Kur Marina Abramović udhëtoi për në Kiev në shtator të vitit të kaluar, ajo nuk e dinte që monumenti i saj do të ishte në zemër të luftës. Vepra e saj, Muri i kristaltë i së qarës, e vendosur te Babyn Yar Holocaust Memorial, përkujton hebrenjtë e vrarë në masakrën Babyn Yar, e cila u zbulua në 80-vjetorin që kur trupat naziste vranë rreth 34.000 burra, gra dhe fëmijë hebrenj në vitin 1941. Në atë kohë artistja serbe tha: “Unë dua të krijoj imazhin që është transcendental për çdo luftë, në çdo kohë, në çdo vend.”
Tani duket profetike, por për artisten nuk është e çuditshme. Në filmin-instalacion të saj Shtatë vdekjet – vendosur për shtatë solot e Maria Callas – ajo ecën përmes një bote distopike e veshur me kostum hazmat, duke iu arratisur një helmi të padukshëm. U xhirua më 2019, por duket e ngjashme me pandeminë e Covid-19.
Abramović është 75 vjeçe, por është një artiste shumë e zënë. Së fundmi hapi një ekspozitë në Sean Kelly Gallery në New York City, të quajtur “Performuese”, e cila vazhdon deri më 16 prill. Ekspozita shfaq një numër të caktuar të veprave nga karriera e saj 50-vjeçare, duke përfshirë veprën e famshme të vitit 2010, Artisti është i pranishëm,ku u ul për tre muaj duke parë një nga një vizitorët e galerisë të ulur përpara saj te Museum of Modern Art, duke vështruar në sytë e mijërave të panjohurve (shumë derdhën lot).
Së fundmi nxori në treg një pako me letra të quajtur Metoda Marina Abramović dhe do të bëjë tur me veprën opera-performuese 7 vdekjet e Maria Callas,te Deutsche Opera në Berlin më 8 prill dhe tek Teatro di San Carlo në Napoli nga 13 deri në 15 maj. Ajo gjithashtu është e para grua që do të ketë një ekspozitë solo në Royal Academy of Art në Londër, më 2023, duke thyer një rekord të ri në historinë 250-vjeçare të Royal Academy.
Abramović sapo bashkëpunoi me fotografin Marco Anelli për një ankand në Artsy për të mbështetur Ukrainën duke filluar nga 17 marsi, me të gjitha fitimet që shkojnë direkt në fondacionin e emergjencave. Ajo gjeti kohë nga oraret e saj të ngjeshura për të folur me Observer për fuqinë shëruese të kristaleve, konfliktin në Ukrainë dhe anën e saj ushtarake.
Përshëndetje Marina, a është kohë e mirë për të folur tani?
Po, dhe je një minutë me vonesë, që është e përsosur. Është 9:46 e mëngjesit.
Oh, jeni shumë e përpiktë. A keni qenë gjithmonë kështu?
Kam qenë në një familje ushtarake gjithë jetën time. Kështu që, nuk habitem. Është thjesht kontrolli.
Ky është çelësi i suksesit tuaj në shumë mënyra.
Është e rëndësishme të jesh e organizuar. Nuk jam llastuar kurrë. Kam mësuar se nëse shkon në Japoni dhe je në kohë, je vonë, sepse duhet të shkosh 15 minuta më herët. Në Gjermani është po njëlloj. Në Francë, nëse je në kohë, ata turpërohen, pasi duhet të jesh të paktën 45 minuta me vonesë. Në Brazil i bën takimet vetëm pas shiut, kurdo që të pushojë shiu.
Çfarë keni ngrënë për mëngjes?
Lëng portokalli dhe çaj. Dhe kam parë lajmet, është depresionuese. [Psherëtin].
Si ndiheni për situatën në Ukrainë?
E di, jam shumë e përfshirë në këtë situatë. Kam qenë në Ukrainë së fundmi shumë herë, teksa ndërtova memorialin për Babyn Yar Holocaust Memorial, puna ime quhet Muri i kristaltë i së qarës, a e imagjinon dot? Ka një kuptim tjetër tani. Është bërë nga qymyr i zi dhe kristale kuarci, me qëllim për të pastruar e për të shëruar. Kur e hapëm këtë në tetor, presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier dhe presidenti i Izraelit Isaac Herzog ishin aty për të përkujtuar 80-vjetorin nga masakra më e tmerrshme e Holokaustit, duke marrë pjesë në këtë moment heshtjeje, ishte shumë prekëse. E gjithë zona është bombarduar. Memoriali është i paprekur. Kjo po ndodh sërish. Më 1943, 130.000 veta u vranë brenda tri ditëve. Dhe erdhën rusët. Presidenti Volodymyr Zelensky është hebre. Mendoj se është shumë e rrezikshme kjo që po ndodh. Jo vetëm për Ukrainën, por për gjithë botën. Po flasim për një burrë që po përpiqet të krijojë Rusinë e madhe, nuk po përpiqet të tregojë dobësitë e tij. Do të shkojë deri në vdekje. Sa më shumë të përfshihen NATO dhe Amerika, aq më keq do të bëhet. Lufta është një opsion shumë i keq.
Është e pabesueshme që vepra juaj është ende aty, çfarë mund të bëhet?
Asgjë s’mund të bëhet. NATO dhe Amerika janë tepër fajtore për situatën. Nëse do ta kishin lënë Ukrainën vetëm dhe asnjanëse, nuk do të kishte ndodhur. Nuk është vetëm njëra anë. Gjeopolitikisht, ka kaq shumë elemente. Filloi në Gjeorgji më 2008. Çdo gjë ishte aty. Mund të ishte parashikuar. Rusia është shumë e rrezikshme dhe ka Kinën nga pas. Sapo mbaroi Covid-19 dhe tani kjo. Çfarë mund të bëhet? Artistët duhet të bëjnë pjesën e tyre. Politikanët duhet të bëjnë pjesën e tyre. Si një artiste, kur ndodhi lufta në Ballkan, bëra një vepër të quajtur Balkan Baroque. Njerëzit historikisht vazhdojnë të vrasin njëri-tjetrin, është gjë kaq e dhembshme për t’u përfytyruar. Historia po përsëritet. Gjithmonë përpiqem të kem një ide më të mirë, duke parë nga jashtë, kemi një planet kaq të mrekullueshëm dhe po e shkatërrojmë.
Kristalet janë gjithashtu pjesë e Karriget e drunjta e ekspozuar te Sean Kelly Gallery në Nju-Jork, apo jo? Publiku është ftuar të ulet te karriget gjithashtu.
Po, është e gjitha për shërimin. I quaj tranzitore, sepse janë aty për eksperiencën, nuk i quaj skulptura. Janë që të ulesh në heshtje dhe të shohësh murin apo ametistin dhe të reflektosh mbi veten dhe botën. Është një pjesë e qetë, momente të qeta, e sidomos në një qytet si Nju-Jorku.
Po veprat e tjera?
Shfaq performancën time të parë në shfaqjen Rhythm 10 dhe veprën e fundit Shtatë vdekjet. Dhe veprën Artisti është i pranishëm, ishte çmenduri ta redaktoje nga 760 orë. Jam vazhdimisht në njërën anë dhe publiku ndryshon çdo ditë. Është një minishfaqje për të cilën jam shumë krenare.
Ku është xhiruar Shtatë vdekjet?
Në Los Angeles, është një instalacion-video i Shtatë vdekjet e Maria Callas me më shumë elemente. Është xhiruar në rindërtimin e dhomës ku ka vdekur Maria Callas në Paris. Ka këngëtarë, një orkestër, e gjitha. Do të bëjë tur në opera në Munih, Berlin, Amsterdam dhe Napoli. Pastaj do të vijë në Nju-Jork.
Cila ishte pjesa më e bukur e bashkëpunimit me Willem Dafoe dhe dizajnerin e kostumografisë, Riccardo Tisci?
Oh, është një skuadër ëndrrash. Kam punuar përpara me Willem Dafoe në veprën Jeta dhe vdekja e Marina Abramovic, ai i luajti të gjithë nga shakaxhiu i çmendur te dashnori. Ishte shumë e rëndësishme të flisja me të që të zbuloja mbi aktrimin. Aktrimi ishte diçka komplet e panjohur për mua. Tek arti performues, çdo gjë është e vërtetë. Tek aktrimi duhet të futesh në rol. Sidomos për të vdekur. Më shpjegoi se si të bëhem një personazh e të jem e besueshme. Kjo është e mundur. Në fund, gratë gjithmonë vdesin për dashurinë. Callas, psikologjikisht vdiq nga një zemër e thyer, nuk donte të jetonte më. Prandaj Dafoe më vret vazhdimisht.
Pjesa ime e preferuar është kur hedh vazo lulesh kundrejt pasqyrës, duke thyer pasqyrën vazhdimisht. Nuk jeni supersticioze, apo jo?
