More
    KreuLetërsiBotime të rejaKujtim M. Shala: “Kënga e cjapit”, studim mbi dramën klasike shqipe

    Kujtim M. Shala: “Kënga e cjapit”, studim mbi dramën klasike shqipe

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës sapo ka nxjerrë nga shtypi librin më të ri studimor të Kujtim M. Shalës, të titulluar “Kënga e cjapit”, i cili është libri i pesëdhjetë me radhë i këtij autori.

    Kënga e cjapit trajton dramën klasike shqipe, në radhë të parë dramën tragjike, e cila njihet si gjinia më e lartë dramatike. Libri është strukturuar në tri pjesë, nga të cilat e para është teorike dhe titullohet Kënga e cjapit, ndërsa dy të tjerat, të titulluara Drama klasike dhe Tragjedia shqipe, janë studime empirike të dramës klasike shqipe.

    Pjesët empirike të librit të Shalës nisin me kapitullin Drama klasike, mbështetur te vepra e Gjergj Fishtës, në të cilin studiohet e gjithë vepra dramatike e këtij autori, duke nisur nga evidencat për të kaluar te çështja e gjinisë dhe, përfundimisht, shtrihet si interpretim i veprave të veçanta dramatike të tij. Pjesa tjetër, Tragjedia shqipe, është qendrorja e librit dhe ka tre kapituj; sipas radhës, në kapitullin e parë trajtohen tragjeditë klasike të Fishtës, për nga gjinia e tyre, struktura dhe idetë themelore; kapitulli i dytë, më i gjeri i kësaj pjese dhe i gjithë librit, u kushtohet tragjedive klasiciste të Etëhem Haxhiademit; ndërsa kapitulli i titulluar Drama fisnike trajton vepra dramatike kushtuar Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve. Te kapitulli Drama fisnike janë studiuar veprat e Andon Zako Çajupit, Anton Xanonit, Etëhem Haxhiademit, Mark Ndojës, Zef del Gaudios dhe të Gjon Shllakut.

    Si tërësi, libri Kënga e cjapit studion dramën si vepër letrare, por duke ruajtur vetëdijen se vepra e tillë shkruhet për t’u shfaqur në skenë, prandaj dhe duke pasur parasysh pikërisht atë.

    Kënga e cjapit është një studimi rrallë për dramën shqipe, libri më i plotë deri më tani që i kushtohet dramës klasike.

    Libri ka 228 faqe.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË