet asaj si çmund t’i drejtohesh një tempulli. Ka shenjtëri dhe paqe në vargje, me ëndrra, me kodra që bien në temena, me zogj dhe lisa. Për të mbërritur tek ndërgjegja e thellë e kësaj poezie “Nëse tokën që kemi dhuratë s’e duam / Atëherë ne nuk besojmë dot asgja”. Këtu kemi mardhënien mitike tokë e qiell, dhe me këtë modul, të këtij aksi vertikal vazhdon: “lisat do të përkulen deri në tokë, e kodrat do t’i bajnë temena qiellit”. Dhe e përmbyll. Si prelud, “Do fle herët / se kam shumë nevojë të besoj,(këtu e kemi besimin shumë toksor), kam nevojë të ëndërroj, (dhe ëndrrën shumë qiellore). Poeti me këtë kujtesë dhe nostalgji rikthen të shkuarën, si një hapsirë emocionale, ku koha bëhet mall, rikrijim dhe kërkim identiteti. Liza Brozi ka krijuar emocionin estetik duke thurur mbi një gjendje, në atë emocion të kyqur në dëshirën dhe mbërritjen në destinin e dashurisë, duke perdorur ato situata dhe sendimente përndezëse dhe përndritëse që të shtyjnë dhe thërrasin në atë rrugë. Poezia e saj është poezi meditative. Krijon një heshtje të thellë, ku kryqzohen mendimi dhe ndjenja, dhe ashtu së bashku treten në një gjendje përsiatje. Poetja e mbyll tekstin e saj me një varg “Zemrën tënde ta kemë shtëpi”. Sa bukur kur thotë “Shtëpi” dhe nuk thotë një gjë tjetër, sepse në paketën zanafillore të dëshirave, njeriu hovin e parë, tundimin e parë, tërheqjen e parë, kur është në rrugë, kur është në hall, kur është në mungesë, e ka që të mbërrijë tek shtëpia, ngrohtësia, forumi i zjarrit. Këtu Liza Brozi e nxjerr nga memorja gjenetike e të parëve të njerëzimit dhe i jep trajtë tjetër (“si zemër”, por që ama është shtëpi). Lulzim Haziri ka një paralele të mrekullueshme mes natyrës dhe letërsisë, mes çarçafëve të bardha të reve dhe letrës së bardhë të shkrimit. Të mbivendosura mbi njëra tjetrën këto dy realitete taman si në një palimpsest ekzakt. Një poezi eksperimentale, që luan me trajtat, formën, ritmin, figurinat, grafikat, apo dhe me strukturën sintaksore, për t’i dhënë kështu trajta shprehjeve poetike. Ka një fjalor të harlisur që i shkon përshtat subjektit poetik. Marash Mirashi ka kapur magjinë e zejes së poezisë, dhe e din shumë mirë se poezia është arti më i pafajshëm dhe e ka suksesin mes të qënit fëmijë dhe të qenit burrë. Pikërisht pjesmarrja në poezi e vëzhguesit fëmijë e bën zejen e vargut jo të ngurtë, jo inerta dhe cerebrale. “çikriku që nuk lulëzon më”, “etjen e grerzave”, “gurin plot myshk”, vijnë prej vegimeve fëmijnore, vëzhgime të pafajshme. Gjithashtu Marashi (që e ka këtë poezi ndër më të bukurat e Antologjisë), trajton në mbyllje të tekstit kureshtjen e ferrave (që zgjaten), duke na thënë magjepsjen e dëshirës së të pamundshmes. Peisazhet, imazhet e Autorit e ndërtojnë botën sipas figurave pamore në gjuhë simbolike, dhe këto Marash Mirashi i di mirë dhe i përdor me shumë sukses. Bravo! E veçanta Mimoza Ahmeti e nis poezinë me “Vaje të kaltra, për ty më lëshojnë flokët”. Impresioniste në ngjyra, surreale në formë, ekstravagante në lëvizje dhe energji. Pastatj merret me burrin e poezisë, kraharorin me dendësi bari të gjelbër (gjendje statike), këmbët si drurë të egjër, dhe krahët e harlisur, sepse ato lëshojnë pa rreshtur krahë të tjerë, dhe krahë të tjerë, (këtu kemi imazhet e krahëve në lëvizje, në përkdhelje, në përqafime, që duke lëvizur dhe duke mos qenë statik duken shumë, që e bën energjike poezinë, e fut në tundim) dhe e mbyll me joshjen për dashurinë e vet që është dhe toka emocionale e dëshirës së poetes, “ Një tokë një herë e gjetur / kurrë më s’është harruar”. Mimoza në poezinë e saj moderniste lëviz dhe shprish strukturat tradicionale dhe klishetë, dhe kërkon forma të reja shprehje, që e bëjnë poezinë e saj të admirueshme. Mirela Papuçiu vjen me poezinë më sensuale në këtë Antologji, me një eros të paketuar dhe maskuar me delikatesë dhe bukur, që megjithëse nuk ka asnjë fjalë të këtij korpusi, erosi ndjehet në të gjitha detajet. Ka shumë zjarmi dhe temperaturë tunduese nëpër vargjet e kësaj poezie vertetë shumë të bukur. Që në fillim tek ndezësi i agimeve, perëndimi i kuq, prushi si simbolikë, gjaku (gjaku i ndezur), gufon, m’shkrumbon, hi, di si me më zdeshë, rreze nën lëkurë, dhe hukama e frymës së ngrohtë. Të gjitha këto e potencojnë poezinë dhe aktin njëkohësisht, i japin dashurisë energjinë tunduese. Kjo është ndër poezitë që e bën këtë Antologji të duket bukur. Preng Maca është pa dyshim ndër mjeshtrat më të mirë të poezisë së brezit. Në poezinë e tij “Ngjarje e parashikuar” rrëfen një histori të improvizuar, ku poezia afrohet me tregimin, pa humbur ngarkesën emocionale. Dhe në të ka lojë maskash, ka preludin e njeriut dhe mortin e tij, ka botën hipokrite përrreth, ka gjyqin e fjalës së mbrame bashkë me gjyqin e së vërtetës, të mbyllur me një rreng shumë filozofik dhe të kuruar bukur, ku nga përtej shikon hipokrizinë e turmave. Vërtetë mjeshtri poetike.
Salvador Gjeçi ka një poezi krejt të veçantë, ku është metamorfoza egzistenciale, jeta e njeriut si një kronikë vuajtjesh dhe zhgënjimesh, shkruar me shumë klas, tjerrur me kujdes, nostalgji dhe dhimbje. Spikasin disa kalke gjuhësore të mrekullueshme si “gamilja prej reje të bardhë”, “gjallesë shkretinash”, “gunga mundimesh”, “hejbe shprese” dhe bota që lëviz e shtegton herë si një deve e butë, herë si kalë i hazdisur, herë si poeti i pa fre. Ka shumë imazh dhe gjendje filmike në poezinë e Gjeçit. Eshtë dhe poezia e Thomaidha Tanuçit këtu, e cila e vendos skenën e teatrit poetik në muzg, ku “do fjolla tymi frymojnë me vjeshtën”, peisazh dhe gjendje imazhiniste të përhapura me shumë estetikë nëpër poezi. Kur thotë Thota se “Murgjit mbyllen në lutje”, e bën skenën shumë të fuqishme dhe teatrale. Gegnishtja e kësaj poeteje të talentuar ka shijen e gegnishtes së viteve 30, atëherë kur gegnistja qe me përfaqësimin më dinjitoz, dhe që është shkollë gjuhe. Tanuçi njeh shumë mirë metrikën, njeh strukturat, dhe e mbyll tërë poezinë me një fjali me 5 fjalë njërrokshe, si prerje, si kopsitje, efekt kyqje, krejt bukur “Kaq pa turp me ty”. Viktor Gjikola pavarësisht se përfaqësohet me një poezi me një strofë, shkruan saktë gjendjen e mungesës, të kohës filozofike, dhe (si në të gjitha poezitë e shkurtra e të bukura, që kanonet e letërsisë i quajnë letërsi minimaliste), kjo lloj letërsie poetike përdor pak fjalë dhe ka figura të përmbajtura, “ku ne lexojmë heshtjen që flet po aq sa vargu”.
Poezia “T’paanët” e Vlora Ademit mrekullon atmosferën e Antologjisë. Lexojeni pa koment, që ta ndjeni sugjestionin e saj. E keni në libër, në faqen 58.