Ishte Lucia, jo unë, ishte marrë nga një skenë në operën Callas, Lucia di Lammermoor. Nëse thyej një pasqyrë në shtëpinë time – jam shumë supersticioze! Jo si Lucia. Nuk isha unë. Kjo është magjia. Ajo humbi gjithçka në dashuri. Ajo vdiq nga një zemër e thyer. Lucia ishte nga operat më të gjata në film, sepse ka një skenë vdekjeje. Ajo ka nevojë të shkatërrojë gjithçka.
Po për skenën nga filmi i quajtur Helmi, marrë nga Akti III i Madame Butterfly i Puccini-t, ku ju ishit në një makth distopik ku çdokush duhej të vishte kostum hazmat për t’u mbrojtur nga mjegulla jeshile? A u xhirua para pandemisë?
Po! Dhe u bë kaq vepër ogurzezë. Mendoj gjithmonë se ka diçka tek arti që ndonjëherë ka një cilësi të cilën mund ta arrish, ku ndonjëherë mund të parashikosh të ardhmen. Në disa mënyra është e ardhme e mirë, në disa është e ardhme e keqe. Kjo më ka ndodhur kaq shumë herë në jetë. Te Helmi është radiacioni, te Muri i së qarës është lufta, është mrekulli që është ende aty. Por mund ta bombardojnë në çdo moment tani dhe do të shohim ç’do të ndodhë. Pjesë të qytetit që janë vetëm 300 metra më tutje janë shkatërruar, duke përfshirë varrezën hebreje që është aty afër.
Përse keni përdorur kristale si kuarci?
Nuk është budallallëk. Është e provuar që kanë energji. Le të shpresojmë se ky mur do të mbijetojë. Quhet Muri i të qarës, por pas së qarës vjen shërimi. Ka kaq shumë për të shëruar.
Cilat kristale janë më të fuqishmet në shërim?
Varet nga lloji, përmasa dhe metalet. Kam krijuar strukturën time duke krahasuar trupin e njeriut me trupin e planetit. Kam menduar gjithmonë se kristalet e qarta janë sytë e planetit, turmalina e mineraleve është mëlçia. Kuarci rozë është zemra. Ametisti është mendja dhe truri. Bakri besoj është sistemi ushqyes i planetit. Hematiti është hekuri, gjaku i planetit. Kam një përfytyrim të planetit dhe mënyrën si lidhet me trupin e njeriut dhe si mund të shërojnë njëri-tjetrin.
Çfarë mund të na thoni për pakon e 30 letrave që nxorët në treg me Laurence King Publishing, të quajtur Metoda Marina Abramović?
Është një proces, i ngjashëm me pastrimin e shtëpisë. Çdo letër ka një imazh nga 30 performanca të ndryshme që kam bërë dhe nga ana tjetër, ka udhëzime që të ndihmojnë të ndryshosh mendësinë tënde. Njëra thotë “Pi një gotë ujë sa më ngadalë të mundesh”, një tjetër thotë “Dëgjoje natyrën”. Mund të hysh në një gjendje tjetër vetëdije. Për të marrë më të shumtën nga letrat, e zgjedh një rastësisht.
Me veprën tuaj Artisti është i pranishëm, e cila u performua te Museum of Modern Art më 2010, duke e parë 12 vjet më vonë, çfarë shihni?
Kur shoh fytyrat e gjithë atyre njerëzve, i ndiej. Nëse njerëzit do të vinin e të shihnin veten e tyre, janë 12 vjet më të mëdhenj se ç’ishin te filmi, e di? Ishte një nga eksperiencat më të jashtëzakonshme që kam pasur, ishte kaq e vështirë. Çdo ditë mund të ishte e fundit. Ishte tre muaj e gjatë. Ishte gjëja më e vështirë për t’u bërë, të qëndrosh pa lëvizur. Isha thjesht e pranishme. Dhembja fizike dhe emocionale e njerëzve që vinin tek unë, emocionet e tyre, ishte dërrmuese. Kur u ngrita në fund, isha njeri tjetër.
Ka video tuajat duke qarë në këtë instalacion, kur po qëndronit ulur aty te MoMA. Çfarë ju bëri të qanit?
Ata! Kishte kaq shumë dhembje në këtë qytet, kaq shumë vetmi në këtë qytet. Kur je aty, je vërtet bosh dhe thjesht përpiqesh t’i përvetësosh ato. Jam ndier si një receptor gati që emocionet e tyre të dalin jashtë.
A jeni e emocionuar për retrospektivën tuaj te Royal Academy vitin e ardhshëm?
Jam! Në historinë e tyre 250-vjeçare nuk kanë pasur kurrë një shfaqje me një grua, duhet të shkoj. Duhet të ketë një ndryshim.
Marrë nga Observer
Përktheu Enxhi Hudhri