More
    KreuPanairMark Simoni: Panairet e librit si mesha të religjionit të letërsisë

    Mark Simoni: Panairet e librit si mesha të religjionit të letërsisë

    Sapo mësova se librat shqiptar, qenë nisur me anije prej atdheut, nëpër detra dhe oqeane, për të mbërritur këtu në New York, më romantizoi shumë ky gjest, që më kujtoi letrat e futura në shishe, që marinarët i nisnin për në brigjet e gjithë botës. Nuk qe vetëm ardhja e librave nëpër detra e oqeane që më intrigoi, por mbi të gjitha se, ashtu si të gjitha letërsitë dhe librat e bukur që kanë në to brengat e tyre, pritje, situata fatale, përmallime dhe nostalgji, dhimbje dhe ankthe, njëlloj ashtu si dhe letrat e shisheve, të lundërtarëve të ujrave të pa fund.

    Trans oqeaniku mbërriti këtu ne New York, duke sjellë me vete qindja emra shkrimtarësh, subjektet e veprave të tyre, pêrsonazhet, ngjarjet dhe ndodhitë e përshkruara, duke invaduar për disa ditë mallin dhe nostalgjinë e shqiptarëve të këtueshëm, që edhe nëse disa prej tyre nuk kanë ndonjë mardhëni të fortë me librin, qenë blerës konseguentë, me po të njëjtin pasion si blerësit e antikuareve që të përfaqësojnë kombin.

    Pavarësisht se, në Panairin e Librit Shqiptar, qe pothuaj fondi më i mirë i botimeve të të gjitha Shtëpive Botuese, që botuesit kishin nisur për këtej, përsonalisht si botues qenë prezent botuesi gjeneroz dhe altruist Bujar Hudhri i “Onufrit”, që unë patjetër mendoj se është botuesi më i angazhuar ndaj letërsisë shqipe, që ka vënë në dispozicion të saj dhe gazetën prestigjoze “ExLibris” një tribunë e deklamimit të letërsisë sonë më të bukur, si dhe po kjo gazetë është dhe një tribunal dinjitoz i gjykimit dhe analizës estetike dhe letrare e veprave të ndryshme.

    Ishte dhe botuesi i mirënjohur Frano Kulli, i “Gjergj Fishtës” me stendën e botimeve të tij specifike, sidomos të letërsisë së traditës, një target botimesh shumë i kërkuar dhe impresionant për një pjesë të madhe të blerësve dhe vizitorëve.

    Me këto dy botues, mbasi kisha kohë pa u parë, më gëzoi fakti që patën ardhur, dhe gjetëm dhe mundësinë të vazhdonim një pjesë të bisedave që i patëm lënë përgjysëm në Shqipëri, për konkurset letrare, për veprat që kanë ndikuar në ndërgjegjen estetike të lexuesve, (por që juritë jo përherë kanë qenë korrekte me vlerësimin), folëm mbi letërsitë dhe librat me subjekte përsonale dhe ngjarje autoreferenciale.

    Takova dhe pata një bisedë të këndshme me studiuesin dhe autorin e veprës “Kryqtari i fundit” (Gjergj Kastrioti Skendërbeu-Ditar diplomatik), gazetarin Virgjil Kule. Vepër kjo shumë e gjërë dhe shterruese, libër akademik.

    Autorin Pashko Camaj, libri i të cilit “Kullat” (Botim i “Onufrit”), që ka patur një tur të suksesshëm promovimesh në gjithë gjeografinë shqiptarfolëse, e takova dhe më dhuroi veprat e tija.

    Më priti po ashtu Sokol Paja, një gazetar i talentuar, nje djal shume i angazhuar, pasionant dhe me frymëzim atdhetar, që më foli me shumë dëshirë, për “Vatrën” dhe gazetën “Dielli”.

    Në këtë event kulture dhe letërsie, më qe pranë vajza ime Rajsa, që prej disa vitesh studioi dhe punon e jeton në Shtetet e Bashkuara.

    Në një stendë emocionale, takova për herë të parë poetin nga Kosova Ilmi Tahiraj, që pavarësisht se e kisha përfshirë në kolanën prej 12 Antologjishë me poezi të MUZGUT, nuk e kisha parë asnjëherë. Mora falenderime zemre prej tij.

    Njerëzit e së djelës, qindra besimtarë të devotshëm, sapo mbyllën meshën, në Kishën E Shkodrës (New York-Sh.B.A.) zbritën me shumë dëshirë në hollin e gjërë ku qe Panairi dhe respektuan këtë ngjarje të kulturës dhe librit, duke shfletuar dhe blerë mjaft vepra të autorëve. Unë mendoj se, edhe dhe vetë panairet janë njëfarë meshe frymëzuese, ashtu siç dhe vetë letërsitë janë njëfarë besimi dhe religjioni. Urime të gjithëve!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË